E marte, 23.04.2024, 08:39 AM (GMT+1)

Sport » Sporti

Besnik Dizdari: Lamtumira e Raq Manushit dhe fundi i fisnikërisë sportive të Shqipërisë

E merkure, 04.02.2009, 08:37 PM


Besnik Dizdari
Besnik Dizdari
Lamtumira e Raq Manushit dhe fundi i fisnikërisë sportive të Shqipërisë

Nga Besnik Dizdari

… Sapo hyj në dhomën e gjërë, dritarja e madhe e së cilës vështron nga drita dhe kaltërsia e Adriatikut, ndodhem përballë djemëve të tij të ulur pranë njeri tjetrit, teksa ata çohen menjëherë në këmbë dhe presin ngushëllimet si burra. Dy prej tyre janë binjakë, por të tillë mua më duken të tre: Vangjeli, Ledi, Mimi. Dy binjakët i kam si tash para sysh si futbollistë, të cilët krejt papritmas çuan peshë Durrësin në gjysmën e dytë të viteve ’80-të. I jati i tyre, Raq Manushi, vitet e tij sportive i kishte pasë në dy dekada të largëta: ato ’40 dhe ’50. Fund e krye 15 vjet të plota, deri në vitin e parë të dekadës ’60, me ngritjet e uljet e tyre dramatike për shkak të një përndjekjeje të një arsyeje të vetme: të urrejtjes së Regjimit ndaj fisnikërisë qytetare, së cilës familja e dëgjuar Manushi i përkiste.

Mbas pak, prej qendrës së qytetit të këtij pallati të lartë modern ku ndodhej apartamenti i sotëm i familjes Manushi, krejt pranë me shtëpinë e dikurshme elegante në shetitoren që të çon te hyrja portuale, ajo rrugë e një stili perëndimor, stil që gjithmonë ia shtonte më tej dhe për fat ia shton edhe sot Durrësit të vjetër, ceremonia e lamtumirës së Raq Manushit me një pafundësi njerëzish, mbartte në vetvete gjithë qytetarinë e dikurshme të Durrësit. E, menjëherë të vjen të thuash se nuk u shua tradita, ajo që Koliqi e ka thënë poetikisht në fund të jetës së atij, në fillim të viteve ’70: “…Shpirti q’etënt n’tê kan dikue, me tharme nderi prap ka me vlue n’báll të pinjojve…”

Ndoshta…

Në këte janar 2009, Raq Manushi mbushi 80 vjet jetë me gëzime e gjithë ato trazime. Dhe vetëm pak ditë mbas, ndahet nga jeta në qetësinë e tij, për shkak të një sëmundjeje të rëndë që e po mundonte prej kohësh. Ishte lamtumira e tij, që gjithaq më dukej si lamtumira ose fundi i fisnikërisë sportive të Shqipërisë. Sepse për çudi, edhe në sportin e saj modest, Shqipëria e ka pasë edhe një fisnikëri. E ndoshta Raq Manushi qe fisniku i fundit... Gjthmonë kur me “fisnik” nënkuptohet i sjellshmi, zotnia, bujari, i ndershmi, kavaljeri, kurajozi, i shquari, i rëndësishmi, trimi, krenari. E pra, përveçse në jetë, të gjitha këto cilësi Raq Manushi i ka shprehur në mënyrën e vet edhe përmes sportit. Sepse dihet, sporti, është po aq dhe një shfaqje nobiliteti.

1.

Lamtumira e tij në të vërtetë është lamtumira e ballkaniadasit më të ri të Shqipërisë. E kam fjalën për 17-vjeçarin Raq Manushi, i cili në publikimin e gjithë pjesëmarrësve të Lojërave Ballkanike të vitit 1946, rreshtohet midis emrave të rangut evropian që morën pjesë në Ballkaniadën e Tiranës. Ai është në foton e Kombëtares atletike shqiptare të atij viti 1946, që shoqëron këte shkrim. Protagonisti ynë nuk mori pjesë në garat, për çështje teknike, por fanelën e Shqipërisë e veshi ashtu si dhe të 41 atletët shqiptarë të atij viti, i cili do ta ndante përfundimisht Shqipërinë prej Evropës së vërtetë. Eshtë pranë emrave atletësh të tillë si Belul Hatibi, Fehti Dizdari, Luigj Bojani, Vlash Koljaka, Sllave Llambi, Skender Begeja, Zisi Kondi, Zef Frania, Galip Sojli, të cilët për Shqipërinë e asokohe qenë ndër themeluesit. Padyshim që Manushi është kombëtarasi më i ri i kësaj Shqipërie që daton 1946, e me sa di, edhe më i riu i krejt Ballkaniadës…

Sa fillim po aq dhe fund qe gjithçka në atë 1946, ku hareja sportive kërkonte të mbulonte një dramë munduese që sapo mbërrinte. Për një përkim fatal karriera sportive e këtij 17-vjeçari këtu niste e atu mbyllej, aty rifillonte e këtu ndalej, këtu shpërthente e aty mpakej.

E gjitha paraprihej prej një parahistorie që daton 2 shtator 1945, dita e parë e Kampionatit Kombëtar të Mbasluftës, kur në 11-shin e parë të Teutës së Durrësit, fitore 2-0 ndaj Ismail Qemalit të Vlorës, familja Manushi paraqet përfaqësuesin e saj të parë në sagën e mundimshme sportive të saj: është Jorgji (Xhorxhi) Manushi, vëllai i Raqit, i barabartë me gjithë yjet e Teutës së asokohe: Jeremiqi, Tati, Margariti, Pasha, Tartari… Vetëm dy javë më mbas, si në një fatalitet, emrat e dy vëllezërve zëjnë vend në faqen e parë të gazetës “Sporti”. Me një ndryshim: 16 vjeçari Raq Manushi rreshtohet në kryeartikullin që njoftonte se për herë të Mbasluftës do të zhvillohej Kampionati Kombëtar i Atletikës së Lehtë. Emri i tij rradhitet midis 13 atletëve kryesorë në të cilët shpresohej fort në Kampionat. Edhe këtu përzgjedhja i bën nder të madh atij, sepse ky “fëmijë” i sportit shqiptar, e gjen veten midis Minella Anastasiadhit, Belul Hatibit, Luigj Bojanit, Skender Begejës, Sllave Llambi e Zisi Kondit – rekordmenë e kampionë të shquar.

Kur vjen Kampionati, në mënyrën më befasuese 16-vjeçari ynë është Nënkampion në 100 metra mbas të famshmit të kohës, Skender Begesë, duke u bërë rasti i vetëm në Kampionatet Kombëtare të atletikës së Mbasluftës, që një nxënës 16-vjeçar është Nënkampion i Shqipërisë me të rriturit! Nuk mbaron këtu. Në garat e 200 metrave Kampioni i Shqipërisë është po 16-vjeçari i Durrësit, Sotiraq (Raq ) Manushi, në një duel elektrizues me të paharrueshmin Zef Laca, çka për mijërat e sportdashësve të Stadiumit Kombëtar (nuk ka qenë si sot kur njerëzit nuk vijnë as në ndeshjet e futbollit) përbënte njës sensacion të padëgjuar. Shqipëria në 16-vjeçarin Raq Manushi, kishte kampionin e saj më të ri në histori.

Dhe nëse më 22 shtator 1945, djaloshi Manushi shpallej Kampion i Shqipërisë në 200 metra, papritmas, më 14 tetor 1945, ai është pjesë e 11-shit të Teutës së Durrësit në 0-0 me Vllazninë e Shkodrës për Javën 5 të Kampionatit Kombëtar të futbollit! Shfaqet si Manushi II, sepse Manushi I ishte i vëllai, Xhorxh Manushi. Kësisoji, hynte në sportin shqiptar Manushi II. “Nga skuadra durraske u shquan Jeremiqi, Haçkovija, Fermija dhe Manushi”, shkruan shtypi. Dhe qysh nga kjo ditë e deri andej kah viti 1960, për 15 vjet me rradhë, në të shumtën e herëve që veçohen më të mirët e Durrësit, kështu do të shkruhej për te. Rrallë mund të gjesh një futbollist të Durrësit të kësaj periudhe, të pëmendej asisoji si Raq Manushi. Por po aq rrallë do të gjendej një si ai, që sa herë që Regjimit do t’i nevojitej t’i jepte një ton politik kritik dukurive të paracaktuara të futbollit, menjëherë do të përmendej emri i tij. E kishin vërtet të lehtë: e veçonin edhe si protagonist të luftës kundër fisnikërisë qytetare.

Mbas nja dhjetë muajve Teuta e Durrësit korr fitoren e bujshme 3-2 me ate që ende quhej Sportklub Tirana në ndeshjen për kupën e Federatës Sportive Shqiptare, një nga ndeshjet më të mëdha të kohës, dhe skuadra durrsake ka si protagonist të dorës së parë Raq Manushin, tash 17-vjeçar. Anton Mazreku gjen në te frymëzimin më të rrallë për gazetarinë sportive: “I rrufeshëm Manushi II”, - shkruan ai , - të cilin së bashku me Korçarin - autor i dy golave elektrizues, i përcakton si “dy lojtarë që kanë nji të ardhme të shkëlqyeshme”. E më tej: “Inkursjoni i Manushit e thyen përkohësisht monotoninë. Sporti asht jeta vetë e asht pra edhe poezi. Frazat e prozës poetike shihen gjithnji ma të shpeshta në stilin modern të kulturës fizike”….

Kur në Tiranë vjen Zhelezniçari e Srajevës dhe sidomos Spartaku i Moskës, Manushi II është prap ndër më të mirët dhe sidomos shpejtësia e tij në formacionin e asaj që u quajt Përfaqësuesja e Shqipërisë së Jugut, për një çast shtang herojtë e futbollit sovjetik Zhmelkovin, Malininin, Sokolovin, Salnikovin!

Ky ka qenë në një farë mënyre afirmimi i parë ndërkombëtar i Raq Manushit, afirmim që në këte rang kurr nuk do t’i lejohej më, Ndonëse aty këtu mund të dukej se diçka do të lëvizte për mirë. Por jo! Vëllezërit Manushi I dhe II, Xhorxhi dhe Raqi, të cilët andej kah fundi i vitit 1946 do t’ia arrinin të ishin së bashku njëkohësisht në 11-shin e skuadrës së Durrësit, sa do të ishin sa pikë referimi fisnikërie sportive për publikun, po aq dhe shënjestër politike për Regjimin.

Ishim ende disi shpejt megjithate, për të nisur drama e pamshirshme e politikës përndjekëse, edhe në fushën e kulturës e të sportit, dhe hap mbas hapi, Manushi II shndërrohet në titullar i dorës së parë, madje edhe kur Durrësi nxjerr në fushën e lojës një Qemal Vogli e një Skender Jareci, të cilët do të bëheshin numrat 1 në futbollin shqiptar. Në përpjekjen e një kombinimi të një tresheje autoritare Vogli – Manushi – Jareci, kjo nuk qe e thënë që të mbërrihej. Befasia është se Raq Manushi do ta vishte fanelën e Kombëtares para dy të mëdhejve Vogli e Jareci. Ndonëse jo në një ndeshje ndërkombëtare.

Ngjarja sensacionale për historinë dramatike të tij daton më 28 mars 1947, kur skuadra Kombëtare e Shqipërisë mblidhet për t’u ndeshur mbas dy muajve me Rumaninë për Kampionatin Ballkanik, që ishte i pari që zhvillohej mbas atij 1946 që i kishte dhënë Shqipërisë titullin e Kampionit. Trajneri Adem Karapici, nuk ka asnjë mëdyshje kur thërret 18-vjeçarin Raq Manushi. Në këte ndeshje përcaktuese prove Kombëtarja fiton 4-0 kundër 17 Nëntorit para një pubiku të pambarim të “Qemal Stafës” dhe nuk ka dyshim se risia e bujshme ishte përfshirja në 11-shin asokohe të famshëm të Shqipërisë, të 18-vjeçarit Raq Manushi nga Durrësi. Trajneri Karapici, përveç të tjerave, një pedagog universitar i Italisë për edukimin fizik, nuk nguron për të përfshirë një djalë që i bënte 100 metrat në rreth 11 sekonda, që po tregohej një sulmues i krahut të djathtë shpesh i papërmbajtshëm, por kurr fanatik i këtij posti falë universalizmit të tij, si dhe i një teknike të shkëlqyer, siç përcaktonte Mazreku. Dhe vështroni tash se cili ishte 11-shi i kësaj Kombëtareje:

Giacomino Poselli, Muhamet Dibra, Rexhep Spahiu, Bimo Fakja, Sllave Llambi, Bahri Kavaja, Raq Manushi, Qamil Teliti, Loro Boriçi, Vasip Biçaku, Aristidh Parapani!

Ishin plot 10 Kampionë të Ballkanit në fuqi. Me përjashtim të njërit: durrsakut 18-vjeçar. Ky duhet të jetë ndoshta dhe kujtimi më i pashlyeshëm i Raq Manushit. Dhe i fundit kësisoji, çka përveç të tjerave, tregon se cili qe niveli i tij në raport me më të mëdhenjtë e futbollit shqiptar të epokës. Një 18 vjeçar midis një Poselli, një Llambi, një Teliti, një Biçaku dhe mu në krah të kampionit legjendar Loro Boriçi, deri para 4 vjetëve i Lazio të Romës!

Po çka ndodh? Shqipëria ndeshet mbas dy muajve me Rumaninë dhe humbet 4-0, Manushi nuk luan dhe kushedi se çka do të ketë ndodhur në kanceleritë e Komitetit të Sporteve. Nuk mund të jetë kurrsesi mungesa e tij që hyn në historinë e kësaj humbjeje të rëndë që do të shkarkojë në çast trajnerin Karapici. Por mu në këte 1947, do të shuhet përgjithmonë ëndërra e 18-vjeçarit tonë, i cili dashtë pa dashtë, edhe pse në një ndeshje prove, ishte bërë titullari më i ri i Kombëtares së Shqipërisë…

2.

Ai nuk i ndahet atletikës. Merreni me mend, një 18 vjeçar, i cili është titullar i 11-shit të njërës prej skuadrave më të mira të Shqipërisë, Teutës së Durrësit, i cili përzgjidhet në Kombëtaren e Atletikës 1946, i cili thirret dhe nxirret në fushën e lojës nën fanelën e Kombëtares së Futbollit 1947 dhe i cili nxiton për të rrëmbyer titujt e Kampionit të Shqipërisë në atletikë!

Ky ka qenë Raq Manushi, të cilin edhe sot 18 vjet mbas rënies së atij Regjimi që e mundoi aq fort (natyrisht jo vetëm ate), “nuk e njeh” Shqipëria sportive, deri aty sa që tetë gazeta sportive të Shqipërisë nuk gjejnë dy rreshta vend për të dhënë lajmin për ndarjen e tij nga jeta! Jo vetëm për nderin e këtij fisniku ndër të fundit e sportit shqiptar, por në tanësi për hir të kujtesës historike të Shqipërisë!

… Ai turret për te atletika: Kampion i Shqipërisë në 200 metra më 1945, vetëm 16 vjeç! Kampion i Shqipërisë në 200 metra edhe më 1947, vit kur thirret edhe me Kombëtaren e futbollit të Shqipërisë! Sot e kësaj dite rast i vetëm në historinë e sportit shqiptar. Ndërkaq, Kampionati Kombëtar i atletikës i vitit 1947 ka një duel i rrallë në garat e shpejtësisë. Eshtë ai midis rekordmenit të mirënjohur të Shqipërisë së asokohe Zef Frania të Partizanit dhe Raq Manushit të Yllit të Kuq të Durrësit, siç thirrej Teuta. Në 100 metra fiton Zef Frania për 1/10 tës sekondës (11.3) ndaj Manushit. Në 200 metra fiton Manushi për 6 të dhjetat ndaj Franias. Ka qenë gusht 1947. Dhe prej këtu drejt e në ndeshjet e Kampionatit Kombëtar të futbollit.

Mbërrin viti 1949 që për te është krejt i bujshëm për kah universalizmi atletik i tij. Ai provon kërcimin së gjati dhe ja ku shpallet edhe në këte disiplinë tjetër Kampion i Shqipërisë me 6.20, kur ende rezistonte rekordi i kohës së Mbretërisë i Sabit Çokut (6.58). Eshtë Nënkampion në 100 metra gjithnjë mbas Zef Franias, por shpërthen në pesëgarësh duke ia rrëmbyer titullin e Kampionit të Shqipërisë një atleti të plotë, siç ishte universali Vlash Koljaka! Një vit më vonë, më 1950, sprinteri ynë ka titullin e tij të madh për asokohe, atë të Kampionit të Shqipërisë në 100 metra me kohën 11 sekonda (10.9 rekordi kombëtar). Ishte kulmi atletik i Kampionit me emrin Raq Manushi. E tash e mbrapa vetëm futboll.

Një futboll gjakues (pasionant), ritmik, i pastër, i ndershëm, i një karakteri të lartë që vjen vetëm prej asaj, fisnkërisë. E hap mbas hapi do të mbesë “i vetëm”. Do t’i ikin të gjithë shokët me të cilët ai kishte qenë më i riu dhe me të cilët kishin rithemeluar Teutën e Mbasluftës. Nuk do të ishin më me te Jeremiqi, Murati, Gjiri, Njala, Tati, Haçkovija, Hajdari, Fërmija, Margeriti, Pasha, Tartari. Korçari, e as i vëllai Xhorxhi Manushi. Mosha bën të sajën, po ndonjerin si shokun e tij të afërt Zihni Dervishi do ta rrëmbente burgu politik për vite të tana. Skuadra e vjetër e Durrësit do të ndërrohet e gjitha. Me përjashtim të njërit: Manushit II, të cilit do t’i binte barra të ruante lidhjen e traditës me të ardhmen. Kjo ka qenë periudha kur ai shndërrohet në simbol i qytetit bregdetar. Tash ai hyn në pjesën e dytë të 15 vjetshit të tij sportiv, me një autoritet, me mjeshtri dhe karakter, me sakrificë dhe nobilitet. Lokomotiva ose Teuta e Durrësit do të përvijojë duke prodhuar futbollistë e sportistë të famshëm për Shqipërinë, natyrisht edhe më të mirë se sa ai, por simbolin “Raq Manushi” nuk do të jetë aq lehtë për ta mbërritur një i dytë.

Gjatë gjithë dhjetvjetëshit të viteve ’50, të dukej se kishte mbetë i vetëm. Nuk është kështu. Ai do të shkrihej me shokët e rinj që sapo vinin, sepse ata përveç të tjerave, ishin djem të mrekullueshëm. Eshtë e vështirë t’i rreshtoj emrat e futbollistëve një për një të cilët në këte dhjetvjetësh qenë bashkësia e tij, shoqëria e tij e pastër, sepse kur përmend emrat gjithmonë dike harron, diku gabon. … Zalla, Pasha, Pasku, Shyti, Myshku, Duma, Murati, Çeta, Thimio, Llavda, Bruti, Selimi, Hasa, Qoshja, Bespalla, Saraçi, Ruli, Ciko, Gjoci, Pisku, Daja, Myhyrdari, Muka, Dani, Gjoni, Borshi, Topçiu, Sinjari, Hoxha, Muka… Të paharrueshëm. Për ate çka u përpoqën t’i jepnin qytetit të tyre në ato kohëra kur futbolli luhej vetëm për kënaqësi dhe fisnikëri. I gjithë ky brez nuk mund të shkëputej prej Manushit. Ai ishte për ta lidhja e fortë me Teutën tradicionale, me Teutën e vjetër të Mbasluftës që ashtu si ajo e viteve ’30, i përkiste e gjitha një fisnikërie sportive qytetare.

3.

Fati plot trille i futbollit kishte për t’i ruajtur dy kulme të viteve ’50. Fundoren (finalen) e Kupës së Shqipërisë të vitit 1957, që për fat të keq nuk është përkujtuar asnjëherë, ndonëse përbën një nga më të rrallat, më të bukurat, më dramatiket në historinë e Shqipërisë. Eshtë Partizani – Lokomotiva e Durrësit e 3 nëntorit 1957. E vërteta është se nuk mund të mbërrihej deri këtu pa Raq Manushin. Vështroni ecurinë e skuadrës së Durrësit në këte Kupë: Puna e Korçës – Lokomotiva 1-2, shënojnë Manushi e Bespalla; Lokomotiva – Puna e Vlorës 4-0, shënojnë Manushi (2), Bespalla, Çeta; Lokomotiva – Puna e Korçës 1-0, shënon Hasa. Dhe mandej fundorja (finalja) me Partizanin në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa”. Me kulminacionin “tragjik” të minutës 85, mbas një loje të shkëlqyeshme të Manushit e shokëve të tij. Eshtë 0-0. Dhe Niko Bespalla i ri, i cili fiton një 11-metërsh, e i cili po vetë vihet para portës së Maliqatit me topin te pika e bardhë. Dhe Maliqati që prêt! Ishte minuta 85! Do të kishte qenë me siguri goli i Kupës së parë për skuadrën e Durrësit. Por… rifillon loja dhe pa kaluar 120 sekonda ngjitet në katedër “profesor” Refik Remsja dhe 1-0 për Partizanin. 180 sekonda më vonë po ai dhe 2-0! Minuta e 90-të dhe fund. Shkruan Anton Mazreku: “Bespalla deri në mbarim të shekullit XX, do të vazhdojë të shohë në endërr penalltinë e tij…Dy aparateve të radios iu digjen llampat. Atij të tifozit durrsak nga dëshprimi, atij të tifozit të Partizanit nga gëzimi”.

Lokomotivës së Durrësit do t’i duhej të priste edhe 18 vjet për të fituar një Kupë të Shqipërisë: 1975!

Ky ishte futbolli. Qe rrëzuar Durrësi kur po mbërrinte mu në fron. Emrat e kësaj Nënkampioneje durrsake të pafat të Kupës së Shqipërisë, nëse do të mund ta përcaktonim kështu, mbeten megjithate në histori: Qoshja, Thimio, Murati, Pasku (Shyti) Llavda, Manushi, Hasa, Bespalla, Myshku, Saraçi…

Me këte arritje të madhe po i afrohej fundi i karrierës 15 vjeçare të kampionit tone, 16-vjeçarit të vitit 1945, atletit, po dhe kampionit të kërcimeve në ujë dhe futbollistit, sportistit universal të sportit shqiptar, Raq Manushi.

Futbolli është i pamshirshëm, dihet. Hap mbas hapi, Teuta e Durrësit do të kishte edhe ajo rënien e saj. Siç do ta kishin të gjitha klubet qytetëse të asokohe të Shqipërisë të cilët i rrënonte prepotenca e pamshirshme e PartizanDinamos. Ata do të binin rradhazi: Vllaznia, Besa, 17 Nëntori, Lokomotiva, Labinoti, Skenderbeu… Lokomotiva bie në kategorinë e dytë më 1958, por në vitin 1959 Raq Manushi nuk do t’i braktiste shokët e tij më të rinj. Do të luajë edhe për titullin e detyrueshëm të Kampionit të kategorisë së dytë më 1959, por edhe për Kampionatin e tij të fundit Kombëtar më 1960.

Këtu mbyllen 15 vjetët e sportit dhe të futbollit qytetar të një fisnikërie të Raq Manushit.

4.

Si shumë të tjerë edhe ai nuk qe i përshtatshëm për Regjimin. Do ta përzenin mbas dy tre muajve prej klubit Partizani si të padëshirueshëm. Jorrallë do ta kërcënonin, ashtu siç mësohet prej këtij kalimi të marrë prej librit tonë “Historia e Kampionateve të Shqipërisë (Vitet 1950-55):

“Një shkrim i pamëshirë i "Sportit popullor", godet frikshëm! Titulli "Kundër ideologjisë borgjeze dhe armikut të klasës" është thelbi i një fushate që nis nën fjalët më absurde që mund të ekzistojnë në një bashkësi sportive: "Lufta e armikut të klasës kundër fiskulturës e sportit".

Dhe nënvizon se:

"Fiskulturistë si Enis Boletini, Nedrete Pipa, Sotiraq Manushi, bij tregëtarësh dhe çifligarësh, kanë dëmtuar me ideologjinë e tyre borgjeze duke luajtur një rol negativ në përhapjen e aktivitetit tonë sportiv".

E pra ishin ndër sportistët më të shquar të vëndit! Madje Boletini mjeku i cili pas pak vitesh do të jetë Dr. Enis Boletini (i biri i Adem Boletinit të vrarë nga komunistët gjatë Luftës) ishte nipi i Isa Boletinit legjendar. Nedrete Pipa - një ndër basketbollistet më të talentuara të Shqipërisë - ishte motra e shkrimtarit tonë të madh Arshi Pipa dhe më vonë bashkëshorte e qëndrestarit antikomunist të burgosur për një kohë të gjatë, Uran Kalakula; Raq Manushi, sportist universal i Durrësit, ishte bir i familjes nobël të Manushëve, i cili gjithashtu do të vuante gjatë persekutimin, por duke ia arritur të mbijetojë deri duke i dhënë skuadrës së Durrësit dy bijtë e tij futbollistë të shquar të viteve ’80, Ledi e Mimi.. Partia po e ndante dysh sportin kombëtar, ndarje që nuk do të ndalte me ulje e ngritjet e saj deri më 1990-91!”

Mbas largimit nga sporti, edhe Raq Manushin dhe gjithë familjen e shquar të Vangjel Manushit, babait të tij, emrin e të cilit ai e do ta bartë te djali tij më i madh, Vangjel Manushi i sotëm, do ta priste internimi, izolimi dhe kërcënimi i vazhdueshëm i burgosjes, mbasi ia kishin marrë të gjitha dhe e kishin flakur në një nga bodrumet e qytetit.

Ai do të zhdukej nga qyteti i tij i dashur për një kohë, për të ardhur vetëm me një leje, mu në qytetin të cilit i kishte falë vitet më të mira të rinisë së tij, duke u bërë simbol i sportit, i qytetarisë së një fisnikërie.

Në shtëpinë e mikut të tij të jetës, Syrri Rrojit, në një rrugicë tiranase në të majtë të Rrugës së Kavajës, shihja çdo javë një motoçikletë “Vespa” që qëndronte e heshtur nën një strehë të ngushtë. Ishte “Vespa” e Raq Manushit, që me përjashtim të shokut të tij besnik, askush nuk guxonte ta ruante këte simbol të Evropës. Syrriu mendonte se ndoshta një ditë i zoti i saj, do të mund t’ia ndërronte marshet dhe të dëgjonte edhe një herë zhurmën e lehtë dhe të butë të kësaj makine elegante që kishte pushtuar Italinë dhe Evropën e viteve ’50-’60 si një simbol i modernizimit dhe jetës së lirë. Ishte e pamundur… I zoti i saj nuk arriti ta ndezte më motorrin e “Vespa”-s së tij…

Dhe kur mbas vitesh u kthye nga internimi dhe papritmas u shfaq plot mirësi dhe pa një grime urrejtje sado të vogël, rrugëve të Durrësit të tij të dashur, atij prap mendja i shkoi te sporti i tij fisnik. Dhe… Ledi e Mimi! Dy Manushët e rinj – bij të tij, të cilët do të plotësonin kuartetin sportiv të familjes Manushi një çerek shekulli më mbas: Xhoxhi Manushi, Raq Manushi, Ledi Manushi, Dhimitër Manushi!

Këta dy të fundit, Ledi dhe Mimi, do t’i përkisnin viteve ’80. Ky qe pasioni i fundit i Raq Manushit që krejt papritmas e ktheu edhe një herë mbas 25 vjetëve në qendër të vëmendjes së Durrësit sportiv. Binjakët e tij do të shfaqen në historinë e futbollit shqiptar thuajse përmes një përkimi dramatik me babain e tyre. Ashtu si ai, edhe ata do të dilnin në fushën e lojës krejt të rinj, 17-vjeçarë, në Kampionatin 1984-85. Ledi Manushi në ndeshjen Lokomotiva – Flamurtari 0-0 të 3 marsit 1985 dhe Dhimtër Manushi mbas një muaji në ndeshjen Lokomotiva – Besëlidhja 2-0 më 7 prill 1985. Trajneri i Lokomotivës (Teuta e sotme) i mirënjohuri Petraq Ikonomi, nuk nguron më tej, kur vendos t’i shndërrojë në titullarë djemtë e mjeshtrit - simbol të dikurshëm të qytetit të tij, Manushit II të viteve ‘40 dhe ’50. Episode të traumave, shpesh bashkëudhëtare të sportistit, nuk do t’iu lejonin të bënin karrierën e gjatë të babait. Por për ta futbolli do të shfaqej gjithashtu tejet tërheqës, në plot 8 Kampionate të Shqipërisë 1985-1991, në rreth 100 ndeshje të secilit, ndeshje titullarësh të një trashigimie të shpejtësisë, teknikës, të temperamentit si të një rikthimi të bujshëm për kah tërheqja që futbolli i tyre mbresëlësës iu shkaktonte tribunave të Stadiumit, që shpejt do të merrte emrin e Niko Dovanës historik. Ata do të largohen nga futbolli më 1991, mu në agun e përmbysjes së atij Regjimi që i kishte patur jopak në shéj, prapseprap duke ia arritur të ringjallin një traditë, duke i blatuar fisit të tyre Manushi rikthimin përmes mundimeve…

Ata ishin gëzimi i madh i Raq Manushit dhe bashkëshortes së tij fisnike, Vola …

***

E titullova këte shkrim “Lamtumira e Raq Manushit dhe fundi i fisnikërisë sportive të Shqipërisë” për të kujtuar se Shqipëria ka pasë edhe fisnikërinë e saj sportive. Që nuk e ka më?...

Nuk e di. Di vetëm se në portretin e tij, Raq Manushi është një fisnik, i cili buzagazin e tij human nuk e shoi kurrnjiherë prej fytyrës së tij, as kur kjo qe aq e vështirë për t’u ruajtur. Dhe po kështu, e ruajti edhe atëherë kur Regjimi ra, kur ai rifitoi edhe ato të drejta që atij dhe gjithë familje së tij i qenë mohuar. Duke mbetur po ai… Pa kërkuar diçka, pa iu ankuar dikuj. Për të gjitha këto Durrësi e nderoi javën që shkoj në përcjelljen e fundit duke e vënë të pushojë lart në kodër, si për të dashtë t’i krijonte mundësinë e përjetshme që të mos e ndante vështrimin e tij prej Durrësit, detit, bashkëqytetarëve të tij të cilëve ashtu si dhe shumë bashkëshokë të tij, iu blatoi gëzime mu në kohën kur ato ishin aq të pakta dhe aq të vështira për t’u blatuar…

Vetëm pak ditë më parë, menjëherë mbas 80-vjetorit të tij të lindjes, miku i tij Pjetër Rodiqi, më propozoi për një shkrim për te. Fataliteti e desh që unë të shkruaja vetëm mbas ndarjes së tij nga jeta. Midis moshkruarjes dhe shkruarjes kaluam kësisoji te një kufi kaq i ngushtë i ditëve midis jetës dhe vdekjes së tij. Ai nuk ishte prej atyre që kërkonte një shkrim për veten. Kësisoji, edhe me lamtumirën e tij na krijoi këte mundësi për të shkruar këte histori që ai e dinte mirë se nuk ishte kurrsesi vetëm e tija, por e gjithë asaj fisnikërie sportive shqiptare në modestinë e vet, një kalorës nobël i spikatun i së cilës qe edhe Raq Manushi…



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora