E marte, 15.06.2021, 01:58 AM (GMT+1)

Mendime

Mentor Nazarko: Vizitë elektorale

E marte, 28.04.2009, 06:56 PM


Mentor Nazarko
Mentor Nazarko
Vizitë elektorale

Nga Mentor Nazarko

Vizita e kryeministrit grek Karamanlis në Tiranë u zhvillua brenda një konteksti pozitiv në marrëdhëniet dypalëshe.
Nën presionin apo pa presionin e aleatëve të tjerë perëndimorë, Greqia miratoi protokollet e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO dhe Marrëveshjen e Asocim-Stabilizimit me Bashkimin Europian. Të dy këto momente shënojnë pranimin nga ana e fqinjit problematik të përparimit të statusit të kombit shqiptar drejt perëndimit. Si vizitë zyrtare, ardhja e Karamanlisit dhe qëndrimi i tij në Tiranë ishte i mbushur me njëlloj përmbajtjeje, diku pozitive për marrëdhëniet dypalëshe, diku dëshmi e statuskuosë në këto marrëdhënie, diku dhe e vazhdimit të zbythjes sonë përkundrejt fqinjit jugor. T’i marrim me radhë disa prej pikave përmbajtësore të kësaj vizite, duke u përpjekur të bëjmë bilancin e saj.
Marrëveshja për shelfin kontinental, përfaqëson indirekt pranimin e kufijve jugorë tokësorë të Shqipërisë. Bash për këtë arsye, ajo u karakterizua nga një mungesë e plotë transparence, kryesisht për shkak të palës greke, e frikësuar nga reagimet e shoqatave nacionaliste, të cilat mbajnë të hapur ende çështjen e Vorio-Epirit grek, pra duke vënë në diskutim pikërisht kufijtë jugorë të Shqipërisë. Ndoshta për këtë arsye, nën presionin grek, as pala shqiptare nuk dha shumë informacion rreth marrëveshjes. Vetëm disa hollësi u zbuluan prej ndonjë televizioni kombëtar për “6 miljet që duhet të kemi humbur në ujërat ndërkombëtare në favor të Greqisë”, ujëra që mund të shfrytëzohen ekskluzivisht për peshkim nga ana e palës greke. Sakohë që s’ka informacion zyrtar rreth kësaj marrëveshje, nuk ia vlen të supozosh apo të komentosh, por duke patur parasysh mungesën e forcës së palës shqiptare në negociata kaq serioze përballë Greqisë, mungesën e kompetencës së saj, d.m.th të ekspertëve, është e imagjinueshme që diçka dhe duhet ta kemi humbur. Për hir të saktësisë duhet thënë se Greqia nuk ka nënshkruar me vendin tonë marrëveshje për kufijtë, për piramidat etj., marrëveshje klasike për dy vende fqinjë, megjithëse duhet nënvizuar se në Traktatin e miqësisë së vitit 1996, që në nenet e para, të dy vendet pranojnë integritetin territorial të njëri-tjetrit.
Vizita e kryeministrit grek Karamanlis duhet të ketë patur dhe momente të tjera për të cilat asgjë nuk u bë publike. Kështu, për shembull, duhet të jetë diskutuar për të ashtuquajturën çështje të depozitave të naftës greke në Portin e Durrësit, që duhet të ishin larguar prej kohësh sipas një ligji të parlamentit shqiptar, largim që s’ka ndodhur akoma. Me siguri Karamanlis ka kërkuar që të shtyhet një vendim i tillë, edhe kjo në shkelje të ligjeve shqiptare dhe interesave kombëtare.
Çështja e një borxhi të vjetër të Shqipërisë komuniste ndaj Greqisë e krijuar në vitet e fundit të diktaturës, duhet të jetë diskutuar gjithashtu, por as për këtë nuk u bë ndonjë koment publik.
 Koncesione xhentëlmenësh
Por plani politik i vizitës ofron dhe elementë të tjerë interesantë. Ajo u zhvillua në një kontekst elektoral për të dy vendet: qoftë Shqipëria, qoftë Greqia do të hyjnë së afërmi në zgjedhje. Duket se kjo ka qenë arsyeja kryesore pse të dy palët shkëmbyen vetëm fjalë miqësore ndaj njëri-tjetrit. Në njoftimin e shtypit të Kryeministrisë shqiptare, fjala mik për Karamanlisin numërohet nja dhjetë herë, diçka që gjendet dhe te ligjërimi i kryeministrit grek.
Në këtë frymë miqësore duket se janë përgatitur të gjithë njoftimet e shtypit të institucioneve shqiptare si Presidenca, Këshilli i Ministrave, Parlamenti shqiptar. Prej këtyre njoftimeve nuk zbulohet asgjë që të mendohet se me dyer të mbyllura palët kanë bezdisur njëra-tjetrën me probleme të vështira: madje, Berisha nën presionin grek tha se, “midis dy vendeve nuk ka asnjë problem të pazgjidhur”. Edhe nga Presidenca që mund të pritej diçka nuk kuptohet asgjë problematike, siç mund të kuptohej ta zëmë gjatë vizitës së zotit Topi në Greqi. Pra, palët ishin marrë vesh që më parë që nuk do të ngacmonin njëra-tjetrën dhe se në planin verbal apo publik do t’i bënin koncesione njëri-tjetrit. Këto koncesione janë të nevojshme për të dy palët: Karamanlisi është një kryeministër i dobët grek në fund të mandatit të vet, ndërsa sondazhet e japin të humbur, ndërsa Berisha është në fillim të fushatës zgjedhore, kur çdo favor propagandistik nga jashtë është i mirëpritur. Po çfarë koncesionesh i bënë palët njëra-tjetrës?
Le ta nisim me Shqipërinë. Shqipëria nuk ngriti asnjërin nga problemet më kryesore në marrëdhëniet midis dy vendeve. Problemin e pasurive të shqiptarëve në Greqi. Ajo nuk trajtoi as çështjen çame në çfarëdo konteksti: humanitar, d.m.th të ngritjes së një memoriali për viktimat çame të genocidit në Filat apo Paramithi, apo lejimi të pleqve çamë për udhëtime turistike në vatrat e të parëve. Nuk e ngriti as si çështje më komplekse, pronash, shtetësie etj.
Në kaq vite, asnjë qeveri shqiptare nuk ka arritur të imponojë, pra as gjatë vizitës së Karamanlisit, një zgjidhje të drejtë për çështjen e sigurimeve shëndetësore apo shoqërore në përgjithësi për emigrantët shqiptarë, kontribute thelbësore për sistemin pensionistik grek. Diçka që është realizuar me Italinë, Turqinë, etj. Nuk u ngrit çështja e arsimimit të nxënësve emigrantë shqiptarë në shkollat publike greke, siç bënte të ditur shtypi grek.
Dhe ja disa koncesione të tjera. Në ruajtje të kësaj vizite, kryeministri Berisha reagoi që nga Kina, duke u distancuar nga vendimi i gjykatës së Vlorës që dënonte kreun e bashkisë së Himarës, Bollano. Në ruajtje të kësaj vizite dhe paprekshmërisë politike të kryeministrit grek, gazetarët nuk u lejuan të bënin pyetje; u ngatërrua qëllimisht data e ardhjes së kreut të qeverisë greke që të shmangeshin protestat ndaj tij. Berisha tha bujarisht dhe paradoksalisht se “s’kemi asnjë problem në marrëdhëniet tona”!
Edhe pala greke bëri disa koncesione të vogla. U thanë disa fjalë të përgjithshme që duhet të përsëriteshin sa më shpesh “në favor të të ashtuquajturit liberalizim të vizave, që zuri fill nga samiti i Selanikut”, ndërkohë kur në realitet prej fqinjëve anëtarë të BE-së si Greqia dhe Italia, s’ka asnjë hap konkret lehtësues, me gjithë marrëveshjen e nënshkruar në këtë drejtim midis Shqipërisë dhe Komisionit Europian. Një prononcim si ky, pa zotime konkrete i duhej Partisë Demokratike në kuadër të fushatës elektorale, për t’u afishuar si parti që po realizon dhe liberalizimin e vizave pas anëtarësimit në NATO. Pala greke nuk ngriti çështjen e dënimit të Bollanos, megjithëse Greqia si shtet serioz punon me disa nivele: organizatat greke të diasporës, opozita greke kërkuan madje anulimin e vizitës për shkak të vendimit të gjykatës së Vlorës. Ky ishte një bilanc i përgjithshëm i një vizite greke të nivelit të lartë. Për shkak se vizita u zhvillua në kohë zgjedhjesh, ajo u shenjua prej propagandës tipike të zgjedhjeve. I vetmi produkt i saj ishte marrëveshja për shelfin kontinental. Por vonesa e një marrëveshje të tillë që duhej të ishte realizuar dhjetëra vjet më parë, tregon sesa probleme ka në marrëdhëniet me fqinjin jugor.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora