E hene, 14.10.2019, 03:02 AM (GMT+1)

Kulturë » Gorica

Pëllumb Gorica: Sofra e diturisë

E hene, 21.06.2010, 10:00 PM


Sofra e diturisë

 

E paharruar për ne je

O e shtrenjta abetare

Për ty flet dhe historia

E luftërave 100 vjeçare.

 

Nga Pëllumb Gorica

 

    Është bërë traditë e bukur që, në mbarim të vitit shkollor, nxënësit e klasave të para të festojnë me madhështinë e tyre festën e abetares. Mes një gëzimi dhe hareje të papërshkruar, nxënësit e klasës së I-rë B të shkollës-9vjeçare “Kongresi i Lushnjës” ne Tiranë festuan festën e abetares. Nisur nga këto motive mora pjesë në këtë festë të bukur ku vajza ime e vogël, Keida mbaroi klasën e parë.

   Mjedisi ku do të organizohej festa që zgjati dy orë do të ndjente gumëzhitjen e zërat e fëmijëve, që cicëruan si zogj të lumtur. Edhe prindërit, motrat e vëllezërit e tyre i rrëmbeu gëzimi. Ishte me të vërtetë një mjedis tepër festiv dhe komod, që shndriste nga ngjyrat kuq e zi, ngjyrat e Flamurit tonë, zbukuruar këndshëm edhe me lule, tullumbace, shirita letre shumëngjyrëshe të justifikuar një feste të tillë. Befasohesh nga fakti, se në këtë feste, që kishte formën e thjesht të një spektakli muziko-letrar, me këngë e poezi, fëmijët të shpenguar para prindërve, me fytyrat e tyre paksa të emocionuara, të veshur bukur e të qeshur si pranvera, kënduan e recituan. Për  këtë ditë të mbushur tejet me emocion puna kishte filluar prej muajsh.  Mësuesja Adile Baleta ka punuar me profesionalizëm dhe me përkushtim, shkronjë për shkronjë. Dhe  kjo ishte dita për të testuar rezultatet e kësaj pune të lodhshme një vjeçare, që fëmijët e festuan me mjaft dinjitet. Mësuesja, Adile Baleta, gjithmonë në lëvizje, me merakun e saj që festës të mos i mungoj asgjë rende sa në njërin cep të sallës në tjetrin. Shumë prindër e dhjetëra të tjerë të pranishëm që kishin ardhur posaçërisht për ta festuar së bashku këtë ditë të shënuar të tyre, mirëpritën, përgëzuan dhe duartrokitën fuqishëm,duke sjellë emocione të veçanta dhe  sigurisht  ngritën peshë zemrat  e fëmijëve, që me zërin e tyre të ëmbël, do të recitonin dhjetëra e dhjetëra vjersha e do këndonin këngë të ndryshme, të përgatitura enkas për këtë ditë të shënuar të tyre, duke e bërë dhe më të hareshme festën. Të mbushur tejet me emocion, nuk ka se si të mos ngazëllehet shpirti, kur i sheh këta fëmijë 7 vjeçar dhe dëgjon nga goja e tyre fjalë, vjersha, këngë të bukura. Janë këta fëmijë që për një vit shkollor mësuan shkronjë - shkronjë dhe me dashuri të shkruajnë gjuhën e tyre amtare. Për çdo shkronjë fëmijët recitonin vjersha të panumërta në të cilat përmendnin data të rëndësishme të historisë sonë, figura të njohura të kombit e shumë gjëra të tjera me të cilat fëmijët takohen çdo ditë. Ajo që e bënë edhe më tërheqëse këtë paradë recitimesh janë edhe tingujt e muzikës që shoqërojnë çdo fjalë dhe lëvizje të fëmijëve. Sa bukur recitojnë Eni, Altea, Keida, Arditi, Lukasi, Henri, Frenki, Greuza, Sindi, Fjona, Alba, Kleidja e te tjere. Ky ansambël zërash fëmijëror tregon edhe për punën e mirë e me përkushtim të mësuese Adiles, e cila është djersitur prej muajsh për t’i mësuar e aftësuar këta fëmijë, duke i vlerësuar e  inkurajor ata çdo ditë. Ajo gëzohet me përparimin e tyre si nënë dhe mësuese, siç gëzohet çdo njeri me punën e tij të mire.  Mësuese Adilja ndjehet  krenare kur sheh e dëgjon se nxënësit e saj të vegjël, lexojnë rrjedhshëm dhe shkruajnë bukur.  Ja këtu përpara kësaj sofre diturie ndihej dhe shijohej dhe mundi i kësaj pune.

     Sapo mbaroi festa fëmijët u futen në mes prindërve dhe u shkuan krahët me emocion e gëzim. Sytë e tyre ndrinin  aq shumë nga gëzimi. Buzëqeshja lodronte në fytyrat e tyre të njoma e të bukura. Këto çaste të bukura i përjetuam së bashku, mësuesja, nxënësit dhe ne prindërit e tyre bashkë me të pranishmit e tjerë. Kjo ditë mbresëlënëse nuk mund të kalonte edhe pa urime:  “Ju lumtë  fëjë”, Të lumtë mësuese Adile”,“U mbledhshim gjithmonë në festa të tilla diturie e të bukura!”.

     Pas kësaj mesdite të bukur festive të paharrueshme fëmijë e prindër u shpërndanë nëpër shtëpitë e tyre të lumtur.   

    Janë këto fotografi që do ta përcjellin gëzimin e kësaj feste e që do mbeten një kujtim i paharruar për këta fëmijë që sapo u ulën në sofrën e dijes.



(Vota: 30 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora
PËLLUMB GORICA: MURET CIKLOPIKE QË SFIDOJNË SHEKUJT