E premte, 26.04.2024, 02:21 PM (GMT+1)

Editorial

Manirat për t’u dukur interesant!

E enjte, 27.09.2007, 07:17 AM


Nga Kastriot FRASHERI* 

Nuk do të kisha marrë mundimin të harxhoja atë pak kohë që të fal një weekend i bukur vjeshte, sikur të dielën të mos më kishte tërhequr vëmendjen një shkrim i çuditshëm tek “Shqip”që herë pas here belbëzon marrëzira me titull: “Ja paratë që grabiti Noli dhe qeveria e tij nga arka e shtetit” , me autor Dashnor Kaloçi.Ndonëse ky shkrim nuk është i pari në fushatën që kanë ndërmarrë prej vitesh disa pseudostudiues delirantë për të hedhur baltë dhe njollosur figurat më të shquara dhe më brilante të kulturës dhe historisë sonë kombëtare, është e papranueshme heshtja e zyrtarëve të Ministrisë së Kulturës, teksa sheh të përçundohen çdo ditë dishepujt e këtij vendi, si pjesa më elitare e identitetit dhe trashëgimisë tonë kombëtare. Në fakt nuk kam ndërmend të bind zotërinë “D”, sepse vepra e Fan S. Nolit nuk ka nevojë për apologjinë e askujt sepse është e njohur për të gjithë shqiptarët, se Imzot Noli është ngulitur fort në zemrat e tyre dhe jo më kot ata e quajnë “Ikona e Kombit Shqiptar”. Për t’u ardhur në ndihmë atyre, si zotërisë në fjalë, që për shkak të manisë dhe vuajtjes për t’u dukur interesantë marrim përsipër t’i përgjigjemi këtij “Dossier”-i, autor i suplementit intrigues: Ndryshe…po aq spektakolar edhe në “zbulimin” e radhës, ku në krye të qëmtimit të vet, intrigon lexuesin se “për herë të parë, gazeta “Shqip” bën publike listën e plotë të 52 zyrtarëve të lartë të administratës së Kryeministrit Fan Noli, të cilët kishin vënë dorë në arkën e shtetit, duke e vjedhur dhe shpërdoruar atë me qindra mijëra franga ari”. Ky përcaktim i bërë nga autori është tërësisht spekulativ, i papranueshëm, madje i dënueshëm. Për çdokënd që merr sadopak vesh nga punët e administratës shtetërore, kjo është një veprimtari mëse normale dhe këto shpenzime quhen shpenzime operative, të cilat përfshijnë pagat, dietat, bursat, shpenzimet e mirëmbajtjes, të telefonit, transportit, blerjeve të mjeteve kancelarie etj., dhe nuk është faji ynë për paditurinë e këtij “shkencëtari”, i cili arrin deri aty sa këtë histori groteske të botuar vite më parë, ta quajë si një zbulim të tij dhe t’ia shesë si “ekskluzive” gazetës që militon! I verbuar nga “zbulimi” i këtij skupi gazetaresk të shitur për interesa politike dekada më parë, veçse i panjohur për të, por jo për komunitetin e studiuesve dhe intelektualëve të vendit. Ky “autor” vrapon me zell t’u tregojë shqiptarëve, në fakt një pjese të vogël të adoleshentëve, “listën” e “përvetësuesve” të qeverisë së Nolit, që sipas tij, vunë dorë në arkën e shtetit. Me patologjinë e një njeriu pervers, armatosur më së miri me sensacione të rëndomta gazetareske, jo fakte reale, rend në zbulimin e radhës, duke deklaruar me të madhe: “ja paratë që grabiti Noli dhe qeveria e tij nga arka e shtetit”. Ku e gjen këtë grabitje ky autor? Në listën që pasqyron shpenzimet (jo vjedhjet)?! Jo, ky është një spekulim dhe shpërdorim i rëndë i misionit dhe profesionit që pretendon. Në këtë listë vërtetë ish-kryeministri renditet me nr. 10, por këto shpenzime si të gjitha shpenzimet e tjera janë shpenzime të kontabilueshme për automobil dhe jo për ndonjë shpërblim tjetër edhe pse e meritonte. Kaq i ngazëllyer është zotëria “D” nga ky zbulim, saqë ngatërron keqaz dhe shtrembëron pa mëshirë fakte apo data historike të rëndësishme kur deklaron se: “Qeveritarët e akuzuar për grabitje të arkës së shtetit, me kryeministrin Fan Noli, u larguan nga Shqipëria në 24 dhjetorin e vitit 1925”. Për të gjithë historiografinë është i njohur dhe i pakontestuar fakti se ish-kryeministri dhe shumica e qeverisë së tij, u detyruan nga Ahmet Zogu të largoheshin nga Shqipëria nën terrorin dhe rrethimin e mbështetësve të armatosur të ardhur nga fqinjët veriorë, në fund të dhjetorit 1924 dhe jo në vitin 1925 siç manipulon autori. Madje ky krijues “Dossier”, nuk e ndan dot verbërinë dhe militantizmin e tij partiak, teksa në mënyrë të njëanshme me përralla, jo fakte historike mundohet të dezinformojë shqiptarët se Zogun, e kishin përzënë me forcën e armëve dhe kryengritje të armatosur, ndërsa për kundërshtarin e tij të përjetshëm Nolin, ky, sipas tij, na qenka (vetë)larguar nga froni kryeministror me paqe?! Më tej autori, sipas mënyrës së tij, rreket t’u tregojë shqiptarëve listën e “përvetësuesve” dhe “historinë e grabitjeve” sipas shtypit të kohës. Interesante. A nuk do të ishte mirë me këtë rast të tregoje “komentet e shtypit” që sajon dhe jo të renditësh dhe riakuzosh pa pike turpi si një çilimi i keq një pjesë të nderuar të anëtarëve të kabinetit ministror si Sulejman Delvinën, Qazim Koculin, Bahri Omarin, Stavro Vinjahun, dhe disa personalitete të tjera të kohës si Kol Tromarën, Hil Mosin etj. A e di ti zotëri, fatin tragjik të Luigj Gurakuqit (ish-ministër i financave dhe bashkëluftëtar i Nolit), për të cilin thonë se të vdekur, i kanë gjetur vetëm 5 franga në xhep. Është mision i shëmtuar shoqëror që brezave të sotëm t’u bësh paralelizëm dhe të krahasosh qeveritarët e epokës së artë të tenderave të sotëm me periudhën e atyre, të cilët luftonin për independencën dhe tërësinë territoriale të këtij vendi. Të bësh një krahasim të tillë dhe të akuzosh për vjedhje këta punëtorë të rilindjes është banalitet, jo vetëm për faktin se elita politike dhe intelektuale e kohës vazhdon të vlerësohet nga të gjithë se qëndron shumë më lartë cilësisht dhe atdhetarisht se kjo e sotmja. Mesa kuptohet nga ky shkrim, autori kërkon të japë të tjera mesazhe për opinionin publik. E çuditshme! Ai bën një paralelizëm të qartë jashtë kufijve të inteligjencës dhe informacioneve të veta, kur thotë se të gjitha qeveritë vjedhin dhe për këtë jep këtë renditje, që ministri që qesh(gënjeshtar) & co, jo vetëm të mos mërziten, por dhe të shtojnë orekset dhe tentakulat e tyre grabitqare, se: “që nga viti 1914, kur Kryeministri i të parës qeveri shqiptare, Ismail Qemali, u detyrua të dorëzonte mandatin qeverisës, i cili u mor prej Turhan Pashës, e deri në kabinetin e fundit qeveritar të para 3 korrikut (2005-K.F) rrotacioni politik në Shqipëri është shoqëruar me të njëjtin fenomen: qeveria pasardhëse akuzon qeverinë e shkuar për korrupsion dhe përfitime të paligjshme në dëm të arkës së shtetit, duke proceduar për gjyq edhe disa ish-funksionarë të saj…” dhe për ta ilustruar këtë vazhdon me Zogun, Fatos Nanon, Vilson Ahmetin, dënimin e disa ish-bllokmenëve të regjimit komunist nga qeveria “Meksi”. Dhe nuk ka rast më të bukur për ti shërbyer padronit sesa sot, për këta fabrikues të paskrupullt të historisë dhe gjithçkaje mbi tokë që vjedhjet dhe shpërdorimet pa limit të financave publike nga një pjesë e mirë e qeveritarëve tanë t’i justifikojnë, zbukurojnë, lehtësojnë, madje marrin guximin jo vetëm t’i sajojnë, por dhe t’i krahasojnë me “ato” të luftëtarëve legjendarë të rilindjes së Shqipërisë. Po më tej zotëri…? Nisur nga fakti për hir të dhimbjes tuaj, po u drejtohemi me këtë pyetje për shkak se në krye të këtij “zbulimi” keni marrë përsipër të evidentoni dhe fshikulloni vjedhjet e qeverive shqiptare: Pse të dhimbsen sot punët e liga të qeverisë?! Ç’të pengon? A ka lidhje kjo zotëri, me procesin që pritet të rishikohet (rishkruhet) historia? Mos vallë ndonjë marrëveshje, aferë apo premtim për ndonjë post...!

*Drejtor, Instituti i Çështjeve Kombëtare 



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora