E premte, 26.04.2024, 07:47 PM (GMT+1)

Faleminderit

"Pavdekshmëria e një tenori!"

E premte, 28.09.2007, 12:12 AM


Nga Pierre-Pandeli Simsia

Nje e-mail i ardhur ditët e fundit me ngacmoi ndjenjat për të kujtuar me dhimbje një ndër tenorët më të mirë të Shqipërisë, të cilin fatkeqësisht vdekja e pamëshirshme e ndau shumë shpejt nga familja, njerëzit, shokët, miqtë e tij më të afërt, RUZHDI KARAJ.
Edhe pse unë në një moshë fare të re, në fundvitet 60-të, e mbaj mend këngëtarin pionier Ruzhdi Karaj të këndonte në skenën e Pallatit të Kulturës "Margarita Tutulani" në Berat, i cili sapo kishte hyrë në udhën e gjatë dhe të bukur të këngës. Në ato vite, duke u aktivizuar si këngëtar pranë Shtëpisë së Pionierit në qytetin e Beratit, pionieri fare i ri në moshë Ruzhdi Karaj i befasoi të gjithë me zërin e tij të shkëlqyer, të pastër, të kthjellët, timbrik.
Jo vetëm në skenën e Pallatit të Kulturës që kishte çelur një gonxhe këngëtari dhe po fillonte të shpërthente, ndoshta më herët sa ç'duhej, por ai zë fëmije në atë kohë "pushtoi" edhe studion e Radio Tiranës. Ishin ato vite, kur disa të diela me radhë Radio Tirana në emisionin e pionierit të orës 8 të mëngjesit do transmetonte edhe këngën e famshme, qe pati jehonë në ato vite "Gimi dhe topi" të kënduar nga pionieri beratas Ruzhdi Karaj:
"Babi Gimit i ka blerë
Një top t'vogël ngyrë verdhë
Gimi ecën hop e hop
E rend topin mu në port
Gol, gol, gol gooooool!"

Gjithashtu edhe një këngë tjetër që pati jehonë në ato vite të largëta, fundvitet 60-të, ishte edhe kënga: "Libri, kazma, pushka". Atë këngë Ruzhdi Karaj do ta këndonte me dy këngëtarë të tjerë, premtues për të ardhmen e tyre artistike, Kozma Dushi dhe Luçjana Laçka:

"Mik i fëmijëve jam
Emrin libër e kam
Mbi bangë e mbi tryezë
Rri me ju pa përtesë
Sa herë më shfletoni
Fletët një nga një
Mëndjen ua ndriçoni
Njerëzve gjithandej
Kazëm një copë metal
Do stolis fushë e mal
Kodrat unë i ngjall
me tarraca shkallë- shkallë... "

Ruzhdi Karaj u rrit me skenën, me këngën në buzë. Duke parë një të ardhme të shkëlqyer për të ardhmen tek këngëtari i ri Ruzhdi Karaj, kompozitorët beratas Sotir Konçi, Asqeri Kadëna, Xhevdet Dervishi, Teki Luari do ndjenin përgjegjësinë e tyre profesionale ta linin atë talent, për ta lartësuar në skenën më të lartë të artit shqiptar, Skena e Teatrit Shtetëror të Operas dhe Baletit (TOB).

Ruzhdi Karaj po rritej me këngën, me skenën, pa u ndalur asnjëherë. Si këngëtar i mirëpritur i Estradës së Beratit dhe festivaleve të këngës që zhvilloheshin në qytetin e Beratit, Karaj do të këndonte këngët më të vështira intonative, përkrah tenorit tjetër të mirënjohur beratas Dhimitër Dushi. Konkurimi për të studiuar në Akademinë e Arteve të Bukura në Tiranë, që në atë kohë quhej Instituti i Lartë i Arteve, fitorja për tenorin e ri beratas ishte e padiskutueshme. Komisioni përzgjedhës mbeti me gojë hapur; po dëgjonin zërin e Luçjano Pavarotit beratas Ruzhdi Karaj, po dëgjonin Mikelanxhelo Verson beratas Ruzhdi Karaj, po dëgjonin Gaqo Çakon beratas Ruzhdi Karaj, po dëgjonin tenorin Nessuno Dormas beratas Ruzhdi Karaj.

Akademia e Arteve të Bukura në Tiranë do ta formonte tenorin e ri Ruzhdi Karaj, një këngëtar lirik të sukseshëm, i cili mund të konkurronte në skenat e mëdha botërore. Pas mbarimit të studimeve në Akademinë e Arteve të Bukura në vitet 80-të, tenori beratas Ruzhdi Karaj i duhej asaj Akademie të punonte pedagog, i duhej TOB si këngëtar, i duhej gjithë Shqipërisë për të konkuruar edhe në skenat e mëdha botërore. Me emërimin e tij në Tiranë, Beratit po i ikte një tenor i famshëm dhe për këtë edhe mund të ndjente keqardhje, por ishte edhe nder që biri i tij beratas, kishte arritur majat të larta dhe të susksesshme në art. Shumë pedagogë u kujtohet kolegu i tyre Ruzhdi Karaj si njeri i vullnetshëm dhe me talent. Shumë ish nxënës të Akademisë së Arteve nuk mund ta harrojnë ish pedagogun e tyre Ruzhdi Karaj, që me thjeshtësi dhe ëmbëlsinë e zërit dhe shpirtit të tij u jepte kurajo talenteve të rinj.

Shkëlqimi i zërit të tij do ndjehej edhe në TOB si këngëtar pranë atij teatri. Me sopranon e mirënjohur shqiptare Marjana Leka, tenori Ruzhdi Karaj ka interpretuar në opera të ndryshme. Kujtoj Operat "Traviata", "Rigoleto", "Peshkatarët e Perlave".
Suksesi i madh i tenorit lirik Ruzhdi Karaj në interpretimet në role të ndryshme të operave më të njohura të kompozitorëve shqiptarë dhe të huaj do njihej edhe jashtë kufijve shtetërorë, në skenat e huaja. Papritur, një sëmundje e pashërueshme, që do befasonte dhe do trondiste artin shqiptar, i merr jetën tenorit Karaj në moshën e tij 45 vjeçare, në një kohë kur familja, fëmijët, arti shqiptar kishte nevojë më tepër se kurrë për të. E kujtojnë me dashuri dhe dhimbje partnerët dhe kolegët e tij, Marjana Leka, Mjeshtria e Madhe e Punës Edit Mihali, Sopranoja me famë botërore Inva Mula, Gjergj Suljoti, Petrika Rëmbeci, Gjoni Athanas, Ylber Gjini, Shqipe zani, Agim Duro etj..
Tenori Ruzhdi Karaj u nda shumë shpejt nga jeta, duke lënë pas bashkëshorten e tij Mukades Karaj (Vojvoda) dhe dy fëmijët e tij Mario dhe Arbëri.

Tenori Karaj na mungon fizikisht, por ai ka lënë të pavdekshëm zërin e tij, veprën e tij dhe atë zë me cilësi të larta vokale e teknike. E ndiejmë përherë pranë, ndërsa dëgjojmë "Këngët e pakëndueme", "Arien e Lekës" nga opera "Skënderbeu", Arien e Lenksit" nga opera ruse "Eugene Onegin", arien nga opera"Il Faccendiere". Ruzhdi Karaj do të kujtohet përherë edhe si njeri me karakter dhe shpirt fisnik. Fjalët dhe vlerësimet janë pak për të përshkruar këtë figurë të operës, i cili la gjurmë të pashlyeshme në historinë operistike shqiptare.Kam pasur fatin e mirë ta njoh nga afër Ruzhdiun, nga ku përfitoje cilësitë më të mira dhe të virtytshme të një njeriu me shpirt dhe zemër të madhe, sa ç'ishte e madhe vepra e tij artistike që ai na la pas."

Vleresime

Vleresimet për artistin shqiptar, tenorin e mirënjohur lirik të Teatrit të Operas dhe Baletit, Ruzhdi Karaj, janë te shumta edhe pse fati e donte që ai të ndahej ende i ri nga jeta edhe skena. Edhe pse që pas vitit 2000 ai nuk ndodhet më midiss nesh, janë veprat e tij, interpretimet nëpër rolet e operave më të njohura të kompozitorëve të huaj dhe shqiptarë që do na bëjnë të vleresojmë e kujtojmë me nostalgji punën dhe talentin e tij të pakrahasueshëm. Embëlsia dhe timbri i veçantë i zërit të tij lirik është vlerësuar gjithmonë nga partnerët dhe kolegët e tij të skenës. Ndër kolegët e tij mund të përmendim sopranon e mirënjohur Mariana Leka, mjeshtren e madhe të Punës Edit Mihali, sopranon me famë edhe jashtë kufijve të Shqipërisë Inva Mula, Agim Duro, Shqipe Zani, Petrika Rembeci, Kaman Aliko, Irini Nikolla, Gjergj Sulioti, Ylber Gjini e shumë e shumë të tjerë. Ruzhdi Karaj nuk ishte simbol vetëm i një tenori me aktivitet të pasur artistik, por mbi të gjitha ai ishte njeri me botë të madhe shpirtërore.
Fjalët edhe vlerësimet janë pak për të pershkruar këtë figurë të operës, i cili la gjurme të pashlyeshme në historinë operistike shqiptare.

Ruzhdi Karaj, një zë që është shkruar në histori.

Vizitoni faqen qe i dedikohet tenorit te madh: www.ruzhdikaraj.com



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora