E premte, 26.04.2024, 05:30 PM (GMT+1)

Faleminderit

Padër Zef, të gjithë jemi të kryqëzuar

E enjte, 27.09.2007, 06:17 PM


Nga Bardhyl Londo
    
Sa mora vesh vdekjen e Padër Zef Pllumit, mendja më shkoi menjëherë tek vitet 67-68, kur im atë që nuk rron më, dhe ime më që është gjallë, para se të binin për të fjetur, ktheheshin nga vendi ku dikur ishte ikona e Shën-Mërisë në një qoshe të murit dhe që ua hoqën me përdhunë, bënin kryqin dhe pastaj flinin. Ime më e ka ende atë zakon dhe unë u detyrova të porosis tek një piktor një ikonë, i cili që ma bëri me dëshirë një të tillë. Nuk kanë shumë rëndësi këto gjëra, por rëndësi ka fakti që unë mendoja qysh atëhere, ndonëse shumë turbullt, se cfarë e keqe mund t’i vinte Shqipërisë, dhe aq më tepër botës, në rast se dy njerëz të zakonshëm duan të bëjnë kryqin para se të bien në gjumë. Vonë, kur rashë në kontakt me Padër Zef Pllumin, me të gjithë njerëzit e racës së tij, e kuptova se kjo ishte diçka tjetër, ishte tjetërsimi i detyrueshëm i njeriut, ishte tjetërsimi i tij. Unë të falenderoj Padër Zef, për atë që ti ishe, një nga mësuesit më të mëdhenj, i cili më ka mësuar mua se njeriu ka të drejtat e veta dhe se duhet të luftojë për këto të drejta, cilido qoftë çmimi i kësaj beteje.
Padër Zef, ti më mësove se të gjithë jemi të kryqëzuar qysh kur lindim. Më mësove se ai që nuk e ndjen këtë kryqëzim është ose i trashë, ose budalla. Jemi të kryqëzuar nga vetja, nga miqtë tanë që mund të na bëjnë elozhe gjatë kafes që pimë, jemi të kryqëzuar nga vartësit, të cilët na paguajnë kafen, jemi të kryqëzuar nga eprorët të cilët s’kemi si ia bëjmë pa siguruar jetesën, dhe në fund, Padër Zefi, jemi të kryqëzuar nga vetja, të cilën e vrasim pa mëshirë, çdo ditë, me ca zakone epikuriane apo hedoniste. Por, në fund të fundit Padër Zef, ti më mësove të vërtetën e madhe, që njeriu duhet të luftojë për të drejtat e tij dhe, mbi të gjitha, duhet të sakrifikojë për këto të drejta, siç sakrifikove ti me më shumë se çerek shekulli burg.
Padër Zefi ishte një kampion i madh olimpik i të drejtave njerëzore. Më vjen të qesh Padër Zef, kur sot hiqen të tjerë për këtë punë, por më vjen edhe për të qarë dhe vërtetë që nganjëherë qaj kur mendoj burgun tënd dhe heshtjen tënde prej perëndie, me zhurmën që bëjnë disa anonimë, vetëm për të futur në xhep disa mijëra apo milionë euro apo dollarë në emër të mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Padër Zef, a ka kryq që i nxë këta? Në rast se nuk ka, është fatkeqësia e tyre.
Padër Zef, ti ishe atlet olimpik që vrapove në disa pista njëkohësisht. Ishte ndoshta koha që duhej ta bëje këtë. Ti vrapove në fushën e të drejtave të njeriut. Dhe unë të them me plot siguri se ti je kampion i madh olimpik. Unë e çmoj Nelson Mandelën, por besoj se ti nuk i lë gjë mangut atij. Çudi e madhe: ne më shumë dimë për Nelson Mandelën apo Martin Luter Kingun, madje edhe për Martin Luterin, kur ne kemi Padër Zef Pllumin, kemi Pjetër Arbnorin. Përse ndodh kjo, përse ndodh kjo rrudhje e pashpjegueshme e historisë dhe personaliteteve tona? Përse ndodh kjo rrudhje e Historisë së Shqipërisë që ende nuk pranojnë se duhet rishkruar? Zoti na faltë, por kjo është një gjynah i madh ndaj vetes tonë, ndaj së sotshmes, së ardhmes dhe historisë sonë aq dramatike.
Në fund të fundit, Padër Zef, ti vetë na ke mësuar se duhet të çmojmë gjithçka të çmuar në botë, por pse të nënvleftësojmë veten tonë? Nuk besoj se as Nelson Mandela (të cilin e çmoj aq tepër) dhe as të tjerë, si, fjala vjen, Martin Luter Kingu, mund të veçohen prej teje. Puna është Padër Zef, se të tjerët dinë t’i reklamojnë vlerat e tyre të vërteta, ndërsa ne vazhdojmë në qerthullin e atyre rrethanave që na kanë diktuar të tjerët. Vazhdojmë të themi ende se ky është “katolik”, ky është “ortodoks”, ky është “mysliman”. Kur do të mësohemi të themi që ky është “njeri”? Ti Padër Zef vërtetë luftove dhe mbrojte katolicizmin, por ajo mbrojtje ishte më tepër se kaq. Ajo ishte një mbrojtje e të drejtave të njeriut, i cili duhet të jetë i lirë ta zgjedhë besimin e tij, ajo ishte një luftë për të mos e larguar Shqipërinë nga Evropa, nga liria që garanton ajo dhe institucionet e saj. Ajo ishte një luftë për ta mbajtur Shqipërinë në qytetërimin evropian të cilit ajo i përket. Ti e pagove shumë shtrenjtë këtë luftë. Ne na takon vetëm të të falenderojmë dhe të të nderojmë.
Padër Zef, ti ishe një atlet olimpik që vrapove njëkohësisht në shumë pista dhe në të gjitha ishe rekordmen. Vrapove në pistën e letërsisë, në pistën e të drejtave të njeriut, në pistën e fesë. Thonë, për fushën e letërsisë, që ti ke meritën që shkrove një gegërishte të pastër apo normative. Jo, Padër Zef, ti shkrove vetëm shqip. Dhe unë mendoj se ti para të gjithave ishe një shqiptar i madh. Të tjerat vijnë më pas, t’i shtojnë meritat, por thelbi mbetet po ky: shqiptar i madh.
Dhe në fund, Padër Zef, dua t’i kthehem prapë kryqit. Ne, vërtetë të gjithë jemi të kryqëzuar që kur lindim. Kemi dymijë e ca vjet që jetojmë të kryqëzuar. Por rëndësi ka që këtë kryqëzim ta kuptojmë si shërbim për të tjerët, për bashkëkombasit, për njerëzimin. Ti e bëre këtë në mënyrë shembullore. Prandaj meriton nderimin tonë, Padër Zef.

At Zef Pllumi, i fundmi i etërve të mëdhenj   
 
Nga Mark Marku

Nga njerëzit që kam njo hur, janë të pakët ata që i kanë shpëtuar tundimit për t’u takuar me fratin e çuditshëm Zef Pllumi Dhe akoma më të pakët ata që janë takuar dhe që nuk u ka lënë përshtypje të pashlyeshme takimi me të. Në kishën e vogël françeskane që gjendej në një rrugicë diku afër pazarit të ri, hynin e dilnin besimtarë e jo besimtarë, shkrimtarë e deputetë, studentë e intelektualë, demokratë e komunistë, myslimanë e katolikë. Të ndryshëm ishin, por para At Zefit ndjeheshin të gjithë njëlloj. Dhe ai njësoj i trajtonte. Frati françeskan i sapodalë nga burgu, i mahniste njësoj të gjithë: tradicional dhe modern, me një intelekt të jashtëzakonshëm, origjinal, jashtëzakonisht origjinal, i kulturuar, tepër i kulturuar. Nuk rrente kurrë, nuk shtirej, nuk bishtnonte. Nuk besoj të ketë pasur njeri në faqe të dheut, ku tiparet fizike ta shprehnin aq mirë karakterin e brendshëm dhe personalitetin e njeriut. Tipare të theksuara, karakter i fortë. Me gjithë vitet e gjata të burgut (25 vjet), Padër Zefi atëherë (ishin vitet ‘93-‘94) 70-vjeçar dukesh mjaft i ri dhe dukesh sikur sapo e kishte nisur jetën. Donte të ringrinte kishën françeskane, domethënë kishën françeskane ashtu siç kishte qenë ajo në kohën e françeskanëve të mëdhenj Gjeçovi, Fishta, Palaj, Kurti, Shllaku, Prendushi, Harapi e të tjerë, domethënë kishën e besimit dhe të dijes, kishën e atdhetarisë dhe të kulturës. Sapo kishte rifilluar botimin e Hyllit të Dritës, kishte sjellë një shtypshkronjë ku kishte filluar botimin e veprave të ndaluara të françeskanëve të ndaluar. Më kujtohet se asokohe ishte shumë i dhënë pas të rinjve dhe shkollimit të tyre. Kishte krijuar lidhje me disa prej universiteteve më të mira të Evropës, si ai i Padovës në Itali, apo i Luvenit në Belgjikë dhe siguronte bursa për dhjetëra të rinj myslimanë e katolikë që i niste universiteteve të Evropës. Besonte plaku se ata një ditë do të ktheheshin dhe do të bënin Shqipërinë. Sepse vetëm tek ata kishte shpresë. Të tjerët frati i gjykonte si viktima të komunizmit. I priste dhe i përcillte, debatonte me ta, bashkëpunonte pa kurrfarë paragjykimi, por nuk priste shumë prej tyre. E dinte se diku do ta tradhtonin, se dikur do ta rrenin, se diku do t’i prishin punë, se në ndonjë rast do të mundoheshin të përfitonin prej tij dhe se po të ndodheshin në të njëjtat kushte që ishin ndodhur xhelatët e tij, do të bënin të njëjtën gjë që kishin bërë ata: domethënë ta spiunonin, ta fusnin në burg, t’ia digjnin librat dhe kishën,  ta torturonin atë dhe besimtarët e tij. Por ai megjithatë i donte. Jo vetëm se ishte prift. Jo vetëm se kështu i thoshte doktrina apo vokacioni fetar. I donte sepse ishte superior ndaj të gjithëve. Sepse ishte i mbijetuari i fundit i një brezi njerëzish të mëdhenj të kishës katolike, që njësoj si Jezu Krishti ishin kryqëzuar në altarin e shenjtë të besimit. Ishte pasardhës i denjë i atyre meshtarëve epikë që kishin mbrojtur fe e atdhe dhe që kishin mbajtur gjallë kulturën shqipe dhe besimin katolik në malet shqiptare për shekuj me radhë, ishte bir shpirtëror i atyre meshtarëve që në vitin 1933 i shkruanin mbretit Zog se: “Ne jemi këtu në Shqipëri prej dy mijë vjetësh, katolikë atëherë, katolikë sot, shqiptarë atëherë, shqiptarë sot dhe gjithmonë”.
Ndoshta një nga arsyet pse At Zef Pllumi ishte aq mbresëlënës tek ata që e takonin, kishte të bënte pikërisht me faktin se ai ishte mishërim i gjallë i etërve të mëdhenj të kishës shqiptare, madje jo vetëm i tyre, por i genit shqiptar. Jo vetëm pse i kishte njohur të gjithë me radhë që nga Fishta e deri tek Harapi, jo vetëm pse kishte qenë nxënës i tyre, jo vetëm pse ishte i mbushur plot me kujtime nga afria me ta. Kishe përshtypjen se Padër Zefi ishte një shumatore e cilësive më të spikatura të tyre. Ishte një ekstrat i çuditshëm i një shqiptari ku ngërtheheshin tradicionalja me modernen, inteligjenca natyrore me kulturën, aftësia abstraguese me shprehitë praktike, vizionarja me pragmatiken, vokacioni fetar me shpirtin qytetar, karakteri kryengritës etj. Kjo e bënte atë njëfarë guru-je të çuditshëm të të gjithëve. Kjo bënte që ai të ngjallte respekt të thellë si tek Nënë Tereza, ashtu edhe tek Ismail Kadareja e Sabri Hamiti, si tek Sali Berisha ashtu edhe tek Edi Rama e Ilir Meta, si tek të rinjtë ashtu edhe tek të vjetrit, si tek bashkëvuajtësit e tij ashtu edhe tek xhelatët e tij.
Por më mbresëlënës se individualiteti i Padër Zefit është vepra e tij. Dhe është ky ngushëllimi i vetëm në këtë humbje të madhe. Fati e ndihmoi që ai të ishte aq jetëgjatë sa të përfundonte veprën e tij kryesore Rrno për me tregue, një nga veprat më të rëndësishme të kulturës shqipe të shekullit të XX. Kjo vepër është dëshmia më rrëqethëse e burgjeve komuniste. Aty gjen të fiksuar detaj pas detaji jo tragjedinë e jetës së një personi, por tragjedinë e një populli, aty njeh më mirë se në të gjitha kryeveprat e letërsisë botërore egërsinë dhe barbarinë njerëzore, mjerimin dhe trishtimin e njeriut, mënyrën se si përballen mes tyre diktaturat dhe individët, se si tjetërsohen, poshtërohen dhe se si qëndrojnë njerëzit. Rrno për me tregue është një nga kryeveprat e letërsisë botërore që dëshmojnë për krimet e diktaturave komuniste. Suksesi që ky libër ka pasur që me botimin e parë dhe suksesi që ky libër vazhdon të ketë në ditët tona (është libri më i shitur i vitit të fundit), është njëfarë ngushëllimi: At Zef Pllumi vazhdon të na flasë dhe do të vazhdojë. Ata që e kanë njohur nuk do të kenë mundësi për ta takuar në kishën e vogël françeskane diku në një rrugicë të Tiranës. Nuk do të kenë mundësi ta gjejnë në Kuvendin e Françeskanëve në Shkodër, ku ai kaloi vitet e fundit në mes fretërve simpatikë françeskanë që u përkujdesën për At Zefin në vitet e fundit të jetës. Por ata që e kanë njohur dhe ata që s’e kanë njohur, e kanë një mundësi për ta vazhduar bashkëbisedimin me të dhe këtë mund ta bëjnë sa herë t’i marrë malli, duke shfletuar librin tij të jetës Rrno për me tregue dhe librat e tjerë të tij. Deri tani ai deshi të rrojë “për me tregue”, tani duke na “tregue” do të vazhdojë të rrojë.

“At Zef Pllumi, orët e fundit mes librash”

Qetësia mbretëron në Provincën Françeskane, te Kuvendi i Shën Françeskut të Azizit në lagjen “Gjuhadol” të Shkodrës.

Nga Ridvan Dibra

Fretërit të heshtur hyjnë e dalin në qetësi. Asnjë prej tyre nuk është në gjendje të japë një orar të saktë se kur do të mbërrijë në atdhe trupi i pajetë i At Zef Pllumit, si dhe kur do të zhvillohen ceremonitë në nderim të tij. Një nga oraret e pritshme dhënë nga ambasadori shqiptar në Itali, Llesh Kola, i cili po merret me të gjithë procedurat e kthimit në atdhe të trupit të pajetë të Atit, është ora 14:30 e mesditës së sotme. Megjithatë, sipas tij, po sot paradite duhet të mbyllen edhe disa dokumente të tjera, pas të cilave gjithçka të marrë rrugë. I njëjti konfirmim jepet edhe nga kisha e fretërve françeskanë, lajmi të cilëve u është dhënë po nga ambasadori shqiptar, Kola. Ndërkaq, një vendim i djeshëm i qeverisë lë si orar të mbërritjes së trupit të At Zef Pllumit në aeroportin e Rinasit, orën 14:30. Por i kontaktuar në telefon edhe përfaqësuesi i kulturës në ambasadën shqiptare në Itali, Visar Zhiti, pohon se sot në orën 8:00 së bashku me ambasadorin Kola do të jenë në spitalin “Gemelli” për të marrë trupin e At Zefit, ndërkaq sipas tij në aeroport duhet të ndiqen për disa orë mjaft procedura dhe plotësim dokumentesh. “Ne shpresojmë të mbërrijnë në orën 14:30 në Rinas, dhe e dëshirojnë mjaft këtë gjë. Gjithsesi gjithçka e saktë mund të mësohet vetëm nesër”, shprehet Zhiti për gazetën. Të vetmet gjëra që janë arritur të fiksohen është radha e institucioneve dhe e ceremonive që do të zhvillohen ditën e varrimit të trupit të At Zefit. Me të mbërritur trupi në Rinas, do të pritet nga banda frymore e Gardës së Republikës dhe personalitete shtetërore dhe fetare. Prej andej do të bëhet nisja për në Shkodër, pritja në prefekturën e qytetit dhe vendosja e trupit në Kishën e Shën Françeskut në “Gjuhadol”, ku do të zhvillohen homazhe për nder të tij. Ndërkohë që Mesha e Shenjtë do të zhvillohet në Katedralen e qytetit. Ndërsa trupi i tij do të pushojë te varrezat e Fretërve në lagjen “Arra e Madhe” në Kishën e Zojës Rrozare. Në bazë të urdhrit të françeskanëve është vendosur që At Zefi të varroset te kjo kishë, sepse të gjithë fretërit e këtij urdhri të brezit të vjetër, kur të ndahen nga jeta duhet që eshtrat e tyre të prehen në Kishën e Zojës Rrozare.
Në vendin ku do të varroset At Zefi prehen trupat e pajetë të Fretërve Gjolaj, Gjecaj dhe Makaj. Ndërsa kohët e fundit, momentet me të, dëshirat dhe projektet e At Zefit, i tregon të gjitha në një intervistë për gazetën Frat Fran Perlala.

Gjatë kësaj kohe që ju jeni vendosur në këtë Kuvend, cili ka qenë aktiviteti i përditshëm i At Zef Pllumit?

Me përjashtim të muajit të fundit, jeta e At Zef Pllumit ka qenë jetë e një rregulltari. Edhe pse ai nuk ka mundur t’i ndjekë oraret e duhura, për shkak të moshës së thyer, por ai asnjëherë nuk ka lënë pas dore Meshën e Shenjtë dhe lutjet e përditshme. Gjatë gjithë ditës ai vizitohej nga njerëz të shumtë, të cilët donin të dinin për jetën e tij, për të kaluarën e tij, për vuajtjet e diktaturës etj. Kishte prej atyre që kanë bërë me qindra kilometra për një foto me Atin. Në këtë periudhë fretërit që ndodhen në bashkësinë tonë i janë gjendur pranë në të gjitha nevojat që At Zef Pllumi kishte gjatë 24 orëve të ditës. Disa prej nesh rrinin për orë të tëra duke i lexuar libra të ndryshëm, të cilat ai vetë na i kërkonte, pasi prej kohësh kishte probleme me shikimin. Madje, edhe një lente me numër të madh që ai e kishte përdorur deri vonë për të lexuar, tashmë e kishte braktisur, pasi nuk i shërbente më, aq shumë i ishte lodhur shikimi.

Si i kujtoni kohët e fundit me Atin?

Deri në fund të muajit gusht, At Zefi, nuk kishte ndonjë shëndet shumë të mirë, por të paktën nuk kishte shqetësime serioze. Ndërsa muajin e fundit ai e ndjeu se nuk ishte mirë. E dërguam në Spitalin e Shkodrës, ku iu nënshtrua një kontrolli të imët. Mjekët e spitalit vendosën se gjendja e tij kishte nevojë për një trajtim më të specializuar, që në Shqipëri nuk mund të realizohet dot. Ndaj dhe ai i shoqëruar nga tre vëllezër të Bashkësisë sonë u dërgua në Spitalin e Romës. Dua të theksoj një fakt se, edhe pse sëmundja ishte tepër e rëndë, At Zef Pllumi asnjëherë nuk e humbi arsyen. Madje, kur e panë se nuk kishte më shpresa, i kërkuan që të kthehej në Shkodër për të dhënë frymën e fundit, por ai u përgjigj: “Me gjithë qejf, por jam aq i sëmurë sa që nuk e përballoj dot udhëtimin”. Nuk kaluan më shumë se dy ditë dhe ai mbylli sytë përgjithmonë.

Krahas leximit me se merrej tjetër At Zef Pllumi?

Përveç leximit të literaturës së ndryshme, ai kërkonte të ndiqte artikuj të ndryshëm në revista të vendit dhe të huaja, për të cilat ai më parë ishte informuar nëpërmjet televizorit. Njëkohësisht ai ishte i interesuar edhe për revistën “Hylli i Dritës”, për artikujt e saj, për ecurinë etj. Ndërkohë që pas botimit të vëllimit “Rrno për me tregue”, ai kishte filluar të shkruante një libër tjetër “Saga e Fëmijërisë”, por që fatkeqësisht ky vëllim mbeti vetëm në dorëshkrim.

Bujar Leskaj
“At Zefi, ikonëe kulturës ”

Po dje gjatë seancës së radhës në Kuvend, gjatë 60 minutave të para të diskutimit të lirë për At Zef Pllumin, nuk kish se si të mos fliste dhe ish-ministri i Kulturës, Bujar Leskaj dhe një nga iniciatorët që i propozoi ish-presidentit shqiptar Alfred Moisiut, për dhënien e urdhrit “Nderi i Kombit” At Zefit. “Personalisht si përfaqësues i kësaj mazhorance, ndihem i nderuar pas vlerësimit që i bëri kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, me një minutë heshtje At Zef Pllumit, figurës së shquar të historisë shqiptare. At Zef Pëllumbi është një kolos dhe ikonë e kulturës sonë kombëtare”, u shpreh në fjalën e mbajtur deputeti Bujar Leskaj, duke shtuar më tej se, “për At Zef Pllumin do të kenë nevojë të gjithë brezat”. Ndërkaq, pas marrjes së urdhrit, At Zefi e ka falënderuar Leskajn si ministrin që vlerëson vlerat, humanizmin dhe të drejtën.

Jozefina Topalli
“Kuvendi, një minutë heshtje”

Pas mbajtjes një minutë heshtje dje në Kuvend nga deputetët e Shqipërisë në nderim të figurës dhe sakrificës së At Zef Pllumit, kryetarja e Kuvendit ka përcjellë ngushëllimet për humbjen e tij: Humbja e Patër Zef Pllumit nuk është si humbjet e tjera që ne pësojmë në rrethin tonë shoqëror. Sipas saj, ndarja prej nesh e At Zefit na shtyn të mendojmë dhe na bën edhe më të ndjeshëm ndaj atyre pasurive të çmueshme që një shoqëri ka, ndaj trashëgimisë shpirtërore të saj. “Patër Zefi ishte i fundmi i brezit të artë të françeskanizmit shqiptar, i atyre burrave që për Fe e Atdhe shkrinë jetën, duke bredhë mal më mal për të mbledhë e për të sjellë ndër bulevardet e qyteteve tona gjuhën e moçme shqipe, folklorin e kanunet, zakonet e bestytnitë e gjithë çfarë përbën identitetin tonë kombëtar”, u shpreh Topalli. 

Preç Zogaj

“At Zefi, çmimi i memorialistikës”
Po dje, pas mbajtjes një minutë heshtje në Kuvend nga deputetët shqiptarë për figurën e At Zef Pllumit, edhe deputeti i Partisë Demokratike, Preç Zogaj, ka vlerësuar gjatë figurën e tij. Zogaj u  shpreh se vepra e tij ‘Rrno për me tregue’, është një vepër e shkruar në liri, ishte një sagë e vuajtjeve të tij dhe vjen si një doktrinë thirrjesh për lirinë. Pas kësaj, deputeti i PD-së, i propozoi ministrit të Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve që t’i japë At Zef Pllumit, çmimin e memoralistikës. “I kërkoj ministrit të Kulturës që t’i japë akordoi kolosi çmimin e memorialistikës. Gjithashtu është me vend që emri i At Zef Pllumit të përjetësohet në emërtimin e shkollave të vendit, në emërtimin e rrugëve të vendit, çdo gjë që është nder për ne të lartësojmë emrin e tij”, shprehet Zogaj.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora