E premte, 01.11.2024, 12:33 AM (GMT)

Sport » Sporti

Vojsava Lika e Greqisë – fenomeni shqiptar i Osaka 2007

E hene, 03.09.2007, 09:42 PM


Nga Besnik Dizdari

Vështroni këto tri foto. E para, ajo ku duket një vajzë 17-vjeçare duke hedhur shtizën, zbehtësisht është e gjitha e markës shqiptare dhe daton më 1 shtator 1987. Dy të tjerat janë të markës botërore të IAAF (Federata Ndërkombëtare e Atletikës së lehtë) dhe datojnë të dyja te një ditë e vetme, 31 gusht 2007. Janë foto epokale të dy shekujve sportivë, atij XX dhe këtij XXI. Në foto është i njëjti njeri: atletja shqiptare por dhe e Greqisë, Vojsava Lika. E para është një foto e sportit të mundimeve të mëdha të Shqipërisë së ashtuquajtur Socialiste, e targës 1987. E dyta është një foto e Kampionatit Botëror të Atletikës “Osaka 2007” e botës moderne dhe të lirë, e targës 2007. Dhe sa kundërshtojnë njëra tjetrën aq dhe bashkohen në një. Ajo që i bashkon është rrugëtimi sportiv i një atleteje të rrallë, i një rezultati që ka një fillim, një braktisje, një vazhdim dhe një ngjitje deri në majë. Në fund të fundit dy caqe plot 20 vjet larg njeri tjetrit, që përmbledhin një episod epokal për vetë atletikën botërore.

X X X

Kampionati Botëror të Atletikës që përfundoi pardje ka regjistruar kështu një ngjarje sensacionale, unikale në historinë e atletikës botërore. Një atlete, prodhim “made in Albania” mbi 20 vjet më parë, mbasi qe bërë po 20 vjet më parë Kampione dhe Rekordmene e Shqipërisë, mbasi e braktis atletikën në moshën 21 apo 22 vjeç mbase, dhe mbasi struket në një fshat jo në rrethinat e Athinës së Greqisë apo të Osakës së Japonisë, por në rrethinat e një qyteti të vogël me emrin Krujë të Shqipërisë, shpërthen në moshën 37 vjeç jo vetëm me rezultatin e saj më të mirë në jetë, por dhe duke u renditur midis pesë sportisteve më të mëdha të botës në hedhjen e shtizës, një nga garat më të rënda, më “heroike” të atletikës.

Ky është sensacioni i Kampionatit Botëror të Osaka 2007. Kjo është një nga historitë më të pashembullta të atletikës botërore, një befasi e përmasave gjigande për vetë shkencën sportive, e një vështrimi social, e një aventurë të rrallë edhe si një histori emigrimi.

Ngjarja e jashtëzakonshme i përket ditës së premte, të 31 gushtit 2007, në fundoren (finalen) e hedhjes së shtizës për femra të Kampionatit Botëror, garë e fituar prej Barbora Spotakova e Republikës Çeke me 67.07 metra, simbas kësaj renditjeje të 12 finalistëve midis mbi 30 atleteve pjesëmarrëse.

1. B. Spotakova / CZE 67.07

2. C. Obergfoll / GER 66.46

3. S.Nerius / GER 64.42

4. N.Brejchova / CZE 63.73

5. S.Lika / GRE 63.13

6. S.Bisset / CUB 61.74

7. M.Abakumova / RUS 61.43

8. L.Stahl / GER 61.03

9. B. Madejczyl / POL 58.37

10.O.Ivankova / UKR 57.87

11.F.Tilea-Moldovan / ROM55.71

12.P.Tarvainen / FIN 53.50

Merret me mend se Sava Lika, siç i shkruhet emri shkurt, dhe siç e kanë thirrur edhe në Shqipëri, nuk është ngjitur në podiumin e tre medalisteve, sepse ajo është renditur e pesta, e pesta në botë, e pesta në Kampionatin Botëror të Atletikës në vitin sportiv 2007. Por kjo nuk mjafton. Vojsava Lika e datëlindjes 27 qershor 1970, 1.73 metra shtatlarë dhe me peshë trupore 68 kilogram simbas të dhënave të biografisë së saj në skedën e IAAF-t, arrin këte renditje botërore dhe rezultat të klasit më të parë të nivelit borëror, në moshën 37 vjeç, duke habitur jopak një mjedis të vetë shkencës së atletikës. Midis 40 interpretueseve të shtizës, të cilat kanë 40 rezultatet më të mira të të gjitha kohërave të historisë së njerëzimit për atletikën, vetëm Vojsava Lika dhe Lada Chernova e Rusisë arritën rezultatin më të mirë të jetës së tyre në moshën 37 vjeç. Dhe të dyja këto moshatare e arrijnë në këte vit 2007, e po të dyja në shifrat e përtej 63 metrave. Por me një ndryshin kolosal: Vojsava Lika vjen nga shkolla modeste e shqiptare e shtizës, ndonëse nuk mund të mëtojmë se kemi një shkollë të tillë; ndërsa Chernova vjen nga shkolla, ndoshta më e përparuar e botës si traditë, ajo e Rusisë! Ka dhe një ndryshim tjetër: Chernova nuk mundi të shkojë më larg se vendi i 16-të në Osaka 2007, ndërsa Lika e 5-ta.. Kësisoji, rasti i shqiptares që përfaqëson Greqinë është më se unikal. Sepse merret me mend, se çfarë peshe psikologjike e fizike duhet të përballlojë një atlet pjesëmarrës në një finale të një Kampionati Botëror

Ndërkaq, i kujtojmë lexuesit se me këte shkrim nuk kemi ndërmend të ngjallim një krenari kombëtare boshe, e t’i kundërvihemi e t’i tregojmë rrugë Greqisë, e cila ka një meritë të madhe, sepse ia arriti ta shndërronte edhe Vojsava Likën në atlete të nivelit botëror. Dhe as që të marrim poza tashmâ të demoduara atdhetarie. Ajo që do të donim të thonim në këte shkrim, është vetëm kjo: mbasi kemi treguar disa herë deri në hollësi historinë e Mirela Manjanit, dy herë Kampione e Botës, një herë Kampione e Evropës, një herë Nënkampione Olimpike, një herë Nënkampione e Botës, Medalje e Bronztë Olimpike dhe Rekordmene e Ballkanit në fuqi, do të dëshëronim të tregonim shpejt e shpejt edhe historinë e Vojsava Likës jo vetëm për regjistrim historie, çka e kemi parësi të llojit të gazetarisë që ushtrojmë, po për t’u bindur edhe një herë se toka e vogël shqiptare ia ka arritur në të rrallën e vet të prodhojë talente sportivë të nivelit botëror, dhe se mandej ajo nuk ka patur forca për më tej, dhe i ka braktis ata. Temë e vjetër, disi e konsumuar dhe nuk ia vlen ta ritrajtosh. Ajo që tregojmë kësaj here është vetëm një kujtesë ngaqë me sportin e madh ne heshtim në mënyrën më të çuditshme.

X X X

Vojsava Lika ka lindur në fshatrat e Krujës, të paktën kështu thotë shkrimi që ka firmosur për botim autori i këtyre rradhëve me cilësinë e kryeredaktorit të “Sportit popullor”, sportivja e vetme e Regjimit, sepse asokohe kryeredaktori i firmoste shkrimet dhe ishte ai përgjegjësi i vetëm për çka shkruhej.

Në të vërtetë janë dy shkrime. Njeri i përket numrit të “Sportit popullor “ të 7 gushtit 1987 me autor një gazetar të ri, Robert Papa, sot i mirënjohur, i cili përshkruan Kampionatin Kombëtar të Atletikës ku dy atlete: Virgjinush Limani e 17 Nëntorit dhe Vojsava Lika e Shkollës së Mjeshtërisë së Durrësit, thyejnë rekordin kombëtar, duke kaluar të dyja për herë të parë në histori 50 metrat në hedhjen e shtizës: Limani 50.56 dhe Lika 50.54 metra, që për Shqipërinë ishte një kufi historik. Fotot janë botuar së bashku me shkrimin të dyja në faqen e parë të gazetës. Për çudi muaji është po gusht, veçse një gusht i shekullit të shkuar dhe, duhej të kalonin plot 20 vjet, që 17 vjeçarja Vojsava Lika e vitit 1987 të mbërrijë sin jë 37 vjeçare në pesë më të mirat e botës të vitit 2007.

I kthehemi po vitit 1987, saktësisht 11 tetor 1987 dhe shohim se Vojsava Lika bëhet Rekordmene e Shqipërisë për të rriturat me 53. 30 metra. Eshtë vetëm 17 vjeç! Mbas disa javëve, më 28 dhjetor 1987 është shkrimi tjetër. Autori është i ndjeri Bejkush Gjoni. Titulli i shkrimit është disi kooperativist: “Rekodmenia e re nga fshati Gjorm”! Titull gjithnjë i miratuar, firmosur prej autorit të shkrimit të sotëm, i vendosur në fund të faqes së dytë, në mënyrën më të papranueshme. Ishim në epokën e hyjnizimit të jetës së fshatit socialist dhe aty qe vend i shkrimeve për fshatin! Kur e vëren sot këte shkrim, me një foto të vogël ku trajneri i saj Enver Mysja, duket duke i treguar stilin vajzës 17-vjeçare, Sava Likës së sotme, e cila të premten e shkuar, ashtu si dhe të 12 finalistët e Botërorit të Osaka-s, pati edhe ajo skenën e saj në ekranin e televizionit transmetuar në gjithë botën, ndjehesh disi keq. Por shkrimi i cili me entusiazëm për rekordmenen e re nga fshati Gjorm, “bijën e një kooperativisti”, siç e përcakton, për fat thotë edhe se ”nuk na pengon asgjë”; e “kuptohet që edhe shtiza do të shkojë më larg”.

Janë fjalët e trajnerit. Natyrisht kurr nuk e ka përshkuar nëpër mend trajneri Enver Mysja, se 20 vjet më vonë do të kishte një Osaka 2007. Dhe jo vetëm ai.

Katër vjet më vonë, në faqen e parë të “Sportit popullor” të 9 shtatorit 1991, kemi botuar një shkrim për një atlete tjetër, kësaj rradhe 15-vjeçare, me emrin Mirela Manjani, dhe autori i këtij shkrimi me titullin “Eshtë fjala për një talent të rrallë“, është vetë trajneri Enver Mysja, i cili nuk përmbahet: “15-vjeçarja Mirela Manjani, thotë Enver Mysja, është në elitën botërore për rezultatet e moshës”. Në historinë e gazetarisë shqiptare nuk është botuar ndonjëherë një shkrim më profetik se ky për të ardhmen botërore te një sportisti shqiptar. Dhe me këte shkrim të vitit 1991 për ne po ndaheshin epokat Për Shqipërinë na duhet të pranojmë se këtu merr fund “miti” i Vojsava Likës, për t‘u ngritur miti i Mirela Manjanit. Doemos askush nuk mund të prashikonte se vetëm mbas pak vitesh ato do përbënin “derbin” e shtizës në tokën e Greqisë së lashtë!

Mirela u bë Mirela, Kampione Botës dhe gjithçka tjetër, mbasi qe bërë Kampione e Ballkanit dhe Nënkampione e Evropës (për të rejat) me Shqipërinë, e deri te rekordi kombëtar zâmadh prej 62.46 metrash që Mirela na e la mbasi e kishte nënshkruar me dorën e saj për Shqipërinë në Alabama të SHBA – i vetmi rekord shqiptar i vendosur në tokën e amerikane, për t’i thënë mandej një herë e mirë lamtumirë Vendit të ashtuquajtur të Shqiponjave. Prej këtu vjen e rritet në përmasa qiellore apogjeu i Mirela Manjanit, e cila siç ka përcaktuar IAAF, "ka një krah hedhës të shpejtë e të fuqishëm, por edhe flokë të gjatë të verdhë dhe tipare helenike prej një perëndeshe të Olimpit, përveç vendlindjes shqiptare, personifikim i forcës dhe bukurisë".

X X X

Trajneri Enver Mysja, nuk përmendet prej askujt sot në Shqipëri. Me sa dimë jeton jashtë, në SHBA, në shtetin më atletik të botës. Ai ka bërë dy parashikime të mëdha 20 dhe 16 vjet më parë. Me Vojsavën ka qenë më i kursyer. Me Mirelën ka shpërthyer. Në të dy rastet me mbështetjen e “Sportit” tonë, sa për të fiksuar edhe ne “meritat tona” perhapëse. Në tanësi i kanë dalë të dy parashikimet. E vërteta është se Mirela Manjani e ka zbehur tejet Vojsava Likën, e cila edhe pse përveçse Rekormene është edhe një herë Kampione e Shqipërisë, papritmas del shpejt nga skena shqiptare e atletikës, derisa mbas pak vitesh e braktis atletikën dhe emri i saj nuk figuron askund. Mbaron Shkollën e Mjeshtërisë dhe përfundon arësimtare në një fshat afër Gjormit, që quhet Thumanë. Nuk është më sportiste. Eshtë thjesht një arësimtare dhe Kampione e Rekordmene “e harruar” e Shqipërisë! Kjo ndodh 16 apo 17 vjet më parë, kur ajo atlete e cila sot më 2007 është midis pesë më të mirave të botës, asokohe mbase nuk mendonte asesi se prap do t’i rikthehej sportit, shtizës, titujve.

Vojsava Lika nuk do të ishte më atlete, ndoshta prej tre apo katër vjetësh. Papritmas emigron në Greqi si një e panjohur. Me sa duket rastësia e çon në një klub, dhe po aq papritmas dikush sheh se talenti, forca, pasioni, ambicja rizgjohen në mënyrën më të vetvetishme prej qënies së kësaj shqiptareje të fortë. Eshtë si në një përrallë, por në një përrallë e vërtetë.

Nuk dimë shumë hollësira. Dimë vetëm kaq: që Vojsava Lika bëhet hedhësja e dytë e shtizës në Greqi mbas Mirela Manjanit. Madje rivalizon me Mirelën e madhe, është shpesh e dyta mbas saj, një herë edhe Kampione e Greqisë.

Ky është sensacioni i parë i Vojsava Likës: mbasi e ka braktisë sportin për pak vjet gjen forca për të rifilluar. Gjithnjë “e mposhtur” prej hijes së pamshirshme të Mirela Manjanit. Qysh nga viti 2000, nuk ndalon progresi i saj i matun, disi shkallë shkallë, që e çon megjithate në dy suksese të rangut botëror: në gjashtëshe të Kupës së Botës dhe në finalen e Olimpiadës së Athinës (e 9-ta).

Dhe Osaka 2007. 37 vjeç në pesëshe të botës, shtiza e saj në 63.13 metra - rezultati më i mirë në gjithë karrierën e saj, në dy karrierat e saj: ate shqiptare të ndërprerë dhe këte greke të rifilluar.

Historia e shqiptarëve të mëdhenj të sportit botëror nën flamurin grek, mbasi i ka krijuar dhe rritur deri në një periudhë Shqipëria, duket se po merr fund me Vojsava Likën. Heshtja ka mbuluar Pirro Dhimën “Luanin e Himarës”, siç e ka quajtur numri 1 i revistave sportive, “Sport Illustrated” e SHBA, apo dhe Luan Shabanin. Heshtja ka rënë edhe mbi Mirela Manjanin. Dhe thonë që në “pleqni” i ikuri kërkon të kthehet në token e të parëve. Ndonëse është gabim të thuhet “heshtje”, ngaqë ata janë të skalitur në panteonin e sportit botëror.

Vojsava Lika është rasti i veçantë. Jo rasti i një titulli botëror apo olimpik, ndonëse e kuptoni se sa shumë do të thotë pesëshja e botës. Protagonistja jonë është rasti unikal (i vetëm) në atletikën botërore të rifillimit mbas lënies, të mbërrijtjes në pesëshe të botës mbas braktisjes së sportit, të shpërthimit mbas heshtjes së gjatë në moshën 37 vjeç, të rikthimit në olimp 20 vjet mbasi kishte qenë Rekordmene dhe Kampione e Shqipërisë. Një atlete mirëfilli e dy shekujve.

Sot atletika shqiptare ka plot 25 rekorde që i përkasin viteve ’80 të shekullit të kaluar, vite kur lindi talenti i Vojsava Likës, e vetmja nga plejada shqiptare e viteve ’80 të Shekullit XX, që mbijeton deri në dekadën e parë të Shekullit XXI. Nuk mbijeton si rekordmenia nga fshati Gjorm, siç titullonte shkrimi ynë i vitit, 1987, por si e pesta e botës e vitit 2007. Në fund të fundit, merita është e Greqisë, që besoi tek rifillimi i emigrantes “së panjohur” Vojsava Lika, vetvetiu “Kampione e Botës” e moshës 37 vjeç. E vetme! E pa rival në këte anagrafi. Kjo në një farë mënyre i përket edhe atletikës shqiptare. Jo për krenari kombëtare boshe, as si në një nacionalkomunizëm të asokohe, por për hir të së vërtetës, përsëri anagrafike të fillimit aty në Durrësin e Mirela Manjanit prej trajnerit të harruar Enver Mysja, qyteti dhe njeriu, të cilët i dhanë botës shqiptare, dy atlete botërore, në të vërtetë, krejt padashur, botës helene. Edhe kjo mbase hyn në globalizimin e sotëm botëror.

Ajo çka mbetet e rëndësishme është se Shqipëria ka 25 rekotde të pathyera të viteve ’80, të asokohe kur Vojsava Lika thyente rekordin kombëtar të shtizës për Shqipërinë, të cilin si Mirela ashtu si dhe Vojsava e kanë stërkaluar. Shifrat e tyre të këtyre viteve nuk janë më për ne. Madje simbas një rregulloreje nuk është më yni as rekordi shqiptar i Mirela Manjanit në Alabama. Libri i rekordeve të të gjithë shteteve i jep Shqipërisë rekordin e shtizës në vetëm 47.80 metra! Na duhet të fillojmë nga e para. Tash për tash as që mund të mendojmë për një rifillim, sepse për një gjë të tillë duhet një mjeshtre botërore e rifillimit e cila quhet Vojsava Lika. Mu ajo i mungon Shqipërisë. Nuk mund të shkojë më larg se sa qytetare nderi e rrethit të Krujës apo të Kurbinit.

Siç kemi thënë paradokohe, edhe atletika shqiptare kërkon ndërkaq, të hyjë në Shekullin 21. Mendja ta do që ndihet krenare për dy herë Kampionen e Botës, Mirela Manjanin "e saj", por edhe për “Kampionen e Botës” sui generis, 37 vjeçaren Vojsava apo Sava Likan “e saj”. Porta për të hyrë në shekullin e ri atletik tek është, po ne ende nuk arrijmë ta shohim. Jemi te vitet ’80 të Shekullit XX…



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora