E premte, 26.04.2024, 08:41 PM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Autobusi bie në greminë 14 të vdekur, Hetimet: Shoferi humbi kontrollin

E diele, 18.07.2010, 07:59 PM


FUSHE ARREZ -Nje autobus me pasagjerë doli nga rruga, pasditen e të shtunës në aksin Rrëshen-Fushë Arrëz, dhe ra në greminë. 14 persona mes tyre 4 fëmijë humbën jetën. Në Spitalin Ushtarak nga 10 të plagosurit, Eriksoni 9 vjecar në gjëndje kritike për jetën. Rende dhe vajza e familjes Mustafa. Kryeministri, e deputetët e opozitës homazhe në familjet e viktimave. Shqipëria sot në zi kombëtare. Grupi hetimor nxjerr konkluzionet e aksidentit: Shoferi humbi kontrollin.

Ora 19:30 BASHA: QË NESËR NIS NDIHMA PËR FAMILJET 
Të plagosurit e aksidentit të ndodhur në aksin Rrëshen – Fushë Arrëz u vizituan këtë pasdite edhe nga Ministri i Brendshëm Lulëzim Basha, i cili foli për gjendjen e stabilizuar të shumicës prej të shtruarve në Spitalin Ushtarak, ndërsa shtoi se 3 prej tyre, në gjendje më të rëndë janë nën kujdesen intensive të mjekëve 

“Gjendja e shumicës prej të shtruarve paraqitet e stabilizuar, sigurisht që ka 3 raste të cilat vazhdojnë të kenë kujdesin intensiv të mjekëve, por shpresojmë për lajme të mira. Kjo sot ka qenë një ditë tragjike për sa i përket familjarëve të viktimave në këtë aksident, ceremonia e varrimit të të cilëve ka mbaruar me përjashtim të njërës, por sic kemi vepruar në 24 orët e para do të veprojmë edhe në ditët në vijim. Jam i prekur nga përkujdesja dhe përkushtimi i mjekëve”, - deklaroi Basha. 
Basha gjithashtu bëri të ditur se familjet e viktimave do të ndihmohen nga shteti dhe se kjo ndihmë sipas tij nis nesër ose pasnesër. “Me një porosi të kryeministrit është përgatitur baza ligjore për ardhjen në ndihmë të menjëhershme familjeve të viktimave dhe të plagosurve, cka shpresojmë ta materializojmë, nesër ose pasnesër”. 

Ora 17:10 TOPALLI VIZITON TË PLAGOSURIT 
Sot rreth orës 16:50 kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli ka vizituar të plagosurit e aksidentit tragjik në ambientet e Spitalit Ushtarak, ndërsa nuk ka nguruar të shprehë solidaritet edhe për familjet e viktimave. Kryeparlamanterja ka falenderuar edhe stafin mjekësor për gadishmërinë e tyre në këto momente të vështira.

“Mjekët kanë bërë një punë heroike Është një ditë e zetë, e të gjithë jemi të shokuar. Sapo takova dy fëmijët e shtruar në spital. Mjeket thonë se jane jashtë rrezikut, do zoti dhe të gjithë të plagosurit e tjere të behen sa më mirë”- deklaroi Topalli menjëherë pasi kishte vizituar të plagosurit 

Ora 15:30 META: I TRONDITUR NGA KJO FATKEQËSI

Ministri i Jashtëm Ilir Meta sot në ditën e zisë kombëtare ka shprehur ngushëllimet për familjarët e 14 viktimave që humbuan jetën në aksidentin tragjik. Meta ka vlerësuar punën e stafit mjekësor dhe solidaritetin e gjërë për këtë ngjarje. 
“Ndihem shumë i tronditur për këtë fatkeqësi e cila u mori jetën qytetarëve tanë. Vlerësoj solidaritetin që ka treguar vendi dhe përkushtimin e ekipit mjekësor”.
Ndërsa ministri i Shëndetësisë Petrit Vasili ka deklaruar se gjendja e njërit prej të plagosurve paraqitet e rëndë. Sipas tij shëndeti i Eriksonit 9-vjecar “po monitorohet orë pas ore”.

Ora 12: 35 TOPI VIZITON TE PLAGOSURIT 
Presidenti Bamir Topi vizitoi sot në mesditë të plagosurit e aksidentit tragjik në Spitalin Ushtarak. Në një prononcim për gazetarët menjëherë pasi u nda nga bluzat e bardha kreu i shtetit informoi se të plagosurit që ndodhen në reanimacion kanë një prognozë të rezervuar por vlerësoi shërbimin “profesional”- sic tha presidenti- të mejkëve. 
“Kujdesi i jashtëzakonshëm nuk i ka munguar. Përgëzoj punën e ekipit mjekësor sepse në të tilla raste, në aksidente të përmasa të tilla kërkojnë organizim”- vazhdoi presidenti.
Duke u nisur nga ky aksident tragjik, ku humbën jetën 14 persona, kreu i shtetit i bëri apel drejtuesve të automjeteve të bëjnë kujdes “sidomos ato që janë në shërbim të publikut”. Zoti Topi kërkoi nga drejtuesit e automjeteve rritjen ndjeshëm të standardeve të qarkullimit rrugor.
ORA 12:30 HETIMET 
Shkak i aksidenti tragjik i cili i mori jetën 14 personave, ndërsa 12 të tjerë u plagosën ka qenë “humbja e kontrollit nga ana e shoferit Zef Mark Frroku (Gjergji) gjatë drejtimit të mjetit”. Konkludimi është arritur nga një grup hetimor i ngritur për hetimin e rrëzimit të autobusit me pasagjerë në aksin Rrëshen- Fushë Arrëz të dielën pasdite. 
Kryerja e ekspertimit auto-teknik të mjetit ka treguar se shpejtësia e lëvizjes së mjetit ka qenë brenda normave të lejuara, se lëvizja është kryer brenda normave të qarkullimit rrugor dhe në kahun e lejuar, sistemi i drejtimit të mjetit ka funksionuar normalisht.

Po ashtu nga hetimet e kryera rezulton se drejtuesi i mjetit ishte i pajisur me lejen e drejtimit përkatëse dhe kishte një përvojë shumëvjeçare në drejtim, ndërkohë gjendja e rrugëve ishte e rregull
Nga raporti i mjekësisë ligjore nuk ka rezultuar që drejtuesi i mjetit të ketë pasur probleme të menjëhershme të natyrës shëndetësore gjatë drejtimit të mjetit. Gjithashtu dhe nga pyetja e dëshmitarëve nuk ka rezultuar të ketë pasur ndonjë mjet tjetër në rrugë në momentin kur ndodhi aksidenti.
Grupi hetimor vazhdon kryerjen e veprimeve procedurale si dhe marrjen në pyetje të dëshmitarëve. 

ORA 12. 17 SHKODER,  DY TE PLAGOSUR LENE SPITALIN 
Dy të plagosurit të cilët ishin shtruar dje në spitalin rajonal të Shkodrës kanë lënë spitalin sot në mëngjes. Korrespondentja e NEWS24 Eljona Kodra informon se Gentian Meci, 19 vjec dhe ILir Prendi janë larguar nga spitali rreth orës 06:00 të mëngjesit të sotëm. Mjekët kanë thënë se gjëndja shëndetësore e tyre ishte përmirësuar dhe janë lejuar të largohen për në banesat e tyre. 

Ora 12. 00 DEPUTETET PS HOMAZHE NE FAMILJEN MUSTAFA 
Deputetë e Partisë Socialiste Ilir Beqja, Astrit Beci, Ndue Kola, Gjok Jaku, të shoqëruar edhe nga kryetari bashkisë së Pukës, Rustem Strugaj, kanë qenë sot pranë familjeve të viktimave të aksidentit tragjik të Fushë Arrëzit, ku humbën jetën 14 persona dhe u plagosën 12 të tjerë. Deputetët kanë qenë të pranishëm gjatë ceremonisë mortore të familjes Mustafa ne Fushe Arrez. Kjo familje ka pësuar edhe humbjen më të madhe nga aksidenti tragjik i ditës së djeshme, pasi kanë humbur jetën 3 persona.

Ora 11: 45 BERISHA: AKSIDENTI ISHTE TRAGJEDI 

Kryeministri Berisha ndodhet për vizitë në familjen Mustafa në Fushë Arrëz. Duke shprehur ngushëllimet e të gjithë shqiptarëve, kryeministri tha se “Dje ishte një tragjedi e vërtetë” . Familja Mustafa ka tre viktima, Ademin 52 vjec, Elona 12 vjece dhe Lavdien 41 vjece. Më pas kryeministri ka zhvilluar homazhe në familjen Marku. 

ORA 10:00 9 VJECARI NUK DO TRANSPORTOHET NE SENATORIUM

Mjekët e Spitalit ushtarak kanë vendosur të mos transportojnë Erikson Perajn fëmijën 9 vjecar në Spitalin e Mushkërive. Gjëndja shëndetësore tepër e rënduar e të miturit nuk lejon që ai të transportohet me ambulancë nga një spital në tjetrin. Por një aparaturë respiratore nga Spitali i Senatoriumit, si dhe mjekë të këtij spitali do të vendosen në dispozicion të fëmijës, për ti shpëtuar jetën

Ora 09:00: AKSIDENTI, DY FEMIJE NE GJENDJE TE RENDE  
Shefi i reanimacionit në Spitalin Ushtarak, Petrit Zhurda informoi sot në mëngjes se gjëndja shëndetësore e të plagosurve në aksident mbetet e rëndë. Sidomos për dy fëmijë, njëri prej të cilëve Erikson Peraj. 9 vjecari ka pësuar dëmtime të rënda në mushkëri dhe mjekët e Spitalit Ushtarak po këshillohen për transportimin e tij në Spitalin e Mushkërive, në Senatorium, për një mjekim më të specializuar. Mjekët thanë se fëmija i është nënshtuar operacionit gjatë gjithë natës. 

“Situata e gjendjes shëndetore e të aksidentuarve ngelet e rëndë. Dy fëmijë ndodhen në bllokun operator. Një kishte dëmtime të barkut dhe dëmtime të kokës, dhe një fëmijë tjetër, i cili ka dëmtime të dy mushkërive dhe është operuar gjatë gjithë natës”.- informoi Shefi i reanimacionit në Spitalin Ushtarak, sot paradite rreth orës 08.30 minuta. 

Doktor Zhurda tha se “të dy fëmijët mbahen me ventinlacion mekanik për arsye se në reanimacion nuk ka asnjë mundësi tjetër për ti trajtuar”. Mjeku reanimator shpreson se njëri prej fëmijëve, Raisa Mustafa, 12 vjece do të shkëputet nga ventilacioni mekanik.(  Ndërsa fëmija tjetër, Erikson Peraj ngelet më rëndë , dhe do transportohet në Senatorium.
Për të plagosurit e tjerë mjeku informoi se dy gra janë në reanimacion me dëmtime të anësive, të stabilizuara, ndërsa 6 të sëmurë të tjerë janë në gjendje shëndetësore të stabilizuar. Shefi i reanimacionit Zhurda tha se nuk kishte pasur nevojë për transfuzion gjaku, por bëri sërish apel “për të dhuruar gjak pasi në një sezon vere me raste të tilla përballemi përditë”. 
AKSIDENTI
Policia informoi dje se autobusi me targa PU
1330 A, që drejtohej nga 48-vjeçari Zef Gjergji, ishte duke udhëtuar nga Durrësi për në drejtim të qytetit verior. Në afërsi të fshatit Dom të Komunës së Gjegjanit, mjeti ka dalë nga rruga në një kthesë të fortë dhe ka rënë në greminë. Pasagjerët, mes të cilëve edhe gra e fëmijë, përjetuan ferrin. "Gazeta Shqiptare" shkruan sot duke iu referuar burimeve nga policia lokale pohojnë se disa nga viktimat kanë dalë nga dritaret e autobusit që është rrokullisur, për të përfunduar në ujërat e lumit Fan i Madh.  Menjëherë në vendngjarje mbërritën forca të shumta policore nga Shkodra, Puka dhe Tirana, forcat e RENEA-s, të FNSH-së, repartit të Zjarrfikësve, si dhe autoambulanca. Me urdhër të ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha u ngrit një shtab emergjence, ndërsa helikopterë të kësaj ministrie dhe asaj të Shëndetësisë fluturuan me shpejtësi për në vendngjarje për të transportuar të mbijetuarit e tragjedisë. Pas nxjerrjes nga gremina, të plagosurit, mes të cilëve dhe shoferi 48-vjeçar, u dërguan me helikopter në Spitalin Ushtarak të Tiranës. Disa të plagosur dhe të vdekur u transportuan në spitalin e Pukës ndërsa dy të tjetër në Shkodër. 
VIKTIMAT
Policia konfirmoi zyrtarisht se viktimat janë Alma Marku, 33 vjece, Arsen Marku, 8 vjec, Paulin Gjoni, 28 vjec, Mimoza Dyzeni, 29 vjece, Adem Mustafa, 52 vjec, Marte Lleshi, 31 vjece, Marie Prenga, 60 vjeçe, Elona Mustafa, 12 vjeçe, Zef Gjergji (shoferi) 47 vjeç, Fran Paloka, 22 vjeç, Gjovalin Pera, 15 vjeç, Prengë Dyzeni, 38 vjeç, Adela Prenga, 14 vjeç, Lavdie Mustafa, 41 vjeç 
TE PLAGOSURIT 
Të plagosurit në Spitalin Ushtarak janë Mirsad Mustafa 4 vjec, Mirlinda Mustafa 15 vjec, Raisa Mustafa 12 vjec, Armando Mustafa 8 vjec, Erikson Peraj 9 vjec, Flora Peraj 36 vjec, Desaro Preng Dyseli 7 vjec, Pjerin Kola 43 vjec, Gjon Marku 46 vjec, Alvida Marku 12 vjec 
DITE ZIE
Qeveria shpalli ditë zie kombëtare, ditën e sotme, në nderim të viktimave të aksidentit tragjik. Qeveria informoi dje se do të marrë përsipër të gjitha shpenzimet për familjet që humbën të afërmit e tyre në aksident. Dita e zisë do të shoqërohet me një minutë heshtje dhe me vendosjen e flamurit kombëtar në gjysmë shtize, në të gjitha institucionet shtetërore. 

(s. gera/m. arapi/BalkanWeb)

_____________

Udhetimi i tmerrit, 50 metrat e fundit drejt vdekjes

 

Gazeta Shiptare, 18/07/2010 - 14:14

 

Nga i dërguari ynë Armir Mehaj

 

Ka parë tmerr me sy, aq sa e ka të vështirë të flasë. Ndonëse kanë kaluar disa orë nga koha kur ndodhi aksidenti i tmerrshëm, Zef Përshtjefni thotë se para syve i shfaqet një skenë e frikshme: koka të çara fëmijësh dhe grash, trupa njerëzish që nuk njiheshin, të mbijetuar që ngjanin më shumë të vdekur se të gjallë. I shokuar, ai së bashku me banorë të tjerë të zonës, ka marrë të vdekurit dhe të plagosurit poshtë në lumin e Fanit dhe i ka transportuar me kamionçinën e tij për në rrugën nacionale. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, Zef Përshtjefni nga fshati Gojan i rrethit të Pukës, tregon se si mësoi lajmin për aksidentin dhe se vullnetarisht shkoi në “vendin e vdekjes” për të shpëtuar të gjallët.

 

Si u gjendët në vendin ku ndodhi tragjedia?

 

Isha në shtëpi kur dëgjova se një autobus kishte thyer qafën dhe kishte rënë në humnerë. Duke qenë se e kam shtëpinë afër, nuk hezitova, por u nisa për në vendin e ngjarjes. Mora kamionçinën time dhe menjëherë u nisa nga fshati Gojan në drejtim të fshatit Dom, të Komunës së Gjegjanit.

 

Çfarë vure re kur shkove në vendin e aksidentit?

 

Aty ishin mbledhur banorë të tjerë të zonës, si dhe drejtues mjetesh. Autobusi kishte dalë nga rruga në një kthesë shumë të fortë, që ne vendasit e quajmë kthesa e “Arëve të Preçajve” dhe kishte rënë në lumin Fani i Madh. Nuk humba kohë, por me kamionçinën time, nëpërmjet një rruge dytësore, zbrita poshtë tek lumi. Ishte një tmerr i vërtetë. Nuk mund ta përshkruaj atë çfarë pashë e përjetova në ato çaste. Mos e dhëntë Zoti që dikush të bëhet dëshmitar i një kasaphane të vërtetë, si ajo e sotmja (e djeshmja) në zonën tonë.

 

Gjetët pasagjerë të mbijetuar, apo vetëm të vdekur?

 

Pashë fëmijë dhe gra me koka të çara. Nuk mund t’i përshkruaj. Nuk njiheshin. I mbuluam me batanije dhe i vendosëm në kamionçinë. Di që 6 të vdekur i kam nxjerrë nga lugina e lumit Fan dhe i kam transportuar deri në rrugën nacionale. Më pas, viktimat janë dërguar me makina të vogla për në qendrën spitalore të fshatit Gjegjan.

 

Po të plagosur, transportuat me kamionçinën tuaj?

 

Po, kam transportuar edhe të plagosur. Të gjithë ishin pa ndjenja. Nuk merrej vesh nëse ishin gjallë apo vdekur. Zoti u fali jetën të mbijetuarve, pasi në vendin ku u gremis autobusi, zor se shpëton njeri. Bëhet fjalë për 40-50 metra lartësi.

 

Dini gjë, cili ishte shkaku i daljes së autobusit nga rruga?

 

Jo, nuk di gjë. Kam disa orë që jam këtu në vendngjarje dhe askush nuk mund të thotë diçka të sigurt. Pasagjerët e mbijetuar janë në gjendje shoku dhe nuk mund të flasin, të tregojnë se çfarë ndodhi realisht.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora