Kulturë
Daniel Gàzulli: Çfarë mjerimi, zotni Krasniqi!
E diele, 13.01.2019, 02:59 PM
Çfarë mjerimi, zotni Krasniqi!
(Përgjigje e detyrueme shkrimit të tij “Gjuha, vlerë gjithëkombëtare)
Nga Daniel Gàzulli
Jam nji prej atyne “bjerrakohëve” që, “i madhi” (sic!)
Jakup Krasniqi kishte me i gri si bante Pol Poti dikur, pa ligj e “me ligj e
shkuar ligjit”, në mbrojtje të gjuhës standarde (sic!). Natyrisht, pse kund një
vit e gjysë ma parë pata botue në gazetën “Java” të Prishtinës shkrimin
“Dhunimi i gjuhës shqipe” e pak ma vonë në disa gazeta e sito internet shkrimin
(shfrimin) “Gjuha shqipe, e mira, e mjera”.
Shkrueja ndër të tjera atëherë se kjo bjerrje e dhimbëshme e shqipes fillonte:
« ……… atë ditë që erdhën në pushtet « sejmenët » e shkjaut, komunistët. E keqja vijon me po ata ndër institucione, gazeta, televizione, që “sakën” se tunden prej “istikameve bolshevike” të 1972 e nuk pranojnë të ndryshojnë një presje, sikur vendimet e marruna nën vështrimet e rrepta e trysninë ma të egër të pushtetit të kuq, të ishin libri i shejtë i shqipes.”
Do ti që i paskam përgatitë aktakuzën vetes, pse, simbas « të madhit » (sic !) Jakup Krasniqi, edhe pse unë nuk di kurrënji fjalë serbisht, qenkam prej atyne që serbi « i ka paguar argatë të punojnë për ta »
Shkruaja atëherë edhe se :
“Në vazhdën e
tragjikes “luftë e klasava”, zbatue skajshëm si askund tjetër në Shqipni, sa
çoi në tjetërsimin e njeriut, nuk duhej lanë gja pa provue: aty edhe gjymtimin
e gjuhës shqipe, largimin e saj prej rrajëve pellazgo-iliro-shqipe, vofnimin e
saj aq sa të mos të mund të lexoheshin e të kuptoheshin ata që na lanë
trashigiminë ma të shtrejtë gjuhësore e kulturore, prej Buzukut te Fishta,
shkëputjen prej kulturës europiane pjesë e së ciles jemi që në ag të historisë
njerëzore, përçamjen në mes krahinave e besimeve, të gjitha këto veç me muejtë
me mbajtë ma lehtë sundimin gjakatar.
Si çdo komb, si çdo popull, edhe na kemi vlerat e të metat tona. Por,
nëse kemi tri dukuni për të cilat vërtet mund të krenohemi, ato janë:
-
Jemi populli i vetëm në Europën Jugore e ma gjanë që trashëgojmë një gjuhë që i
ka rrajët qysh para se të shfaqeshin në histori Roma, Athina e Troja;
-
Jemi ndër popujt e paktë që nuk patëm kurrë përplasje e urrejtje në mes
krahinash;
-
Jemi ndër të paktët popuj, aty edhe popuj
të quejtun “djepi i qytetnimit”, ku nuk ka pasë kurrë as ma të voglin
konflikt ndërfetar.
Po kishte ardhë “kolera e kuqe” e rrajët duheshin pre, duheshin tha, përçamja duhej të kishte të gjitha ngjyrat, aty edhe ato mes toskësh e gegësh, në mes të krishtenëve “reaksionarë” e pjesës tjetër të popullit, duhesh shkatrrue gjithçka ishte ma e shëndetshme që të sundohej ma lehtë. Asnjë arësye tjetër “shkencore” nuk mund të kishte në këtë gjymtim, pse të bahej fjalë për “njësim të shqipes” ishte antikombëtare, pse shqipja e njësueme ka qenë që në krye të kohës. Tash po, mbas shëmtimit të 1972, ajo nuk asht ma e njisishme, por vetëm një pjesë e trungut që mezi ushqehet në rrajët së shumti të preme e shtërzon e lodhun”.
Përsëri paskam gabue, se « baca Enver » i Jakup Krasniqit na paska lanë gjuhën standarde, njëlloj tosknishteje të atrofizueme, por që tash ka për mbrojtës, me shpatë në dorë, Jakup Krasniqin, ardhë drejtpërdrejt prej Eposit të Kreshnikëve me shpartallue « tradhëtarët ».
Unë kam qenë e i mendimit se më 1972 shqipja u dhunue. E pata shkrue atëherë se ajo u dhunue :
“E para,
tue shpla trutë e njerëzve prej kujtesës historike, sikur para kolerës së kuqe
nuk kishte gjallue asgja në Shqipni e lum na që na erdhi kjo farë e mbrapsht.
Së dyti,
shtrimi i çashtjës së gjuhës si dukuni e luftës së klasava e tue e shtri këte
luftë tashma edhe në plan territorial.
Së treti,
tue qitë në harresë, ku me të ndaluem me ligj, ku me zhdukje të veprave e deri
të vorreve të Atdhetarëve të akullt, atyne që na kishin lanë porosi dashuninë për Shqipni, pse Atdhetaria u quejt
nacionalizëm e si rrjedhojë antagoniste me ideologjinë komuniste.
E u shkue deri atje sa shkodranishtja u “çpall” “gjuhë e klerit reaksionar”. Ajo, si gegnishtja mbarë, u shpall gjuhë “e deklasuar”. (Se si mund të quhet një gjuhë që flitet prej ma se katërmijë vjetësh “e klerit reaksionar”, apo “e deklasuar”, veç mendjet e çorodituna mund ta rrokin)”.
Ja që paskam gabue përsëri randë, se Jakup Krasniqi na
thotë se ai Kongres, i 1972 pra, na u barazoka me 28 Nandorin 1912.
Kurse unë e pata mendue se ajo që u sendërtue më 1972 ishte me material të mbrapsht, pse:
“Puna për shkatrrimin e shqipës filloi me ballafaqimin rrënues në mes dy “kryedialekteve”, në vend që të flitej e të punohej për një gjithëpërfshimja, për mospërjashtime, për trajta që të ruenin mbarëshqipen e të banin lehtësisht të kuptueshëm si Naimin ashtu edhe Fishtën. Filloi, pra, me asgjasimin e ma shumë se gjysës së trungut deri në rrajë – me shpalljen jashtë ligji të gegnishtes. Jo se tosknishtja asht pa vlera, Zot na ruej, asht shqipja ime, por, si e kanë thanë të tjerë para meje, një dialekt asht gjithmonë ma pak e ma i vorfen sa mbarë gjuha”.
E se:
“Me famkeqin Kongres të Drejtshkrimit 1972 shqipja humbi njëherëemirë gegnishten, pasuninë e saj kulturore (prej Ciklit të Kreshnikëve te Migjeni, prej Buzukut, Budit, Bardhit e Bogdanit te Fishta, prej të amblit Mjeda te rrëfimet e Anton Harapit), humbi një pasuni të pallogaritëshme leksikore e frazologjike, humbi një formë të menduemi e të shprehuni, humbi shpirtin e pjesës ma të madhe të popullit të vet. Se kur humbë gjuhën, humbë shpirtin”.
Çka kishte ndodhë, simbas meje, natyrisht, jo simbas Jakup Krasniqit:
“Fjalët e
mirëfillta shqipe, ma krejtësisht shqip e me prejardhje shpesh prej ilirishtes
e ma heret, ose nuk përfshihen asfare në fjalor, ose cilësohen “e vjetër”,
“krahinore”, sa mos me thanë “gegnisht”, pra, simbas kësaj logjike të
mbrapshtë, jo shqipe. Nuk m’u desht as një orë punë me gjetë (pra mos me gjetë)
se në FGJSH mungojnë fjalë të përdorimit të përditshem në Sapë (Zadrimë) si:
akulltar/-e, anx:ë/-a, bërgajn:ë/-a,
birth-i (pse kemi turqishten çiban),
brezhël/-a (kancer/i), brig/-u, cangull, me cokë, deh!, me u dejë, ding, me u
djergë, kërcalë, mangën/-a, miellc:ë/-a, me miklue (përkëdhelë), me përdahë,
pllojcë, porrc/-i (apendisit/i), shij:ë/a, e deri tek neologjizma aq e bukur që
ndeshim te proverbat e mbledhuna prej Frang Bardhit: i përmielltë. Këtu ka njigjasend: ose fjalët gege që nuk janë në
tosknisht nuk merren si shqipe, ose të quhet Fjalori i Tosknishtes. Si mund të
përjashtohet nga gjuha amtare me kaq papërgjegjësi thesari i saj ma i
vlefshëm!? Me ç’të drejtë shkencore e morale bahet tosknizimi i fjalëve gege
(kur nuk e ka tosknishtja e detyrimisht janë përfshi në FGJSH)?! Po e përsëris,
me ç’të drejtë morale, që rri mbi të gjitha të drejtat, “u shkim
një ortak bore prej shpatit të malit” e bajnë “u shqim …? Qysh kur “q-ja”
na qenkish ma e fisme se “k-ja”?
Tash këtu
nuk asht e vështirë me kuptue se në punë si kjo të çon vetëm një urrejtje
ideologike e mjerane për Veriun, edhe pse ata që u mblodhën në Tiranë më 2002 e
thanë se nuk ka vend me ndreqë asgja prej Kongresit famkeq te 1972,
Haxhiqamilët e gjuhësisë, na u ngryskan në fytyrë tanë marak me disa që dashkan
me na prishë “sërishmi” shqipen, dmth, shqipja paskish qenë e prishun, erdhen
qehajajët e Sulltanit të Kuq e na e rregulluen, prandaj “sakën” se e prekni.. .......e
në prilli 2008, na u mblodhen në Prishtinë po ata Haxhiqamilë e lloji i tyne i
atrofizuem në mendje e në shpirt e përsëriten me të madhe se ishin gati me
nxjerrë shpatat në mbrojtje të vendimeve të
E ndodhi ashtu si e thotë në shkrimin e tij të paqmë e të
fismë Bardhyl Metaj: si frymëzuesi i tij, “baca Enver”, “Jakup Krasniqi mprehi
shpatën ...”
Por, me thanë të vërtetën jo vetëm Jakup Krasniqi, pse:
Me fjalë të tjera, mue e shokët e mi na kishin paralajmrue
me kohë të rrinim urtë, shumë kohë përpara se të lëshonte rrufetë prej Olimpit
të Parlamentit “i madhi” (sic!) Jakup Krasniqi.
E pra unë, e mbi të gjitha shumë të tjerë ma të dijshëm se unë, ishim të mendimit se:
“Asnjë motiv tjetër
me përligjje shkencore nuk mund të ketë në teorinë e “pamundësisë së shartimit
në mes dy dialekteve”. Pse një shartim të tillë nuk e ka kërkue kurrkush. Pse
një shartim i tillë nuk mund të bahet. Pse vetë konceptimi i shartimit
tosknisht – gegnisht asht një ide barbare: gjuha standarde mbështetet tek
format e përbashkëta, takuese, gjithëpërfshimëse, mospërjashtuese, pra në mbarë
shqipen, jo në shartimin në mes dialekteve e, natyrisht, kur e do puna, edhe
përzgjedhëse. Pse, siç e thamë ma parë, do të merren ato trajta që i ka tosknishtja
me mbështetje ma historike e ato që i ka gegnishtja me mbështetje ma historike,
sidomos ndeshjet në mes tyne”.
Kështu mendoja unë e, megjithë kërcnimet Polpotiane të
Krasniqit, kështu mendoj përsëri. Do të
ishte kjo detyrë e gjuhëtarëve (pse jo, edhe e zotni Ja-Kupit), që:
“....me
vullnet të mirë e që duen shqipen e Shqipninë, të ulen e të analizojnë ma
thellë çfarë vërtet e vlefshme po birret përfundimisht e doemos duhet shpëtue.
Cilat janë ato trajta të përbashkta që u flakën tej si të ishin të serbit a të
çinimaçinit. Pse me gjetë çka asht ose ka qenë historikisht e përbashkët asht
krejt e thjeshtë, mjaft të shqyrtohen shkrimet e vjetra, bie fjala, proverbat e
Frang Bardhit, që janë të gojës së popullit e një dëshmi e shkëlqyeshme se trajtat
e përbashkëta kanë qenë në krye të kohës shumë ma të shumta se ato të fillimit
të shekullit XX e atëherë, pa ngurrue, me u hapë udhë atyne trajtave të shqipes
me rrajë thellë në histori. E proverbat e Bardhit, po të duem me ba atë
ballafaqimin mjeran tosknisht – gegnisht, shfaqen në trajta ma së shpeshti në
të mirë të tosknisht për shumëçka. E ani mirë, asht shqipja jonë, prej Çamrije
ardhët ajo a prej Rugove.
.... rregullat
të jenë doemos “të gjithëpërbashkta”, a në daçin “gjithpërfshirëse”, “mospërjashtuese”,
të rrokin mbarë shqipen, sa të jetë e mundun, tue ruejtë “njininë” që na
porosit Fishta. Të bajsh të kundërten, asht nji atentat jo vetëm gjuhësor, por
kundër kombit vetë.
...... në
themel të punës të kihet parimi i pasunimit të gjuhës në të gjithë format a
trajtat e saj, zhvillimi i saj i papremë, përthithja e formave dhe e fjalëve
nga te dy dialektet e nga të folme ma të ngushta, e jo degdisja në një gjuhë
“të katundit” të shokut Kostallari.
... qysh
në fillim të përjashtohen dy propozime të hedhuna fatkeqësisht edhe prej
personaliteteve që e kanë denoncue atë Kongres si Aref Mati e Bahri Beci: a) të
mësohet edhe gegnishtja në shkolla; apo do ekstremistë të tjerë b) të hidhet
poshtë gjithçka e të merret për bazë gegnishtja si e folme e shumicës së
shqiptarëve e gjuhë e traditës kulturore, .........të dy janë mendime të
gabueme e të damshme.
Me u mësue
gegnishtja në shkollë, dmth mos me ndryshue asgja e shqipja me mbetë e
gjymtueme ashtu siç asht.
Me u hedhë
poshtë gjithçka (e ashtuquejtuna: Teoria e përmbysjes ) e me u marrë për bazë
gegnishtja asht ana tjetër e medaljes, pra, tue përjashtue tosknishten, ashtu
siç u ba ma gegnishten, dmth me u dhunue
sërishmi shqipja, me e gjymtue përsëri ate tue i mohue gjysën tjetër të saj.
Unë gega due që të them, e të thonë fëmijët e mi, e të thonë edhe nipat e
stërnipat e mi “dot”, “i pështirë”, pse edhe pa ta shqipja ime do të ishte ma e
vorfën, ashtu siç asht vorfnue liksht prej mbi 20.000 (njëzetmijë) fjalë gege
që i mungojnë Fjalorit të Gjuhës së Sotme Shqipe.
Pra gjithçka
të shtrohet vetëm mbi një bazë:
kritere të shëndosha shkencore e kombtare, të pandikuem nga ideologjitë,
nostalgjitë e gjithë marritë tjera (sidomos nga ajo sëmundje që e kanë në gjak
shqiptarët e që M. Elezi e quen me fjalën e bukur shqipe “mujshim”), që të mund
të çojnë në një zhvillim të ri e ma të përsosun të shqipes tue ndreqë çka u ba
jo mirë më 1972, ashtu sikundër kanë ndjekë rrugën e tyne të zhvillimit të
papremë mbarë gjuhët e popujve të qytetnuem, e na kemi çka mësojmë prej tyne
edhe në këte lamë, pse, si thotë Naimi i Madh, “Dielli lind andej nga
përendon”.
Që të kemi, pra, vërtetë një shqipe të njisueme, a të njinjishme, a standarde, quejeni si të doni, pse të gjithë duem një shqipe, jo dy, por jo një gjysë shqipeje – si asht ajo e sotmja”.
Tash ai zonia “qi rrin në shkam” të Parlamentit në
Prishtinë, duhet të përgjigjet: ose të vërtetojë se unë (e sidomos shumë të
tjerë ma të dijshëm e ma të zellshëm se unë, po që shprehin pak a shumë të
njejtat shqetësime) jemi argatë të paguem prej serbit, ose të pranojë se ai
asht nji enversit mjeran e nji intelektual për faqe të zezë!
Kurse Primo Shllakut, Migjen Kelmendit, Shkëlzen Gashit e Bardhyl Metajt u them: Buzëqeshni! Jakup Krasniqi nuk ka dhambë me kafashue. I ka të krymbun.
11 Mars 2010