E diele, 10.11.2024, 05:53 PM (GMT)

Shtesë » Historia

Ismail Qemali firmosi ardhjen e Princ Vidit në Shqipëri

E merkure, 12.09.2007, 07:35 PM


Nga Përparim HALILI

Plotë 11 muaj pas 28 Nëntorit 1912, i ndodhur nën presionin e qeverisjes së sforcuar e inaktive, që njihet vetëm për ngritjen e flamurit në Vlorë dhe shpalljen e Pavarësisë, për vetë kushtet ku ndodhej Shqipëria pas daljes nga "zinxhirët" e pushtimit turk, kryeministri Ismail Qemali, detyrohet të pranojë dështimin e qeverisjes që krijoji dhe këtë e pasqyron në kujtimet e tij, duke thënë:

"Megjithë rezultatet e kënaqëshme, e ardhmja mbetej ende e errët, derisa çështja e Sovranit të ardhshëm nuk ishte vendosur. Për këtë arsye iu drejtova Fuqive të Mëdha një kërkesë të ngutëshme si vijon: Qeveria e Përkohëshme e Shqipërisë, që për njëmbëdhjetë muaj po has vështirësi të panumërta, ka mundur të mbajë qetësinë dhe rendin në një vend të sulmuar nga çdo anë nga armiqë të betuar që duan ta çfarosin, por tani e tutje nuk e merr më mbi vete këtë zotësi. Nxitohemi t'ju parashtrojmë për konsideratë shprehjen e njëzëshme të dëshirës së popullit e të Qeverisë t'onë, për caktimin në Fron, të një Sovrani, i cili me qenien e tij vetëm do të mjaftonte të bashkonte të tëra klasat e popullit në punën për fuqizimin e Shqipërisë dhe organizimin e administratës. Me shpresë, se Fuqitë garantonjëse do ta marrin kërkesën tonë parasysh me seriozitet. Unë iu drejtova Komisionit të Kontrollit duke u lutur ndaj nevojës së ngutëshme për hipjen në Fron të Sovranit të ri.

Në rast se arsye të veçanta pengonin ardhjen e Princit, kërkova që Komisioni të marrë përsipër qeverisjen e vendit në emër të tij, ose Fuqitë t'i jepnin udhëzime Komisionit për të qeverisur në emër të tyre. Sipas mendimit tim, vetëm kjo ishte rruga e vetme për të rregulluar vështirësitë e brendshme, duke pushuar intrigat që synonin të sillnin çrregullime në vend. Kërkesa ime më së fundi u pranua nga Fuqitë, dhe përfaqësonjësit erdhën të më njoftojnë, se ishin emëruar nga qeveritë e tyre të ndryshme për të marrë në dorë qeverimin e vendit. Më poshtë, Ismail Qemali vazhdon: Sot, më 22 janar 1914, Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit u mblodh, i bindur se mjeti i vetëm për t'i dhënë fund anarkisë dhe çrregullimit në vënd, është të ngrihet një qeveri e vetme për tërë Shqipërinë. Komisioni Ndërkombëtar i Kontrollit, i ngarkuar për këtë nga Fuqitë e Mëdha, merr përsipër qeverimin e Shqipërisë në emër të qeverive përfaqësuese përkatëse".

Për Princ Vidin si Mbret i Shqipërisë, firmosën: Ismail Qemali, Nadolny, Petroviç, Krajevski, Harry Lamb, Leoni, Petrov

Ismail Qemali thirri në ndihmë Beqir Grebenen

Në verën e vitit 1913, Beqir Grebeneja, një nga ushtarakët më të aftë të ushtrisë turke, mjeshtër i luftës guerilje, i eleminimit të bandave të kaçakëve dhe akteve të diversionit e sabotazhit në kampet kundërshtare, njohës i mirë i Shqipërisë, ku shërbeu shumë kohë, u mandatua dhe u dërgua në Shqipëri nga Komiteti Xhonturk i Stambollit dhe zhvilloi bisedime me Ismail Qemalin, për mundësinë e pranimit si Sovran të Shqipërisë, të Princit Turk, shefit të Shtatmadhorisë, Mareshalit Izet Pasha.

Ismail Qemali, njohës i shkëlqyer i psikologjisë dhe skemave bizantine të politikës turke (jo thjeshtë si ish-deputet i Parlamentit Turk), i trembur njëkohësisht edhe nga komplikacionet e një sipërmarrjeje të tillë aventureske, i parashtroi Beqir Grebenes vështirësitë e pranimit nga populli shqiptar dhe ndërkombëtarët, të kandidaturës së Izet Pashës në postin e Sovranit të Shqipërisë. Por Ismail Qemali, me statusin e kryeministrit, pasi veproi duke e "përkëdhelur" me afrimin e një shpërblimi të majmë financiar, i kundërpropozoi Beqir Grebenes, që të merrte përsipër krijimin dhe drejtimin e çetave të përbëra nga hajdutë, komitë dhe aventurierë, me qëllim për të vendosur rendin, duke bërë zap hajdutët, kriminelët dhe kundërshtarët për llogari të qeverisë së tij, gjë të cilën Grebeneja e pranoi, duke filluar menjëherë nga aktiviteti. Mirëpo ndërkombëtarët, që atëherë njiheshin si Komision Kontrolli, ranë në erë të kësaj ujdie dhe kundërvepruan menjëherë, duke neutralizuar Grebenenë dhe banditët, kaçakët dhe rbeleët e rekrutuarit prej tij.

Fejzi Alizoti, shkruan në Gazeta "Drita", 13 Dhjetor 1936:

Në gazetën "Drita", të datës 13 Dhjetor 1936, në një përmbledhje kujtuese, Fejzi Alizoti, shkruan:

"Xhandarmëria hollandeze e arrestoi Beqir Grebenenë dhe gjykata e dënoi me burg të rëndë, bashkë me shokët e tij, midis të cilëve ndodhej edhe Çerçiz Topulli dhe për siguri e dërgoi në burgun e Shkodrës. Madje gjykata nxori të implikuar edhe Ismail Qemalin, por Komisioni i Kontrollit vendosi mbylljen e procedimit për të, duke përdorur si argument dorëheqjen e premtuar nga detyra e kryeministrit dhe largimin nga vendi. Pas shpalljes së LPB, me dekret të Princ Vidit, komiti Beqir Grebeneja u fal dhe u lejua të largohej për në Stamboll".

Princi Vilhelm Vid, pinjoll i dinastisë së vjetër të Renanisë, shkurorëzuar nga Napoleoni, ishte nip i Mbretëreshës Elisabet të Rumanisë (Karmen Silvës). Ai zbriti në Durrës nga një kryqëzor, më 7 Mars 1914, bashkë me familjen e shpurën personale dhe çuditërisht zgjodhi Durrësin për kryeqytet. Kjo ardhje, ishte vendim i Fuqive të Mëdha për emërimin e një Sovrani në Fronin Mbretëror Shqiptar dhe mbrojtja e tij, bashkë me sovranitetin e territoreve të mbetura, duke u konsideruar si "dorë shpëtimtare" për Shqipërinë e pushtuar nga kaosi, anarkia, prania e ushtrive të huaja, terrori i bandave plaçkitëse që sundonte dhe vepronte në të gjithë territorin e vendit dhe për më tepër, rreziku i kufijëve që kish vendosur "Konferenca e Ambasadorëve"

Qeveria e Vlorës kishte influencë vetëm në Vlorë, Berat e Lushnjë

Vendimi i gjashtë Fuqive të Mëdha, datë 29 korrik 1913, në mbështetje të vendimeve të Konferencës së Ambasadorëve, përcaktonte për Shqipërinë "Formimin e një Principate Sovrane, të trashëgueshme e neutrale, nën garancinë e Fuqive". Ardhja e princ Vidit u prit me gëzim populli dhe e gjithë paria shqiptare. Ndërmjet krerëve shqiptarë, Princ Vidit i uroi mirëseardhjen edhe Ahmet Zogu, si përfaqësues i krahinës së Matit, i cili ashtu siç i takonte, i premtoi "besnikëri dhe bashkëpunim nëse e lypte nevoja".

Kujtime të Ismail Qemalit për ardhjen dhe qeverisjen e Princ Vidit

* Pak kohë pas kësaj kërkese, drejtuar Fuqive të Mëdha për vendosjen në fronin e Shqipërisë të një Sovrani të njohur e të mbrojtur prej tyre, u ndie të zihesh në gojë emri i Vidit në lidhje me Shqipërinë.

* U njoftova pakë kohë më vonë zyrtarisht, se gjashtë Fuqitë e Mëdha kishnë arrirë një vendim njëzëri dhe kishnë zgjedhur për Sovran të Shqipërisë Princ Vilhelm Vidin.

* Nisja e tij u njoftua po ende nuk po vinte. Këto vonesa të pashpjeguara u shfrytëzuan nga Turqit e Rinj, që filluan fushatën e tyre me vrull, në favor të një princi turk. Mbreti ynë vuri këmbën në tokën e shenjtë të Atdheut, i shoqëruar nga Flota e Gjashtë e Fuqive të Mëdha.

* Anija që solli Princ Vidin, kishte sjellë edhe 10 milion franga, që Austria e Italia kishnë parapaguar, nga shuma e 75 milion frangave që Fuqitë kishin vendosur të derdhin e që s'kishin ardhur ende.

* Mbretërimi i shkurtër i Vidit, i pasur më shumë me ngjarje të çuditshme sesa në vepra që kishnë për qëllim riorganizimin e një shteti të porsalindur, vinte në dukje kujdesin e pakët që treguan Fuqitë e Mëdha në zgjedhjen e Sovranit për një vend, lumtëria e të cilit varej vetëm në një zgjedhje të përshtatshme. Ne shpresuam, por përkundrazi, gjendja sa vinte e po ngatërrohej më shumë dhe në një kohë të shkurtër, u bë me të vërtetë kritike.

*Demonstatat popullore në të gjithë vendin morën një karakter kërcënonjës; por në vend që të përpiqej që të qetësojë popullin kur ngatërresat arrijnë kulmin, Princi e priti popullin me top. Princi, duke vepruar ndënë shtytjen e një ndikimi që nuk jam i zoti ta shquaj, përsëri mori masa të rrepta, duke pasuar një vijë veprimi që nuk ka shëmbëll në analet e Qeverisë.

*Konsulli italian më dorëzoi një telegram nga ministri i Jashtëm i Italisë, San Giuliano, me anë të të cilit kërkonte pikëpamjet e mia rreth punëve shqiptare dhe rreth masave që duhet të merreshin tani, meqenëse gjendja po bëhej gjithnjë e më alarmonjëse…, dhe, si pasojë, shkova në Romë.

*Sapo u ktheva në Vlorë, mësova se Durrësi ishte rrethuar nga të katër anët dhe asnjë lëvizje nuk ishte e mundur midis Durrësit dhe pjesës tjetër të vendit. Autoriteti suprem i Mbretit tonë ishte kufizuar në këtë qytet të vogël me 5 mijë banorë, pa ndonjë rëndësi…

*U nisa për në Durrës me 15 përfaqësues të parisë së Vlorës, për t'i parashtruar Princit pikëpamjet tona rreth situatës, pikëpamje që pajtoheshin me ato që kisha arritur në marrëveshje me San Giuliano.

*Në një takim vetëm për vetëm me të, i tregova rreth vendimeve që kishim marrë dhe për masat që mendonim të merreshin. Princi më dha përshtypjen se nuk kish asnjë ide të tijën rreth gjendjes së punëve dhe se as nuk shikonte dot gjendjen shumë kritike të punëve të përgjithshme. Dukesh që nuk ishte i zoti që të bëjë një vërejtje, ose që të bëjë një pyetje si pasojë e mendimit të tij personal. Ndërsa po i shtjelloja masat e ndryshme që duhet të merreshin për të dalë nga këto vështirësi, asnjëherë nuk më pyeti se si mendoja për t'i vënë këto masa në praktikë.

Qeverisja e Princ Vidit, kaos dhe anarki

Më 22 janar 1914, me kërkesën dhe pëlqimin e Fuqive të Mëdha, Ismail Qemali dha dorëheqjen. Komisioni i Kontrollit që mori në dorëzim kompetencat dhe çelësat e qeverisjes së vendit, nuk e çau fort kokën për detyrimet që kish ndaj shqiptarëve, por shtyu ditët në limonti deri në ardhjen e Princ Vidit. Në këto kushte, situata e rendit doli jashtë kontrollit, ç'ka dikur e kish detyruar edhe Ismail Qemalin, që të negocionte me Beqir Grebenenë në kërkim të një dore të fortë, aq më tepër që edhe ministri ushtarak i qeverisë, Esat Pashë Toptani e kishte braktisur dhe kishte formuar qeverinë e Durrësit. Pra, Vidi e gjeti rendin të pastabilizuar, por kundër këtij realiteti ai nuk veproi. Ndonëse në kërkim të dorës së fortë, Princ Vidi emëroi Esat Pashën, si Ministër të Brendshëm, por dhe pas këtij emërimi, situata e rendit u përkeqësua edhe më tej.

Lëvizjet anti-shqiptare të Princ Vidit

Në postin e Sovranit të vendit, sidomos i garantuar dhe nga Fuqitë e Mëdha, të cilat ishin bërë garant për zbatimin e vendimeve të Konferencës së Londrës, pra për sovranitetin e kufijve të Mbretërisë së Vidit, ky i fundit nuk e kishte konceptin dhe as që arrinte të kuptonte rëndësinë e problematikës së komplikuar në marrëdhëniet me fqinjët; e jo më të sillej si Sovran i një shteti "Sovran". Kështu, me papërgjegjshmërinë më të skajshme, ai hyri në negociata me "Qeverinë e përkohshme të Epirit të Veriut", krijuar nga Greqia dhe drejtuar nga antishqiptari Zografos. Në në zbatim të Protokollit të Korfuzit, të majit 1914, i njohu kësaj qeverie të drejtën e "Autonomisë dhe të drejta të tjera, që binin në kundërshtim me interesat shqiptare e që më pas, hapën oreksin e Greqisë dhe të "vorio-epirotëve". Ky veprim, me të drejtë, u përjetua si tradhti kombëtare nga Krahu Kombëtar, nga të gjithë nacionalistët shqiptarë, ndër të cilët edhe Zogu.

Vidi: Nuk e dua ndihmën e Zogut për vendosjen e rendit

Ja si shkruan Terenc Toçi, për raportet e Zogut me Vidin: "Zogu është treguar fisnikërisht i sinqertë me Princ Vidin, të cilin Fuqitë e Mëdha e patën hipur në fronin e Shqipërisë. Por Sovrani i atëhershëm i Shqipërisë, i cili ndonëse pati mbetur me përshtypje shumë të mira për intelektin e fuqishëm të Zogut, nuk pati intuitën të kuptonte, se kush ishte Zogu, dhe nuk pati në krah gjithashtu, as dikë që do të dinte t'i mbulonte boshllëqet që ai shfaqte në të kuptuarit e gjërave.

Në kujtimet e tij, Ismail Qemali shkruan: "Ky mbretërim i hidhur dhe i kotë, arriti në çastet e tij të fundit… Princi kish humbur çdo autoritet dhe sovraniteti i tij kish humbur krejt. Asnjë fond financiar nuk kish ngelur nga të 10 milionët që i qenë dhënë si paradhënie, të cilat Princi i kishte shpenzuar në mënyrë fare të pa mënt, në gjëra si në krijimin e Gjyqit të Lartë të Diktimit (cour de Cassation), në një kohë kur nuk kishte as gjyqe të thjeshtë të shkallës së parë; emërimi i inspektorëve për edukatën botërore, kur nuk kishte ende shkolla dhe emërimi i ministrave (ambasadorëve) për në vënde të huaja, të cilët nuk luajtën fare nga shtëpia, përveçse morën rroga të majme".

Për të ilustruar miopinë, paaftësinë dhe papërgjegjshmërinë politike të Vidit, Bernd Fisher shkruan: "Për fatqkeqësinë e tij të mëvonshme, Vidi e pat pranuar fronin, pa qenë plotësisht i vetëdijshëm se çfarë kishte bërë…".

Dështimi dhe largimi i Princ Vidit

Ka patur dëshmi të bashkëkohësve të mbretërimit të Vidit, se... Zogu u tregua i pabesë ndaj Mbretit Vid, i cili i dha armë, municion, pare e ndihma të tjera, mbasi Zogu i premtoi se do ta ndihmonte për të shtypur rebelimin. Zogu e tradhëtoi Princ Vidin në një moment të vështirë. Paaftësia proverbiale e Vidit, për menaxhimin e situatave, sidomos pas shpërthimit të kryengritjes së Haxhi Qamilit, e stimuloi anarkinë dhe çoi në precipitimin e shpejtë të ngjarjeve dramatike. Mirëpo burime të tjera studimore, thonë se Mbreti Vid, jo vetëm nuk e armatosi dhe nuk e financoi Zogun, por nuk i dha asnjë mandat për të vepruar. Megjithatë, kjo shmangie jo e rastit nuk i hiqte të drejtën Zogut të kuptonte, se ky Sovran nuk duhej respektuar deri në inaktivitet të plotë, aq më tepër kur veproi në kundërshtim me interesat kombëtare në raportet zyrtare ndërshtetërore me fqinjët, duke stimuluar agresivitetin e tyre për coptimin e trojeve të tjera, për të cilat Zogu dhe idhtarët e tij kishin nisur për të luftuar.

Në kujtimet e tij, Terenc Toçi, thekson: "Nëse Princ Vidi, kur zbriti fillimisht në Durrës, do t'u kishte besuar forcave ushtarake të Zogut, vullnetarëve të Shkodrës dhe të Kosovës, të paktën do të kishte arritur të shmangte vëllavrasjen ndërmjet shqiptarëve. Zogu bëri gjithçka mundi për të shmangur këtë. Ai u përball i vetëm me ata që mohonin atdheun".

Zogu u tregua shumë i kujdesshëm në veprimet politike e ushtarake, por afërmendsh që fatet e pasuesve dhe krahinës së Matit nuk i la në mëshirën e pasivitetit fatal të Vidit, aq më tepër kur kuptoi se ai e humbi totalisht mbështetjen ndërkombëtare, sidomos pas shpërthimit të LPB, kur u bë e qartë se askush nuk po pyeste më për shqiptarët dhe fatet e tyre, pra as për vendimet ndërkombëtare për "Sovranitetin" e shtetit të ri shqiptar. Zogu ishte tepër inteligjent për të kuptuar sa hap e mbyll sytë, se mbështetja e Vidit nga garantët kryesorë të tij, Austria dhe Italia, po shkonte me shpejtësi drejt zeros, ndërkohë që Gjermania as që e kishte në hesap këtë teveqel të rrjedhur të cilin, Kajzeri, që e njihte sa i vlente lëkura, e këshilloi të mos e synonte fronin e Shqipërisë, por Vidi nuk e dëgjoi, pasi i kish marrë koka erë për fron e pushtete. Nëse Zogu e kuptoi menjëherë (mos)vlerën e Vidit, konform kodit të besës prej malësori, nuk iu kundërvu dhe kurrë nuk e cënoi, qoftë edhe verbalisht autoritetin e tij prej Sovrani, ndonëse mori masa efektive për të neutralizuar pasojat negative të marrëzive të tij qeverisëse"

Ja si e përshkruan Ismail Qemali situatën e pashpresë të Vidit në kujtimet e tij: "Megjithëse Vidi dërgoi ministrin e tij të Financave në Romë dhe në Vjenë për ndihma të reja, Italia dhe Austria e bënë veshin të shurdhër. Si spekullatori që ka humbur tregtinë e filluar, Vidi e kuptoi se nuk i kish mbetur gjë tjetër veçse të largohej. Lufta e madhe kish filluar dhe shpejt do të mbulonte Evropën të tërë. Flota e Fuqive të Mëdha e la Durrësin në fatin e tij dhe u largua. Dhe Princ Vidi e pasoi, duke hipur në një jaht Italian, që ia kishin lënë ta përdorte. Ai nuk bëri asgjë, s'bëri asnjë përpjekje që t'i kuptonte bashkatdhetarët e mi e të merrej vesh me ta".

Ndërsa studiuesi Ilir Ushtelenca, nga analiza e zhvillimeve të asaj kohe, konkludon: "Në maj të atij viti, nën udhëheqjen e Haxhi Qamilit u ngrit në këmbë gjithë fshatarësia e Shqipërisë së Mesme, për të rrëzuar Mbretin e importuar dhe Qeverinë e Durrësit…".

Më 3 shtator 1914, Vidi u largua nga Shqipëria, duke lënë pas anarki totale, zhgënjim dhe ndjenjën e braktisjes së një populli të tërë nga Fuqitë e Mëdha. Për Shqipërinë dhe shqiptarët, si gjithmonë, menduan vetëm nacionalistët, ndër të cilët u propagandua bujshëm se shkëlqente Ahmet Zogu.

Në analizën e tij për periudhën e "mbretërimit" të Vidit, Terenc Toçi, konkludon: "Nëqoftëse Vidi do të ishte mbështetur në kohën e duhur në fuqinë e krahut dhe të mendjes së Udhëheqësit 18-vjeçar shqiptar Zogut, ai do ta kishte shpëtuar, në mos tjetër, do të kishte realizuar procedurën e likuidimit të mbretërisë së tij efemere; dhe nuk do ta kishte përcjellë në botën e qytetëruar dyshimin, se atë e kishin braktisur nacionalistët shqiptarë".

Ndërsa Bernd Fisher i vë vulën notës për Vidin duke thënë: "Periudha e Princ Vidit ishte më tepër për t'u marrë si shembull se si nuk duhet ndërtuar dhe qeverisur një monarki nga një monark". (B.J.Fischer "Mbreti Zog dhe përpjekja për stabilitet në Shqipëri", faqe 142)



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora