E premte, 08.11.2024, 08:29 PM (GMT)

Sport » Sporti

Një fundvit "i qetë" sportiv

E marte, 30.12.2008, 12:45 PM


Disa prej episodeve më të çuditshme në histori, ku mes protagonistëve figuron edhe Altin Rraklli

Sporti nuk shërben vetëm si një urë lidhëse mes popujve me kombësi të ndryshme, apo për të ulur tensionet e shumta që ekzistojnë në botë. Ai shndërrohet edhe në katalizator për situata të dhunshme, momente gazmore dhe "dhuron" episode nga më të çuditshmet. Kjo është një përmbledhje e shkurtër me ngjarje që mbahen mend, radhitjen e të cilave (për fat të keq) do ta fillojmë me dhunë. Në një prej situatave, protagonist ishte edhe ish-sulmuesi i njohur shqiptar, Altin Rraklli.

Gjermani - shtator ‘98

Ndeshje e Bundesligës II, ndërmjet Unterhashing dhe Energie Kotbus: menjëherë pas fërshëllimës finale të takimit (ku vendasit fituan 1-0), lojtari i Kotbus, Labak hedh "K.O." kundërshtarin e tij direkt, Zimerman. Kjo solli një sherr masiv në fushën e lojës, ndërmjet lojtarëve të të dyja ekipeve. Për të evituar që situata të degjeneronte më tej, është dashur edhe ndërhyrja e trajnerit të Unterhashing. Një prej sportistëve më aktivë në këtë sherr ka qenë sulmuesi shqiptar, Altin Rraklli. Kavajasi, që në dhjetë vjet aktivizim me kombëtaren kuqezi (1995-2005) ka shënuar 11 gola në 63 ndeshje të luajtura, i është vërsulur portierit të ekipit mik, Tomislav Piplica. Arsyeja? Me formën e jashtëzakonshme që "gardiani" i Kotbus tregoi në këtë sfidë, i kishte mohuar disa herë golin.

Bangladesh

Një sherr i përmasave të frikshme ndërmjet tifozerive të kundërta gjatë një ndeshjeje futbolli. Bilanci ishte mjaft tragjik: në stadium nuk munguan as të shtënat e pistoletës, që në fund shkaktuan 2 të vdekur dhe 40 të plagosur rëndë. Për të qetësuar situatën ishte e nevojshme ndërhyrja e ushtrisë...

Paolo di Canio
Angli

Paolo Di Kanio është etiketuar për një kohë të gjatë si "djali i keq" i futbollit. Nofka iu vendos në sfidën ku Shefilld Uenzdei priti në fushën e saj Arsenalin. I pakënaqur për një vendim të gjyqtarit Pol Ankok, sulmuesi italian e shtyu në mënyrë të dhunshme, duke e rrëzuar në tokë (shiko foton). Pas këtij veprimi dhe dënimit të rëndë nga Federata Angleze, Di Kanio deklaroi publikisht se do të tërhiqej. Gjithsesi, ai vazhdon të luajë me amatorët e Çisko Roma. Gjatë kësaj periudhe, lojtari rifitoi respektin e opinionit sportiv në Britaninë e Madhe. Në vitin 2001 fitoi çmimin "FIFA Fair Play", pasi në dhjetor 2000, në takimin me Evertonin, ai nuk shfrytëzoi një rast të pastër goli. Portieri kundërshtar qëndronte në tokë i dëmtuar dhe vetëm pak metra larg portës, Di Kanio merr topin në dorë, duke refuzuar ta dërgonte në rrjetë. stadiumi e duartrokiti gjestin për shumë minuta, gjyqtari i takimit nuk e ndëshkoi me karton, por i shtrëngoi dorën, ndërsa FIFA e cilësoi si "një sjellje speciale të një sportisti të mirë".

Shumë të butë për të qenë boksierë

Boksi njihet botërisht si sport burrëror, por sportistët janë njerëz dhe si të tillë kanë ndjenja. Në shkurt të vitit 1997, zhvillohej dueli i peshave të rënda ndërmjet MekKoll dhe Ljuis. Gjatë sfidës, MekKoll kapet nga një krizë nervore, qan dhe skualifikohet, pasi u cilësua nga arbitrit "i paaftë për të mbrojtur titullin e kampionit", brez që fitohet nga Ljuis. Në qershor të po atij viti, kampioni i ri mbron titullin përballë bashkëkombësit anglez, Akinuande. Ai skualifikohet në raundin e pestë, sepse në vend që të duelonte, mbahej te kundërshtari, duke "e përqafuar" fort. "Fillova t‘i bërtisja", kujton Mark Ratner, shefi i komisionit sportiv në shtetin e Nevadës. Në atë periudhë, zyrtari i lartë i boksit ishte mjaft i zënë me punë, pasi vetëm pak kohë më parë kishte skualifikuar Majk Tajson për kafshimin e famshëm në veshin e Hollifild.

Pengu, në liri falë një goli

Forcat speciale të përzgjedhura nga policia kolumbiane liruan një biznesmen që prej 140 ditësh mbahej peng nga një grup keqbërësish. Aksioni u zhvillua gjatë ndeshjes së futbollit Kolumbi-Venezuelë. Operacioni ishte i suksesshëm edhe falë pasionit të pengmarrësve për lojën e top-këmbës: policia veproi në mënyrë surprizë, duke thyer derën në momentin ekzakt kur Kolumbia shënoi. Ai gol i dhuroi skuadrës kualifikimin në Botërorin 1998.

Futboll dhe besim

Prifti i qytezës holandeze, De Lute, ka gjetur një mënyrë origjinale për të bashkuar pasionin për futbollin me interesimin e tij për "delet e humbura". Gjatë ndeshjeve që skuadra luante në shtëpi në shtator ‘97, ai i bënte publicitet kishës me një tabelë dy metra të gjatë. aty shkruhej: "Çdo të diel pasdite vini në ndeshje, në rregull. Po në mëngjes ku ishit? Nga prifti juaj". Pol Tervort (ky është emri i priftit) deklaronte se për njerëzit, pjesëmarrja në mesha mund të ishte po aq e këndshme sa edhe një ndeshje futbolli.

Vlera e kartonit, dy tonë çimento

Verë ‘98. Lista e transferimeve në kategorinë e dytë rumune: Robert Nita, kalon nga Hunedora te Fieni. Për të siguruar shërbimet e futbollistit 21-vjeçar, klubi i ri pagoi... dy tonë çimento! Në shtëpinë e të varfërve të Evropës (kështu njihet Rumania), shkëmbimi i mallrave në vend të parave është diçka më se normale. Gjithmonë duke qëndruar në kampionatin inferior të këtij vendi, një lojtar nuk u pagua në kontratën me klubin e ri, por përfitoi një sasi të papërcaktuar mishi derri.

Doping vampiresk

Atletja indoneziane, Ruvijati, ka zbuluar një mënyrë të veçantë dopingu. Fituesja e maratonës së Lojërave të Juglindjes Aziatike, deklaroi se sekreti i suksesit është... gjaku i trajnerit të saj! Gjatë një interviste për "Indonesian Observer", atletja rrëfeu se, përpara çdo gare, e ka zakon të pijë pak gjak nga gishti i Alvi Mugijanto (trajneri). "Nuk e di përse", tha Ruvijati, "por pasi shijoj gjakun e tij ndihem në formë të jashtëzakonshme".

Sport dhe seks, kuriozitet

- Alfredo Binda, një nga çiklistët më të mëdhenj, e thoshte vazhdimisht se sekreti i suksesit të tij ishte kryerja e një marrëdhënieje seksuale në vit.

- Ben Johnson, para kompeticioneve, u kërkonte vazhdimisht organizatorëve, që t‘i vinin në dispozicion dy vajza të bukura sa për të bërë... nxehmjen e duhur.

- Sipas studimeve, femrat që bëjnë seks pak para kompeticioneve sportive, arrijnë të zhvillojnë paraqitje më të mira.

- Gjatë Olimpiadës së Sidneit një firmë prodhuese ilaçesh u dhuroi prezervativë 11.000 atletëve dhe trajnerëve të seksit mashkull. Kur duheshin vetëm tri ditë nga përfundimi i aktivitetit, atletët bënë një kërkesë për një "donacion" prej 20.000 prezervativësh të tjerë.

- I vetmi rast në të cilin, sigurisht, nuk duhet të praktikohet seksi nga ana e atletëve të seksit mashkull është vetëm pak kohë para garës, pasi është e sigurt që humbet 10/12% të eficensës.

- Shumë studime zbulojnë se personat aktivë kanë një jetë seksuale më të gjallë në krahasim me dembelët.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora