Editorial
Mërgim Korça: 95 vjetori i krijimit të Shtetit Shqiptar
E diele, 25.11.2007, 09:18 PM
95 vjetori i krijimit të Shtetit Shqiptar
Nga Mërgim Korça
![]() |
Mërgim Korça |
Me që për 94 herë me radhë që nga 28 Nëntori i largët i 1912-ës e deri më sot është shkruar rreth përvjetorit të dhënë (sipas radhës tij) ose ku ka grumbullim shqiptarësh bashkatdhetarë me këtë rast janë mbajtur fjalime thjeshtë përkujtimore, i lutem lexuesit të më lejojë që, përgjatë kësaj paraqitje të shkurtë, të sjell disa mendime të reja e jo vetëm rikujtim datash si edhe ngjarjesh historike kyçe, bashkimi i të cilave solli në 28 Nëntorin e vitit 1912.
Perandoria Osmane, mbas thyerjes që pësoi nga Rusia, shkoi drejtë shkërmoqjes. Rusia, e mbështetur si gjithmonë nga Franca, me traktatin e Shën Stefanit, këmbëngulnin t’u jepeshin sllavëve krahina të tëra të banuara thjeshtë nga shqiptarë :
a – Dibrën, Maqedoninë Shqiptare, Pogradecin, Bilishtin si edhe gjithë prefekturën e Korçës synonin t’ia bashkangjitnin Bullgarisë.
b – Serbinë edhe Malin e Zi synonin t’i zgjeronin në kurriz të trojeve shqiptare, të parën me tokat e Kurshumlisë e Sanxhakut të Prishtinës ndërsa Malin e Zi me Ulqinin, Tivarin, Rugovën e Pejës, Plav’edhe Gucinë.
Kurse Greqia nga ana e saj, e mbështetur prej tyre, i gllabëroi si fakt të kryer krahina të tëra dhe kufirin e shtyu nga Konica, Preveza e Janina dhe e çoi tek Kepi i Stillos. Pa le që pretendonin edhe Gjirokastrën, (e në kundërshtim me Bullgarinë ... edhe Korçën).
Zhvillimet e mëvonëshme janë histori, ku fuqit’e mëdha, gjithmonë sipas interesave të tyre, i pren’edhe i cunguan trojet me popullsi thjeshtë shqiptare duke i lënë jashtë kufinjëve kombëtarë. Nuk do të ndalem tek ato zhvillime. Dua sot t’a drejtojmë vëmëndjen përgjatë shtegut të përzgjedhur nga bërthama e rilindasve – patriotë shqiptarë, që e morën nismën e krijimit të Shtetit Shqiptar. Ndjekja e atij shtegu nuk ka thjeshtë karakter tregues, jo. Ai na e ndriçon rrugën sot, mbas pikërisht thuajse një shekulli, se si historia përsëritet. A nuk duhen nxjerrë detyra nga sukseset si edhe të mos përsëriten gabimet ?
Ditët e para të muajit Nëntor 1912 Ismail Qemali i kalon në takime të dëndura mes Kolonisë Shqiptare të Bukureshtit. Ishte ajo, jo vetëm koloni e madhe, e fuqishme dhe ç’ishte më kuptimplote, ishte bashkësi tejet atdhetare ! Mbasi e siguroi mbështetjen e atij grupi etnik shqiptar, që nga 5 Nëntori Ismail Qemali qëndroi në Vjenë, kryeqendra e perandorisë Austro – Hungareze, jo pak por dhjetë ditë shpenzuar në takime e biseda intensive rangu të lartë. Politika e saj ishte në mbështetje të nacionalistëve shqiptarë ! Pse ? Jo aspak për simpati personale, por sepse interesat e saja në ato rrethana përputheshin me interesat tona ! Austro – Hungaria u kundërvihej politikave ruso – franceze ! Ministri i Jashtëm Berthold i a tha Ismail Qemalit troç edhe shkoqur se kishte kaluar koha e shkëputjes vilajeteve nga Perandoria Osmane. Pra kish trokitur çasti i pavarësisë. Cilat qenë pikat q’e kishin mbushur kupën austro – hungareze në këtë drejtim, përveç interesave thjeshtë të sajat ? Më 12 të Nëntorit Parësitë e Tiranës edhe Durrësit i kishin dërguar një proklamatë Perandorit Franz Josefit të II-të duke kërkuar ndërhyrjen e tij lidhur me pavarësinë e Shqipërisë. Por edhe bashkësia e shqiptarëve të Sh.B.A.-ve kishte ndikuar fuqishëm në këtë drejtim : Në emër të vatranëve të Bostonit, Faik Konica kishte përgatitur si edhe dërguar peticione në drejtime të ndryshëme qeverive të Sh.B.A.-së si edhe atyre europiane. Në këto kondita, më 17 Nëntor 1912, Ismail Qemali e nis telegramin e tij historik nga Vjena për në Durrës duke njoftuar arritjen e tij si edhe të delegacionit që e shoqëronte dhe me porosinë të mblidhej sa më parë Kuvëndi Kombëtar ! Me 21 të Nëntorit Ismail Qemali, i shoqëruar nga Luigj Gurakuqi si edhe Dom Nikoll Kaçorri, arritën në Durrës me pikësynim kryesimin e Kuvëndit Kombëtar për shpalljen e mëvehtësisë ! Mirëpo plani nuk arriti të zbatohej. Ai u pengua nga autoritetet lokale turke të Durrësit të mbështetur kryesisht edhe nga dhespoti grek i Durrësit, i quajtur Jakovos, që deklaroi se ai e njihte vetëm flamurin turk ! Atëbotë Ismail Qemali me shokët e tij e ndryshuan planin dhe i u drejtuan Vlorës ku, më 28 Nëntor 1912, u ngrit flamuri, u shpall pavarësia si edhe u krijua Qeveria e Parë Shqiptare !
Për t’i qëndruar unë tashti besnik premtimit që u dhashë në fillimin e kësaj analize, do t’i anashkaloj të tëra hollësitë përkujtimore që të mos zgjatem, dhe do të vij tek krahasimet historike dhe detyrat që duhen nxjerrë.
1 – Përgjatë shekujve shqiptarët as u turqizuan, greqizuan apo sllavizuan. E ruajtën qënësinë kombëtare.
2 – Kosova, sipas ëndërrës shekullore të mbajtur gjallë nga Isa Buletinët, Hasan Prishtinët e Mehmet Derallat me shokë, në fillimet e Luftës së II-të Botërore, i u bashkangjit Shqipërisë Etnike. E kjo në saje të përpjekjeve largpamëse të atdhetarëve antikomunistë, që diktatura komuniste në vashdim i dënoi si tradhëtarë !
3 – Politika shoviniste sllave, (qoftë e perandorakëve apo e komunistëve), daç e Drazha Mihajlloviçit apo e Josif Broz Titos, pikësynim të tyre e kishin Kosovën sllave, gjë të cilën me mbarimin e Luftës së II-të Botërore edhe e realizuan !
4 – Në Konferencën e Paqës në Paris, (Shtator 1946), Enver Hoxha i tha qart’edhe shkoqur Kryetarit të Delegacionit Amerikan Henderson : “... Ne nuk po e kërkojmë Kosovën nga aleatja jonë Jugosllavia “ (Costa – tek citon “US position on Recognition of the Tirana Government” – f.16). Mos të qe prishur Stalini me Titon Shqipëria do qe dhuratë–kurban e E.Hoxhës Jugosllavisë !
5 - Edhe politika bashkëkohore greke nuk ka lëvizur një vijë nga synimet e saja hegjemoniste të dikurëshme.
Interes të madh paraqit tashti problemi si u zhvilluan situatat në vazhdim ?
Nga pala jugosllave dhunë, zjarr edhe krime ! Fillo që nga krimet masive e vazhdo pastaj me deportimet qindramijëshe të popullatës kosovare për në Anadoll, kryer nga administrata e Tito – Rankoviçit pasuar në vazhdim nga krimet e deportimet e Millosheviçit !
Kurse grekët po tregohen më tinzarë por edhe agresivë të maskuar. Me shkërmoqjen e diktaturës në Shqipëri po zbatojnë dredhí tipike të Danajve prej nga rrjedhin :
a – E futën Peshkopin e tyre K/Peshkop të Shqipërisë.
b - Refugjatëve u bëjnë trysní dhe vetëm marrja nga ana e tyre e nënshtetësisë greke i bën pastaj të rregullojnë një farë standardi jetese në Greqi.
c - Kurse brënda territorit shqiptar po kërkojnë të hapin kisha ortodokse edhe në veri ku historikisht nuk ka patur ortodoksë !
d - I propozojnë gjithsecilit, mjaft të nënëshkruajë, e të marrë pensjon pleqërie grek, (pa pasë punuar një ditë për person, pa le institucion, grek !(?)
Po nga ana e jonë e barrikadës ç’ngjau dhe çfarë po ngjet ?
Një papërgjegjësí e skajëshme ! Shtetit Jugosllav i qe vënë “embargoja” dhe ndërsa U.Ç.K.-ja luftonte për pavarësínë e Kosovës, Shteti Shqiptar i mbyllte sytë ndaj eksportit të karburanteve paramilitarëve serbë, (nga ana e aventurierëve që përpara fitimeve të menjëherëshme shkelnin mbi çdo parim, edhe në qoftë se kishin ndonjë), kurse Fatos Nanua kryeministër e siguronte kasapin e Ballkanit Millosheviçin se Shqipëria nuk ndërhynte në çështjet e brëndëshme jugosllave.
Sa u takon qëndrimeve me Greqinë, jo vetëm që pranohet të hapen shkolla e universitete greke në Shqipëri, por edhe kur Presidenti i Greqisë deklaron se nuk ekziston problem çam, si Presidenti Mojsiu edhe Kryeministri Nano : heshtin në tribunë në syt’e tij !(?)
Greqia zyrtare ç’bën ? Ministrja e Jashtëme e Greqisë, zonja Dora Bakojannis bën të pamundurën dhe e ndalon vizitën e Presidentit Karolos Papulias të shkojë në Shqipëri me rastin e inaugurimit të Kolegjit ARSAKELJO ? Përse ? U trembet demonstratave eventuale çame !
Po qeveria jonë ? Në vënd t’u qëndrojë pranë refugjatëve tanë në Greqi, t’i ftojë të votojnë në Atdhe, etj. me mosinteresimin e saj praktikisht i shtyn të marrin kartën e homogjenitetit greke e cila në të ardhmen u a siguron edhe pasaportën greke, e me të edhe qarkullimin e lirë nëpër Europë pa viza ambasadash !(?)
Po ndërkombëtarët ç’bëjnë ?
- Sh.B.A.-të, si edhe historikisht, e mbështesin pavarësin’e Kosovës.
- Rusët, edhe ata si në të kaluarën historike, simpatisë ndaj serbëve u shtojnë pragmatizmin e tyre në gjëndjen aktuale, (lidhur me tendencën e shkëputjes ish republikave sovjetike nga Moska), dhe Putini deklaron qartë :
“... Për hapësirën post – sovjetike ka shumë rëndësi që zgjidhja e problemit Kosovë mos të bëhet i shkëputur ...” sepse kësisoji Kosova do të quhej rast precedent e të merrej pastaj për shëmbull nga të gjitha ish republikat sovjetike si ligjërim i kërkesave të tyre për pavarësí !
Pra, ku jemi e ku shkohet ? Si gjithmonë vëndet e vogla nëpërkëmben nga interesat e të mëdhenjëve, kjo e para. Kurse drejtuesit e vëndit tonë meazalla se po nxjerrin mësime nga e kaluara dhe pikë orientimi të kenë atdhedashurínë dhe përkushtimin që patën krijuesit e Shtetit Shqiptar ! Kjo edhe e keqja më e madhe e jona ! U ka mbetur goja tek shprehja ... të hyjmë në Europë ! Përse, mos jemi në Afrikë ne ? E keqja është se përgjatë diktaturës i u ra fyellit për dyzet’e shatë vite me radhë lidhur me internacionalizmin proletar e ajo periudhë kohore gjysëmshekullore e shojti krenarínë tonë kombëtare !
Prandaj jam i mendimit se orientimi më i dobishëm i shtetarëve tanë duhet të jetë t’i nuhasin e pastaj edhe t’i shfrytëzojnë sa më në interes të kombit rrethanat kur interesat tona kombëtare përputhen me ato të më të mëdhenjëve !
Për këtë qëndrim kanë nevojë sot Shqipëria, Kosova si edhe problemi çam, përbërësit e problemit të përgjithshëm kombëtar !
Komentoni
Artikuj te tjere
Pierre-Pandeli Simsia: Intervistë me Drejtorin e Festivalit Folklorik të Diasporës në Sh.B.A. zotin Mark Shkreli
Mërgim Korça: Përkujtesë e drejtuar historianëve të Akademisë Shkencave...
Isuf B. Bajrami: Shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë dhe formimi i shtetit shqiptar
Ka ardhur momenti që trashëgimia çame në Greqi të ndërkombëtarizohet siç duhet
Pierre-Pandeli Simsia: U zhvillua Festivali i 17-të Folklorik i Diasporës Shqiptare në Sh.B.A.
Ndue Ukaj: Deklamimi i poezisë së Nenës Terezë në një CD
Jeton Kelmendi: Autoriteti dhe autoritarizmi
Keze (Kozeta) Zylo: Ultranacionalisti serb Vojislav Sheshel ne gjyqin e Hages
Jeton Kelmendi: Edhe një herë Serbia... Evropën
Xhafer Leci: Përpjekjet e kota të nostalgjikëve komunistë
Mërgim Korça: Intervista e studjueses Ledi Shamku (Shkreli) mbase shkendija e reaksionit...
Ndue Ukaj: Shqipëria vendi i kontrasteve
Hashim Thaci: “Pavaresia, menjehere pas 10 dhjetorit”
Mërgim Korça: Baba Rexhebi dhe mistika e Tij Bektashiane
Gur mbi gurë s'do lemë në Kosovë
Agim Gashi: Gojekeqinjet le te flasin - Shqiptaret le te bashkohen
Mërgim Korça: Vënde të ndryshëm si edhe këndvështrime po të tillë
Deklarata e kongresit te dyte te lidhjes shqiptare ne bote
Kongresi i dyte i lidhjes shqiptare ne bote
Jeton Kelmendi: Dhjetori i Prishtinës dhe dështimi tjetër i Brukselit