E shtune, 31.07.2021, 03:23 AM (GMT+1)

Kryeshkrim

Kosova: Sfida e Evropës

E diele, 09.09.2007, 08:16 PM


Nga Bernard Kouchner & David Miliband

Asnjë evropian nuk mund t’i harrojë mizoritë që ndodhën në Ballkan gjatë viteve `90. Asnjë evropian nuk mund t’i harrojë skenat e brutalitetit, vrasjes dhe dëbimit. Në momentin kur fati i Kosovës kthehet në fokus të vëmendjes ndërkombëtare, asnjë evropian nuk duhet t’i harrojë ngjarjet tragjike, të cilat u bënë katalizatorë për ndërhyrjen e komunitetit ndërkombëtar. Sot, gjendemi në fazën e fundit të shpërbërjes së Jugosllavisë.

Kthimi i stabilitetit dhe normalitetit në rajon ka qenë një rezultat i arritur falë rolit dhe veprës së Bashkimit Evropian: vendet e BE kanë kontribuar me forca ushtarake dhe policore sikundër edhe me ndihma të konsiderueshme financiare në Ballkan. Për më tepër, perspektiva për t’u bërë pjesë e Evropës i ka inkurajuar shumë nga vendet e rajonit që të ndërmarrin reforma të rëndësishme.

Ky zotim për sigurimin e stabilitetit në Evropë dhe të ardhmen e Ballkanit, duhet të jetë udhëzuesi ynë në qasjen ndaj Kosovës. Qëndrimi ynë po ashtu duhet të reflektojë situatën e veçantë të historisë së fundit të Kosovës dhe natyrën unike të kësaj çështjeje.

Kur Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara e solli në fund konfliktin e Kosovës në vitin 1999, ai krijoi një proces politik për të zgjidhur statusin e Kosovës. Ai proces u finalizua më herët gjatë këtij viti. Pas 14 muaj negociatash të përpikta ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës, i dërguari i posaçëm i KB, Martti Ahtisaari, mjeshtërisht përpiloi planin e tij, duke i balancuar në mënyrën më të mirë qëndrimet e të dyja palëve. Propozimet e tij miratojnë aspiratat e pakalueshme të shumicës shqiptare për pavarësi, duke ofruar mbrojtje të gjerë për serbët e Kosovës në anën tjetër.

Këtë pranverë, ne punuam intensivisht në Këshillin e Sigurimit, në rezolutën, e cila do të implementonte propozimet e Ahtisaarit dhe do të kulmonte me zgjidhjen e statusit të Kosovës. Rusia dhe Serbia argumentuan se bisedimet shtesë ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit do të mund të nxirrnin zgjidhje alternative. Procesi në Këshillin e Sigurimit u bllokua, por ne na duhet të bëjmë gjithçka që është e mundur për të arritur një marrëveshje. Me iniciativën e Francës, Grupi i Kontaktit – ku ne bëjmë pjesë bashkë me partnerët tanë, gjerman, italian, rus dhe amerikan – propozoi fillimin e një raundi negociatash të mundësuara nga treshja amerikano-ruso-evropiane. Ky raund duhet të jetë i fundit. Përfaqësuesi i BE në treshen diplomatike është ambasadori i shquar gjerman, Wolfgang Ischinger. Sekretari gjeneral i Kombeve të Bashkuara, Ban Ki-Moon, ka kërkuar që Grupi i Kontaktit t’i raportojë këtij të parit, më 10 dhjetor. Mbretëria e Bashkuar do të drejtojë takimin e ministrave të Grupit të Kontaktit më 27 shtator në Nju-Jork, për të vlerësuar progresin e arritur gjatë negociatave 120-ditore. Palët duhet t’i qasen fazës së re të negociatave në një formë konstruktive dhe të guximshme. Mundësi të caktuara mbeten për t’u eksploruar dhe një zgjidhje e pranueshme për të gjithë ka mundësi të gjendet. Në një rast të tillë, ne do ta mbështesim atë. Palët në proces duhet ta kuptojnë, se është në interesin e tyre të përbashkët që të punojnë me treshen për të elaboruar propozime serioze, për të siguruar arritjen e progresit dhe për të mbushur vakuumin e krijuar.

Prandaj, ashtu si bëri të ditur Grupi i Kontaktit, kur lançoi procesin e ri negociator, nëse Serbia vazhdon të argumentojë se propozimet e Ahtisaarit janë të papranueshme, atëherë përgjegjësia për propozimin e alternativave të tjera bie mbi Beogradin – propozime që do ishin të pranueshme edhe për Kosovën. Në pjesën e vet, Prishtina duhet të marrë në konsideratë mundësinë për të bindur Beogradin për angazhimin e saj për një Kosovë multietnike, pa diskriminime të asnjë lloj natyre. Kemi shumë shpresë se palët do të arrijnë një marrëveshje. Mirëpo, e kemi të qartë se, nëse nuk do të ketë marrëveshje, propozimi i Ahtisaarit mbetet rruga më e mirë për të vazhduar në këtë proces. Një gjë është e sigurt, status quo nuk është zgjidhje. Regjioni mbetet akoma i brishtë. Stabiliteti, pajtimi ndëretnik dhe zhvillimi ekonomik, që janë më të domosdoshëm se kurrë, varen nga statusi final i Kosovës.

Kosova do të jetë një test i madh për politikën tonë të jashtme dhe sigurinë. Duhet të tregojmë se, përkundër dallimeve në komunitet dhe përkundër barrierave të mundshme në Këshillin e Sigurimit, jemi të gatshëm të qëndrojmë së bashku që të sigurojmë stabilitet në Kosovë dhe në këtë mënyrë t’i mundësojmë BE të luaj rolin e saj në mënyrë të natyrshme. Mesazhi jonë është i qartë: Kosova është përgjegjësi evropiane, prej së cilës ne nuk do të ikim. Është në interes për sigurinë e të gjithë neve. Blloku evropian ka planifikuar zbarkimin e saj civil më të rëndësishëm në Kosovë. Kur të vijë koha, duhet të jemi të aftë për t’i mbajtur premtimet tona.

Jemi të vetëdijshëm se Serbia ka rëndësi të madhe për të ardhmen e rajonit. Opinioni ynë i përbashkët është se Serbia mund t’i bashkohet me shpejtësi BE, sapo të jenë hequr barrierat e fundit. Në këtë aspekt, bashkëpunimi i plotë i Beogradit me gjykatën e Hagës është qenësor. Ne po ashtu theksojmë se është e vështirë të mendohet anëtarësimi i Serbisë në BE pa e zgjidhur çështjen e Kosovës.

Kjo nuk nënkupton një kërcënim, por është fakt. Zgjidhja e statusit të Kosovës, nuk do të jetë “dënim” për Serbinë, por do të jetë një zgjidhje e qëndrueshme për të gjithë banorët e Kosovës. Për më tepër, kjo do të mundësonte kthimin e tërë rajonit kah e ardhmja. Leksioni kryesor nga luftërat e viteve `90 është se komuniteti ndërkombëtar ka përgjegjësinë për të vepruar në mënyrë të unifikuar dhe të vendosur. Kjo është arsyeja kryesore pse duhet të zgjidhet statusi i Kosovës. Jemi të vendosur që ta zgjidhim atë. Jemi bashkërisht të bindur se BE, e cila ka shpenzuar aq shumë në Ballkan, duhet të vazhdojë të luaj rol kyç në Ballkan. Roli i BE nuk duhet të kalbet në Ballkan.

* Bernard Kouchner është ministër i Punëve të Jashtme i Francës dhe ish-kryeadministratori i Kosovës, ndërsa David Miliband është ministër i Punëve të Jashtme i Britanisë.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora