Kulturë
Qazim Shehu: Nyjet e pyllit të ditëve
E diele, 13.01.2019, 12:16 PM
NYJET
E PYLLIT TË DITËVE
QAZIM D. SHEHU
Druri i arrës së vjetër
Nyjëzon vështrimin tënd
Hija që shkrihet me hijen tjetër
Me vështrimin tënd rend…
Dhe kjo re, daulle vjeshte
Me shkopinj vetëtimash,
Vështrimin tënd hedh në letër
Si bojë e pashkatërrueshme kine.
Pylli i ditëve u ngatërrua
Në xhungël drurësh pa kalim,
Dhe nyja u ngjërua
Në etjen që dot s`e ngin.
Gërshetohen e çlidhen nyjet
E vështrimeve të bukura,
Dhe duke të kujtuar ty
Nyje në fyt më bëhet buka…
GABIMTAR
Sa hedh një hap në dritë ,tjeri
Në terr bie,
Një dritë është një vit,
Dy vjet një hije…
Dhe sa nisem për udhë
Udhën e gabuar marr,
Flurudhë e vështrimit
Në shenjën e gabuar ndal…
Asgjë s`është e drejtë
E drejta fshihet nëpër zemra
Siç fshihet gruaja tek shemra…
Dhe një ëndërr që ëndrrës tjetër
I fryn në dell,
Për ta çorientuar
Në kapërcell.
ATË QË KE ARRITUR
Atë që ke arritur, s`mund ta ruash,
Si Xhon Stainbeg s`e ruajti margaritarin,
Me ty një tufë zilarësh kanë punë,
Edhe pse punë s`u prish gërnjarëve…
Ta hedhësh në det të asgjësë
Qejfin për t`ua bërë,
Apo t`u hedhësh vështrimeve
Një grusht me rërë…
Rërën për flori ta marrin,
Ndaj bëhen më të etur,
Po s`mund t`ua falësh margaritarin,
Ndërgjegjen, pa e tretur..
Dhe je në hall pa hall
Vetëm prej zilizë cmirajoze,
As Xhon Stainbergu si përball
As të mëdhejtë e kësaj bote…
Prej tyre i shtrënguar
Duke u bërë si ata,
Margaritar i hutuar
Vetë në asgjë ra…
LOTOI I STUHISË
Shami e shtrydhur e reve
Nga duart e stuhisë
U ndeh në gardhin e netëve
Me një rënkim midis…
Rënkimin e a e ndjeve,
Kur një pikë uji pe
Që shkau midis gjetheve,
Loti i stuhisë qe…
BUKURIA
E egër
Pelë e azdisur në thekër,
Sirenë e butë, brishtësi,
Rri.
Ja bukuria,një tundim
I zemrës në të,
Me krahë e kap si mallkim,
E në sy hijen më lë…
ZOGJTË
Rrebeshi vodhi hapat e qeta
Dhe mbolli nxitimin,
Vrapova diku për në një strehë
Dhe dy zogj pas meje vinin…
U ndala.Shiu litaronte
Era frynte,pemët sikur shembeshin,
Dhembja në zemër më pikonte
Zogjtë mos trembeshin…
PARA RAFTIT TË LIBRAVE
Mendimi lufton me minjtë e harresës
Në skutat e kohës,
Dhe ruan librat kapakzhveshur
Në rafte si katet e botës…
Para tyre rri,ata para meje,
Në një duel të heshtur përvetësimi,
Radhë, radhë,të lumtur janë ca
Lodhur nga përdorimi,
Ndërsa të tjerë as janë prekur
Nga zhvirgjërim i vështrimit,
Fringo të rinj,po të mekur,
Si vajza të bukura,larg vëmendjes
Së dashurisë së thekur…
Disa janë bërë copë
E rrinë poshtë jastëkut,
Si drurë që morën shumë diell
E ndizen me një fije shkrepse,
Të tjerë të pahapur kurrë
Dhe kur do hapen s`e di,
Ato s`ndezin asgjë
Veç rafteve u rëndojnë përmbi
PREJ FUSHAVE QË PËRZUNË
Kur agimet u ngrysën
Dhe muzgjet u zbardhën,
Në thyerje mesnatesh
Hingëllinë alarmet..
O zot pse kaq male?
Me shallet e reve në gushë,
Mos mbërdhijnë nga erërat
Që njëri tjetrit ia shfryjnë me gulsh.
Me një jastëk reje
Duke e vënë nën krye për gjumë,
Viganët janë të dobët
Prej fushave që përzunë..