E hene, 02.08.2021, 06:46 AM (GMT+1)

Kryeshkrim

Rusia synon ta beje Kosoven Palestine

E diele, 26.08.2007, 06:29 PM


Katovica 

Në strategjinë ruse të bllokimit permanent të pavarësisë së Kosovës po del gjithnjë e më hapur një element i ri. Partnerët perëndimore, çdo ditë e më tepër po kuptojnë nga takimet dhe bisedimet e tyre me përfaqësuesit e diplomacisë ruse, një orientim të ri të platformës së Moskës për çështjen e Kosovës: Nga paralelizmat me rajonet problematike të ish-hapësirave sovjetike, si Abhazia, Osetia e Jugut apo Transdniestri, që kanë qenë fjala kryesore e diplomacisë ruse për çështjen e Kosovës qysh nga janari i vitit 2006, po del në krye të kësaj platforme përpjekja për ngjashmërinë e Kosovës me çështjen e Palestinës. Aktualizimin e këtij qëndrimi e formuloi edhe njëherë më 21 gusht Kostantin Kozaçev, kryetar i komitetit të politikës së jashtme të Dumës ruse dhe që vlerësohet nga rusologët, si një nga hartuesit e vijës obstruksioniste zyrtare të Rusisë ndaj Kosovës. Në një intervistë me një gazetë serbe, ai deklaroi se "Rusia nuk do të lejojë kurrë që Kosova të bëhet shtet. Çështja palestineze ka marrë disa dekada për t'u zgjidhur dhe Kosova nuk duhet të jetë përjashtim". Në fakt, autorësinë e këtij qëndrimi zyrtar për ngjashmërinë e çështjes së Kosovës me çështjen e Palestinës e ka ministri i Jashtëm, Sergej Lavrov, i cili është i pari që e ka lancuar në tryezat më të rëndësishme diplomatike ndërkombëtare, ku është diskutuar për çështjen e Kosovës dhe i cili edhe në një artikull të tij të njohur të kohëve të fundit për politikën e jashtme të Rusisë, me titull: "Të frenosh Rusinë: Një kthim në të kaluarën", shkruan se në rastin e Palestinës, për dekada me radhë kemi parë një situatë të ngjashme me Kosovën dhe shteti palestinez është ende inekzistent.
Paralelizmi që po vendos diplomacia ruse mes çështjes së Kosovës dhe çështjes së Palestinës shënon një shkallëzim të ri dhe tepër me interes për t'u analizuar, të platformës dhe strategjisë së Rusisë, së pari në drejtim të Kosovës dhe së dyti në një plan më të gjerë të marrëdhënieve ndërkombëtare, që kanë të bëjnë me raportet e saj të mëtejshme me Bashkimin Europian dhe me SHBA-në.
Gjëja e parë që bie në sy, është se Rusia e klasifikon çështjen e Kosovës si një çështje, e cila kërkon dekada për t'u diskutuar apo zgjidhur. Ajo jo vetëm refuzon afatet kohore që kërkon perëndimi për përcaktimin e statusit të Kosovës në 120 ditë apo në gjashtë muaj apo në një vit, por paraqet dhe natyrisht kërkon afatin e dekadave të pafund.
Gjëja e dytë që tërheq vëmendjen, është se Rusia i jep çështjes së Kosovës një dimension botëror njëlloj me konfliktin e Lindjes së Mesme, i cili zgjat prej 60 vjetësh. Padyshim, çështja e Kosovës nuk e ka këtë përmasë dhe as mund ta ketë, por Moska ka synimin ta shndërrojë në një konflikt ndërkombëtar të atij karakteri.
Gjëja e tretë që konstatohet, është se Moska bën një ndryshim në qëndrimin e saj strategjik dhe kërkon ta shndërrojë Kosovën nga një "konflikt të ngrirë" siç janë Abhazia apo Transdniestri, në një "konflikt të shkrirë", siç është ai i Lindjes së Mesme, konflikti palestinez.
Nuk është vendi këtu t'i hyhet hulumtimit dhe karakterit të konfliktit palestinez, por është me vend të kujtohet se Bashkimi Sovjetik, pra Rusia, vendi i Putinit dhe i Lavrovit, është një nga protagonistët e krijimit të konfliktit të përgjakshëm, që ka në qendër Palestinën. Interesi publik është të zbërthehen taktikat dhe strategjia e Kremlinit për ta shndërruar Kosovën në një Palestinë.
Në kronikën e tratativave ndërkombëtare për statusin e Kosovës ka një dinamikë agresive ruse, jo vetëm për refuzimin e pavarësisë dhe moszgjidhjen e çështjes së statusit, por për radikalizimin e ngritjen e tensioneve në Kosovë e rreth saj. Ky radikalizim është shprehur në hedhjen poshtë apriori të planit të ish-presidentit të një vendi neutral si Finlanda, planit Ahtisaari për pavarësinë e mbikëqyrur, plan që fitoi mbështetjen e sekretarit të përgjithshëm të OKB-së, Ban Ki Mun, të Bashkimit Europian, SHBA-së, NATO-s, Këshillit të Europës, etj. Ky radikalizim është shprehur në pozicionin e ngurtë dhe bolshevik të Rusisë, e cila nuk ka bërë asnjë lloj kompromisi apo lëshimi, ndonëse perëndimi ka afro një vit që vetëm ka lëshuar pe dhe madje është arritur në një situatë diplomatike, ku pa mbushur tre muaj nga paraqitja në OKB, për t'i bërë qejfin Moskës plani Ahtisaari nuk po figuron as në listën e literaturës diplomatike të Grupit të Kontaktit. Ky radikalizim shprehet sidomos në përpjekjet për të ngritur tensionet dhe acarimet në terren. Ka një politikë zyrtare të Moskës të inkurajimit të agresivitetit nacionalist në rritje të Beogradit zyrtar, i ngjashëm me histerinë nacionaliste të regjimit të Millosheviçit në vitet 1998-1999. Në qarqet zyrtare të Serbise dhe vetë kryeministri V.Koshtunica, janë lëshuar ditët e fundit haptas kërcënime për dërgimin e trupave dhe policisë serbe në Kosovë, që është një provokim i rëndë, por të mos thënë pothuajse një shpallje lufte. Në qarqet zyrtare të Serbisë, ministrat e partisë së kryeministrit V.Koshtunica kanë ndërmarrë një fushat skandaloze kundër NATO-s, me deklaratat e Popoviçëve, Samarxhiçëve dhe sidomos të ministrit të brëndshëm Dragan Joçiç, një nga protektorët kryesorë të kriminelit të fshehur, Ratko Mladiç dhe krahu i djathtë i Koshtunicës. Shërbimet sekrete serbe dhe ruse po nxisin një radikalizim të situatës në veri të Kosovës, ku forcat ekstremiste serbe kanë deklaruar se do të shpallin edhe ata shtetin e Mitrovicës veriore, nëse Kosova merr pavarësinë. Edhe alternativa e ndarjes së Kosovës, që ridoli në skenë javët e fundit, është një lëvizje shahistike e diplomacisë ruse për ta turbulluar sa më shumë situatën rreth Kosovës.
Përfundimi kryesor, që mund të nxirret nga këto zhvillime, është se Rusia dhe diplomacia ruse kanë ndërmarrë një fushatë të gjërë për ta kthyer Kosovën nga një konflikt të ngrirë, në një konflikt që vlon dhe të vazhdueshëm. Ata e bëjnë këtë jo për Serbinë, por për interesa gjeopolitike e gjeostrategjike të Rusisë në kontinentin europian dhe më gjërë. Vërtet presidenti i Rusisë, Vladimir Putin shpalli para pak kohësh në mënyrë pompoze se Rusia do të kthehet në Ballkan, por synimi i shndërrimit të Kosovës në një Palestinë, lidhet jo me vetë Ballkanin, se sa me politikën e Kremlinit ndaj BE-së dhe SHBA-së.
Moska kërkon dhe po lufton që Kosova të shndërrohet në Palestinë, jo vetëm sepse ajo është kundër shqiptarëve dhe kombit shqiptar, por sepse ajo synon t'i krijojë Bashkimit Europian dhe SHBA-se një konflikt të pazgjidhshëm, të ngjashëm në intensitet dhe në efekte ndërkombëtare si konflikti i Palestinës. Ky mund të jetë shpjegimi i vetëm që mund t'i bëhet paradoksit që Serbia dhe udhëheqësit e saj, në mënyrën më absurde dhe madje donkishoteske, arrijnë deri atje sa të kërcënojnë BE-në, NATO-n e SHBA-në dhe shpallin se ata refuzojnë të bëhen anëtarë të NATOs e të BE-së, nëse Kosovës i njihet pavarësia, me një megalomani tipike ballkaniko-komuniste, sikur është NATO dhe BE, që ia kanë nevojën e Serbisë dhe jo e kundërta. Prapa këtij qëndrimi jashtë kohe të Beogradit është Rusia. Madje do të thoshim se Rusia tani nuk duket e gatshme të pranojë as dhe një zgjidhje të Kosovës sipas planit serb, sepse Rusisë i intereson konflikti i pazgjidhur dhe i zgjatur me dekada si Palestina.
Rezulton kështu një strategji tepër e rrezikshme e Rusisë, që dëmton interesat jo vetëm të Kosovës, jo vetëm të kombit shqiptar, jo vetëm të stabilitetit dhe paqes në rajon, por shumë-shumë më gjërë. Nuk duhet harruar se diplomacia e Rusisë gjithmonë ka avancuar objektivat e saj nëpërmjet konflikteve të pazgjidhura apo konflikteve të ngrira dhe të shkrira në rajone të ndryshme të globit. Në këtë kuadër, ajo kërkon që ta shndërrojë Kosovën në Palestinë, sepse në rastin e Kosovës, si një konflikt i pazgjidhur dhe i zgjatur, çmimin e paguan Europa. Një Kosovë e shndërruar në Palestinë është një hipotekë e re e vazhdueshme e Europës tek Rusia.
Këto janë zhvillime negative dhe duket tepër naive shpresa e disa qarqeve diplomatike europiane, të cilët mendojnë se duke i lëshuar Rusisë në çështjen e Kosovës, do ta qetësojnë ariun rus dhe do ta bëjnë më bashkëpunues. Objektivi i shpallur i Rusisë për kthimin e Kosovës në një Palestinë, duhet të shërbejë si nj sinjal alarmi për diplomacinë europiane.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora