E marte, 19.03.2024, 09:51 AM (GMT)

Udhëpërshkrim

Pavarësia...pa flamur e Vlorës

E shtune, 01.12.2007, 03:24 PM


Shkruan : Ben Andoni - Mapo

E gjithë hapësira e “Sheshit të Flamurit” në sheshin e Grupit Monumental të Pavarësisë është e boshatisur. Dy fotografë, ngjeshur me njëri-tjetrin nga thellima, mbathur me trikuarte të vjetra- presin myshterinjtë. Fryn. Diku në një klasë shkolle, studentët vlonjatë sapo kanë mbaruar punë me përfaqësuesin e Petroliferës. E kanë ngjyer me naftë. Pa e kanë goditur me vezë. Me parulla të shkruar italisht i kanë dhënë dërrmën. Të tjerët, qytetarët, heshtin. Edhe pak ditë do të festohet dita e shpalljes së Pavarësisë...Vlora akoma nuk e ka veshur petkun festiv.
...
Jemi katër veta. Një shofer. Një burokrat nga Tirana. Nënkryetari i Bashkisë dhe unë. Monumentit të Pavarësisë i kanë ngjitur një skelë së fundmi deri në majë. Me aksion. Edhe pak ditë na ndajnë nga festimet e Pavarësisë. Bashkia e Vlorës ka shpallur një plan aktivitetesh dhe me kaq mjafton. Ismail Qemali dhe burrat e gurëzuar nuk bëzajnë. Por, burokrati insiston. Do të dijë me saktësi se deri ku shkojnë vendet e të ftuarve nga Tirana. Kaq i intereson. E përshkon me këmbë sheshin e Monumentit dhe në kokë i shkojnë të gjithë të ftuarit. Flet gati me vete. Pas kanë monumentin, të cilit i kacavirret ajo skela... pa njerëz. Ismail Qemali dhe trimat e tij të gurtë janë të rrethuar me një skelë gjigante. Askush nuk punon. Si zakonisht dihet, të gjitha, do të bëhen në momentin e fundit. Nënkryetari i Bashkisë së Vlorës, me një dorë të lidhur, i shkon brirazi. Burokrati nuk kënaqet. Por, nuk shpreh pakënaqësi. E di që është i humbur. Pak minuta më pas, takojmë burrat. I kërkojmë pak minuta. “Kush je ti”-të shikon nga koka në këmbë, me pezm, përfaqësuesi nga Tirana. Vetë, prezantohet ftohtë. Eshtë i një ministrie dhe kaq. Por, kohët kanë kaluar. Bashkiaku është më i qetë. “Unë kam për detyrë që të bëj aktivitet deri më 27 nëntor, pastaj e kanë këta-ma bën me kokë. 28-a nuk është imja”, më flet bashkiaku, institucionalisht. “E kujt është?”- e pyesim...Ma bën me shenjë. “E shtetit”. E këtij, burokratit, me sa duket. “Hajde këtu!”. I shkojmë pas, burokratit. “E shikon këtë shtyllën? Po këto hekurat? Këtu për pak ditë do të mbushen me flamurë”... Të gjitha shtyllat do të mbushen. Po, aty janë vetëm hekura. Film absurd. Por, Vlora sikur duhet ta meritonte mbase... pak më shpejt, mjedisn e festës. Kush ia ka ngenë sot...Nuk është më e çuditshme në Vlorë, sepse kur u shtrenjtua buka dhe disa prodhues e çuan çmimin lart...askujt nuk i bënte përshtypje nga njerëzit...I tremb ’97. Zyrtarët ikin. Nguten...Kurse, nën-Kryetari më thotë...duke u kthyer: “U kemi dhënë urdhër të gjitha njësive dhe shitoreve, që të ngrenë flamurin”. Është në dëshirë të tyre tash...

Në Vlorë
Na lenë. Ikim. Pak dhjetra metra më tutje, pas xhamisë së mrekullueshme të Muradies, është një ndërtesë dy katëshe. Me dritare të ornamentuara, që ndahen këndshëm me njëra-tjetrën, ndërtesa, pak përshtypje u bën njerëzve të sodit. Godina, një ndërtim elegant i viteve ’20 me një stil neoklasik, ku ndërthurren elementë romantikë, nuk kontraston shumë me ndërtesat pas saj. Dikur shpëtoi qytetin për protokoll. Mbretit të Italisë, i duhej një pod .Dhe, pasi nuk kishte një ballkon apo dritare të gjerë të mjaftueshme, u përshtat duke përgatitur një dritare të gjerë, pikërisht te kjo shtëpi. “Që të mos binin harqet e mbetura pa mbështetje, u vendos një tra horizontal, i cili për të mos u dukur shëmtuar u mbështoll me stof të kuq”, shton studiuesi Artan Lame. Gati 65 vjet më parë, për arsyen madhore të ardhjes së Viktor Emanuelit III, autoritetet i bashkuan dy nga dritaret, duke hequr kolonën ndarëse. Njësoj ka mbetur dhe më sot. Por, tash nuk ka histori. Zverdh në largësi. Mbushur me gurë. Shëmtuar. Ndërsa, poshtë, të zotët e rinj, kanë bërë një dyqan biçim shqiptar. I thonë market. Sheh gjithçka. Pasta, fruta, makarona, oriz, legenë, kanaçe...Gruaja me burrin kuvendojnë. E kanë shtruar. Kur i afrohem më shikojnë ngulazi. Kanë ftohtë dhe janë mbledhur rreth një si ngrohëse tokësore. I pyes për shtëpinë. Nuk dinë asgjë. Gruan e kap alarmi. “E kemi marrë me dokumenta. E ka pasur shteti, Ç’të duhet?”. Piskat. Nuk di ku të shkojë. E kap alarmi. “Pse nuk e vendos flamurin”- e pyes qetë. Qetësohet, por sërish nuk kupton asgjë. I duket sikur po e pyesim për përzierjen e karburantit, që përdor Shuttle. “Do e vendosim kur të jetë dita. Nuk ka ardhur ende. Na lër rehat”. Me burrin sqarohemi më lehtë. I tregojmë historinë dhe presim të mësojmë diçka. Nuk di njësoj asgjë. Dhe, nuk i bën përshtypje, që në shtëpinë e tij është ngjitur Viktor Emanueli i III-të. Shtëpia ka qenë e shtetit dhe dora-dorës ka zbritur tek këta qyqarë, që pothuaj nuk dinë asgjë. Po ç’u duhet vallë?! Dalim. Në të gjithë rrugicën me shtëpi të vjetra nuk duket flamuri. Por në ndërtesën përballë janë dy flamuj sipër. Është edhe flamuri i madh pranë Sheshit. Vlora, kudo, nuk ka mjedis feste.
Ata, që i kap sikleti...e dinë vendin. Në Lulishten pas monumentit mund të shurrosh i qetë dhe të meditosh. Është pak ngasje, për këdo që e kap halli natyral. Fëshfërima e pemëve mund ta lehtësojë shkarkimin në një ditë si këto. Në këtë bash shurrëtore natyrore, aty-këtu, pleqtë luajnë me letra. Ata, që i rezistojnë motit. Ata që mbarojnë urinimin mund të hedhin ndonjë sy nga loja...Kurse, pak më tutje, fle Ismail Qemali. Pakkush afrohet. Po fotografove, ndonjë pari, që kalon aty...të qesëndis bajagi. “A je kosovar?”...Këtë herë era më ndihmon, mos të kemi kuriozë afër, por më çudisin dy burra, që bëjnë muhabet dhe kinse pastrojnë...

Te varri i Ismail Qemalit
Dy burrat, që qëndrojnë sipër varrit monumental të Ismail Qemalit, e kanë shtruar. Njëri pastron me furçë me një lehtësi femërore, sikur fshin pluhurat. Tjetri e mban me muhabet. E kanë frikë kameran. Pak minuta më pas, na sqarojnë se janë punëtorë të Ateliesë së Vlorës. Ndërsa, vetë, Instituti i Monumenteve, sipas tyre, po merret edhe me Grupin Monumental. Punëtorë nuk ka. Ata, të dy, kanë rregulluar pllakën që mbulon të mbeturat e Ismail Qemalit. Tani lexohet qartë emri i themeluesit të shtetit shqiptar. Më thjesht, kanë hequr fare shkronjat dhe kanë rregulluar varrin. Deri pak javë më parë ka qenë “...AIL ...ALI”. Lebërit, që në ditët tona janë tejet larg atyre të viteve ’20 dhe po kaq atyre të ’97-ës, krenohen me atin e flamurit, që fle në mes të qytetit të tyre, thjesht me mosrespekt. Ai, që në momentin e fundit, e ka shpëtuar nderin e qytetit nga kjo mynxyrë ishte...Ahmet Zogu. Me skeptrin e monarkut, me rastin e 20 vjetorit të Pavarësisë- i dha një mundësi Odhise Paskalit, që i sajoi këtë mrekulli guri këtij burri me luftëtarin e Lirisë, që në njërën dorë mban flamurin dhe në tjetrën pushkën. Në vendin ku dikur gjendeshin sarajet e racës së Vlorajve dhe ku kishte lindur Ismail Qemali, varri monumental u rezistoi kohërave e gjeti shpejt veten.

Për flamurin
Pak tej varrit janë rrënojat e kalasë së qytetit dhe përpara dy flamuj, që i rrinë përballë një klubi. Asgjë më shumë. Vlonjatët thuhet se njësoj e kanë pasur problem punën e flamurit dhe në ditën e madhe...Eqerem Beu, nipi i Ismail Qemalit mëton se flamuri i është marrë nga muri. Ka qenë një dhuratë e Aleandros Kastrioti, mëtonjësit të madh të derës së Kastriotëve, sepse në Vlorë askush nuk e dinte punën e flamurit...Eqerem Bej Vlora, ky koleksionist i rallë, ruante dhe shumë flamuj të periudhës 1912-1939, të cilat, falë dhe mundësive të tij financiare, i blinte. Pak vite më vonë, ato u gjetën në Institutin e Kulturës Popullore dhe u dhanë për tu restauruar. Por...Nga kujtimet e një të moshuari vlonjat erdhën dëshmi, që këtë koleksion flamujsh, e ka parë në shtëpinë- muze të Eqerem Vlorës në vitet e Luftës së Dytë Botërore. Dëshmitë thonë se ky koleksion i marrë nga shtëpia e koleksionistit vlonjat iu dhurua drejtuesve të Konferencës të Rinisë Antifashiste Shqiptare në vitin 1944. Dhe, pastaj përfunduan me dorëzimin e tyre në Institutin e Shkencave në vitin 1946.

Eqerem Bej Vlora rrëfen
Mbi varrin e nipit të Skënderbeut në kishën e shën Marisë së engjëjve, në Napoli, është vënë stema e tij: një shqiponjë heraldike me një yll të bardhë e vezëllitës pesëcepësh mbi dy krerët. Midis viteve 1880-1895, Zef Skiroi e më vonë Anselmo Sorekio, në të përmuajshmen e tyre arbëreshe, e botuan, thuajse në çdo numër, këtë emblemë, si flamur të Shqipërisë. Pas 1900-ës, atë e vë edhe Faik Konica në të përmuajshmen e tij “Albania” në Bruksel. Në shtator të vitit 1909, sëbashku me djelmërinë e qytetit, unë organizova në shtëpinë time shfaqjen e dramës “Pirrua” të Mihal Gramenos. Aty, kur kryepriftëresha e Orikumit, i zgjat Pirros, që po nisej për në Itali, një flamur, dhe me një ton patetik e duke shkërbyer legjendën e Kostandinit, i thotë: “Me këtë shenjë ti do të fitosh” (in hoc signo vinces), në prani të prefektit, oficerëve turq, si edhe të gjithë trupit konsullor, me shaka, por edhe me një farë kapaidallëku, unë ngrita për herë të parë në skenë flamurin shqiptar. Asnjë nga zyrtarët e pranishëm turq nuk u ndie, ndërkohë që salla shpërtheu në duartrokitje. Euforia atdhetare krijoi një gjendje të nderur. Natyrisht, që u raportua menjëherë në Stamboll, por qortimi i vetëm, që dëgjova unë pastaj, më erdhi nga xhaxhai , Ferit pasha, asokohe, ministër i brendshëm. Ai e quajti “të pahijshme” këtë sfidë në shtëpinë time dhe para të ftuarve të mi.
Një javë pas kthimit tim në Vlorë çova Murat bej Toptanin dhe Hydai Efendiun (nipin e babit të teqesë sonë në Janinë) tek Ismail Qemali, duke iu lutur të më kthente flamurin, që i pata huajtur. Më premtuan të ma kthenin atë menjëherë, sapo Znj. Marigo Posio (një atdhetare e madhe demokrate, por që pëlqente reklama), ta kishte qepur e qëndisur flamurin e ri.
E pra në 28 nëntor kryeobjektivi i ditës, flamuri i simbol i pavarësisë, me atë pakujdesinë tipike shqiptaro-lindore, ishte harruar. Për më tepër, shumica, nuk e dinte sesi ishte ai. Kurrkush më përpara as e kishte parë, as e kishte mbajtur. Askush në Vlorë nuk kishte flamur në shtëpi. Shtetformuesit ranë në hall dhe vështruan njëri-tjetrin të hutuar. Atëhere ngrihet miku im, Hydai efendiu dhe thotë se në dhomën e gjumit të Eqerem Beut varet në mur një flamur shqiptar, i futur në një kornizë të bukur. Dhe, pyeti, se a mund të merrej pa qenë i zoti aty. Ismail beu i dha leje dhe kështu flamuri, që dikur don Alandro Kastrioti ma kishte dhuruar solemnisht në Paris, shtegtoi në konakun fqinj dhe ra në duart e Ismail Beut, i cili ia dorëzoi Murat bej Toptanit, me porosinë ta varte jashtë, ndërkohë që vetë qëndronte pranë në dritare. Mijëra njerëz u mblodhën në sheshin para shtëpisë dhe në kopsht, duke brohoritur “Rroftë, rroftë!” edhe pse shumë prej tyre nuk kuptonin edhe aq se ç’po bëhej.

Në fakt, flamuri i ngritur në Vlorë duhet të ishte disi i pakuptueshëm për shqiptarët. Po Eqerem Beu, kujton se disa kosovarë të mirë i thonë:”Shumë mirë e bëtë ju të diturit, që ngritët flamurin e babë Kralit (pra të Perandorit Franc Jozef) se tani nuk ka ç’të na bëjë as serbi i poshtër, as malazesi morracak. Kur pyeta se ku e kanë parë shqiponjën e zezë, m’u përgjigjën krenarisht:”Tek ushtarët e Babë Kralit”, në Pazarin e Ri. Një klerik i rëndësishëm vlonjat Haxhi Muhamet Efendiu, shprehet me zemërim se Ismail Beu kishte zgjedhur një “korb”, si simbol të Shqipërisë së lirë. Duke u zhvendosur përmes viteve të tëra në histori, kur kujton se në qytetin e Vlorës, ditën e Shpalljes së Pavarësisë, më 28 nëntor të vitit 1912, nuk gjendej një flamur kombëtar, të duket sikur flitet për një histori të trilluar. Por, propaganda e ka bërë punën e saj. Në vitet që kanë vijuar, kur flitet për Vlorën, mendohet sikur vendi është i rrethuar vetëm me flamurë.

Patriotizmi
Ndoshta ky element nuk mund të përmendej, po të mos flitej për Vlorën. Dritan Çela, një nga bisnesmenët e suksesshëm vendas, shprehej pak vjet më parë për KORRIERI, “Në qytetin ku u ngrit flamuri është shumë e vështirë që të gjesh dhe të blesh një flamur kombëtar”. Më tepër akoma, në Monumentin kushtuar Shpalljes së Pavarësisë, megjithë punën e mirë, që është bërë nga Bashkia për ta pastruar, shërben si vend nga mbrapa tij, ku qytetarë të ndryshëm, gjejnë mënyrën për të shkarkuar ujrat e tyre. Duket se kjo i ka bërë pak keq dhe historisë. Kosovarët, që mundohen të gjejnë Mekën e tyre të patriotizmit, mbeten. Kështu që jemi kthyer në origjinë, ku duhet t’i kënaqemi natyrës.

Historia
…Një qytet i vogël/ rrethuar me pyje/prehëri mbushur valë/ balli mbushur yje thotë Asdreni, në një nga poezitë e tij për Vlorën. Që ka një histori, që do t’ia kishte zili shumëkush, nga qytetet shqiptare. Historia e saj fillon që nga shekulli i 6-të para Krishtit, ku ajo njihej me emrin Aulona. Në afërsi të qytetit kanë luftuar forcat romake. Ndërsa në mesjetë, nga këtu turqit do të ngjiteshin në anije për të pushtuar Otranton. 95 vjet më parë, evenimenti më i madh historik i qytetit, ishte ngritja e flamurit, nga një prej pinjollëve të familjeve të njohura vendase, Ismail Qemali. Delegacioni i shtuar rrugës edhe me delegatët e Shqipërisë së Mesme dhe të atyre zonave nga kalonte mbërriti në mbrëmjen e 27 nëntorit 1912 në Vlorë. Situata ishte në qytet krejt e ndryshme nga ajo e Durrësit dhe në kujtimet e tij, Ismail Qemali e kujton kështu: “Një zjarr i shenjtë patriotizmi kishte pushtuar qytetin tim të lindjes, entuziazmi dhe gëzimi na përshëndesnin kudo. Shkurt, u ndodha i rrethuar nga 83 delegatë, myslimanë e të krishterë, të mbledhur nga çdo anë e Shqipërisë së pushtuar, ose jo nga fuqitë ndërluftuese”.
Delegacioni u vendos në shtëpinë e Xhemil bej Vlorës, kushëriri i Ismail Qemalit. Ishte po ajo shtëpi ku plaku kishte lindur 71 vjet më parë. Eqerem bej Vlora është nga të paktët dëshmitarë që ka arritur të vizatojë natën në atë shtëpi. “U mblodhëm të gjithë në selamllëk dhe si gjithmonë në këto raste rrëmuja sundonte gjithçka. Problemi ishte se disa krahina nuk kishin dërguar delegatë. Ose ata nuk vinin dot, ose nuk kishte pasur mundësi për t’u bërë mbledhje përfaqësimi. Zgjidhja u gjet vonë, kur u vendos që përfaqësues me autoritet të atyre krahinave që gjendeshin në Vlorë, të pajiseshim me mandat për në kuvend”.
Kuvendi i hapi punimet të nesërmen në mëngjes, datë 28 nëntor 1912, po në shtëpinë e Xhemil bej Vlorës. Shpresohej ende për ardhjen e Isa Boletinit, përfaqësuesi i Kosovës që ndodhej rrugës do të mbërrinte në kohë. Por, kur morën vesh se anijet greke i ishin afruar portit, kjo i bëri delegatët të nxitojnë. Gjithçka dihet për atë kuvend është procesverbali që u botua pak kohë më pas në organin zyrtar të qeverisë së Vlorës: “Përlindja e Shqipërisë”. Pas një fjale të shkurtër të Ismail Qemalit, 40 delegatë të ardhur nga të gjitha trevat e Shqipërisë, me vullnet të lirë dhe pa dallim feje, vendosën që Shqipëria të bëhet më vehte, e lirë dhe e pavarur. Procesverbali, origjinali i të cilit fatkeqësisht nuk gjendet më, pasqyron gjithë emocionin e atij momenti. U ftuan të firmosin të gjithë, edhe ata që mund ta bënin këtë vetëm në turqisht dhe tre vetë që ishin analfabetë dhe që e bënë këtë duke vënë gishtin me bojë. 30 minuta më vonë një përfaqësi u shfaq në ballkonin e shtëpisë së vjetër të Xhemil bej Vlorës. Flamuri që Spiridon Ilo e kishte sjellë me vete nga Bukureshti dhe që Marigo Pozio e kishte zbukuruar me thekë u vendos në murin e ballkonit nga vetë Ismail Qemali. Ishte ora 15:12 minuta, kur më së fundi, Shqipëria shpalli pavarësinë nga Truqia. Një orë më vonë, shteti i ri kishte qeverinë e tij. Kryetar u zgjodh Ismail Qemali dhe zv. Kryetar, Dom Nikollë Kacorri. Për fat, që më 1 dhjetor 1912, me përjashtim të Greqisë, të gjitha fuqite evropiane dhe ballkanike, njohën vullnetin e popullit shqiptar për të jetuar “më vehte, i lire dhe i pavarur”.
...
Punëtorët e kanë frikë kameran, ndërsa një plak që mban shënime aty nuk më thotë asgjë. “Ju kanë humbur flamurët”, i them. “Të mejtohemi”, më thotë si Sizifi. Më vijnë në kokë, sërish ngjarjet e flamurit. Spiridon Ilo, mton se e ka sjellë ai flamurin” Flamurin që ngriti Ismail Qemali në Vlorë e kam sjellë unë nga Bukureshti, duke e mbajtur në gji”. Ndërsa Marigo Pozo, që tash prehet në Zvërnec i ka bërë thekët, sipas reflektimit të mëvonshëm. Kurse në kujtimet e pjesëmarrësve shkohet më tej, ai ishte famuri që u vendos në hollin e Hotel Kontinentalit në Bukuresht, mbrëmjen e 5 nëntorit 1912...Largohemi. Mbetet pas Ismail Qemali, që tashmë ia kanë rregulluar rasën e varrit. Dy burra pak metra më tutje shurrojnë dhe diskutojnë seriozisht me njëri-tjetrin..me atë në duar. Fotografët kanë ikur. Vjeshta e tretë është e ftohtë, ndërsa burokratët e kanë zgjidhur protokollin e festës. Vlora pret... 95 vjetorin e Pavarësisë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora