E premte, 26.04.2024, 11:05 PM (GMT+1)

Editorial

Idriz Zeqiraj: Reagim, përgjithësimi si hapësirë manipulimi

E merkure, 05.12.2007, 08:41 PM


REAGIM
PERGJITHESIMI SI HAPESIRE MANIPULIMI

(Reagim përkitazi me shkrimin e zotit Rexhep Elezaj: "Islamofobia e Idriz Zeqirajt, apo prokatolicizmi i tij skajshëm...!?)

"Nënë, të lutem, më fal që nuk ta jap dorën as në ditën e Bajramit. Feja islame nuk ma lejen këtë, sepse para se të jesh nënë, je femër dhe më zgjon ndjesi seksuale!!!''
(Fjalët tekstuale të një islamisti shqiptar regresiv.)

Nga Idriz Zeqiraj

Zoti Rexhep Elezaj ka studjuar në një shtet islamik dhe tani është bërë zëdhënës I ideologjisë islamike për të gjithë shqiptarët e botës edhepse i pautorizuar. Ai mbron gjithëcka islame, përfshi këtu edhe bombaxhinjtë regresivë e agresivë anekand botës, si dhe leshtakët kulexhi, që kërkojnë ndryshime radikale në fenë islame në Kosovë.
Nëse dikush merr guximin të denoncon prapësitë e të cituarëve, zoti Elezaj reagon ashpër. Por, mënyra reaguese është dinake e satanike. Pavarësisht se bëhet fjalë për islamikët arabë, zoti Elezaj i futë në një thes edhe shqiptarët islamë, edhepse nuk i lidh asgjë me ata arabë. Kështu përgjithësimin e përdor si hapësirë për të manipuluar e falsifikuar.
Zoti Elezaj është indoktrinuar keqas në shkollëzat dogmatike arabe me fobinë për krishterimin në përgjithësi dhe katolicizmin shqiptar në vecanti. Fotografia e Papa Vojtilës me Nënë Terezen në rezidencën e dr. Rugovës; gurëthemeli i vënë nga Ai për Katedralën Katolike në Prishtinë; vizita ne Vatikan; urimet dhe lutjet e gjithëmonshme për shëndetin e Papës të Shenjtë, e tmerruan islamistin e rreshkur Rexhep Elezaj dhe reagoi me shkrimin:"Dr. Ibrahim Rugova prej idolit politik, drejt njeriut të urryer fetarisht." Lind pyetja: a ka bërë hulumtim të opinionit zoti Elezaj apo ndonjë shoqatë e besueshme, nëse dr. Rugova është urryer fetarisht?! Ne e dimë se kjo nuk ka ndodhur. Atëherë, si guxon ai që patologjinë fobike personale ndaj fesë katolike ta përgjithësojë rrejshëm, duke ua veshur besimtarëve islamë të Kosovës, sikur për ata dr. Rugova qenka një figurë e urryer fetare?!
Sulmi i zotit Elezaj përkoi me shpifjet korale të së majtës të Kosovës, sikur dr. Rugova konvertoi fenë. Emërtesa "konvertim" nuk është adekuate për rastin konkret. Kthimi në fenë e të parëve nuk përbën elementin konvertues. Eshtë njësoj sikur një i mërguar shumëvjecar t'i kthehet shtëpisë së tij, familjes. Edhe largimet grupore apo individuale nga LDK-ja dhe strehimi i tyre në të majtën, në fakt, nuk kemi të bëjmë me konvertim, por kthim në bazën e tyre ideologjike, familjare. Në botën e qytetëruar lëvizjet nga një fe në tjetrën tashmë janë bërë të zakonshme. Dhe, kjo arsyetohet bindshëm se ka një Zot dhe shumë mënyra të shprehjes të besimit në Zotin e vetëm. Dhe, kjo demanton fare bindshëm për kinse epërsinë e njërës fe ndaj tjetrës, sepse pranimi i tezës absurde të fesë të përzgjedhur apo të pranuar si të vetme nga Perëndia, do të fyente besimtarët e feve të tjera, do të nxiste përcarje dhe urrejtje reciproke.
Sivëllai i dr. Rugovës gazetari i njohur Rrustem Rugova në dokumentarin "Kujtime nga fëmijëria dhe rinia e hershme e Ibrahim Rugovës", botuar për 11 ditë radhazi, në qershorin 2006, në kombëtarën "Bota sot", sjell të dhëna sa intime familjare, po aq edhe interesante. Ciltërisht e saktësisht ka përshkruar fëmijërinë e rininë e dr. Rugovës, gjë që neve që e kemi njohur nga afër në shkollë dhe jashtë saj na zgjon mjaft emocione. Ai nuk harron as pyetjen:"Kush ishin të parët tanë?" Dhe, renditë të nëntë brezat: Ibrahim Rugova djali i Ukës, Uka i Rrustës, Rrusta i Sadrisë, Sadriu i Elezit, Elezi i Demës, Dema i Nezirit, Neziri i Ibrës, Ibra i Gjokës (katolik shqiptar). Edhe degëzimet e pemës tonë gjenealogjike, pra, e imja dhe e zotit Elezaj nuk besoj të shkojnë më larg se 9 breza, pra, tek një stërgjysh me emrin Gjon apo Pjetër etj. Atëherë, pse u deshka kaq shumë mëllef e urrejtje për fenë e të parëve tanë?! Dhe, kush nuk njeh origjinën e vet ose më sakt e njeh por e mohon, është mjeran i madh. Por, edhe sikur dr. Rugova t'i ktehej fesë të të parëve të Tij, pra, të katolikut shqiptar Gjokë, në brezin e 9-të (nëntë) retrospektiv familjar, populli i Kosovës, besimtarët e devotshëm islamë, do ta kuptonin e justifikonin se vendimi i Tij është motivuar nga arsye fisnike, kombëtare dhe të origjinës të mirëfilltë fetare.
Botërisht është pranuar se shqiptarët shquhen për tolerancë fetare. Nëse në Mesjetë luftës kundraosmane i prinin Gjergj Kastrioti me fisnikët tjerë të krishterë shqiptarë, në shekullin e 19-të dhe dekadën e parë e fillim të së dytës të shekullit 20-të, lëvizjet dhe kryengritjet e armatosura antiturke, për liri e pavarësi, i udhëhiqnin stërnipërit e Skënderbeut, tashmë të konvertuar dhunshëm e dhimbëshëm në fenë e pushtuesit. Por, qendresëtarë të pathyeshëm dhe kurrë të konvertueshëm nga përkatësia kombëtare. Në jetën politike e parlamentare në Shqipëri, madje në të gjitha kohërat, në asnjë rast nuk ka pasur rrjeshtime mbi baza fetare. Mbreti Zogu i Parë, themelues i shtetit shqiptar, përgjatë shtetërimit të Tij të artë, mencurisht krijoi një traditë të shkëlqyer në Qeverisjen e harmonishme të të tri konfesioneve fetare në Shqipëri. Dhe, kjo, në radhë të parë, i dedikohet origjinës fetare së parithi të shqiptarëve, njohja e rrethanave konvertuese nga feja amë. Me këto ndjenja fisnike popullin shqitar e brumosen rilindasitë tanë urtakë se "Feja e Shqiptarit është Shqiptaria" (Vaso Pashk Shkodrani, dikur guvernator i Libanit.)
Përpjekja e sotme për ta vënë fenë mbi kombin, është regresive e krejt mjerane, madje e destinuar për dështim. Këtë nismë të gabuar e bënë shqiptarët e Sanxhakut, kur i referohen Bosnjës në vend të Kosovës. Ata janë thjesht shqiptarë autokton dhe asgjë nuk i lidhë me bosanasit muslimanë, që kanë origjinë sllavo-orthodokse dhe bogumile. E shikoni sa fatale është ta vesh fenë mbi kombin. Edhe Alia Izetbegovici gaboi rëndë kur pranoi si luftëtarë disa dhjetra muxhahedinë. Zaten, kjo shkaktoi zemratën e më pas indiferencën e Perëndimit, që nga një luftë për atdhe, po dyzohej në një luftë edhe për fe, pasojat e së cilës qenë tragjike.
Në shkrimin tim "Kamuflimet me profilizmin partiak", botuar, fillimisht, në "Bota sot" dhe më pastaj edhe në disa webfaqe internetësh, konstatoj me keqardhje, se disa shtete të botës islamike janë majtiste, regresive dhe bishtëra të Rusisë. Nga dicka  e vecantë, e përcaktuar, zoti Rexhep Elezaj përgjithëson, (njësoj si për rastin e dr. Rugovës), duke përfshirë këtu të gjithë besimtarët e fesë islame të botës dhe në vecanti ata të Kosovës.
Asgjë në shkrimin tim nuk ka jashtë kontekstit. Atentati ndaj ish-kryeministrit Hariri në Liban; intrigimi sirian antiamerikan atje; flirtet e Ahmadinexhadit me Putinin e Cavezin,si kundërvënie SHBA-ve e Perëndimit, flasin qartë për orientimin e tyre prorus e lindor.Nuk ka dyshim se pazare të tilla këto shtete regresive bëjnë edhe me  Beogradin, kur dihen aleancat e tyrë të vjetra në "Botën e Tretë", e themeluar nga Tito e Nehru (i Indisë).
Eshtë e vërtetë se shtetet islamike kanë qenë dhe mbetën dashamirëse karshi Shqipërisë. Shtetet regresive islamike sic kanë qenë Iraku i Sadamit, Libia e Kadafit, miq të ngushtë të Milloshevicit, nuk kanë ngurruar ta përkrahin Sërbinë në raport me  Kosovën. Edhe Naseri i Egjyptit (mjerisht, me emrin e tij u pagëzuan shumë fëmijë shqiptarë, pa i njohur krimet e tij të bëra ndaj shqiptarëve), dikur është dëshmuar si një antishqiptar i egër. Kolonia shqiptare e konsoliduar atje, rreth mbretit të tyre të  dashur Faruk, e prirë nga Thanas Tashko (babai i këngëtarës të mirënjohur Tefta Tashko e Koco Tashkos i diplomuar në universitetin ë Harwardit, ish sekretar I Nolit në vitet  20-a dhe burgaxhi i Burrelit në vitet '70-a e '80-a), botonte edhe fletushkën "Thumbi", emrin e së cilës e pati huazuar, për ca vite, "Zëri i rinisë" si shtojcë në  Kosovë. Dhe, bukuroshi Naser vrau e burgosi shqiptarët, madje pavarësisht nga  besimi, gjer në shpërbërjen e tërësishme të kolonisë zëmirë shqiptare. Megjithatë, unë nuk përgjithësoj të gjithë boten islamike për një grusht horash e diktatorësh. Zoti Elezaj bënë një tiradë të gjatë panagjirizmi për demokracinë, kulturën, civilizimin dhe emancipimin islam në lashtësi dhe vijimësi. Me keqardhje ia kujtoj zotërisë se në vendet islamike shumëcka ka ngecur, madje në të gjithë parametrat e shoqërisë. Kur bucasin topat, muzat heshtin -thonë poetët. Nga 38 shtete me shumicë islame, 37 prejt tyre kanë regjime antidemokratike, diktatoriale e fashizoide. Diktatura është pika kryesore konverguese me të majtën botërore. Etja për pasuri dhe pushtet i bashkon fort diktaturat. Bën përjashtim vetëm Turqia si shtet demokratik. Civilizimi i lashtë e mesjetar tashmë është arkivuar dhe i përket historisë. Këtë mund ta kujtojmë si një ëndërr të mirë, ashtu sic kujtojmë si një ëndërr të keqe Kryqzatat dhe Inkuzicionin kristian. Për cfarë civilizimi e emancipimi mund të flitet për ato shtete regresive ku gjinia femërore është e privuar nga e drejta elementare?! Kjo nuk mund të kamuflohet me mburrjet e të kaluarës të largët. Fundja, kujt i duhen ato vlerat e shumë shekujve më parë, kur sot njërëzit atje ecin këmbëzbathur mbi ar dhe rrojnë në kasolle e shpella?! Islamikët e Sadamit, mulla Omarët me shokë na servirin cdo ditë skena të llahtarëshme, si dëshmi e një bote sa agresive, po aq regresive. Dhe, këta islamistë regresivë gjakosin bashkëkombasit dhe bashkëfetarët, duke e përcjellur tymnajën e "civilizimit" të tyre anekand botës. Shtrohet pyetja: pse ata rrëndojnë kudo dhe gjithëcka me vlerë? Përgjigja është e qartë: sepse asnjë tullë ndërtuese nuk e kanë vënë vetë. Janë të tjerët që përpiqen për prosperimin ekonomik dhe emancipimin shoqëror të tyre.
Kur pohojmë dhe faktojmë se Kosovën e kanë vërshuar sekte fetarësh islamikësh, me doktrina të huazuara shpellarësh larg cdo morali e tradite islame që praktikojnë  besimtarët në Kosovë, ne nuk bëjmë asnjë blasfemi. Përkundrazi, denoncojmë të keqen virale që synon flamosjen e shoqërisë. Po përvijojmë vetëm disa nga xhevahiret predikuese "morale" e politike të këtyre sharlatanëve fetarë, të cilët po shumohen  gjeometrikisht në Kosovë dhe gjetkë në trevat shqiptare. Kodi i tyre moral është kajshëm përcudnues: "Nënë, të lutem, më fal që nuk ta jap dorën as në ditën Bajramit. Feja islame nuk ma lejon këtë, sepse para se të jesh nënë, je femër dhe më zgjon ndjesi seksuale!!!" Ata izolojnë gratë dhe vajzat edhe nga vëllezërit e tyre, sepse feja islame lejuka martesën mes fëmijëve të vëllezërve. Përjashtim bën vetëm motra.
Përvec "risive" fetare që ngulmon t'i përhapë ndër besimtarët e fesë islame, kjo racë ka edhe paketën e planeve politike, të marrura nga qendrat obskure shpellare, për shqiptarët, madje kudo që ata jetojnë. Ata u japin porosi jo vetëm të rriturëve, por edhe fëmijëve të mos blejnë coca-cola origjinale amerikane dhe të bojkotojnë blerjen e të gjitha prodhimeve tjera amerikane, angelze dhe të aleatëve tjerë të ngushtë të SHBA-ve, me qëllim dobësimi të Amërikës me aleatë, për t'ia bërë të mundur që doktrina islame ta sundojë botën në një të ardhme të afërme. Eshtë  kjo racë me fytyrat leshtake, me veshjet coroditëse haxhiqamilëshe, që ekzekutoi në zyrën e tij në Tiranë Sali Tivarin, sekretarin e komunitetit islamik të Shqipërisë, hoxhë i shkolluar, me vizion e pëparimtar, i emancipuar dhe luftëtar i paepur kundër fanatikëve islamikë injorantë e regresivë.
Kjo racë mjekërrpopash, me veshje të përcudnuar, me faljen e namazit hapakëmbas dhe intrigimi i tyre për ndryshime tjera me kahje regresive, po has në reagime cdo ditë e më shumë nga qytetarët dhe besimtarët në Kosovë. Disa syrësh kanë lënë xhamitë, ku ata i frekuentojnë, ndërsa hoxhët atdhetarë, të dëshmuar për rezistencë ndaj pushtuesit serb, ua kanë ndaluar hyrjen në xhamitë ku ata me xhematin e tyre i zotërojnë.
Mbrojtja paushalle me metodën e tij tashmë të njohur përgjithësuese, si mundësi reale për të manipuluar e falsifikuar, që u bënë zoti Rexhep Elezaj sekteve fetare të përcudnuara, na kujton "studimin" e famshëm të Enver Hoxhës, në përcapje për ta rehabilituar rebelin turkoshak Haxhi Qamilin, i cili, duke u prirë bandave analfabete me urët e zjarrit në dorë, sulmoi familjet fisnike shqiptare që kundërshtonin regjimin turk, duke djegur e shkatërruar gjithëcka kombëtare, përfshi këtu edhe flamurin e Skënderbeut! Pasi leximi i "veprave" të diktatorit ishte i detyruar për shqiptarët e gjorë, ata qeshën gjatë, por në fshehtësi absolute, sepse Hoxha i Tiranës, në një mbledhje të Byrosë Politike, kishte porositur ashpër e prerazi:"Unë dua të di se cfarë mendojnë e flasin shqiptarët edhe nën jorgan me gratë e tyre!!!" Në vitet '90-a, historianët dhe intelektualët, përfshi edhe Kadarenë, iu rikthyen "studimit" të Hoxhës për figurën bastarde Haxhi Qamilin, i cili për krimet e tij vrastare e shkatërruese, duke tundur flamurin e sulltanatit, përfundoi në litar. Ata, studjuesit, konkluduan se diktatori Hoxhë vuante nga urrejtja patologjike për mondanët dhe fisnikët shqiptarë, që nuk rreshtën së menduari e vepruari për t'u shkëputur nga një kufomë e galvanizuar, sic ishte katandisur Perandoria turke e shekullit 19-të. Emrat e tyre i hasim në të gjitha ngjarjet dhe datimet historike. Edhe në pleqërinë e thyer të tyer, në vitet '40-a, monstrumi Hoxhë i vrau, burgosi e shpronësoi, për të vazhduar përndjekjen e pasardhësve të tyre për gjysmë shekulli radhazi.
Duke bërë fjalë për misionarë të indoktrinuar, mjekërrosh e fanatikë të mykur, me predikime fetare përcarëse, unë nuk kam shkruar: "Këta të shitur dhe të përshitur nuk njohin asnjë vlerë tjetër që nuk mban vulën e islamit, nuk njohin as Skënderbeun, as Nënë Terezen, nuk njohin gardën intelektuale shqiptare katolike, që i shkruan fjalët e para të gjuhës shqipe!!!” Ndërsa zoti Elezaj duke përdorur përgjithësimin dhe hamendësimin thellon falsifikimin, duke sajuar të thëna e konstatime që unë jo vetëm që nuk i kam shprehur, por as që i kam menduar: "Konstatimi i z. Zeqiraj, se vetëm faktori katolik shqiptar është ai i cili ia ka vu themelet gjuhës dhe patriotizmit shqiptar, përkatësisht se vetëm shqiptarët katolikë janë properëndimorë, ndërsa shqiptarët myslimanë janë pro-lindorë, (lexo gjithnjë sipas z. Zeqiraj: “pro-rus, sic na qenkan edhe shtetet komuniste islame...”) - reagon Zoti Elezaj!
Nuk do koment se shtetet komuniste islame janë bishtëra të Rusisë, sepse prej andej kanë marrë dogmën ideologjike dhe vazhdojnë ta mbajnë.Rusia për dekada me radhë investon në shkollimin e kuadrove arabë dhe ata i shërbejnë besnikërisht, përderisa ruajnë sistemin majtist rus. Por, se c' lidhje ka kjo me shqiptarët myslimanë, vetëm zoti Elezaj e dinë?! Unë nuk kam thënë asnjëherë se vetëm shqiptarët katolikë janë pro-perëndimorë apo patriotë. Por "Meshari" ka për autor Gjon Buzukun dhe jo dikë tjetër. Shqiptarët gjer në vitët 90-a nuk e dinin se "Kongresin e alfabetit të gjuhës shqipe të Manastirit" e ka kryesuar Gjergj Fishta. Avanturieri Enver Hoxha, i cili nuk arriti të notohet as për vitin e parë të fakultetit, duke u ndjerë inferiorë ndaj kolosit Fishta me shokë, i anatemoi dhe i shpalli heretike veprat e tyre, duke i përflakur kriminalisht. Goditja e tyre ka edhe motivin tjetër politik. Fishta autor i "Lahuta e Malsisë", Konica botues i "Albania", Koliqi botues i "Shejzat" dhe të tjerët autorë shkrimësh e poezish - të gjithë të njëzeshëm: kundra pushtuesit serb dhe aleatit të tij të madh - Rusisë. Dhe, të dyja keto shtete mike të komunistit internationalist Hoxhë. Vetëm në vitet '90 –a shqiptarët mësuan se lakeu ruso-serb Enver Hoxha kishte frikë, edhe nga eshtrat e Gjergj Fishtës, andaj në errësirën e një nate makabre i shvarrosi dhe tinzisht e poshtërsisht i hodhi në lumin Buna. Por, kolosët Fishtë e Konicë me shokë janë ringjallur sërishmi dhe rrojnë tok me ne, në mendjet e zemrat e ë të gjithë shqiptarëve, pavarësisht besimeve fetare.
Zoti Elezaj duhet ta mësojë se unë e kam thënë të vërtetën edhe atëherë kur e vërteta mund ta vuloste jetën. Dëshmi faktike është dosja ime ku, në mes tjerash, është shënuar edhe akuza se " armiku I. Zeqiraj" ka mbrojtur shkrimtarët reaksionarë, armiq të poppullit shqiptar:” Gjergj Fishta, Faik Konica, Enest Koliqi, Martin Camaj, Et'hem Haxhiademi, Patër Anton Harapi si dhe gardën e shkrimtarëve katolikë shkodranë, duke akuzuar partinë (PPSH) e shqiptarët se bota nga hici i bën heronjtë e vetë të artit, kulturës, shkencës, ndërsa shqiptarët heronjtë e vetë i kthejnë në bajga."
Cdo shqitar duhet të ndjejë krenari të ligjshme kur shikon bustin e Skënderbeut në Romë, Paris, Bruksel, Gjenevë, Njujork dhe së afërmi edhe në qytete të tjera të botës. Ky vlerësim e mirënjohje per heroin tonë kombëtar – Skënderbeun, është rast unikal në botë, andaj edhe krenaria jonë është e ligjshme, madje pavarësisht nga përkatësia fetare. Po ashtu bustin dhe emërtimet e institucioneve të botës me emrin e Nënë Terezes, të cilën disa hierarkë fetarë në Kosovë e kanë quajtur me përbuzje rome. Dhe, këta trutharë kanë emra. Në mos kundërvënia e hapur ndaj elementëve përcarës fetarë, të paktën, distancimi është obligim moral, qytetar e kombëtar.
Kosova ka njohur shumë predikuesë fetarë që janë sakrifikuar në emër të lirisë dhe të dinjitetit kombëtar. Edhe të gjallët e sotëm si dom Lush Gjergji e Rexhep Boja me shokë, në kohë të vështira të pushtimit serbo-sllav, përpjekjes përcarëse të pushtuesit i gjegjeshin me thirrjen për unitet drejtuar popullit të Kosovës:”O shqiptar i besimit katolik apo islam, po u ndodhe afër xhamisë apo kishës – njësoj hyr e bëjë lutjet fetare, sepse ato njëlloj janë faltore të Zotit.”
Masat profilaktike janë me pak të kushtueshme se sa kurimi i vonuar. Historia, jo shumë e largët, na kujton se si dogma e komunizmit iu ngjit si bajgë në këpucët e Ali Kelmendit në Moskë dhe e barti atë në Shqipëri. Kjo dogmë – bajgë, me ndihmën e Rusisë dhe të Jugosllavisë, u përhap rrufeshëm nëpërmjet luftës civile në Shqipëri, duke u katapultuar në krye të shtetit shqiptar, për t’i gjakosur pamëshirshëm për gjysmë shekulli radhazi shqiptarët fisnikë në të dy anët e kufirit.
Mendoj se është në interes të shoqërisë gjithëshqiptare të përcjellin zhvillimet aktuale, madje në të gjitha aspektet e jetës, të kontribuojnë për ecje të njëhapshme me qytetërimin bashkëkohor, duke i djegur etapat, për t’u liruar nga ngarkesat emocionale fetare e mendësia provinciale.
Reagimi juaj i thekshëm dhe i tmerrshëm, në mbrojtje të së keqes, më kujton sulmin frontal të Jakup Krasniqit me lukuninë e tij staliniste e enveriste në vitet ’90-a. Si shkak shërbeu reagimi im ndaj dy intervistave të dhëna nga burgu të bacës Adem Demaci, ku lavdëronte diktatorin Hoxhë dhe PPSH-në. Reagimi im sa i matur, aq edhe i faktuar në letrën: “Kur ndjenja mund arsyen”, pasoi me mirëkuptimin e zotit Demaci, duke më dhënë të drejtë publike në  një tubim të madh, të organizuar për nder të tij në Ludvigshafen të Gjermanisë.
Unë u referohem fakteve dhe vetëm fakteve. Në asnjë rrethanë nuk bëj tymnajë me terorizime të përgjithësuara, hamendësuese e boshe. Andaj, pavarësisht fatit tim të hidhur jetësor, vuajtjes sa të gjatë, aq edhe të pamerituar, e drejta ka qenë gjithëherë në anën time. Dhe, ky ka qenë ngushëllimi im i madh, duke mos u penduar kurrë për veprimet e mia në të kaluarën, të cilat kanë qenë jo pak të kushtueshme. Se sa ngushëlluese është të jesh në anën e së drejtës, po shëmbulloj me telegramin proverbial të mikut tim të vuajtjes dr. Osman Kazazi, të dërguar nga burgu i hijes dhe i vdekjes-Burreli, Enver Hoxhës dhe Byrosë së tij kukullë: “Ju falenderoj
shumë se edhe pas 30 vjetësh vuajtjeje në burgjet e juaja antinjerëzore, nuk më keni dhënë asnjë rast për t’u penduar, për kundërvënien time. Pas vuajtjes të gjatë, pendimi do të ishte  i tmerrshëm për mua.” Dhe, si përgjigje, kartelës të dr. Kazazit iu “dhuruan” edhe 15 vjet burg shtesë!
Ju më kujtoni vitet e gjata të kaluara në burgjet komuniste, duke motivuar me këtë edhe mosnjohjen nga ana ime të civilizimit islam. Megjithatë, cuditërisht, nuk më mëshironi fare, duke mos u kursyer në anatema, madje me një fjalor jo shumë fisnik për një mik të vjetër dhe fort të përvuajtur. Kjo tregon se në ndëshkimin e “fajtorit” preferoni kodin ligjor të Sheriatit, i cili për qytetërimin  bashkëkohor është i pakonceptueshëm dhe tejet anakronik.
Dhe, krejt në fund miku im i dashur, Zoti ju ndihmoftë për t’u këndellur, për të parë realitetin faktik, madje pa syze, duke ju liruar nga barra tejet e rëndë për kacikun tënd modest.

Nëntor 2007                          



(Vota: 3 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora