E premte, 26.04.2024, 07:41 AM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Pornografia me fëmijët, Shqipëria nënshkruan Konventën me OKB-në

E shtune, 24.11.2007, 07:09 PM


Nga Pranvera Kola - Metropol 

Projekti parashikon mbrojtjen e të drejtat e fëmijëve në lidhje me shitjen apo prostituimin e tyre

Shfrytëzimi i fëmijëve për qëllime prostitucioni apo pornografike do të ndëshkohet jo vetëm nga instrumentet ligjore të shtetit ku realizohen këto vepra, por dhe nga të gjitha shtetet pjesëmarrëse në Konventën e OKB-së “Për të drejtat e fëmijëve”. Për të garantuar zbatueshmërinë e tij, është bërë dhe zgjerimi i konventës me masa të tjera ligjore që duhet të garantohen në bashkëpunim nga shtetet pjesëmarrëse në lidhje me ndëshkimin e rasteve abuzive të shfrytëzimit, kur viktimat janë të miturit. Ndërkohë që përcaktimi i masave ligjore ndëshkuese nga secila palë do të bazohet në legjislacionin në fuqi që ekziston në këtë vend, ku në qendër do të jetë edhe ekstradimi i çështjeve dhe personave përgjegjës në to, ndërmjet këtyre shteteve. Kështu, zbatimi i Konventës për të Drejtat e Fëmijëve, e cila tashmë është zgjeruar me një protokoll opsional, ku dhe vendi ynë aderon të bëjë pjesë, përcakton nismat ligjore që do të merren në këtë rast. Në përputhje me nenin10 të këtij protokolli, shtetet palë duhet të marrin të gjitha masat e duhura për të forcuar dhe nxitur bashkëpunimin ndërkombëtar me qëllim parandalimin, zbulimin, ndjekjen penale dhe dënimin e personave përgjegjës për veprime që përfshijnë shitjen e fëmijëve, prostitucionin dhe pornografinë me fëmijët.

Parandalimi

Protokolli është i hapur për nënshkrim nga çdo shtet që është palë në këtë konventë ose e ka nënshkruar atë. Këto të fundit do të ndalojnë shitjen e fëmijëve shfrytëzimin e tyre për prostitucion ose për qëllime pornografike. Nga ana tjetër, çdo shtet palë do të jetë i detyruar që të garantojë të paktën mbulimin plotësisht nga ligji i tij penal të veprimeve dhe aktiviteteve të mëposhtme, pavarësisht se këto vepra penale janë kryer brenda apo jashtë vendit nga një individ apo grup individësh të organizuar. Gjithashtu, është përcaktuar që përgjegjësia e personave juridikë mund të jetë penale, administrative dhe civile, në varësi të dëmit të shkaktuar dhe ligjeve që janë në fuqi në këtë vend. “Çdo shtet do të jetë i detyruar që të marrë masat përkatëse për të caktuar juridiksionin e vet në lidhje me veprat penale, kur këto të fundit janë kryer në territorin e tij ose në bordin e një anijeje apo avioni të regjistruar në këtë shtet”, citohet në protokoll.

Ekstradimet

Gjykimi i çështjeve në lidhje me rastet që do të paraqiten problematike do të bëhet në saje të marrëveshjeve që do të kryejnë palët pjesëmarrëse. Këtu do të përfshihet gjykimi i tyre në vendin ku ka ndodhur fenomeni ose nëse do të gjykohet në shtetin e origjinës së personit që ka abuzuar. “Veprat penale të përmendura konsiderohen se përfshihen në veprat penale të ekstradueshme në të gjitha marrëveshjet e ekstradimit që ekzistojnë ndërmjet palëve. Ndërkohë që përfshihen si vepra penale ndërmjet çdo marrëveshjeje ekstradimi që lidhet më vonë ndërmjet këtyre vendeve”, citohet në protokoll. Kështu, kur një shtet palë që e kushtëzon ekstradimin me ekzistencën e një marrëveshjeje do të marrë një kërkesë për ekstradimin nga një shtet tjetër palë me të cilin ai nuk ka marrëveshje ekstradimi, ai mund ta konsiderojë këtë protokoll si bazë ligjore për ekstradim në lidhje me këto vepra penale. Gjithashtu, ekstradimi do t’u nënshtrohet dispozitave ligjore të shtetit pritës. Nga ana tjetër, shtetet palë që nuk e kushtëzojnë ekstradimin me ekzistencën e një marrëveshjeje të tillë i cilësojnë këto vepra duke i njohur ato si të ekstradueshme. Ndërsa në rastet kur shteti që nuk do ta ekstradojë këtë person në lidhje me vendin e tij të origjinës për gjykim, atëherë ai do të marrë të gjitha masat e nevojshme që ta bëjë këtë duke iu drejtuar organeve të veta kompetente për të kryer procedurat e ndjekjes penale.

Neni 7

Shtetet palë në pajtim me dispozitat e ligjit vendas

do të marrin masa për bllokimin ose konfiskimin sipas rastit të të gjitha:

- mallrave siç janë materiale, sende me vlerë dhe mjete të tjera që përdoren për të kryer ose ndihmuar kryerjen e veprave penale të parashikuara në këtë protokoll.

- Të ardhurat që rrjedhin nga këto vepra penale.

- Plotësojnë kërkesa nga një shtet tjetër palë për bllokimin ose konfiskimin e mallrave ose të ardhurat e përmendura më lart.

- Do të marrin masa që kanë për qëllim mbylljen përkohësisht ose përgjithmonë të ambienteve që përdoren për kryerjen e veprave të tilla.

Neni 9 paragrafi 3:

- Shtetet palë do të marrin të gjitha masat e mundshme, me qëllim që të sigurojnë të gjithë asistencën e nevojshme për viktimat e këtyre veprave, duke përfshirë riintegrimin e tyre të plotë shoqëror dhe shërbimin e tyre të plotë fizik dhe psikologjik.

- Shtete palë sigurojnë që të gjithë fëmijët viktima të veprave penale të përmendura në këtë protokoll të kenë mundësi që t’u drejtohen procedurave të përshtatshme për të kërkuar pa u diskriminuar kompensim për dëmet e shkaktuara nga personat përgjegjës që e kanë përgjegjësi ligjore.

- Shtetet palë do të marrin masat e përshtatshme që kanë për qëllim të ndalojnë efektivisht prodhimin dhe shpërndarjen e materialeve që ekspozojnë veprat penale të parashikuara në protokoll.

Neni 10 paragrafi 1:

- Shtetet palë do të marrin të gjitha hapat e duhura për të forcuar bashkëpunimin ndërkombëtar shumëpalësh rajonal ose dypalësh për parandalimin, zbulimin, hetimin ndjekjen penale dhe dënimin e personave përgjegjës për veprime që përfshijnë shitjen e fëmijëve, prostitucionin me fëmijë, pornografinë me fëmijë dhe turizmin seksual me fëmijë.

Birësimet nga shtetasit e huaj

Në protokollin opsional gjithashtu janë përcaktuar në mënyrë të rreptë dhe dispozitat ligjore që duhet të kryhen nga personat e caktuar që do të përfshihen në proceset adoptuese. Kështu, pavarësisht vendit të origjinës, shtetet palë në këtë protokoll duhet të marrin të gjitha masat e nevojshme për të siguruar që të gjithë personat e implikuar në birësimin e fëmijëve të veprojnë në përputhje me instrumentet ligjore ndërkombëtare të zbatueshme. Ndërkohë që çdo procedurë e kryer kërkon që të marrë masat e duhura ligjore dhe administrative që garantojnë se fëmija nuk do të shfrytëzohet për qëllime prostitucioni, trafikimi, apo përdorim organesh.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora