E shtune, 27.04.2024, 06:04 AM (GMT+1)

Shtesë » Lajme

Dëshmitë për vrasje po vazhdojnë

E premte, 04.12.2009, 08:22 PM


Fatbardhë Zeka, Bota Sot

Dëshmitë e Nazim Bllacës po i lidhin dëshmitë e vrasjeve me njëra tjetrën, kështu vlerësojnë edhe ekspertët, mirëpo të enjten policia e EULEX-it e kishte marrë në pyetje si dëshmitar i tentim atentateve, Adem Salihajn, i cili tha se do të dëshmoj përsëri, meqë kjo nuk mund të merr fund.

Dëshmive të Nazim Bllacës për numrin e vrasjeve të pas luftës në Kosovë, si duket po iu shtohen edhe shumë raste të tjera, kështu Bllaca tani mbeti vetëm pikënisja e këtij akti, apo vegëza për të cilën tani po lidhen shumë e shumë dëshmi të tjera të të njëjtës tematikë.

Dëshmitari Nazim Bllaca, të dielën pranoi publikisht në qendër të Prishtinës, se ka marrë pjesë në 17 akte kriminale, vrasje, tentimvrasje, rrahje brutale etj., dhe se shkak i këtij deklarimi të tij, të të gjitha rrëfimeve për krimet që dinte, ishte edhe ndjenja e pendesës. Por, rrëfimi i tij, tashmë ka marrë dhenë së bashku me dëshminë e bërë publike në një video incizim, gjatë muajit tetor.

Dëshmia e Salihajt

Shumë dëshmi e dëshmitarë, sikur janë humbur, mirëpo pas rastit Bllaca si duket nuk do të ndalet me kaq, madje edhe ekspertët vlerësojnë se ky ishte vetëm një vegëz përmes së cilës do të mund të kapen për t’i zbuluar krimet dhe vrasjet e pas luftës.

Derisa të enjten deputeti i LDD-së, Adem Salihaj, kishte dhënë një dëshmi në prokurorinë e EULEX-it, i cili tha se kjo nuk do të përfundojë me kaq, pasi që i njëjti do të vazhdoi të dëshmoj akoma në EULEX.

“Unë sot kam qenë në prokurorinë speciale të EULEX-it dhe kam dhënë dëshminë time si dëshmitarë dhe viktimë e një tentim atentati, ndërsa procedurat po vazhdojnë atje, dhe do të vazhdojnë sërish, sepse nuk është kryer dëshmia ime në tërësi dhe do të vazhdoj ta jap edhe një ditë tjetër. Kjo është ajo që po zhvillohet lidhur me rastin e Nazim Bllacës, dhe dëshiroj të them se prej ditës së parë kam pasur mbrojtje të policisë në shtëpi, por ende nuk kam mbrojtje të afërt, pavarësisht prej kërkesave të mija të shumta, nuk kam mbrojtje dhe përcjellje të askujt”, theksoi deputeti Salihaj.

Ndërkohë, që Salihaj thotë se pas publikimit të materialeve, në të cilat përmendet edhe emri i tij si njëri nga ata, të cilët i kanë shpëtuar vrasjes së organizuar, ndjehet i rrezikuar siç shprehet ai, nga strukturat e njëjta të SHIK-ut.

Ndërsa, nëse ka pasur ndonjë paralajmërim se do të mund të ketë ndonjë kërcënim, Salihaj tha se nuk ka pasur ndonjë kërcënim të drejtpërdrejt, por kërcënimi është permanent dhe i vazhdueshëm dhe dihen arsyet e gjithë kësaj dhe dihen efektet e gjithë këtyre dëshmive, prandaj thotë se është njëri prej atyre që mund të jetë i rrezikuar vazhdimisht.

Prof.dr. Haki Demolli, profesor i kriminalistikës, vlerëson se reagimi i gjyqësisë ka qenë i vonshëm, dhe dëshmon se gjyqësia nuk është e pavarur, ndërsa arresti shtëpiak, thotë se nuk është dënim, sepse për vepra të tilla fillimisht do të ishte paraburgimi.

“Reagimi i gjyqësisë ka qenë i vonshëm dhe kjo na bënë me dije se gjyqësia nuk është e pavarur në tërësi, që është një nga komponentët kryesore të gjyqësisë, sepse po të ishte një rast ordiner apo një rast i zakonshëm, atëherë sigurisht se do të privohej nga liria apo do të arrestohej shumë më shpejtë, ndërsa në këtë rast gjyqësia ka vepruar me vonesë. Ndërsa, Bllaca nuk mund të quhet as dëshmitar, por i pandehur apo në radhë të parë i dyshimtë, ndërsa gjyqësia e ka lënë për një kohë të caktuar të jetë i lirë. Kurse sa i përket dënimit ai nuk është dënim, por është vetëm një masë për sigurimin e tij në procedurë penale dhe mendoj se duke pas parasysh veprën penale për të cilën e ka paraqitur ai vetveten dhe të tjerët në radhë të parë do të ishte i drejtë, paraburgimi e jo arresti shtëpiak”, thotë Demolli.

Ndërkaq, Hajrullah Tërnava, ekspertë i policisë, thotë se detyrimisht rasti i Nazim Bllacës, është një rast që më në fund është vegëza përmes të cilit duhet të zbulohen shumë raste tjera që kanë ndodhë prej pas luftës e deri më tash.

“Mënyra se si i kanë kryer këto vepra, ai është deklaruar vet për shumë kësi lloj rastesh, prandaj unë mendoj se duke e ditur numrin e të vrarëve pas luftës do të ketë shumë, dhe mendoj se organet hetuese, vendore edhe ndërkombëtare duhet të angazhohen së bashku për ta kryer këtë punë deri në fund, për zbardhjen e këtyre rasteve, sepse pa u zbardh të gjitha rastet nuk do të mund të shkojmë kah një shtet i mbarë dhe i mirë”, thotë Tërnava, duke shtuar se ky rast është diçka që ka filluar tani, me rastin e Bllacës dhe duhet të shkoj deri në fund, nëse dëshirojmë të kemi një shtet të ndërtuar mirë, dhe në mënyrë që të avancohet çështja e Kosovës si në vend si ashtu edhe ndërkombëtarisht.

Derisa, lidhur me shqiptimin e dënimit të Bllacës, Tërnava theksoi se edhe ai dënim e ka llogarinë e vet, dhe se organet e gjyqësisë ndërkombëtare kanë pasur arsye pse e kanë dënuar në atë mënyrë.

“Unë mendoj që burgu shtëpiak që i është caktuar Nazim Bllacës e ka llogarinë e vet, dhe është vlerësim i organeve ndërkombëtare të drejtësisë. Ata e dinë për vet faktin se tash e disa muaj janë në kontakt me të dhe ata e dinë edhe pse e kanë marrë atë vendim për arrest shtëpiak, por mendoj se pasi që të kryhen zgjedhjet do të merren më aktivisht me të dhe do të kryhen edhe shumë punë të tjera, mendoj se me të vërtete kur të luftohen gjërat negative sikur ato veprat penale apo krimi i organizuar me materiale ne duhet megjithatë, t’i pranojmë si një hap përpara sepse pa e ndjekur korrupsionin, sikur të gjitha veprat negative që janë bërë deri më tash nuk mund të ecim përpara”, thotë Tërnava.

Rikthimi i ankthit të vrasjeve

Dëshmia e tij ka rikthyer në kujtesë shumicën e ngjarjeve tek familjarët e viktimave. Derisa ekzekutori Bllaca, ka pohuar se në Prishtinë ka vrarë Ibush Kllokoqin, ka dëshmuar se edhe ish kolegu i tij nga sektori i vrasjeve në SHIK, Fahredin Gashi, i njohur me nofkën Faruku, ka vrarë Sali Gashin, vrasje kjo e kryer në Varigovc, ndërsa në Kraisht nga Sadik Abazi është vrarë Adem Lahi. Për të gjitha vrasjet ai ka pranuar se ka marrë urdhër nga Azem Syla, si udhëheqës i SHIK-ut, të cilat ky i fundit është munduar t’i demantojë. Ndërsa, në një video-incizim, të shpërndarë nga dy deputetë të LDD-së, Gani Geci dhe Adem Salihaj, Bllaca ka inkriminuar figura të larta të SHIK-ut, disa nga ta, tash deputetë dhe anëtarë të qeverisë. Madje tani ai për media ka përmendur edhe emra të tjerë, të vrarë e të përfshirë në vrasje, kështu tani pasi që kanë kaluar disa ditë nga publikimi i DVD-së, së Nazim Bllacës, kanë filluar të dëshmojnë edhe dëshmitarë të tjerë për media, duke rrëfyer për krime dhe për ato se çfarë kanë përjetuar, madje edhe vet familjarët e të vrarëve.

Afrim Gashi, djali i Sali Gashit, i cili u vra në vitin ‘99-të, dhe për vrasje të cilën Bllaca thekson se e ka kryer Fahredin Gashi, i njohur me emrin Faruki. Pra, pas publikimit të DVD-së, e cila në vete përmbante dëshmi për rreth 17 vrasje, tani shumë dëshmitarë flasin duke u lidhur zinxhirë mes vete, gjërat dhe duke ngërthyer edhe vrasje të tjera që ndërlidhen në një mënyrë ose një tjetër pas rastit Bllaca.

Vetëvendosje: SHIK-u nuk është shuar asnjëherë

Ndërkaq, në një reagim të Lëvizjes Vetëvendosje, lidhur me zhvillimet e fundit pas dëshmisë së ekzekutorit Nazim Bllaca, theksohet se kryeministri Hashim Thaçi ka dhënë deklarata shumë dramatike duke thënë se Bllaca e ka kërcënuar "sigurinë nacionale". Vetëvendosje thotë se Thaçi nuk i ka konsideruar kaq të rrezikshme as strukturat paralele të Serbisë, të cilat ditë e natë punojnë kundër sigurisë sonë nacionale dhe pavarësisë së Kosovës. "Kurrë më parë Hashim Thaçi nuk është shërbyer me një fjalor kaq dramatik të rrezikshmërisë, madje as kur Kosovës iu kallën kufijtë më 19 shkurt 2008, dy ditë pas Shpalljes së Pavarësisë", thuhet në një komunikatë të Lëvizjes Vetëvendosje. “SHIK-u asnjëherë nuk është shuar. Ai vetëm ka ndërruar formë dhe se tash e disa vjet SHIK-u ka kolonizuar pothuajse të gjitha ndërmarrjet e rëndësishme publike e shoqërore: PostëTelekomin e Kosovës, Aeroportin Publik Ndërkombëtar të Prishtinës, Trepçën, KEK un, pra të gjitha këto ndërmarrje të rëndësishme të cilat do t'i privatizojë kreu i privatizimit të pasurive të Kosovës, ministri Ahmet Shala”, thuhet në reagimin e Vetëvendosjes.


(Vota: 6 . Mesatare: 2.5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora