E premte, 26.04.2024, 08:09 AM (GMT+1)

Editorial

Fehmi Ramadani: Miti serb i të menduarit

E merkure, 30.06.2010, 09:59 PM


MITI SERB I TË MENDUARIT

 

Nga Fehmi Ramadani

 

Në Gazimestan, në mitin serb të të menduarit edhe kësaj radhe, si ndër shekuj serbët celebruan humbjen e tyre nga perandoria osmane, sikurse festojnë edhe shumë humbje të tjera, e që për mitin e tyre të menduar shfaqen si fitore, duke mos ndryshuar logjikën e të menduarit moral e njerëzor.

 

Këta serb, kryesisht të rinj, edhe kësaj radhe këtë mit celebrimi e kishin shfrytëzuar për të shfryer ndjenjat e tyre ndaj shqiptarëve, duke i kërcënuar me prerje koke, por duke kërcënuar edhe Bashkësinë ndërkombëtare, veçmas Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për kinse të këqijat që u kishin ndodhur atyre në të kaluarën. Duke mos u çuditur, edhe kësaj radhe kjo shqiptarofobi ishte nxitur dhe inspiruar nga shteti serb, kisha ortodokse serbe, ambasadori rus Konuzin dhe elemente të ndryshme shovene serbe.

 

Duke mos u thelluar më shumë në mitin serb për Kosovën, edhe pse nga kjo teori ka zënë fill mendimi politik dhe jetësor i serbëve, padyshim se në fokus të këtij shkrimi është vetëm miti, apo rrena e të menduarit politik dhe njerëzor i tyre.

 

Teoria e nacionalistëve serb fillon me maksimën se: “Rrena është art i së bukurës për serbët”, andaj nga këtu shtrihet e gjithë normativa morale e politike e serbëve. Kjo teori një kohë të gjatë ishte kultivuar dhe ushqyer, por në shprehje kishte ardhur, sidomos pas vitit 1980, me vdekjen e diktatorit Tito. Nga një maksimë morale, brenda natës kjo ishte shndërruar në platformë politike e të menduarit serb. I ashtuquajturi “Libri i Bardhë” i autorëve nacionalistë serb kishte shërbyer si udhërrëfyes për të ardhmen politike të serbëve.

 

Më vonë, nga kjo kishte zënë fill edhe projekti i Akademisë Serbe të Shkencës, i cili menjëherë ishte futur në zbatim të politikës ditore dhe si rrjedhojë kishin shkatërrim të ish-Jugosllavisë dhe tragjedi të mëdha për popujt e saj. Por, në radhë parë kishte shkatërrim të këtij miti serb dhe tragjedi për popullin e saj. Krejt kjo ishte bërë me nismën e mitit serb të menduarit për tokat e shenjta serbe, për popullin hyjnor dhe për fenë e tyre të vërtetë. Këto elemente, në të përkthyer do të thotë fashizëm modern serb i shekullit XIX. Dhe, ky fashizëm në Kroaci, Bosnjë dhe Kosovë kishte marrë përgjigjen e duhur duke u mposhtur njëherë e përgjithmonë nga këto troje.

 

Tashmë, kur kemi një kohë dhe rrethana krejt tjera dhe të disfavorshme për mitin serb të të menduarit, përpjekjet e tyre për të kaluarën e hidhur nuk kanë të ndalur. Por, tani për fat të mirë ky mit nuk ka mundësi të materializimit të vet, por vetëm mbetet në shfrenim verbal dhe dogmatik. Bota demokratike lejon shfrenim verbal, sepse kjo është mundësia e tyre e fundit për të treguar egërsinë e të menduarit primitivë. Andaj, kjo nuk paraqet asnjë shqetësim dhe rrezik për botën e përparuar.

 

Jo vetëm këta 1500 serbë të tubuar nga të gjitha viset e ish-Jugosllavisë që kishin ardhur në Gazimestan treguan barbari kundër civilizimit, këtë mit të të menduarit edhe sot e kësaj dite e kanë edhe politikanët serb, duke filluar nga presidenti Boris Tadiq, ministri i punëve të jashtme Vuk Jeremiq, zv/ministri dhe ministri i punëve të brendshme Ivica Daciq dhe të tjerë, të cilët pa reshtur punojnë për destabilizimin e Kosovës dhe krijimin e sa më shumë problemeve të këtë shtet. Gjithashtu, politika e tyre destruktive është mjaft aktive në arenën ndërkombëtare duke hedhur gurë kundër Kosovës në pengimin e saj për t’u inkuadruar në organizatat e ndryshme ndërkombëtare.

 

Kjo politikë shumë pak ka ndryshuar në esencë nga platforma nacionaliste dhe shoviniste e Sllobodan Milloshevqit. Presidenti Tadiq në të gjitha takimet ndërkombëtare deklaron se Serbia kurrë nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës, edhe pse ky shtet synim parësor ka inkuadrimin në BE. Kjo deklaratë bie ndesh me parimet e BE-së për fqinjësi të mirë dhe rregulla të qarta ndërshtetërore, por këta politikan nuk mund të lirohen kaq shpejt nga miti serb i të menduarit, sepse në të është investuar me dekada të tëra. Duke mos harruar se ky njeri është bir i Lubomir Tadiqit, një nacionalisti të përbetuar serb, i cili shquhet si mentor i Sllobadan Millosheviqit gjatë ngritjes së tij politike. Kjo shkollë politike serbe është ende në skenën politike të saj dhe shumë pak ka ndryshuar në karakterin e saj.

 

Serbët dhe presidenti i tyre Tadiq, pas gjithë këtyre ngjarjeve tragjike ishin dashur të përjetojnë një katharsis moral e shpirtëror, sepse vetëm kjo këtë popull e çliron njëherë e përgjithmonë nga vuajtjet e herëpashershme. Ky është ilaçi më i mirë për shërimin e tyre, për popullin serb dhe shtetin e tyre.

 

Presidenti serb Tadiq në vend të deklarimit të tij të mosnjohjes së pavarësisë së Kosovës do të ishte më mirë t’i kërkonte falje shqiptarëve për krimet që i janë bërë në të kaluarën e tyre në emër të serbëve, por njëherësh e përgjithmonë para botës të deklarojë se kurrë më shteti serb nuk do të ushtrojë gjenocid ndaj shqiptarëve dhe popujve tjerë. Ky njeri dhe kjo politikë serbe duhet që sa më parë të ndryshojë mitin e saj të të menduarit keq për të tjerët dhe të kthehen të thërrasin mendjen e shëndoshë e të mendojnë si gjithë bota, sepse nuk është e mundur që vetëm serbët të jenë të veçantit e botës.

 

Sa më parë që kjo politikë përjeton ndryshim në të menduarit dhe vepruarit e saj do të jetë aq më mirë në radhë të parë për serbët, por edhe për popujt tjerë të rajonit. Rruga e bashkëpunimit, fqinjësisë së mirë, biznesit të përbashkët, inkuadrimit në BE, etj, është rruga më e mirë, si për Serbinë, por edhe Kosovën dhe të tjerët. Kosova, tashmë është përcaktuar për këtë rrugë dhe ka dhënë shembullin më të mirë edhe gjatë këtyre ditëve në tubimin e serbëve në Gazimestan, duke treguar një shtet me vlera të larta perëndimore, duke mbrojtur nderin dhe dinjitetin shtetërorë të saj, duke mos lejuar të ndodhë asnjë incident të mundshëm. Ndërsa, provokimet e serbëve le të mbesin në mitin e të menduarit të tyre, për fat të mirë ky mit është duke u zbehur shumë. Vetë numri i pjesëmarrësve të tyre në këtë tubim tregon një kahe të tillë. Në fund, kjo le të mbetet detyrë e vetë serbëve se cilën rrugë duhet zgjedhur, me që Kosova dhe Serbia janë fqinjë të parë dhe përkundër urrejtjes së tyre të madhe ndaj shqiptarëve duhet gjetur mënyrën e bashkëpunimit dhe dialogut, si alternativë të vetme të zgjidhjes së probleme të tyre, por ky dialog duhet të jetë vetëm në mes dy shteteve fqinjësore.



(Vota: 5 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora