E shtune, 27.04.2024, 03:51 PM (GMT+1)

Mendime

Lavdrim Lita: Pëllumba dhe Skifterë

E shtune, 13.06.2009, 02:13 PM


Pëllumba dhe Skifterë

Nga Lavdrim Lita

Marr leje të zbuloj diçka që qarkullon në medie dy ditët e fundit. Marr leje të zbuloj se çfarë i shtyn dy njerëz që kanë dy ide të ndryshme për jetën demokratike, por që kanë diçka të përbashkët në emërzim të shkruajnë në të dy të përditshme antitetike (Shekulli-Tema), por që sot kanë vendosur një temë të përbashkët: baltosje demokracisë. Pra shkurt në Shqipëri kemi dy pëllumba: I pari është Pëllumb Kulla, antikomunist i thekur, i dyti Servet Pëllumbi, tej mase komunist i pjekur. E vetmja gjë që mund t’i lidhë bashkë është homonia emër-mbiemër. Por nuk është kështu.

I pari si një njeri i vuajtur duhet respektuar, por nganjëherë ia fut kot dhe lëshon “helmin” e akumuluar pa kriter. Nuk e kam fjalën në mbrojtje të kryeministrit tim dhe fjalëve kutërbuese që ai shkruan, më intereson fakti që ai fton ish-të përndjekurit politikë të votojnë kundër PD-së - siç thotë ai - të zhgënjyer nga politika e saj.

Më intereson fakti se lajmërime të tilla krijojnë atë klimën mbytëse fataliste të mosbesimit ndaj atyre që punojnë ditë e natë për të mbajtur gjallë memorien e krimeve të komunizmit. E që dikush atje lart në sheshin e studentëve hapi fushatën elektorale me ish-ministrin e brendshëm Gramoz Ruçi. Askush nuk skandalizohet për këtë veprim. Përsa u përket letrave të hapura që nuk janë gjë tjetër veçse shfryrje okazionale, shfryrje të tilla publike, përpara se t’i lëshohen zallamahisë, duhen peshuar aq mirë në kandarin e mendimit, përpara se të riciklohen nga hienat. Më intereson fakti që individi Kulla bëri lojën e kundërshtarit politik, që ai ka stigmatizuar gjithmonë, por si duket qëllimi kësaj here ishte tjetër soj. Ishte qëllimi i denigrimit ndaj kryetarit të qeverisë së djathtë dhe njëherësh të PD-së.

Mirëpo ky aneksim separatist ndaj PD-së është një lajm njëherësh i mirë dhe njëherësh i keq për dy arsye. Arsye e parë: e nisim nga lajmi i keq sepse ka ndoshur lavash i trurit me sapun pesëmbëdhjetë lëksh. Bile kuptohet vetiu se me lavazhe truri mediatike të kësisoj specifike njerëzit s’po kuptojnë hiç fare, se ku ishim, se ku jemi dhe se ku duhet të ishim porsa i përket ish-të përndjekurve. Është e vërtetë se duhet të ishim përpara në dëmshpërblimin e ish-të përndjekurve politikë, por mos të harrojmë se patëm tetë vjet qeveri socialiste, ku nuk pati një fjalë goje të mirë, përkundrazi pati amnisti ligjore për kriminelët e administratës së pushtetit komunist, pati djegie masive dosjesh bashkëpunëtorësh të sigurimit që kishin mbetur pa u djegur, etj. Por ju lutem mos më thoni se do të votoni për xhelatët e demokracisë, apo për partitë që kanë uri për parà e jo për Liri. Arsye e dytë është mirë të dimë se kush është përkrah nesh në luftën kundër totalitarizmave si dje, bruto komunist, si sot, soft mediatikisht. Është mirë të shihemi në sy. Kush është i lodhur e i zhgënjyer, të kthehet mbrapsht. Kush ka frymë e dëshirë të kujtojë bashkëvuajtësit me një fjalë të mirë, me një veprim të mirë, të koordinuar le ta bëjë me lëvizjen që ka genin anti-komunist.

Me arsyet lart e mbylla filipiken time. Më ngeli një dyshim. Pse tani? Dhe pse ju? Nuk hamendësoj inspirimi e këtij veprim të kjartë. Ndoshta nuk dua të besoj  se dy pëllumba,  që dy dje ishin ngritur në një fluturim pindarik sinkronizues të paparë jo për të sjellë paqe me pendët e tyre të bardha, por për të lëshuar glasë në shesh. Edhe aty ku hanin përshesh. I pari s’kishte gjë tjetër të bënte përpos se të përforconte nga kulla e tij e fildishtë anatemën e përditshme të hanit të Meros, me një numërim mbrapsht të ngjarjeve në Shqipëri mbas 2005-së. Madje, duke harruar krejt se çfarë ishte përpara 2005-s. Tani, ose ky ka një memorie prej pëllumbi ose kërkon të mbledh fije bari dhe baltë andej këtej për folenë e tij në kullë. Nga atë dyja të zgjidhi një.

Me leje po u shkruaj se disa gjëra kanë kufi. Përvetësimi i vuajtjeve të të gjithë të përndjekurve politikë është një gjë qesharake kur e bën vetëm një njeri. Pastaj leksionet fonoiatrike të pëllumbave nuk janë të përshtatshme në prag-zgjedhjesh. Mos të harron se jo të gjithë bëjnë pjesë në familjen e shpendëve, dhe jo të gjithë janë bilbila. Nuk duhet bërë filozofi lirie për t’u tallur, por pasur seriozisht; sepse nuk kemi nevojë të dukemi të  shëndetshëm, por për të qenë me të vërtetë. Të kuptohemi, urrejtja duhet të jetë  prodhuese. Ndryshe është më inteligjente të dashurosh.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora