E enjte, 31.10.2024, 10:52 PM (GMT)

Editorial

Engjëll Koliqi: Kur do e shohim dhe do e njohim shqiptarizmën?!

E merkure, 02.12.2009, 07:58 PM


KUR DO E SHOHIM DHE DO E NJOHIM SHQIPTARIZMËN ?!

Shkruan: Engjëll KOLIQI

Në njëzet vjetët e fundit, duke parë ndryshime të mëdha të shoqërisë njerëzore – që nga shembja e Murit të Berlinit, falimentimi  i sistemit komunist e sidomos me rrëzimin e diktaturës në Shqipëri dhe me daljen e Kosovës nga zgjedha tragjike e kriminele serbiane – populli shqiptar filloi të besojë se përfundimisht do të jemi të lirë dhe sovranë mbi trojet dhe mbi pasuritë tona kombëtare.

Mirëpo, mjerisht ende po tërbohen dhe egërsisht po e sulmojnë popullin e vet – disa mbeturina të diktaturës së dështuar komuniste dhe grupacione të tjera, që me qëllime përfitimesh ideologjike dhe materiale – individuale e klanore, kanë filluar të rrjeshtohen në klanet punisto-mafioze, pa pasur marifet as rregulla mafioze.

Mjerisht, individë dhe grupe të tilla destruktive ende vazhdojnë të tërbohen, në Republiën e Shqipërisë, në Republikën e Kosovës dhe anekënd trojeve arbërore – në Maqedoni, në Mal të Zi e në Kosovën Lindore. Të tillë, mjerisht kemi edhe në komunitetin çam. Që të jem më konkret, po përmendi vetëm disa prej atyre pluhurive të rrezikshme. Në mënyrat më perfide dhe destruktive, edhe sot çohet pluhuri e madhe për rezultatet e zgjedhjeve të 28 qershorit në Shqipëri dhe për ato të 15 nëntorit në Kosovë. Hiç më mirë nuk ndodh as me rastin e zgjedhjeve në Maqedoni, në Mal të Zi e në Kosovën Lindore, ku marrin pjesë edhe partitë politike shqiptare.

Mbarë bota e ka të qartë se qëllimi përfundimtar i partive politike është fotelja në zyrat e pushtetit. Mirëpo habitë fakti se liderët dhe politikanët tanë i japin të drejtë vetit të shkelin mbi supet e popullit, i cili ende duhet të paguajë për shfrenimet e tyre politike dhe për delinxhillëqet  ekonomike dhe morale të tyre. Klanet e Edi Ramës tërbohen kundër institucioneve dhe klaneve të Sali Berishës. Në Kosovë shkaktohen përplasje edhe në parlament me akuza dhe kundërakuza në mes të Partisë Demokratike të Hashim Thaçit dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës të Ramush Haradinajt, plas sherr në mes PDK-së dhe LDK-së për koalicionet qeverisëse dhe zgjedhore. Dëgjohen pastaj akuza dhe kundërakuza ndërmjet partive dhe klaneve me ngjyra interesesh të ndryshme. Në Maqedoni gjithnjë e më shumë egërsohen liderë të partive politike. Akuza dhe kundërakuza ndërmjet Ali Ahmetit, Menduh Thaçit e të tjerëve. Probleme të tilla hetohen edhe ndërmjet partive politike shqiptare në Mal të Zi dhe në Kosovën Lindore. Dhe – mjerisht, nga të gjitha këto ndeshje e fërkime destruktive, gjithnjë preken e pësojnë të pafajshmit – pra, masat popullore.

Këto ditë kemi arritur në një pikë shumë të nxehtë dhe kritike, saqë në Kosovë kanë filluar të dëshmojnë kriminelët për implikimin e tyre në krime vrasjeje. E keqja është edhe më e madhe kur krimineli në ato dëshmi përmend si drejtues të krimeve vrasëse, edhe personalitete që kanë pozita të larta në institucionet shtetërore, deri në rolin e ministrit e të deputetit.

Tashmë kanë kaluar ato kohë kur krimet bëheshin dhe mbuloheshin e mbeteshin të izoluara. Në këtë dinamizëm të përshpejtuar dhe të sofistikuar të zhvillimit të mediave dhe të mekanizmave hulumtuese, bota po i sheh të gjitha lëvizjet dhe tërbimet absurde ndër shqiptarët dhe në çaste vendimtare po përdor kutin sanksionues që po na pengon në integrimet ndërkombëtare. Liderët nuk po vuajnë, se në këto amulli, edhe më shumë po i mbushin xhepat e shpërthyer, kurse po pësojnë e po vuajnë të pafajshmit – populli.

O liderë, o politikanë – shpalojeni shpirtin dhe ndërgjegjen njëherë! Të shohim dhe të njohim shqiptarizmën! Vetëm kur e kemi të fortë dhe të pavarur ekonomikisht popullin, mund të jemi të fortë e të lumtur edhe ne. Një ditë koha dhe drejtësia do na gjykojnë të gjithëve. Të gjithë ata që kanë shfrytëzuar mjerimin e popullit për mirëqenien dhe teket e intereset e tyre absurde, do të paguajnë shpejt dhe keq. Do të paguajnë me jetën e tyre dhe me kokën e tyre, sepse të tillët nuk kanë as shpirt e as moral. Ju lutem, të punojmë për të vetmin interes – shqiptarizmën e mirëfilltë dhe të lumtur, sepse vetëm kështu mund të jemi të fortë e të lumtur edhe ne! Partitë politike dhe klanet e grupacionet e ndryshme duhet patjetër të vallëzojnë në vallen shqiptare – mbarëpopullore! Vetëm atëherë mund të themi se jemi në shërbim të popullit! Ashtu qoftë!



(Vota: 8 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora