E premte, 26.04.2024, 11:29 PM (GMT+1)

Editorial

Edita Kuçi-Ukaj: Bota pas 11 shtatorit

E diele, 04.07.2010, 10:04 PM


Bota pas 11 shtatorit

 

Nga Edita Kuçi-Ukaj

 

Rënia e Bllokut Sovjetik, për një kohë relative u duk se e la botën në qetësi. Në të vërtetë, kjo “qetësi” për të cilën aq shumë investoi Perëndimi, u trondit sa qelë e mbyll sytë. Dalja në skenë e Al- Qaides, sidomos ciklet e papara të dhunës që ka ndërmarr kjo organizatë terroriste si Kullat Binjake, Londër e Madrid, Mumbai, etj., e ka hapur një kapitull të ri në marrëdhëniet ndërkombëtare, përgjithësisht dhe atë me konsekuenca të shumta. Kjo organizatë ka rishfaqur rrezikun permanent, duke shfrytëzuar metodat me çmendurake. Rishfaqja e njëmbëdhjetë shtatorit 2001, ka shënuar një të papritur, mbase as të paimagjinuar nga bota demokratike, botë kjo e cila kishte filluar një politikë të mirëqenies së gjithmbarshme- integrimeve të përgjithshme.

 

Kjo organizatë militante, e dalë nga gjiri i besimit islam, ka ndezur konflikte të përmasave botërore në gjithë botën, duke u thirr në luftë, e cila për bazë ka religjionin- fakt ky që kërkon rritjen e nivelit të koshiencës nga rreziku që mund të rishfaqet prej kësaj të keqe universale. Me luftën në Irak dhe Afganistan, po duket se terroristet islamikë e kanë gjetur një arenë të re ku të fushëveprojnë, duke shfrytëzuar pretekstin se SHBA-të intervenuan dhe e shkatërruan regjimin Taliban në Afganistan, menjëherë pas 11 shtatorit dhe më tej invaduan dhe rrezuan regjimin e Sadamit në Irak.

 

Aktivistë të shumë politikë, sikundër edhe analistët, kanë apeluar tek bota që të jetë koshiente për rrezikun e vazhdueshëm që i kanoset sot botës nga kjo organizatë famëkeqe dhe ekstremizmi religjioz, i cili për fat të keq është në rritje. Kështu p.sh. analisti suedez Per Jonsson i gazetës “Dagens nyheter”, gazetë kjo më e madhja në Suedi, duke elaburuar këtë konflikt, thekson faktin se Perëndimi tashmë gjendet para një ideologjie, e cila, si e tillë, u prodhua nga qarqet ekstreme islamike. Ideologji e cila ka ndarë botën, madje duke i rishfaqur kryqëzatat. Në dhjetor 2003, ekspertët e terrorizmit nga OKB-ja theksuan se ekzistojnë 30-40 grupe terroriste, të cilat janë të lidhura me Al-Qaiden dhe që paraqesin rrezik potencial për botën e civilizuar. Në të njëjtën kohë, shefi i antiterrorizmit të FBI-së, Larry Mefford, dëshmon se FBI-ja është duke përndjekur organizatat mbështetëse të Al-Qaides, në afro 40 shtete të ndryshme. Në shumë raste është përhapur ideja se tash organizata është shndërruar në një “ideologji”, ose në një “lëvizje” ku vetë shpallen xhihadët, pra lufta e shenjtë kundër Perëndimit, ose “virusi” zinxhir i terrorit, që nuk njeh metoda, për të realizuar synimet. Analisti i terrorizmit, Peter Bergen, thotë se organizata ka vetëm disa qindra anëtarë shumë të lidhur, madje edhe në lidhje gjaku, gjë që pengon çrrënjosjen e kësaj ideologjie. Ndërsa niveli tjetër i organizimit ka disa mijë xhihadë, të cilët kanë marrë shkollimin e praktikën në Afganistan. Madje, disa prej këtyre veprojnë nëpër hapësira të ndryshme të botës, në rolin e misionarit të kësaj ideologjie. Në bazë të një sondazhi me opinionin (në vende islame) nga instituti “PEË” thuhet se është ngritur shumë antiamerikanizmi tek myslimanët, që paraqet një rrezik në vete. Rreziku tjetër, ndoshta më i madhi, ekziston në Europë, ku presupozohet se mund të ketë shenja që organizatat terroriste islamike mund t’i realizojnë aktet terroriste në të ardhmen (gjë kjo që është argumentuar me rastin e sulmeve në Madrid dhe Londër).

 

Një ndër çështjet kryesore që shtrohet sot rreth terrorizmit, mbetet mendimi se çfarë qëllimesh fshehën prapa këtyre terroristëve islamikë, ose organizatat të cilat thirrën në emër të këtij besimi. Mbetet të analizohet fakti shumë i diskutueshëm e i rrezikshëm. Përderisa Al-Qaida i ka katër kërkesa, të cilat kërkon t’i pranohen nga Perëndimi (SHBA-të dhe aleatët perëndimor), organizatat e tjera si duket, janë duke u përqendruar tek një luftë absurde ndaj Perëndimit, të cilën e shohin të pafe-ide kjo që është zhvendosur në rrafshin e një ideologjie shkatërrimtare, madje edhe në emër të Zotit. Instrumentalizimi i religjionit është një parashenjë tejet e rrezikshme. Mbeten interesante proklamimet e tyre, përmes së cilave Al-Qaida, madje grupet tjera terroriste, kanë synim të shkatërrohet shteti Izraelit dhe vendet tjera të shenjta, ku e ka burimin krishterimi, që ndërlidhet me Perëndimin, të cilin ata e luftojnë, e ndaj të cilit zhvillojnë propagandë. Tashmë teoritë e dijetarit amerikan Samuel Huntington, për të ardhmen e konflikteve në botë “ndeshje të civilizimeve” mes perëndimit dhe islamit, të paralajmëruar në një kohë qetësie, tash çdo ditë e më shumë kanë filluar të bëhen modele të ndërtimit të politikave, ngase në formë profetike flitet për shumë fakte reale. Osama bin -Laden kështu u shpreh para 11 shtatorit: “Të vrasësh amerikanë dhe aleatë të tyre, civilë a ushtarë, është një detyrë e çdo myslimani”. Absurdi është kulmi i kësaj ideologjie, ashtu siq është edhe pengesa e një debati brenda islamit për të vërtetën e kësaj ideologjie dhe lidhjet e mundshme të saj me predikimet islame. Si rezultat i kësaj ideologjie religjioze pikërisht sipas qëndrimeve të proklamuara, bota duhet të ndahet mes tradhtareve dhe besnikëve, mes islamit dhe krejt botës perëndimoree jo perëndimore.

 

Kjo luftë, në një formë, në kontekstin e përgjithshëm nacional, na ka përfshirë edhe ne si shoqëri të gjendur në pikën e vlimit të ndeshjes së këtyre dy kulturave. Andaj, është e domosdoshme të kemi një strategji nacionale përballë kësaj ideologjie. Pas ideologjisë izoluese komuniste, tashmë Islami e ka zëvendësuar komunizmin, si antagonisti kryesor i botës perëndimore, siç del edhe nga një raport i publikuar nga Foreign Office në Londër, në lidhje me luftën kundër terrorizmit në të cilën theksohet politika e kësaj organizate dhe e shumë të tjerave. Madje kjo ideologji ka shkuar më larg.

 

Preh e këtij konflikti, në një formë a në një tjetër, jemi edhe ne si komb, në qoftë se jo në formë direkte, atëherë në mënyrë indirekte.

 

Në realitetin e përgjithshëm nacional shqiptar, mbetet të bëhet një analizë e problemit në kontekst zhvillimeve në raport me trendët në marrëdhëniet ndërkombëtare, duke analizuar edhe sfidat, edhe alternativat. Madje, mendoj se është imediate në këtë fazë të kemi një program nacional, me strategji të qartë përballë kësaj ideologjie, që sipas disa paralajmërimeve ka mundësi të jetë e involvuar edhe brenda kombit tonë. Shteti shqiptar unanimisht është reshtur me të drejtë në krah të SHBA-së dhe të forcave të koalicionit edhe më përkrahje ushtarake, për të dëshmuar kështu jo vetëm solidaritetin, por edhe humanitetin, lidhjen e natyrshme me civilizimin perëndimor, i cili është kah sulmohet sot në mënyrën më barbare nga forcat e errëta. Shqiptarët, ashtu si edhe popujt tjerë perëndimorja vetëm se i dënojnë këto sulme, por edhe janë bashkëpjesëmarrës në luftimin e kësaj të keqe. Duke përjetuar vetë dhunën, regjimin, ideologjinë, shqiptaret në këtë luftë kundër terrorizmit nuk guxojnë të qëndrojnë në asnjë mënyrë karshi interesave të perëndimit, ngase fati e historia mund të përsëritet, siç ndodhi me komunizmin. Ideja që po mbizotëron sot në shumë vende islame, nuk duhet të jetë pjesë e mendësisë sonë, që të shohim perëndimin si armik, sepse kjo është ideologji, dhe ideologjia pa alternativ shkatërrohet karshi sistemit të vlerave, nga humanizmi, tipar i demokracisë thelbësore, të cilën e synon perëndimi, për prosperitet të përgjithshëm. Religjioni Islam, që është pjesë jona, nuk guxon të instrumentalizohet, të shfaq në asnjë formë frymë antiperëndimore, sepse kjo do të ishte një vetëvrasje kolektive. Për fat të mirë, çështja jonë kombëtare është e lidhur fuqishëm me perëndimin, jo vetëm gjeografikisht, por edhe shpirtërisht. Dhe, pa Perëndimin, ne do të destinohemi edhe për dekada të jemi në robëri, në anarki, pa liri, pa mirëqenie, pa progres. Ketë e ka kuptuar edhe spektri i gjerë politik në të gjitha hapësirat nacionale. Ideja antiperëndimore, nëse ekziston në dimensionet e ndryshme shqiptare, duhet zhdukur, në mënyrë që ta ruajmë aleancën e natyrshme në luftë kundër terrorizmit, kësaj murtaje të botës në shek. XXI. Të vetëdijshëm se e ardhmja jonë nacionale është në perëndim, duhet të zhvillojmë politikë racionale pa ngarkesa, duke analizuar thellë të gjitha sfidat, në mënyrë që të hapim alternativat e suksesshme drejt lirisë, demokracisë, integrimeve. Kështu, kujtoj se e perceptojnë edhe gjithë dashamirët e kombit, të ideve nacionale në baza të shëndosha e me një pasion të fuqishëm racional, për të parë të ardhmen nacionale të prosperuar në familjen Perëndimore, aty ku kemi qenë që dy mijë vjet dhe ku duhet të jemi pashmangshmërisht edhe sot e tutje.



(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora