E shtune, 27.02.2021, 07:17 AM (GMT)

Lajme

Prifti grek kerkon eshtrat e ushtareve

E merkure, 03.03.2010, 09:08 PM


Gazeta shqiptare, 03/03/2010 

Pogradec - Një prift grek ka mbërritur dje në qytetin e Po gradecit, në kërkim të eshtrave të ushtarëve grekë të rënë gjatë luftës italo-greke. Prifti ka kontaktuar me Siri Merkon, një dëshmitar okular, i cili ka bërë zhvarrimin e 150 ushtarëve grekë dhe më pas, së bashku me disa shokë të tjerë i kanë rivarrosur ata. Ushtarët grekë prehen në kodrën e gështenjave, pak metra më poshtë depos së ujit në periferi të qytetit të Pogradecit. 
Siri Merko ka thënë për “Gazetën Shqiptare” se, ai ka qenë në liqen duke gjuajtur peshk kur ka mbërritur një prift grek, i cili është prezantuar si Janis Llazaros. Ai i ka thënë pogradecarit se donte informacion të hollësishëm për vendvendosjen e ushtarëve grekë të vrarë në qytetin e Pogradecit gjatë konfliktit të armatosur në vitin 1940, midis Italisë dhe Greqisë, zhvilluar në territorin e rrethit të Pogradecit. Prifti grek i ka thënë 61- vjeçarit Siri Merko, se informacionin për të si dëshmitar i kësaj ngjarjeje e kishte siguruar nëpërmjet një mjeku pediatër nga qyteti i Pogradecit, i cili punon edhe në klinikat greke në Selanik. 
Siri Merko ka thënë për Gazetën se i ka treguar priftit grek Llazaros të gjitha hollësirat dhe i ka treguar edhe vendin në varreza, ku ndodhen ushtarët e vrarë grekë në vjeshtën e vitit 1940, në kalanë e qytetit të Pogradecit, gjatë përplasjes së tyre me ushtrinë italiane. 
NGJARJA 
Siri Merko tregon për Gazetën se në prill të vitit 1967, ai punonte në ndërmarrjen e Ndërtimit në Pogradec. Ai së bashku me disa punëtorë të tjerë të kësaj ndërmarrjeje, Gjergji Velon (që nuk jeton më) dhe Astrit Afisllarin nga fshati Vërdovë, janë thirrur nga drejtori i ndërmarrjes dhe iu është komunikuar se tek zona industriale, atje ku ndodhet fabrika e mobilieve, do të ngrihet një fabrikë karrigesh, por pikërisht atje ku do të hidhen themelet e kësaj fabrike ndodhet një varrezë e ushtarëve grekë të vrarë në vjeshtën e vitit 1940 në kalanë e Pogradecit. “Prandaj na u caktua neve, - thotë Siriu, - që t’i zhvarrosnim ushtarët grekë dhe më pas t’i rivarrosnim në kodrën e gështenjave, poshtë depos së ujit, pasi ishin përgatitur më përpara arkivole të vegjël me dimensione 30cm me 60 cm”. Kështu thotë Siriu, ndonëse ishte tepër i ri, vetëm 17 vjeç, ai filloi së bashku me shokët e tij të bënte zhvarrimin e trupave të ushtarëve grekë. Siriu tregon se ushtarët grekë ishin trupa të mëdhenj dhe kishin të gjithë medaljone në gjoks me numra dhe simbole të tjera. “Ne, - thotë ai, - gjetëm nëpër varre edhe pagure me konjak metaksa apo dhëmbë floriri që kishte patur ndonjë ushtar i vrarë .Nuk ishin prishur këpucët togëzat rripat. Më pas i morëm rreth 150 arkivolet e vogla me eshtrat e ushtarëve grekë dhe i varrosëm në kodrën e Gështenjave poshtë depos së ujit të cilat vazhdojnë të jenë edhe sot aty”. Ndërkohë, në territorin shqiptar janë ndërtuar tashmë 2 varreza për të nderuar kujtimin e ushtarëve greke të rënë në Shqipëri gjatë luftës italo-greke. Dy vjet më parë, qeveritë e dy vendeve nënshkruan një marrëveshje për këtë çështje, pasi Athina zyrtare kërkoi ndërtimin e 4 varrezave. Kisha greke është përfshirë aktivisht në këtë çështje duke u bërë promotore e gjetjes së eshtrave dhe ndërtimit të këtyre varrezave në territorin e jugut të vendit.
 
Skandali i Kosinës, prifti grabiti eshtrat e fshatarëve
GSH, 03/03/2010

Skandali i parë i zhvarrosjes së eshtrave në Kosinë daton majin e 2006-ës. Ishte Altin Ballabani ai që denoncoi zhvarrosjet e të parëve nga prifti i fshatit, Vasil Thomollari me pretendimin se ishin ushtarë grekë të rënë në luftën italo-greke. Prokuroria e Përmetit nisi hetimet për zbardhjen e ngjarjes. Mjekët eksperto-ligjorë hodhën poshtë versionin se eshtrat u përkasin ushtarëve grekë. Pas kryerjes së analizave laboratorike, rezultoi se ato u përkisnin të moshuarve apo edhe fëmijëve. Pavarësisht asaj çfarë doli nga akt-ekspertiza, çështja u pushua pas dy vitesh. Askush nuk u mor i pandehur në lidhje me këtë skandal, që indinjoi jo vetëm banorët e zonës, por gjithë opinionin publik. Përgjatë kësaj periudhe, kutitë me eshtra u mbajtën në kishën e Kutalit (fshat fqinjë me Kosinën). Para një viti e gjysmë, prokuroria deklaroi se do ia rikthente eshtrat komunës. Nga ana tjetër, krerët e komunës pohuan se nuk kishin fonde për rivarrosjen e tyre. Persona të panjohur, të prezantuar si shtetas grekë apo që flisnin greqisht, janë identifikuar si përgjegjësit kryesorë për skandalin e zhvarrimeve në kishën e Shën Mërisë, në Kosinë të Përmetit. Ky ishte i vetmi konkluzion që doli nga vendimi i pushimit të prokurorisë së Përmetit për personat e akuzuar si autorë të zhvarrimeve.

Athinë-Tiranë, përplasja për varrezat e ushtarëve
Gazeta Shqiptare, më 03/03/2010

Tirana dhe Athina kanë nënshkruar në nëntor të vitit 2008 një marrëveshje për çështjen e shumëpërfolur të varrezave të ushtarëve grekë, të rënë gjatë Luftës së Dytë Botërore në territorin shqiptar. Si rezultat i kësaj marrëveshjeje, do të ketë dy memorialë nderimi: një në Gjirokastër dhe një në Këlcyrë, edhe pse Greqia me insistim kërkonte katër të tilla, njëra nga të cilat duhej të ndërtohej në Korçë. Negociatat u mbyllën në datën 19 nëntor 2008 në Ministrinë e Jashtme shqiptare, ku të dyja palët firmosën një marrëveshje në nivel ekspertësh, e cila parashikon që ushtarët grekë të vrarë në Luftën e Dytë Botërore, gjatë luftimeve me armatën e Musolinit, duhet të varrosen në memorialët përkatës në Gjirokastër dhe Këlcyrë. Ministria e Punëve të Jashtme shqiptare e bëri menjëherë publike arritjen e marrëveshjes, pikërisht pas deklaratës së shefes së diplomacisë helene, Dora Bakojanis, në Athinë. Ministrja e Jashtme e Greqisë theksoi aso kohe se, “është arritur një marrëveshje për krijimin e dy varrezave në Shqipëri për ushtarët grekë që u vranë gjatë luftës italo-greke të viteve 1940-1941. Këto memorialë janë një çështje me një rëndësi humanitare dhe emocionale për të gjithë popullin grek, i cili e mban atë periudhë ende të gjallë në kujtesën e tij, një periudhë simbolike, kur luftuam për lirinë tonë”. Shefja e diplomacisë greke, Dora Bakojanis, ka falënderuar qeverinë dhe popullin shqiptar për bashkëpunimin dhe mirëkuptimin për zgjidhjen e suksesshme të kësaj çështjeje të një rëndësie afatgjatë. Gjithashtu, edhe Ministria e Jashtme shqiptare ka përshëndetur marrëveshjen e arritur. Në një deklaratë për shtyp u bë e ditur se, “Ministria e Punëve të Jashtme shpreh bindjen se siglimi i kësaj marrëveshjeje do t’i kontribuojë thellimit dhe intensifikimit të mëtejshëm të marrëdhënieve të shkëlqyera që ekzistojnë midis dy vendeve tona mike”. Sipas marrëveshjes, palët do të ngarkojnë ekspertë të mjekësisë ligjore për ekzaminimet e eshtrave që do të nxirren nga gërmimet. Komisionet, me një numër të barabartë anëtarësh nga të dyja palët, do të kenë në përbërjen e tyre ekspertë të mjekësisë ligjore, ushtarakë dhe historianë, që do të merren me administrimin e eshtrave, por edhe të elementëve të tjerë që kanë lidhje me zbardhjen e fakteve historike. Skeletet që do të nxirren, do të fotografohen dhe dosja do të mbahet në dy kopje, e protokolluar nga të dy palët. 
Negociatat 
Bisedimet mes dy vendeve kanë nisur që në vitin 2005, kur qeveria konservatore e Kostas Karamanlis i ka ngritur çështjen e varrezave të ushtarëve, aleatit të tij shqiptar, Sali Berisha sapo ai fitoi zgjedhjet parlamentare të 3 korrikut të atij viti. Por, kreu i qeverisë shqiptare e ka shtyrë këtë çështje, duke rrezikuar edhe “ngrirjen” e marrëdhënieve dypalëshe me Athinën. Në pranverën e vitit 2006, ministri i Mbrojtjes së Greqisë, Evangelos Meimerakis, anuloi vizitën e parashikuar në Tiranë. Ndërkaq, çështja u rihap në vjeshtën e po atij viti, kur të dy ministrat e Mbrojtjes të të dyja vendeve u takuan në samitin e vendeve të Evropës Juglindore. Pas acarimit, Tirana zyrtare dhe Athina nisën një maratonë frenetike negociatash, të cilat u zhvilluan në kuadrin e diplomacisë “nëntokësore”, pra pa u bërë publike. Siç mësohet nga burime të Ministrisë së Jashtme shqiptare, këto bisedime, që kanë zgjatur disa vite, kanë qenë mjaft të vështira si pasojë e kërkesave “maksimale” të palës greke, ngaqë delegacioni i Athinës ka kërkuar që varrezat greke në Shqipëri të kapin numrin katër, duke përfshirë edhe një memorial në qytetin e Korçës. Por, Tirana nuk e ka pranuar këtë propozim.
 


(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora