E shtune, 20.04.2024, 02:22 PM (GMT+1)

Sport » Sporti

Ahmet Shqarri: Shqipëria sa Xhamajka, por “vite-drite” larg saj...

E shtune, 22.08.2009, 12:30 PM


Shqipëria sa Xhamajka, por “vite-drite” larg saj...

Nga Ahmet Shqarri

Komenti i kësaj jave mund t’i kushtohej fare mirë startit të nesërm të kampionatit tonë të futbollit, ndoshta edhe ndonjë ngjarjeje tjetër, apo të trajtonte si gjithmonë ndonjë problem nga ato të shumtët që ndeshen tek ne dhe që ende nuk po gjejnë zgjidhje, por Kampionati Botëror i Atletikës që po zhvillohet prej një jave në Berlin, me rezultatet e jashtëzakonshme që po shfaq atje, i ka dhënë një ndriçim të tillë llamburitës atmosferës sportive në të gjithë rruzullin, sa që e ke të vështirë t’i shmangesh një analize qoftë edhe të sipërfaqshme për te.

Nuk mjaftoi ajo e pabesueshmja e një viti më parë në Lojërat Olimpike të Pekinit, kur Usein Bolt theu rekordet botërore të garave të shpejtësisë, 100 dhe 200 m, me kohë të tilla të paparashikueshme, që assesi nuk mund të mendoheshin si të arritshme nga njerëzit, dhe ja ku shfaqet përsëri i magjishëm, (si ato disqet fluturues që nuk e di a ekzistojnë në të vërtetë!), po ky xhamajkan-mrekulli me emrin “shigjetë”, duke çuditur e lënë pa frymë miliona njerëz, të cilët po shohin tek ai shenjtin e vërtetë të atletikës! Po, po, Usein Bolt është një shenjt, por jo nga ata që i ka shpikur përjetësisht mendja njerëzore, por një shenjt që e sheh e gjithë bota dhe që mund ta prekësh me dorë; një shenjt që flet, dëgjon dhe gëzon bashkë me të tjerët festën e rezultateve të arritura prej tij, gjithsesi ende të pashpjegueshme edhe nga shkenca!

Të përshkosh 100 metra distancë në një kohë prej 9 sekonda e 58 të qintat dhe 200 metra për 19 sekonda e 19 të qintat, këtë e ka bërë deri tani vetëm një njeri me emrin Usein Bolt, që po sfidon çdo paragjykim të kësaj bote moderne me gjithë teknologjinë e logjistikën e saj bashkëkohore. Nuk e mbaj mend se ku e dëgjova dikë që tha këto ditë për Usein Boltin se, ai është i vetmi njeri deri më tani që e lë botën pa frymë për disa çaste, derisa mbaron garën, ashtu siç ndodh me disa mrekulli të rralla të kësaj bote të krijuara nga zoti, si p.sh. eklipset e diellit! I tillë është ky njeri nga Xhamajka, një ishull ky që për nga sipërfaqja dhe popullsia është një vend më i vogël se Shqipëria, por ç’e do(!?), se për nga ato që po arrin sot Usein Bolt dhe atletët e tjerë të suksesshëm të kësaj parajse atletike, na ndajnë vite të tërë drite!...

Është e vështirë, për të mos thënë e pakëndshme, që nga mrekullia “qiellore” e paraqitur këto ditë në Kampionatin Botëror të Atletikës, të zbresësh menjëherë në tokën tonë të zhuritur sportive dhe konkretisht në njërën degë të saj, tek atletika, që bota me të drejtë vazhdon ta quaj “Mbretëreshë”! Por, e kam të pamundur që t’i shmangem ballafaqimeve, aq më tepër kur ato më ndihmojnë për të parë dhe prekur më mirë realitetin tonë mjeran, në rastin konkret në atletikë. Për Usein Boltin mund të flasësh e të shkruash pa fund, duke mos u marrë me analizat e rezultateve të tij të jashtëzakonshme që janë e do të jenë të vështira për t’u shpjeguar edhe nga shkencëtarët më në zë të laboratorëve të sofistikuar, por vetëm duke u nisur nga epitetet që i janë vënë e po vazhdojnë t’i vihen atij, ku ai “jashtëtokësor” më duket më i godituri, ndërkohë që ai tjetri “përbindësh” që del nga goja e kronistëve sapo xhamajkani pret finishin, ndoshta është gjetja e duhur në çast, për të ballafaquar realen me irealen e gjithë kësaj çudie, të shfaqur nga fenomeni Usein Bolt! Por, po kërkoja të zbrisja në tokën tonë shqiptare ku mrekulli të tilla as që bëhet fjalë se mund të ngjasin, ndërkohë që duhet pranuar se “Mbretëresha” e botës tek ne, tani për tani, thuajse nuk ekziston.

Na ishte njëherë... kështu nisnin dikur përrallat që u tregoheshin fëmijëve, më së shumti për ngjarje të pabesueshme, që edhe pse shpesh të mbushura me mitologji perëndish e kuçedrash, sidoqoftë përbënin një moral mbi të vërtetat e kohës. Kështu edhe me atletikën tonë që dikur, na ishte një herë një sport i zhvilluar që zhvillohej nëpër stadiume mbushur me spektatorë, ku ndonjëherë qëllonte të na nderonte me pjesëmarrjen e tij edhe ndonjë kampion e rekordmen bote, siç pat qenë rasti i kinezit Nih Çin Çin në garën e kërcimit së larti, të cilin autori i këtyre radhëve, si i vetmi gazetar sportiv profesionist i kohës, e pat intervistuar duke e transmetuar këtë ngjarje të madhe sportive në fillim të edicionit kryesor të lajmeve të Radio-Tiranës. Na ishte një herë një kohë kur disa atletë tanët radhiteshin edhe në vende të para nëpër takime të ndryshme ndërkombëtare, siç pat ndodhur me Pavlina Evron në Mitingun e Nisës në Francë, të cilën gjithashtu e pata intervistuar për suksesin, sapo ajo zbriti nga shkallët e avionit në aeroportin e Rinasit ku u prit atëherë nga shumë personalitete, sikur të ishte një heroinë...

Nuk mund të guxoj që të bëj asnjë krahasim me Xhamajkën se ajo me sipërfaqe e popullsi më të vogël se Shqipëria, tani është me të vërtetë “vite-dritë” larg nesh për sa i përket atletikës, sport me të cilin ajo po nënshtron botën gjithnjë e më shumë. Krahasimi i atletikës sonë, tashmë inekzistente, me atë të Xhamajkës së Usein Boltit dhe kampionëve të tjerë të botës - bashkatdhetarë të tij, nuk gjen vend të futet gjëkundi, sepse do të ishte absurde të shkohej deri atje. Megjithatë, të mos jesh i pranishëm si shtet në një kampionat botëror si ky i Berlinit, ku marrin pjesë mbi 200 vende, kjo nuk të pengon për të bërë një krahasim, në këtë rast tepër të vajtueshëm, kur kujton se “dikur” edhe Shqipëria ka qenë pjesëmarrëse në veprimtari të tilla. Është ky fakt që më kthen 12 vite pas, atëherë kur në Athinë zhvillohej kampionati i 6-të botëror i atletikës, i paraprirë nga një ceremoni fantastike atje nën këmbët e Akropolit, në stadiumin antik ku qenë zhvilluar në vitin e largët 1896-të lojërat e para moderne olimpike. Ai stadium i mbuluar nga flakadanët e pishtarëve të ndezur si në lashtësi dhe zëri i magjishëm i sopranos spanjolle me famë botërore Monserat Caball, shoqëruar nga tingujt e mrekullueshëm të muzikës së grekut, po aq të famshëm, Vangjelis, duke na krijuar të gjithë të pranishmëve një ndjesi të papërsëritshme, na futën pastaj, në ditët pasardhëse, në atmosferën e paharrueshme të garave që morën vlerë nga atletët e shquar pjesëmarrës nga e gjithë bota. Atëherë, në rolin e përjetshëm të gazetarit sportiv, pata ndjekur veç garave të kampionëve dhe rekordmenëve të botës si Sergej Bubka në kërcimin me shkop, Moris Grinn e Marion Xhons në 100 metra, Jan Zhelezni në flakjen e shtizës, Xhonatan Eduards në kërcimin 3 hapsh, e të tjerë yje të asaj kohe, edhe atletët tanë pjesëmarrës atje: Vera Bregu në kërcim së gjati dhe Ilir Xhani në 400 m. me pengesa. Pavarësisht se konkurrimi i atletëve tanë atëherë u mjaftua vetëm në garat eliminatore, ku Ilir Xhani, madje, nuk mundi të tregojë asgjë sepse që në 5-6 hapat e para pësoi një tërheqje muskulore, unë nuk mund ta harroj kurrsesi faktin se flamuri ynë kombëtar u valëvit në stadiumin Olimpik të Athinës gjatë gjithë ditëve të zhvillimit të garave të kampionatit botëror atje, ku merrte pjesë edhe Shqipëria. Këtë fakt e përmendja shpesh, gati si me krenari(!) në kronikat e përditshme që transmetoja për Radio-Tiranën në atë vit të mbrapsht të 1997-s, ndërkohë që pata vënë në dukje edhe pjesëmarrjen e suksesshme, deri në finale, të rekordmenes sonë në flakjen e shtizës Mirela Manjani, që në atë garë kishte nisur të përfaqësonte Greqinë, vendin që pak kohë më vonë e ngjiti atleten shqiptare deri në titullin kampione e botës...

Shqipëria me të vërtetë mund të krahasohet me sipërfaqe toke dhe popullsi me Xhamajkën, madje vendi ynë është edhe më i madh për sa u përket këtyre treguesve, por të gjitha këto nuk vlejnë asgjë kur vjen puna tek krahasimi me të i sportit dhe veçanërisht atletikës sonë. Sepse ne as kemi dhe as kemi për të pasur kurrë atletë të atij niveli që ka Xhamajka, por mbi të gjitha, ne sot jo vetëm që nuk mund të fitojmë si dikur ndonjë garë të rëndësishme ndërkombëtare, por as që po marrim pjesë në to!? Përveç ndonjë kujtimi të bukur që na ka lënë disa vite më parë Rifat Deliu me titujt kampion që fitonte në garën e 100 metrave, apo së fundi Klodiana Shala në garat e tjera të shpejtësisë, në të cilat nuk lejonte njeri t’ia kalonte, (por që tani ka mbetur, çuditërisht, e përjashtuar nga vëmendja e të ashtuquajturve “zotër të olimpit shqiptar”!?), sot atletika shqiptare nuk ka asgjë dhe praktikisht mund të quhet plotësisht e vdekur.

Bota ka parë shumë atletë të shquar, yje që kanë shkëlqyer për një kohë të gjatë dhe nderimi për ta kërkon që të veçosh ndonjë të tillë si Xhesi Ouens, rekordet e të cilit bënë bujë për kohën se ishin të parët që ndenjën rreth dy dekada pa u përmirësuar. Pastaj, pas luftës së dytë botërore kur atletika u zhvillua më shumë edhe për shkak të teknologjive moderne që nisën të futen në proceset stërvitore, vezulluan të tjerë yje si Karl Ljuis që arriti të marrë 4 medalje ari në një olimpiadë, nëpër garat e shpejtësisë dhe atë të kërcimit së gjati. Ka pasur dhe ka ende të tjerë që kanë bërë e vazhdojnë të bëjnë një histori të lavdishme për atletikën botërore, por një shenjt të vërtetë si Usein Bolt nuk ka dhe njerëzimi besoj se nuk do të mund të ketë më ndonjë tjetër si ai gjatë këtij shekulli që posa ka filluar! Në një sekondë të vraposh më shumë se 10 metra, vetëm kaq mjafton për të mos parashikuar më të paarritshmen e deritanishme të këtij xhamajkani , i cili dje mbushi 23 vjeç! Por, çfarë mund të bëjë më shumë ai në këto gara, në të cilat tashmë sundon si një mbret i kurorëzuar dhe i plotfuqishëm? – Nuk e di, por e ndjejë se mund të vrapoj edhe më shpejt - tha Bolt menjëherë pas garës së 100 metrave në Berlin. Dhe e bëri realitet këtë parmbrëmë në garën tjetër, atë të 200 metrave ku përsëri dha një tjetër kohë, po aq e paparashikueshme sa ajo e 100 metrave! – Usein Bolt është i pabesueshëm dhe tani ne nuk mund të bëjmë asgjë ndaj tij, veçse ta ndjekim atë përjetësisht - u shpreh si i shastisur nga ajo çka pa gjatë garës me të, sprintieri amerikan Crauford.

E megjithatë, çfarë, që... bota rrotullohet, apo se dikur edhe bota ka një fund?! Asnjë nuk mund t’i japë përgjigje të saktë asaj se çfarë po ngjet tani për tani me gjeniun Usein Bolt, rezultatet e të cilit po çudisin e ndërkohë po mahnitin të gjithë rruzullin tokësor. Mund të ndodh që edhe ai një ditë, si njeri që është, të mos dalë i pari në një garë, ashtu siç ngjau në këtë kampionat me yllin po ashtu të shndritshëm në garën e kërcimit me shkop, Elena Isinbajeva; mund të përgojohet, pse jo edhe ai, për përdorim dopingu, ashtu si mitiku i çiklizmit Lance Armstrong, që pasi mposhti kundërshtarin më të rrezikshëm në jetën e tij, kancerin, arriti si askush tjetër deri tani që të kurorëzohet 7 herë fitues i Turit të Francës, garës më të rëndësishme të këtij sporti në botë! Mund të ndodh çfarëdo, por një gjë dihet me siguri se, Usein Bolt për gjithçka që ka bërë dhe po bën deri tani, do të mbetet për mbarë botën si një shenjt i vërtetë i atletikës!


(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora