Shtesë » Shoqëria
1 milion fjalë, fjalori rekord i anglishtes
E diele, 14.06.2009, 09:53 AM
Suksesi i një gjuhe përcaktohet nga numri i njerëzve që e flasin dhe rekordi i anglishtes në këtë fushë sigurisht që nuk mund të diskutohet. Nga interneti tek aviacioni, nga diplomacia te shkenca, nga turizmi tek akademia, ajo është kthyer në gjuhën e botës, në një mjet të domosdoshëm për të komunikuar në kohën e globalizimit. Por, suksesi i një gjuhe varet edhe nga shtrirja e fjalorit të saj dhe në këtë fushë gjuha e Shekspirit mendohet se do të vendosë një rekord të ri: pas një muaji, e më konkretisht në orën 10:20 të 10 qershorit, fjala e njëmiliontë angleze do të jetë zyrtarisht pjesë e fjalorëve. Nëse një milion fjalë ju duken pak, ose nuk ju duken shumë, mendoni se janë dyfishi i atyre që përbëjnë gjuhën e dytë me më shumë fjalë në botë: kinezishten. Për më tepër, qëndron shumë lart nëse e krahasojmë me italishten me 300 mijë fjalë, spanjishten me 250 mijë dhe frëngjishten me 100 mijë fjalë. Ai që ka bërë klasifikimin e gjuhëve me numrin më të madh të fjalëve dhe që tregoi se anglishtja është duke e kaluar pragun e 1 milionëshit, është një institut i quajtur "Global Language Monitor", me qendër në Teksas. Për hir të së vërtetës, jo të gjithë anglezët do të betoheshin se e njohin mirë gjuhën e tyre. Sipas ekspertëve të kësaj fushe, nga ana tjetër epërsia e anglishtes varet pikërisht nga lehtësia për të huazuar terma të huaj, për t‘i krijuar dhe përshtatur me evolucionin e shoqërisë. E në fakt kishte të drejtë princi Karl kur tha se gjuha më e përhapur në botë nuk është anglishtja e pastër, ajo që flet Mbretëresha Elizabet, por "Broken English", gjuha jo korrekte, pa gramatikë, që flitet nga emigrantët dhe nga miliarderët e huaj, për të cilët nuk është gjuha mëmë. "Një gjuhë pasurohet falë atyre që e përdorin dhe prova qëndron në asimilimin e vazhdueshëm të fjalëve nga hip-hopi, nga Bollywoodi, nga interneti. Megjithatë, ka më shumë njerëz që flasin anglisht në Kinë, sesa në vendet e ish-Komonuelthit britanik", tregon Pau Payack, gjuhëtar i qendrës "Global Language Monitor". David Crystal, docent i linguistikës në "Bagor University", tregon: "Asnjë gjuhë moderne nuk ka evoluar në mënyrë të tillë si anglishtja dhe kjo ka kontribuar që të ketë më shumë fjalë se të tjerat". Është e domosdoshme vërtet në këtë botë të globalizuar. "Sot nuk mund të navigosh në internet apo të marrësh një avion pa ditur pak anglisht", përfundon profesor Crystal. Por me të drejtë lind pyetja: Përveçse është gjuha më e folur në botë, pse ka më shumë fjalë se të tjerat? Por, ndërsa shumë gjuhë tregohen të ngurta ndaj huazimeve dhe përshtatjeve, anglishtja është krejtësisht e hapur ndaj tyre. Pastaj janë edhe ato që quhen "slang", apo mënyrat e të thënit. Shprehjet shkencore, që në një gjuhë tjetër do të kërkonin shumë fjalë, aty mund të përdoren me një fjalë të vetme (si për shembull "syzyrgy", bashkimi i tre trupave qiellorë). Për më tepër edhe përdorimi i gjithanshëm ndikon në ndryshimin dhe pasurimin e saj. Kur William Shakespeare shkroi "Hamlet"-in, anglishtja kishte pak më shumë se 100 mijë fjalë dhe jo më shumë se 2 milionë njerëz që e flisnin. Sot e flasin më shumë se 1 miliard e gjysmë njerëz dhe duhet të gjesh vende të braktisura dhe të shkreta ku mund të takosh ndonjë që nuk di asnjë fjalë në anglisht. Në 10 qershor, në orën 10:20 do t‘i shtohet fjalorit fjala e njëmiliontë e anglishtes, sipas vlerësimeve të bëra. Fjalori "Meriam-Webster" i gjuhës angleze përmban 450 mijë fjalë, ndërsa "Oxford Dictionary" gjysmën e tyre. Po ashtu, fjalori i përdorur nga një qytetar i thjeshtë në Angli mund të ketë rreth 14 mijë fjalë. Sipas linguistëve, janë shumë të paktë në numër ata që kanë një fjalor me rreth 70 mijë fjalë. Por, analistët e "Global Language Monitor" ndjekin rregulla të caktuara: deri kur një fjalë e re të hyjë në gjuhën angleze, shpjegojnë se duhet të përdoret nga të paktën 100 milionë njerëz dhe të jetë shfaqur të paktën 25 mijë herë në gjuhën e medias, sajtet e internetit dhe mjeteve të tjera të komunikimit. Një fjalë e re angleze, në bazë të normave të tilla krijohet në një cep planeti çdo 98 minuta dhe për shkak të këtij ritmi, anglishtja do ta kalojë shumë kollaj pragun e një milionëshit pas një muaji. Profesor Payack ka në mendje një treshe kandidatesh të mundshme: "defollow" dhe "defriend", fjalë të përdorura nga naviguesit e faqeve dhe rrjeteve sociale si "Facebook" dhe "Twitter", për të treguar atë që bëjnë me kontakte me të cilat nuk duan t‘i kenë më, ose fjalën "noob", një fjalë që përdoret për të identifikuar dikë që është i fundit i ardhur në një komunitet ose grup. Titulli i "fjalë së njëmiliontë" mund t‘i shkojë një prej këtyre të trejave, nëse anglishtfolësit e gjithë botës do të vazhdojnë ta përdorin gjithmonë e më shpesh. Domethënë janë fjalë që shumica e atyre që flasin anglisht mund të bëjnë edhe pa to, por pragu i një milionëshit i paralajmëruar prej "Global Language Monitor" nuk është shaka. Madje është aq i vërtetë, sa shtypi anglez nga tabloide të tilla si "Daily Mirror", që hapet me titullin "We are the word champ", e deri te prestigjiozja "The Economist", i kanë kushtuar një vend të rëndësishëm. Në fakt, janë shenjat e shëndetit, gjallërisë dhe aftësisë së vazhdueshme për t‘u rinovuar të kësaj gjuhe, që jo rastësisht është cilësuar si gjuha e krejt botës. Në mënyrë paradoksale, me këtë lajm shumë gazeta të tjera vendase shkruan dje se anglishtja nuk është gjuha mëmë e 900 mijë nxënësve të shkollave shtetërore të Mbretërisë së Bashkuar. Më shumë se një nxënës në shtatë të tillë, në shkollat fillore britanike, kur shkon në shtëpi në përfundim të leksionit, flet një tjetër gjuhë. Por ky pushtim shumetnik është limfa që ndryshon, evoluon dhe e bën gjithmonë të re gjuhën e Shakespeare-it. "Fëmijët që e flasin anglishten si gjuhë të dytë, janë shpesh burim frymëzimi për vendasit. Njoh shumë mësues që i konsiderojnë si diçka e mirë për komunitetin e tyre shkollor", thotë John Dundorf, sekretari gjeneral i "Association of School and College Leaders". Me pak fjalë, çelësi i suksesit është përzierja dhe shkëmbimi. Kështu, sa më shumë pasurohet, aq më shumë ajo pastrohet nga fjalët që nuk i duhen më. Më shumë se 47156 fjalë, sipas "Oxford Dictionary", nuk përdoren më.
Numri i fjalëve te gjuhët më të folura
Anglishtja 999.465.000 (një fjalë e re në çdo 98 minuta)
Italishtja 300.000
Spanjishtja 250.000
Gjermanishtja 200.000
Frëngjishtja 100.000
Numri i fjalëve te gjuhët më të folura
Anglishtja 999.465.000 (një fjalë e re në çdo 98 minuta)
Italishtja 300.000
Spanjishtja 250.000
Gjermanishtja 200.000
Frëngjishtja 100.000
Komentoni
Artikuj te tjere
Kush janë femrat më të pasura në botë
Shtatzënia dhe zhvillimi i bebes
Fenomeni i flijimit, i vjetër sa vetë jeta
Homogjenizimi i kulturës globale
Studimi, femrat flasin 546 fjalë në ditë më shumë se sa meshkujt
Vlora Banushaj: Tri rrugët e mia!
Naser Aliu: Letër grave...
Istref Haxhillari: Të vdekurit flasin me gjuhën e të gjallëve
Magjia e zezë dhe e bardhë
Dëshira për të vdekur
Kultura okulte dhe ndergjegja bashkohore
Aromë gruaje, cilat janë tetë femrat e famshme që mishërojnë aromën e parfumeve më të njohura
Raportet në çift, ku ndahet pushteti mes burrit dhe gruas
Ndëshkim me gjobë nëse dërgon një e-mail promocional tek të tjerët
Natyrale, si vet pranvera
Nehat Jahiu: Profesioni i mësuesit
Prindër të ndarë, nëna të pamartuara, fëmijë që paguajnë gabimet e tyre
Adem Harxhi: Martesa e vonuar dhe seksi
Enver Bytyçi: Psikologjia e solidaritetit
Emrush Bejtullahu: Njohuri mbi aftësinë e kufizuar dhe rehabilitimi (I)