E premte, 26.04.2024, 05:58 PM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Specialistët - Bllokimi i portave rrezikon tre digat

E enjte, 07.01.2010, 10:54 PM


Nga Ilirjan Agolli, Panorama

"Nëse hapen tunelet në momentin që do të vijnë prurjet maksimale dhe ka problem atëherë ndodh niveli i katastrofës maksimale, prishet diga në Fierzë, Komani, Vau i Dejës dhe përfshihet me Lezhë e Shkodër". Kështu është shprehur në një intervistë për VOA inxhinieri Dhimitër Cico. Sipas tij banoret duhet të largohen menjëherë sepse situata do detyrojë që autoritetet të bëjnë një shkarkim "detyrues". Se cilat janë rreziqet që kanosen dhe çështjet teknike që duhet të kihen parasysh në këtë situatë  inxhinieri i shpreh në intervistën e mëposhtme.
Inxhinier Dhimitri, me përvojën e madhe në punën tuaj si inxhinier i hidrocentraleve mund të na thoni se si e vlerësoni situatën e fundit hidrike në Veri të vendit që lidhet me hidrocentralet dhe përmbytjet në këtë zonë?
Situata është shumë kritike. Rregullatori i të gjithë këtyre baseneve është hidrocentrali i Fierzës. Në momentin që po flasim kuota aty është 293 e pak më shumë ndërkohë që duhet të jetë 290 metra sipas rregullores së shfrytëzimit apo pritjen e prurjeve që mund të vinë nga shkrirja e borës dhe nga reshjet që presim këto ditë. Ky është një moment shumë kritik dhe në këtë rast dua t'i bëj edhe një herë thirrje të gjithë popullatës që: përmbytjet aktuale në zonat fushore që ndodhen nën hidrocentralin e Vaut të Dejës janë kalimtare por rreziku i vërtetë i kësaj është ardhja e plotave e cila duhet të përballohet fillimisht nga Fierza, pastaj nga Komani dhe më pas nga Vau i Dejës. Nëse vjen një masë rreth 3000-3500 m3 ujë në sekondë, Fierza duhet të shkarkojë menjëherë.  Duhet të hapë të gjitha portat me radhë Komani dhe pastaj Vau i Dejës. Me pak fjalë do të vijë një prurje rreth 2000 apo më shumë m3 ujë në sekondë. Ky është rreziku më i madh për banorët që jetojnë atje sot.
Përveç dëmeve materiale deri tani nuk ka pasur humbje njerëzore, në rast se këto porta do të hapen rrezikon kjo situatë që të kemi dhe humbje njerëzore nga goditja e papritur e vrulleve të ujit?
Është e padiskutueshme që do të ketë edhe goditje në njerëz. Vetëm me shkarkimet rreth 1000 m3/s apo 2000 m3/s që do të shkarkojë Vau i Dejës përfundimisht. Rreziku më i madh i kësaj është për pajisjet sepse hidrocentralet përbehen nga diga, tunele dhe ca kulla që kanë porta. Digat dhe tunelet e kanë dhënë sigurinë e tyre sepse diga ka kohë që punon dhe mban nivele maksimale nivele të ndryshme të ujit. I gjithë shqetësimi është funksionimi i këtyre portave të cilat duheshin mirëmbajtur në vite. Sipas meje këto porta nuk janë mirëmbajtur. 60-70 metra është tuneli numër 3 i shkarkimit i cili duhet të jetë në gatishmëri nëse vijnë këto të plota. Kjo më shqetëson sepse është e pa garantuar që të ndodhë pastaj katastrofa. Nëse hapen tunelet në momentin që do të vijnë këto prurje dhe ka problem atëherë ndodh niveli i katastrofës maksimale, prishet diga në Fierzë, Komani, Vau i Dejës dhe përfshihet me Lezhë e Shkodër.
Po flasim për hidrocentrale që janë 30 apo 50 vjeçare. A ka pasur një protokoll të mirëmbajtjes së tyre në vite, a janë mirëmbajtur këto në vite, cili është shëndeti i këtyre hidrocentraleve nga i cili varet edhe shëndeti i banorëve të këtyre zonave?
Këtu ka kaluar 20 vjet dhe nuk ka një informacion kurse sot flitet për rritje nivelesh, shfrytëzim të ujit, prodhim i (x)kilovat, për shitje dhe ndërkohë nuk jepet një sqarim teknik. Duhet të këtë inxhinierë që merren me këtë punë dhe të thonë që tuneli numër 3 është funksional, është kontrolluar dhe kur, tuneli numër 4 është kontrolluar dhe kur. Të thuhet si është gjendja e portave. Funksionojnë në këtë moment apo jo sepse këtu është dyshimi më i madh për të gjitha hidrocentralet me rrahë.
Inxhinier Dhimitri, në projektimin e hidrocentraleve a ka pasur një skenar të rrezikut maksimal se sa është numri i banorëve poshtë digave dhe cili mund të jetë rreziku maksimal që u kanoset atyre?
Mbas ardhjes së demokracisë sigurisht që njerëzit ku gjetën vend të lirë ndërtonin pa pyetur dhe pa një skemë të organizuar. Shumë nga këta banorë kanë hyrë ndoshta në zona që janë të palejueshme për ndërtim, pikërisht në zonën që bën derdhjen Drini. Aty ka edhe argjinatura, duhet të ketë thellime të shtratit  për të marrë këto prurje që vijnë në maksimum rrjedhje nga hidrocentrali i Vaut të Dejës.
Domethënë projektet nuk kanë parashikuar këto ndërtime të parregullta që janë bërë tani?
Absolutisht jo. Ai ka parashikuar argjinatura, thellime shtrati për të përballuar këtë prurje.
Po prurjet shumëvjeçare të Drinit. Ç'mund të themi për ujërat që vijnë nga burimi i Drinit, a janë ato një shkak apo janë vetëm reshjet lokale që po bien në Veri të Shqipërisë?
Po nëse ato shkarkohen këtu sigurisht që do të kemi prurje më të mëdha. Po marrim rastin që vetëm prurja që vjen nga lart, prurjet normale që bie shi apo shkrirje e dëborës janë të konsiderueshme dhe gjendja e këtyre hidrocentraleve duhet të jetë në nivele minimale që të presë këto prurje dhe shkarkimet të jenë graduale. Edhe nëse vijnë këto në kuotën 293 në Fierzë që deklarohet sot. KESH thotë që po shkarkojmë nga 10 apo më shumë centimetra në ditë nuk e kuptoj se si mund të qëndrojë ajo kuotë 293 metra. Prandaj banorët duhet të largohen menjëherë sepse situata do detyrojë që autoritetet të bëjnë një shkarkim "detyrues". Të bëjë shkarkime në mënyrë që hidrocentrali të jetë në gjendje të presë prurjet që do vijë në vazhdimësi 10 apo 15 ditë më vonë.


Situata dje (ora 19:00)

Fierza
Prurjet             800 m3/s
Niveli i liqenit         292.08 metra
Niveli maksimal        296 metra
Derdhjet                          400 m3/s
Turbinat në punë              4

Komani
Prurjet            550 m3/s(anësore)
Niveli i liqenit        173.76 metra
Niveli maksimal        175 metra
Derdhjet                          900 m3/s
Turbina në punë               4

Vau i Dejës
Prurjet            325 m3/s (anësore)
Niveli i liqenit        75 metra
Niveli maksimal        76 metra
Derdhjet                          1300 m3/s
Turbina në punë               5

Ulëz-Shkopet
Prurjet            500 m3/s (anësore)
Niveli i liqenit        128.10  metra
Niveli maksimal        128.10 metra
Derdhjet                          400 m3/s
Turbina në punë               (4)(2)


Inxhinieri Meksi: Po u prish Fierza, Shkodra zhytet në 5 metra ujë
Alarmi për një katastrofë të mundshme si rezultat i arritjes së nivelit maksimal në Fierzë ka kthyer vëmendjen tek specialistët që kanë iniciuar e projektuar kaskadën e Drinit. Një prej tyre inxhinieri Thoma Meksi në një intervistë për Panoramën shprehet se "situata katastrofike", aq e lakuar këto kohë nuk lidhet me sigurinë e digave por me pasojat që vijnë pas kësaj. Sa është niveli maksimal i Fierzës? Çfarë do të ndodhte nëse dëmtohet diga dhe sa funksionale janë momentalisht portat? Këtyre pyetjeve inxhinieri Meksi i përgjigjet në intervistën e mëposhtme.  
Çfarë do të thotë "situatë katastrofike", e cila po përmendet vazhdimisht nga qeveria?
Fjala që përmendet nga qeveria si "katastrofike" nuk ka të bëjë me sigurinë e digave apo hidrocentraleve por me pasojat që vijnë pas kësaj, rreziku që ju kanoset vendeve që janë nën nivel apo afër me to.
Kush është niveli maksimal i lejuar i ujit, me manualin e digave, në liqenin e Fierzës, dhe Komanit?
Niveli maksimal i lejuar në manualin e digave është 290 në Fierzë, por lejohet edhe pak më shumë 291, 292 dhe maksimumi 293 prandaj kanë lejuar deri në këtë pikë e cila nuk është ndonjë gabim i madh prandaj ata po mundohen ta ulin.
A është parashikuar, gjatë ndërtimit të hidrocentraleve dhe digave, një situatë e tillë?
Një situatë e tillë është parashikuar sepse për këtë arsye janë bërë edhe portat. Portat e Fierzës janë në gjendje të shkarkojnë deri në 1500 m3 ujë në sekondë. Ka ndodhur në vitin 1981 që ka shkarkuar 1500 m3 ujë në sekondë. Ndërsa për momentin po bëhen shkarkime shumë larg kësaj shifre dhe është hapur vetëm një portë dhe jo plotësisht. Ekziston një portë tjetër më poshtë e cila shkarkon më shumë por që mund të dëmtojë zonat përreth nga efekti "trampolinë". 
Sa porta shkarkuese janë parashikuar në Fierzë dhe Koman, dhe a mendoni se KESH po i përdor të gjitha ato?
Komani dhe Fierza kanë 4 porta, dy ndërtimi dhe dy shkarkimi, të gjitha portat janë efektive. Porta numër 4 që shkarkon më pak dhe numër 3 që shkarkon më shumë. Lidhur me masën e madhe të ujit ka një problem. Nuk është vetëm uji që shkarkon hidrocentrali 500 apo 1000 m3 por edhe uji që del nga puna që bëjnë turbinat dhe këto kohë po punohet me kapacitete të plota. Janë katër turbina. Porsa i përket shkarkimeve është parashikuar që portat e Fierzës të shkarkojnë 1500 m3 në sekondë por ka një problem.
Sa është sasia e ujit që mbajnë liqenet, dhe në rast të shembjes së digave, kush janë zonat më të rrezikuara?
Nuk di të them me saktësi sa është sasia e ujit. Kurse porsa i përket rrezikut mund të them se në kohën kur janë ndërtuar këto diga Fierza dhe Komani,  fshatrat përreth janë spostuar dhe janë bërë kanale dhe infrastrukturë për derdhjet. Me ndërtimet informale vend e pa vend, fshatrat tani janë ndërtuar edhe në zona ku ju kanoset rrezik. Nëse prishet diga e Fierzës e cila është digë dheu që po u prish pak prishet e gjitha, sasia e ujit që ka do të bëjë që niveli i ujit në Shkodër të shkojë 5 metra. Është një katastrofë e madhe. Në këtë situatë ka vend për kritika por nuk më takon mua t'i bëj. n.m

Tre mijë vetë rrezikojnë jetën, nis evakuimi masiv

SHKODER/ RITVAN DIBRA

"Në mbrëmje niveli i ujit mund të rritet më tepër, prandaj duhet të ikni". Alarmi i dhënë dje nga pushtetarët vendorë, i cili konkretizonte orët e rrezikut, ka ndërgjegjësuar banorët e zonave të përmbytura, kryesisht të komunës Dajç për të lënë shtëpitë e të evakuohen bashkë me bagëtitë.
Prania e erës së shirokut në Shkodër, sipas specialistëve, bëri që të rritet sasia e prurjeve të Drinit në Bunë, duke e bllokuar qarkullimin normal të saj. Për pasojë, rrezikohet që niveli i ujit të rritet mbi argjinaturën që rrethon Dajçin. Atëherë, 3 mijë vetë do të rrezikonin jetën. Gjatë gjithë ditës së djeshme, shtabi i emergjencave të komunës Dajç ka punuar për të sensibilizuar njerëzit që të largohen sa më shpejt sa ka akoma kohë, pasi parashikimet për në orët e darkës janë negative. Sipas kryetarit të kësaj komune, Arben Gjuraj, banorët ende nuk po e marrin seriozisht rrezikun që po u kanoset. Sipas Gjurajt, banorët po mendojnë ende se dhe kjo situatë do të kalojë si dhe herët e tjera. "Ne do të dëshironim që të ishte ashtu, por them se sipas të gjitha parashikimeve kësaj here do të jetë ndryshe, pra më keq, ndaj dhe po u lutemi që të evakuohen sa janë akoma në kohën e duhur". Sipas Gjurajt, përvoja që këta banorë kanë ndër vite me situata të ngjashme, si dhe siguria që i jep atyre prania e forcave të ushtrisë dhe të policisë, për t'i evakuuar në rast se situata precipiton i bën ata që të hezitojnë për t'u evakuuar. Gjuraj, bashkë me drejtorin e policisë së qarkut të Shkodrës, Vullnet Topalli, i cili është atashuar së bashku me drejtuesit më të lartë të policisë së Shkodrës pranë shtabit të emergjencave në Dajç e hedh poshtë frikën e banorëve për vjedhjen e shtëpive në rast largimi. "Janë marrë të gjitha masat që policia dhe ushtria të patrullojë në çdo lagje të komunës Dajç, si nëpër rrugët tokësore ashtu edhe në lumin Buna me skafe të policisë. Gjithashtu banorëve u është kërkuar që të grupuar, disa nga meshkujt e zonës mund të mbajnë nën mbikëqyrje shtëpitë e tyre dhe për çdo problem të njoftojnë policinë, ndërkohë që pleqtë gratë dhe fëmijët duhet me çdo kusht që t'i evakuojnë sa kanë akoma kohë". Vetëm nga orët e drekës disa nga banorët e fshatit Mushan që ndodhet në të hyrë të fshatit Dajç, kanë filluar të evakuojnë bagëtitë, pasi kanë larguar më parë familjarët tek të afërm të tyre. Në orët e pasdites, në rang qarku numëroheshin 527 familje të larguara nga zonat e rrezikshme, bashkë me bagëtitë. Ndërsa afrohej mbrëmja dhe niveli i ujit raportohej se po rritej banorët janë larguar thuajse në pjesën më të madhe të tyre. Nga ana e saj, policia ka qenë në gatishmëri për të mos lejuar hyrje të tjera gjatë natës në Dajç, për të mos vënë në rrezik jetët e tyre.


Bllokohet rruga nacionale Burrel-Peshkopi
BURREL - Një mjet i tonazhit të lartë ka bllokuar rrugën nacionale Burrel-Peshkopi dje rreth orës 17:00. Mjeti me afro 60 ton krom nuk ka mundur të lëvizë në vendin e quajtur "Kthesa e Sanës", 1 kilometër në lindje të Burrelit, pasi aty ku ai mbeti i bllokuar rruga ka pësuar një devijim të madh si pasojë reshjeve dhe rrëshqitjes së tokës. Pamundësia e mjetit të tonazhit të madh për të lëvizur ka bërë që një numër i madh makinash që lëviznin në të dyja anët e rrugës të mbeten të bllokuara. Policia lokale është ndodhur shpejt në vendin e ngjarjes dhe është marrë me menaxhimin e situatës, duke disiplinuar mjetet që të mos krijojnë kaos. h.p

Durrës, reshjet shembin Kodër-Vilën
Shirat e rrëmbyeshëm rishfaqin alarmin e shkarjeve të dheut në Kodër-Vilë. Në zonën e Currilave dherat kanë rënë nga një lartësi prej rreth 40 metrash dhe kanë krijuar të thelluara të mëdha në konfigurimin e kodrinës bregdetare. Kjo zonë ka pasur edhe raste të tjera rrëshqitjesh me dhera pas rënies së shirave të tejzgjatur, por realisht në të nuk është bërë asnjë investim. Rrëshqitjet masive të dheut të konstatuara vitet e kaluara janë një kërcënim i paralajmëruar i zonës kodrinore, dikur e pyllëzuar. Erozioni ka sjellë humbjen e sipërfaqeve të konsiderueshme në kodër-vilë, duke rrezikuar shpeshherë edhe jetë njerëzish në stinën e shirave. o.u

Sarandë, deti me dallgë bllokon tragetet
SARANDE - Deti me dallgë ka detyruar dje ndërprerjen e qarkullimit të trageteve të linjës Korfuz-Sarandë dhe anasjelltas. Në kushtet kur pajisjet e instaluara në Kapitanerinë e Sarandës kanë shënuar rritjen e dallgëzimit në detin Jon në 6-7 ballë, nga kjo Kapitaneri, por edhe nga ajo e Korfuzit, është dhënë urdhër-ndalimi për lëvizjen e trageteve të linjës. Për rrjedhojë mëngjesin e së mërkurës nuk është nisur trageti i parë i linjës që vjen nga brigjet e Korfuzit në drejtim të Sarandës, po ashtu as në drejtim të kundërt. Udhëtimi në det për ditën e djeshme ka qenë tërësisht i pezulluar për peshkarexhat. sh.d

“Çmendet” lumi i Matit, dhjetëra shtëpi në rrezik
BURREL - Prej vitesh lumi i Matit nuk ka pasur prurje kaq të mëdha. Lumi që zbret nga malet e Martaneshit përshkon gjithë luginën e Matit si dhe lumenjtë e përrenjtë e tjerë dje kanë regjistruar prurjen më të pazakontë të viteve të fundit. Burime informacioni pranë Hidrocentralit të Ulzës pohuan dje për "Panorama" se prurjet kanë shënuar rekordin me 560 metër kub në sekondë ose tre herë më shumë se prurjet e konsideruara maksimale në këtë basen. Specialistët e lidhin këtë me reshjet e dendura si dhe shkrirjen e dëborës nga malet. Vërshimi i Matit ka vënë në rrezik dhjetëra banesa në lagjen Myzë të fshatit Zenisht të komunës së Lisit. Burime zyrtare pranë kësaj njësie vendore thanë se janë informuar nga banorët e kësaj lagjeje për daljen e lumit nga shtrati dhe hyrjen e sasive të mëdha të ujit në shtëpitë e banimit, oborret e shtëpive dhe tokat e tyre. Specialiste te kësaj komune kanë mbërritur dje në këtë lagje dhe jo vetëm kanë parë nga afër situatën, por njëkohësisht kanë vendosur të marrin masa konkrete për evakuimin e njerëzve e kafshëve deri në përmirësimin e situatës. Një problem më vete sipas specialistëve është gërryerja masive e lumenjve dhe shfrytëzimi i inerteve në fushën e ndërtimit, duke harruar se prishja e shtratit të tyre krijon probleme serioze në rastet kur prurjet janë të mëdha.                                         h.p

 

Kukës
Bashkia i dhuron komunës Dajç 3 mijë euro

KUKES - Bashkia e Kukësit solidarizohet me gjendjen e krijuar në Shkodër duke kontribuar me një shumë prej 3 mijë eurosh. Në stinën e dimrit vazhdimisht bashkia e Kukësit është në situatë të vështirë ku kërkohen mjete dhe financa për të përballuar izolimin e gjithë zonës nga dëbora dhe ngricat. Por duket se situata e përmbytjeve ka vënë në gatishmëri edhe komunitetin kuksian. Dje, bashkia miratoi dhënien e një ndihme prej 3 mijë euro për komunën e Dajçit, e cila është edhe një ndër zonat ku përmbytjet kanë shënuar dëmet më të rënda. Gjithashtu, bashkia e Kukësit është e gatshme të vërë në dispozicion mjetet e saj për të përballuar situatën e krijuar në Shkodër dhe Lezhë pas reshjeve të mëdha dhe përmbytjeve. Kryetari i bashkisë, Hasan Halili u shpreh dje se “në shenjë solidariteti dhe mbështetje për banorët e rrezikuar në Shkodër, bashkia heq mënjanë nga fondet e shpenzimeve të saj një shumë prej 3 mijë euro dhe ia dhuron komunës së Dajçit për të përballuar situatën e pazakontë që është krijuar këto ditë nga reshjet e shumta dhe përmbytjet. Gjithashtu bashkia e Kukësit është e gatshme të vërë në dispozicion të përballimit të situatës edhe mjetet e saj”. Ndërkohë situata në rajonin verilindor ka shënuar përmirësim të dukshëm falë përmirësimit të motit. Temperaturat e larta kanë bërë që shumica e sasisë së dëborës të shkrijë. Kjo dëborë e kthyer në ujë përfundon në Liqenin e Fierzës. Edhe dje lundrimi në liqenin e Komanit nuk ka nisur.       j.h


Në Dajç, ku fshatarët s’largohen për shkak të lopëve e plaçkave

Nga i derguari yne,Ferdinand Dervishi

Duke udhëtuar, deri në Lezhë, rrezet e diellit, qielli aspak agresiv, por edhe vëzhgimi i shtretërve të qetë të lumenjve Mat e Drin (ai që derdhet në afërsi të Shëngjinit), bashkë me klimën e ngrohtë, pothuaj të nxjerrin nga mendja atë që sjellin mediat qendrore në Tiranë, atë frikën e katastrofës së mundshme të artikuluar me të gjitha rasat e mundshme të emrit “përmbytje”. Por teksa makina lë pas Lezhën dhe mësyn drejt Shkodrës, një re e stërmadhe e zezë, shoqëruar me shtimin e vrullit të erës dhe errësimin progresiv, të jep përshtypjen sikur vetë djalli të jetë ulur këmbëkryq në këtë zonë. Dhe kjo anomali natyrore të shoqëron gjatë gjithë kohës.
Synimi i udhëtimit janë fshatrat Dajç e Obot, të përmbytura nga prurjet e lumit Bunë, ndërsa rruga që të shpie kalon andej nga shkohet për në plazhin e Velipojës. Pak kilometra lënë autostradën Lezhë-Shkodër, pikërisht aty ku ndodhet kthesa për në Dajç, disa policë të strukur në brendësi të makinave, për të shmangur thëllimin e erës, të japin instruksionet e rastit: “Me fuoristradë është më mirë të futeni, por banorët i përdorin edhe autoveturat e zakonshme”. Me dembelizëm “Benz-i” i ulët i redaksisë, që ka në timon një shofer frikacak, nis të çajë përpara si motoskaf, pasi në pothuaj gjithë gjatësinë e saj rruga për në Dajç ka të paktën dy pëllëmbë ujë përmbi asfalt. Panorama pothuaj e plotë e asaj që ka ndodhur shfaqet menjëherë pasi kalohet tabela me emrin e komunës. Shtëpi të fundosura rreth një metër në ujë, depozita ushqimore dhe produkte bujqësore të dëmtuara, ndërkohë që uji është në lëvizje në gjithë gjatësinë e frontit, drejt perëndimit.
“S’mund të braktisim
shtëpitë e lopët”
“Është uji i lumit Bunë që lëviz drejt detit në gjithë gjerësinë e gjatësinë e arave që patë”, shpjegon Valentin Zadrima, banori që ka shtëpinë e parë në hyrje të Dajçit. Një shtëpi që tashmë prej katër ditësh e netësh gjendet e përmbytur nga një metër ujë. Edhe pse i pakënaqur me ndihmën e shtetit, Valentini thotë se e ka zgjidhur gjysmën e problemeve. “Uji na hyri në shtëpi në katër të natës. U tmerruam. Ngritëm shpejt përmbi tavolina rrobat dhe pajisjet shtëpiake që mund të dëmtoheshim dhe bëmë llogari të iknim. Dy fëmijët, nënën plakë dhe pesë lopët, i hoqa që këtej. I çova në fshatin fqinj, Trush, te njerëzit e gruas. Por unë vet, bashkë me gruan, kemi vendosur që të qëndrojmë. Të themi të drejtën shteti na ka dalë borxhit, sepse na janë lutur që të ikim. Na kanë vënë edhe makina në dispozicion. Por neve na dhimbsen plaçkat e shtëpisë. I kemi vënë me mund, nuk duam që të na i vjedhin”, është pak a shumë gjithë drama e Valentinit, përfshirë pakënaqësinë për ndihmat, të cilat sipas tij deri dje në mesditë u kishin mbërritur vetëm nga Zoti në qiell, kuptohet shpirtërisht, dhe prifti i fshatit, këtë herë materialisht.
Problemi i evakuimit të banorëve të zonës, për të shmangur një katastrofë eventuale që mund të ndodhë me rritjen e nivelit të ujërave, ka përafërsisht të njëjtin shpjegim edhe për pjesën tjetër të popullatës së rrezikuar. Në Dajç është përmbytur vetëm një lagje, rreth 200 banesa, të zonës që quhet edhe Shirgj. Por edhe pjesa tjetër e fshatit është e rrezikuar, pasi gjendet buzë argjinaturës së Bunës, nën nivelin aktual të sipërfaqes së fryrë të lumit. Kështu nëse, largqoftë, emergjenca kërkon që të hapen më shumë porta shkarkuese në digën e Hidrocentralit të Vaut të Dejës, të gjitha shtëpitë e fshatit mund të përfundojnë në det me kuç e me maç. E njëjta mund të ndodhë edhe nëse reshjet e shirave do të shtohen në zonën që ushqen Drinin, nga Mbishkodra deri në Maqedoninë e largët. Kjo i shqetëson edhe banorët. “Kemi frikë mos çahet diga e Hidrocentralit. Se edhe një inxhinier kështu e tha në televizion. Se një portë shkarkimi nuk hapet se është e dëmtuar. Pa me këtë gjendje jemi mësuar, sepse kjo zonë gjithë kohën është përmbytur. Më 1995-1996 kishte edhe një gjysmë metër ujë më shumë, por përsëri ja dolëm mbanë”, nxjerr jashtë buzëve mendimet e veta Ndue Maçaj, një tjetër banor i lagjes së përmbytur të Dajçit. Ndërsa një tjetër, po me të njëjtin mbiemër, është edhe më i qartë në arsyetimin e vet: “Unë kam një tufë të madhe me lopë. Se me qumështin e tyre jeton e gjithë kjo zonë. Ky është biznesi i vetëm i zonës. Dakord. Ja po i marrim lopët e mia dhe po i nxjerrim që këtej. Po ku do i çojmë? Ku do strehohen dhe ku do ushqehen? Pikërisht kjo ka mbetur pa u zgjidhur. Pikërisht këtë duhet të zgjidhë shteti...”
Kjo është pak a shumë dilema e të gjithë atyre banorëve që refuzojnë të shpërngulen, edhe pse përfaqësuesit e shtetit u janë lutur dhe u kanë vënë në dispozicion mjetet e duhura, edhe pse të njëjtët kanë nisur të forcojnë tonet e zërit duke përmendur evakuimin forcërisht të të pabindurve.
Shteti
Në Shkodër, nën vëmendjen e shtetit janë dy zona tërësisht të përmbytura, lagjja hyrëse e Dajçit dhe fshati Obot. Lagjja hyrëse e Dajçit është përmbytur për shkak të daljes nga shtrati të një kanali që ushqehet me ujin e Bunës, që quhet Vija e Urrelave, dhe mosfunksionimit të portave që gjatë stinës së thatë të verës bëjnë të mundur kalimin e ujërave të këtij kanali për ujitje në pronat e banorëve të zonës. Ndërsa fshati Obot është përmbytur sepse është i vendosur në një zonë të ulët, që përvit rrezikohet nga fryrja e shtratit të Bunës. Pothuaj e gjithë makineria e shtetit është stacionuar në Dajç, pasi në rast të shtimit të ujërave mund të përmbytet i gjithë fshati, ndërsa në Obot, që është praktikisht i rrethuar nga uji, ku shkohet vetëm me gomone, strukturat e shtetit kanë ndarë ndihma ushqimore sipas raportit për frymë të familjeve. Nga ana tjetër banorët nuk është se nuk e ndiejnë prezencën e shtetit, ata e pohojnë atë, por njëkohësisht shtojnë se nuk është bërë aq sa të mjaftojë. “Policia dhe ushtria na kanë ndihmuar. Kanë punuar gjithë kohën. I falënderojmë shumë...” Ky është refreni që dëgjohet nga të gjithë banorët. Të gjithë duken të kënaqur nga veprimet e ushtrisë dhe policisë, por kur vjen puna tek opinionet për Pushtetin Qendror apo Lokal, pothuaj të gjithë e kanë të vështirë të thonë fjalën e mirë. “Shteti është shtet. Habitemi se si nuk kanë ardhur të shohin nga afër shtëpitë tona të mbushura me ujë. Edhe Jozefina Topalli, Kryetarja e Parlamentit, deri atje tek argjinatura erdhi, nuk i’u afrua shtëpive. Sepse nuk i kuptojmë kur na thonë të largohemi. Ne ikim. Ikim, pa asnjë problem. Por para se të ikim, njerëzit e shtetit të na thonë saktësisht se çfarë do të ndodhë, se çfarë rrezikojmë në të vërtetë”, thotë Valentini. Në të njëjtin moment, si të përmbyllte një mendim të paplotë, bashkëfshatari i tij, Ndue Maçaj shton se edhe ai do të shpërngulej me dëshirën më të madhe nëse shteti do të bënte një inventar të shtëpisë së tij, plaçkave e pasurive të ndryshme dhe nëse atje ku do shkonin do gjenin edhe strehim e ushqim për bagëtinë. “Kaq. Kaq duam, asgjë më tepër”, përmbyll Maçaj.
Ndërsa shteti nga ana e vet duket apatik. Apo më saktë urdhrat e situatës emergjente duket se janë konsumuar në shumicën e tyre. Vetëm ca kamionë të ushtrisë vazhdojnë të përforcojnë argjinaturat e Bunës dhe me kaq fillon e mbaron. Kuptohet që të njëjtët kamionë janë përdorur për evakuimin e banorëve e bagëtive të tyre për atë pjesë që kanë pranuar të largohen. Komuna ka shpërndarë ndihma ushqimore, për të cilat një pjesë e banorëve ankohen se nuk i kanë marrë ende, ndërsa zyra e Kryekomunarit Arben Gjuraj është kthyer në një biçim shtabi emergjence, nga ku dalin urdhrat qoftë për policinë apo ushtrinë dhe ku gjithmonë ka një përqendrim të pazakontë njerëzish e mjetesh. Në ndihmë ka mbërritur edhe një njësi ushtarake nga Kosova e pajisur me motobarka dhe e specializuar për operacione shpëtimi. Por edhe këta, duket ende në pritje të një urdhri për veprim, kalojnë kohën duke filmuar me kamerat private përmbytjen e pazakontë dhe duke provuar motorët “Honda” të gomoneve të tyre, që ndizen si çakmak firmato. Ca më tej, në breg të Bunës, banorët e fshatit dalin herë pas here të shohin nivelin e ujit. “Sot qenka rritur”, thonë, duke treguar me gisht një shkop, fundi i të cilit është i zhytur disa centimetra në ujë dhe duke sqaruar se ai ishte vënë një ditë më parë për të shërbyer si matës.


Oboti, si e shpërnguli Enveri pas tërmetit të ‘79

nga i derguari yne

Banorët e zonës së përmbytur të Dajçit e Obotit këto ditë kanë krijuar një klimë të vështirë në marrëdhëniet me shtetin, qyshkur kanë refuzuar të largohen nga banesat e tyre, me qëllim shmangien e një katastrofe të mundshme. Nuk largohen të shkojnë në një vend të sigurt për jetët e tyre, duke pretenduar se nuk mund të lënë shtëpitë pa roje, se nuk kanë ku të çojnë bagëtitë... Një histori e pazakontë që ka në bazë të saj nënvleftësim të theksuar për jetën dhe njëkohësisht mosrespekt, apo abuzim me vlerat e demokracisë. Një gjykim që bëhet edhe më i vërtetë, edhe më i provuar nëse në memorie do të sillet një histori e kohërave të diktaturës, e pothuaj 30 viteve të shkuara, kur një pjesë e fshatrave pranë Shkodrës u rrafshuan nga tërmeti i frikshëm i 1979. Një prej këtyre fshatrave të dëmtuar ishte edhe Oboti. I njëjti që prej pesë ditësh është rrethuar nga të gjitha anët nga ujërat e fryra të Bunës. Në atë kohë të largët, teksa shteti komunist dërgoi vullnetarë, mjete e materiale për të ndërtuar nga e para një pjesë të fshatrave, me Obotin nuk ishte nxituar. Ai ishte një fshat që pothuaj përvit “vizitohej” nga ujërat e pamëshirshme të Bunës, që e përmbytnin periodikisht. Një ide që fshati të zhvendosej në një kodër aty pranë, duket i kishte rënë në vesh krerëve të shtetit komunist të kohës dhe kështu ishte vendosur. Por, përkundër asaj se çfarë po ndodh realisht në Obot, në atë kohë askush nuk kishte guxuar të mos bindej. Enver Hoxha kishte vendosur gishtin në hartë dhe kaq kishte mjaftuar që fshati të shpërngulej me të gjitha gjallesat e veta në një kodër pranë, duke i lënë gërmadhat e vjetra në mëshirë të valëve të lumit.
Por kohërat e reja postdiktaturë sollën lëvizje të reja të reja të popullatës. “Do shkojmë te tokat e të parëve tanë”, kishin gjykuar banorët e Obotit të vendosur në kodër. Dhe pa e zgjatur ishin nisur të rindërtonin në breg të Bunës, ku edhe toka ishte më pjellore, duke marrë mbi shpatulla riskun e përmbytjeve të mundshme, që nuk vonuan. Të djegur gjithë jetën nga ky fenomen natyror, banorët u kujdesën të ngrenë shtëpitë mbi bazamente betoni apo gurësh, për të shmangur futjen e ujit në brendësi dhe njëkohësisht nuk harruan t’i shtojnë inventarit të veglave e pajisjeve edhe nga një barkë, sipas mundësisë financiare të gjithsecilit. Kështu që, edhe pse të rrethuar nga të gjitha anët nga ujërat e fryra të Bunës, pothuaj të gjithë banorëve të këtij fshati nuk u është futur uji në brendësi të shtëpive dhe njëkohësisht nuk i ka penguar të lëvizin nga banesat për nevoja të ndryshme, që i kanë përmbushur duke vënë në punë barkat e shumta. Gjithsesi kjo është pjesa më optimiste, pasi dëmet sërish janë të shumta. Në katër apo pesë nga shtëpitë e këtij fshati, të ndërtuara me bazament të ulët, uji ka bërë të tijën, ndërkohë që në gjithë fshatin janë shkatërruar të mbjellat, depozitat e ushqimit të kafshëve apo edhe të njerëzve e.t.j. Një zhvillim që ka bërë shumëkënd të kujtojë me nostalgji kohërat kur diktatori komunist shqiptar tregoi një kodër në hartë dhe e shpërnguli gjithë fshatin me një urdhër të vetëm, duke e shpëtuar përgjithmonë nga valët e pabesa të Bunës.  fe.de

Alarmi, banorët largojnë edhe kafshët e punës
Mehmet Zagani, banor i fshatit Mushan në Shkodër tregoi dje se familjarët ka kohë që i ka shpërngulur për në Trush, aty ku përmbytjet nuk kanë prekur banorët e zonës. Ai dje tërhiqte një kalë, pasi thotë se me anëtarët e tjerë të familjes ka larguar dhe lopët. Pentari e Trushi janë disa nga zonat që janë zgjedhur si strehë më e sigurtë nga banorët. “Kot e kanë këta qeveritarë që na alarmojnë, pasi ata nuk e dinë se ne edhe herë të tjera kemi kaluar situate të tilla. Ata janë të çmendur që po na largojnë nga shtëpitë. Uji vjen e tash po ik prapë. Por meqenëse thojnë se duhet me ik, hajt thashë po iki edhe unë tek miqtë e mi në Trush”, shprehet Zagani. Ndërsa si ai kanë menduar shumë banorë të zonës, por nga raportimet e vonshme mësohet se thuajse të gjithë kanë larguar fëmijët e të moshuarit nga zonat e rrethuara nga uji.

Shkrirja e dëborës, shtohen prurjet
Situata në zonat e përmbytura sa vjen e po rrezikohet nga ndryshimet më të fundit të motit. Rritja e temperaturave bëri që brenda 24 orëve dëbora e rënë mesnatën e ditës së martë të shkrijë gjatë gjithë ditës së mërkurë. Era e shirokut që ka përshkuar tërë rajonin e Shkodrës, jo vetëm që ka ndikuar në ngritjen e menjëhershme të temperaturave, por ajo ka filluar të shkrijë dëborën me shpejtësi dhe për rrjedhojë prurjet në liqenet e hidrocentraleve të lumit Drin kanë qenë tejet të mëdha. Kjo, sipas specialistëve do të bëjë që të shtohen në maksimum shkarkimet e tyre. Paraditen e djeshme shkarkimet kanë qenë në nivelin e 1400 m3/sek, por kjo sasi parashikohej të dyfishohej në orët e darkës.

 

Topi braktiset nga qeveria: Banorët të evakuohen urgjent

Presidenti Bamir Topi bëri apel dje që banorët e Shkodrës të avakuohen për të mos rrezikuar jetën. Kreu i shtetit pa nga afër përmbytjet në qytetin verior, ku theksoi se “ashtu sikurse ndodh edhe me ligjet e evakuimit të anijeve për paralelizëm kemi të bëjmë që fillimisht duhet të evakuohen fëmijët, gratë, të moshuarit dhe kuptohet që nëpërmjet komunikimit të vullnetshëm të banorëve me Pushtetin Vendor, mund të ketë kryefamiljarë që dëshirojnë të rrinë për momentin, por në të tilla raste nuk duhet të ketë voluntarizëm, sepse askush, qoftë dhe unë që po flas, që nuk jam specialist i fushës, do të bëja gabim në qoftë se do të mendoja ashtu siç mendoj, por duhet t’u referohem specialistëve, institucioneve që merren me këtë problem, pra gjërat të realizohen në kohë kur dihen gjërat se si do të vijnë”. Kreu i shtetit shoqërohej në këtë vizitë në Shkodër dhe Lezhë vetëm nga shefi i Shtabit të Përgjithshën, Maksim Malaj, ndërkohë që binte në sy mungesa e Prefektit apo e përfaqësuesve të ekzekutivit. Topi tha se këto zona kanë nevojë për një studim të përgjithshëm. “Këto zona pastaj në perspektivë kanë nevojë dhe ky do të jetë në vëmendjen e institucioneve specifike që merren me këtë punë, të gjitha këto zona do të kenë nevojë për një studim në vazhdimësi, sepse studime ka pasur. Nuk mund të themi që studime nuk ka pasur. Ka pasur studime parciale, do të ketë nevojë për studime integrale”, theksoi kreu i shtetit. Sipas Presidentit, zona veriore është më e prekur nga reshjet e shiut, në krahasim me pjesën tjetër të vendit. “Kushtet e motit kanë qenë dhe vazhdojnë të jenë specifike, madje këtu ju e dini që edhe në traditën qindra vjeçare të kësaj zone, ndryshe nga zonat e tjera të territorit shqiptar, ku sipas profesionistëve sasitë mesatare vjetore të reshjeve janë rreth një mijë milimetra, këtu shkojnë tetëqind deri në një mijë milimetra më shumë se mesatarja vjetore”, u shpreh Presidenti.

PS: Korrupsion vrasës i Qeverisë 

Aristir Lumezi

Partia socialiste akuzoi dje qeverinë se është shkaktare e përmbytjeve në zonat veriperëndimore. Deputeti socialist Erion Braçe gjatë një komunikimi me mediat, tha dje se katastrofa ka si përgjegjëse qeverinë. “Katastrofa që po konsumohet është pasojë direkt e paaftësisë kriminale, papërgjegjshmërisë ligjore e administrative, korrupsionit vrasës të Qeverisë së Sali Berishës”, u shpreh Braçe. Deputeti socialist radhiti disa argumente mbi të cilat mbështeti akuzat e tij. Sipas tij, në dështim të plotë me financat e shtetit, qeveria kërkoi të bëjë biznes me ujin, duke mos deklaruar muaj më parë rezervat ujore të hidrocentraleve. “Prodhimi dhe eksporti i fortë i energjisë elektrike- praktikisht ky është anormal në segmentin krahasues të disa periudhave-është parë si mundësia reale që Qeveria të rregullojë llogaritë e saj”, tha Braçe. Për këtë arsye, sipas tij, është stimuluar fort mbledhja e ujit në liqenet e hidrocentraleve të kaskadës së Drinit, veçmas në Fierzë, hidrocentrali atje, në nëntor e dhjetor nuk ka punuar thuajse fare në të gjithë agregatet e tij. “Ky qëllim i Qeverisë, ka detyruar një regjim të fortë importi për OSSH-CEZ, import që vijon edhe tani. Por, në mënyrën më të habitshme e gjitha kjo ka ndodhur kur të paktën Ministria e Ekonomisë ishte në dijeni të gjendjes së vështirë në liqenet e kaskadës së Drinit. 20-30 ditë më herët, në datë 8 nëntor Ministri i Ekonomisë kishte ngritur një komitet të posaçëm për të menaxhuar situatën hidroenergjetike në vend. Dëshmi e fortë se menaxhimi i tillë me regjim importi dhe mbledhje uji në liqene ka qenë i qëllimtë”, u shpreh Braçe. Deputeti socialist i bëri apel banorëve të këtyre zonave të largohen nga banesat e tyre për të shpëtuar jetën dhe për të mos shkaktuar tragjedi njerëzore. “Largohuni! Kjo është sakrifica juaj! Qeveria ka lënë vetëm një mundësi në këto kushte: Shkarkimin e ujit në sasi të mëdha nga liqenet e hidrocentraleve dhe zgjerimin e zonës së katastrofës nën ujë! Po e përsëris: Largohuni! Kjo është sakrifica juaj për të shpëtuar jetën e mijëra shqiptarëve të tjerë, nga rreziku i thyerjes së digave më të mëdha në Shqipëri, vënë nën këtë rrezik nga Qeveria e Shqipërisë! Nëse “Gërdeci material” po konsumohet, ju keni në dorë të ndalni “Gërdecin njerëzor”, u shpreh Braçe. Në emër të PS-së, deputeti socialist i ka bërë thirrje Prokurorisë të nisë hetimet për këtë katastrofe dhe mbi faktet që PS sjell në dritë. “Ne vërejmë me keqardhje të thellë se Prokuroria e Republikës, pavarësisht faktit të konsumimit të veprave penale në kushte flagrance, është tërësisht jashtë funksionit, nuk po bën detyrën e saj kushtetuese, në mënyrë të përsëritur, siç para 8 javësh në tunelin e Kalimashit. Po apelojmë sot edhe një herë, në kushte thellësisht të tjera dhe reflektimi, Prokuroren e Përgjithshme, të urdhërojë nisjen e hetimeve brenda kompetencës së saj kushtetuese”, u shpreh Braçe.


Reagimi, Ministria: PS shpif
Ministria e Ekonomisë, Tregtisë dhe Energjetikës reagoi menjëherë  pas akuzave të deputetit socialist Erion Braçe. Në një deklaratë për shtyp zëdhënësja e këtij dikasteri Matilda Merxhani është shprehur se akuzat për import nga ana e Braçes janë shpifje të pamoralshme. “Kujtojmë se importi i energjisë për të cilën flet deputeti Braçe nuk është bërë nga qeveria por nga kompania private CEZ”, u shpreh zëdhënësja e METE. Sipas saj, prodhimi dhe eksporti në nivele të larta po bëhet për të shmangur çarjen e digave. Kështu në Kosovë KESH depoziton 6 mln kë/h në Kosovë, sipas çmimit të tregut. “Prodhim i lartë eksporti për të evituar katastrofat nga çarja e digave. T’i kërkosh KESH të mos eksportojë do të thotë të kërkosh tragjedi kombëtare, do të thotë të kontribuosh për më shumë përmbytje dhe fatkeqësi, u shpreh zëdhënësja e Ministrisë së Ekonomisë.


Akuzat e PS-së ndaj qeverisë


Prodhimi dhe eksporti i fortë i energjisë elektrike, mundësi reale që Qeveria të rregullojë llogaritë e saj
Është stimuluar fort mbledhja e ujit në liqenet e hidrocentraleve të kaskadës së Drinit
Në Fierzë, hidrocentrali në nëntor e dhjetor nuk ka punuar thuajse fare në të gjithë agregatet e tij
Ky qëllim i Qeverisë, ka detyruar një regjim të fortë importi për OSSH-CEZ, import që vijon edhe tani
Ministri i Ekonomisë ngriti një muaj më parë një komitet të posaçëm për të menaxhuar situatën hidrike, pa asnjë rezultat
Menaxhimi i ujit në liqenet e kaskadës së Drinit për qëllime biznesi, ka shkelur çdo ligj, çdo rregullore.
Nga e gjithë kjo katastrofë, nga pikëpamja ekonomike financiare Qeveria po del me fitim, me të cilat KESH do shlyejë borxhet

 

Ilir Beqja
“Kemi të bëjmë me një katastrofë ekonomike”

Deputeti i Partisë Socialiste Ilir Beqja e ka cilësuar situatën nga përmbytjet në Shkodër si një katastrofë ekonomike. Ai tha dje se për shkak të dëmeve të mëdha në bujqësi dhe në dëmet materiale kjo mund të quhet sipas tij një katastrofë ekonomike. Beqja duke hedhur edhe një sërë akuzash ndaj qeverisë theksoi se qeveria është treguar e paaftë dhe e papërgjegjshme për menaxhimin e situatës. Sipas tij paaftësia e qeverisë ka të bëjë edhe me mos krijimin e një plani të detajuar për të përballuar një katastrofë të tillë.

Berisha: Katastrofa qëndron

SHKODER/ RITVAN DIBRA

Për të dytën ditë me radhë, Kryeministri Sali Berisha paralajmëron se veriu është i rrezikuar nga katastrofa për shkak të përmbytjeve. Në një mbledhje urgjente të qeverisë, për situatën në Shkodër dhe Lezhë, është miratuar vendimi për ngritjen e Komitetit Ndërministror të Emergjencës Civile, i cili do të kryesohet nga Ministri i Brendshëm, Lulzim Basha dhe që do të jetë përgjegjës për menaxhimin e situatës së krijuar. “Potencialisht katastrofa qëndronte dhe qëndron si shpatë e Demokleut. Sepse, së pari, zona e përmbytur nuk mund kurrë të asistohet sikur të ishte jashtë përmbytjes. Ka fëmijë, të sëmurë, gra e të moshuar dhe një farë hezitimi i ligjshëm për të pranuar evakuimin”, u shpreh Berisha. Duke bërë të ditur të dhënat e fundit nga terreni, kreu i ekzekutivit tha se reshjet e shumta të ditëve të fundit kanë rritur me rreth 100 herë prurjet nga lumi i Drinit, i cili në verë sillte rreth 15 m3/ ujë në sekondë, ndërsa tani 1500 m3/ujë në sekondë. Kryeministri paraqiti si problematike situatën në liqenin e Fierzës, por siç tha ai, për momentin problematik është liqeni i Komanit, për shkak të kapacitetit të tij të vogël. Berisha përsëriti apelin për banorët e këtyre zonave që të lënë shtëpitë, pasi rritja e nivelit të ujit rrezikon jetët e tyre. “Deri tani, nga 950 familje të kërcënuara, 430 janë evakuuar. Shfrytëzoj rastin nga mbledhja e qeverisë t’u bëj thirrje të marrin të gjitha përgjegjësitë dhe të jenë në lartësinë e përgjegjësisë për t’u evakuuar, sepse është jashtëzakonisht e rëndë për vendin, qoftë edhe një jetë e vetme e humbur. Qeveria është e vendosur t’u japë atyre të gjithë ndihmën, por ata vetë duhet të pranojnë të marrin vendimet e duhura. Nuk duhet të rrinë nën kërcënim as edhe një orë të vetme. Trimëri është të gjesh rrugën për t’u përballur me mençuri me këtë situatë dhe ky është largimi, shmangia e katastrofës”, u shpreh Berisha. Duke folur mbi situatën në Lezhë, Kryeministri bëri përgjegjës detin, i cili mori përpara pritat e betonit, duke përmbytur Talen dhe fushë Kuqen. Në këtë kontekst, ai kërkoi nga autoritetet të merren masa për eliminimin e rrezikut që vjen nga lumi i Vjosës, teksa vlerësoi se duhet bërë një rishqyrtim i situatës në të gjitha argjinaturat. Në mbledhjen e Qeverisë, Berisha tha se “shkarkimet nga ana e Korporatës Elektroenergjetike deri tani, as edhe një ditë të vetme, nuk kanë qenë kërcënuese për nivelin e argjinaturave pritëse të komunës së Dajçit. Gjithmonë është qëndruar një metër e gjysmë, një metër, 50 centin nën nivelin maksimal që kjo argjinaturë pret. Natyrisht, rrjedhjet e ndryshme, rritja e madhe e Gjadrit, Kirit dhe fryrja e detit, që të gjitha kanë bërë që deri tani të jenë të përmbytura mbi 1200 hektarë tokë, kanë bërë që, nga lajmet e fundit që kam, fryrja e liqenit të ketë filluar të ekspansojë edhe në komunën e Rrethinave”.


situata

Zonat e përmbytura

1. Komuna Bushat     rreth 650 ha tokë
2. Komuna Velipojë     rreth 300 ha tokë
3. Komuna Dajç         rreth 1500 ha tokë
4. Komuna Ana e Malit rreth 741 ha tokë
5. Komuna Guri i Zi     rreth 90 ha tokë
6. Komuna Berdice rreth 1200 ha tokë
7. Bashkia Shkodër      rreth 300 ha tokë
8. Komuna Rrethina     rreth 15 ha tokë
9. Komuna Guri i Zi     rreth 20 ha  tokë
Gjithsej             rreth 4816 ha tokë

Janë në prezencën e ujit

1. Bashkia Shkodër rreth 140 shtëpi
2. Komuna Dajç rreth 600 shtëpi
3. Komuna Ana e Malit 130 shtëpi
Gjithsej 870 shtëpi

Janë të evakuar

1. Bashkia Shkodër 60 familje dhe 40 persona të komunitetit Rom
2. Komuna Ana Malit 30 familje së bashku me gjënë e gjallë
3. Komuna Dajç 430 familje së bashku me gjënë e gjallë
4. Komuna Bushat 7 familje
Gjithsej deri tani janë evakuar rreth 527 familje, evakuimi vazhdon.


Sejdiu telefonon Berishën

Forcat e Sigurisë së Kosovës do të ndihmojnë ushtrinë shqiptare në operacionin e përmbytjeve në veri të vendit. Presidenti Fatmir Sejdiu bisedoi dje në telefon me Kryeministrin Berisha, ku i bëri të ditur vendimin për të nisur trupat në vendin tonë. “Kryeministri Berisha  e falënderoi Presidentin e Kosovës z. Fatmir Sejdiu për këtë vendim, si dhe për ofertën e qeverisë së Kosovës për ndihma në varka shpëtimi dhe mjete të tjera. Kryeministri Berisha i shprehu Presidentit Sejdiu falënderimin e tij edhe për ndihmën financiare që Komuna e Gjakovës ka akorduar për zonat e përmbytura në Shqipëri”, thuhet në njoftimin për shtyp të Qeverisë shqiptare.


Ngrihet struktura ndërministrore
Komiteti i Emergjencës:Janë 4816 ha tokë nën ujë

Qeveria ngre Komitetin Ndërministrot të Emergjencës Civile, i cili do të menaxhojë situatën e krijuar nga përmbytjet në Lezhë dhe Shkodër. Në mbledhjen e parë të tij, nën drejtimin e Ministrit të Brendshëm, Lulzim Basha, u bë e ditur se në qarkun e Shkodrës mbi 4800 ha tokë është nën ujë. Sipas të dhënave të ditës së djeshme, komuna Dajç është më problematikja dhe pas saj vijnë komuna Bushat dhe Bashkia Shkodër. Në të njëjtën kohë, 870 shtëpi në Shkodër, Dajç dhe Anën e Malit janë të përmbytura. Në fjalën e tij ministri Basha kërkoi nga anëtarët e Komitetit që të ndjekin nga terreni situatën. “Për veçorinë që paraqet situata e krijuar dhe zhvillimet e saj të mundshme, del e nevojshme bashkëpunimi i ngushtë i anëtarëve të Komitetit ndërministror deri në përfundimin e plotë të kësaj situate dhe riaftësimin e saj. Gjithashtu, për monitorimin e situatës në terren dhe veprimet operacionale efikase, duhet që ne si anëtarë të këtij Komiteti të jemi prezent në terren çdo ditë. Njëkohësisht drejtuesit e strukturave në varësi duhet të jenë të pranishëm për të monitoruar, verifikuar dhe drejtuar problematikën e dalë në terren”, tha Basha. Sipas tij “gjithsej duhet të evakuohen rreth 2200 familje me rreth 8800 banorë, kërkohen rreth 35 mjete transporti për të bërë 25 reise transporti për evakuimin e komunitetit për zonën e Nënshkodrës”.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora