E diele, 25.07.2021, 05:09 PM (GMT+1)

Mendime

Agim Rexha: “Zonja e zezë” dhe Kosova e tradhëtuar

E hene, 27.04.2009, 06:44 PM


“Zonja e zezë” dhe Kosova e tradhëtuar

Nga Agim Rexha

Libri i Fahri Balliut, “Zonja e Zezë, Nexhmije Hoxha”, krahas autopsisë së krimit që i bën diktaturës komuniste shqiptare, më e përgjakshmja e vendeve komuniste, sjell një kontribut të rëndësishëm edhe në zbardhjen e krimeve të Partisë Komunsite Shqiptare, dhe çiftit udhëheqës Hoxha, ndaj Kosovës, të cilën siç argumenton autori i librit, e kishin dorëzuar tek Jugosllavia. Nisur nga fakti se Partia Komuniste Shqiptare qe krijesë e jugosllavëve, konkretisht e Miladin Popoviçit dhe e Dushan Mugoshës, ajo e hodhi vallen siç deshën ata. Miqësia e çiftit Hoxha  me jugosllavët është e argumentuar katërcipërisht në libër.
Z. Balliu sjell në faqet e librit të tij, letrën plot përulje që vetë  Zonja e Zezë, Nexhmije Hoxha, ia drejtonte Dushan Mugoshës me rastin e largimit të tij nga Shqipëria. Faktet dhe analizat e z. Balliu të çojnë në përfundimin se Dushani nuk kishte ardhur për të ndihmuar luftën e popullit shqiptar kundër pushtuesve, por kishte për mision që të organizonte shërbimin e fshehtë jugosllav në mesin e komunistëve shqiptarë. Serbi i Pejës ishte një vrasës dhe kriminel i drejtpërdrejtë mbi partizanët shqiptarë. Mugosha ishte pronari, skllavopronari i të gjitha figurave komuniste që drejtonin brigadat, batalionet apo edhe Partinë Komuniste Shqiptare.
Letra që i dërgonte Nexhmija Dushanit vërtetëon varësinë e komunistëve shqiptarë ndaj jugosllavëve dhe të vetë çiftit Hoxha. Nexhmija në letër e trajton me shumë servilizëm puthador padronin, ndërkohë që ai ishte më shumë sesa një vrasës i shqiptarëve; kishte formuluar e përcjellë urdhra për pushkatime; ishte thurës intrigash, që çonin në vrasje të përgjakshme; ishte një torturues sadist i partizanëve shqiptarë. Autori i librit sjell fakte se emri i Dushanit qarkullonte si tehu i thikës për çdo partizan. Këtij krimineli të lindur, Zonja e zezë i ka shkruar letër mallëngjimi, ku e falenderon për ndihmën vllazërore.
Z. Balliu e sjell në faqet e librit këtë letër, nxjerrë nga arkivi i Partisë Komuniste  Jugosllave prej historianit, Vladimir Dedijer. Nuk besoj se ka nevojë për komente të zgjatura për këtë letër të botuar, që të zbulojmë se sa e detyruar ndjehej zonja e zezë ndaj sadistit, Dushan Mugosha.
Në librin që kemi në dorë shohim se si krahas çiftit të celebruar Enver-Hoxha, ndjehet dhe një duet i zonjës së zezë me Ramiz Alinë, njeriu që më së shumti ka vepruar në hije derisa pastroi rrugën për të dalë në krye, por jo pa ndihmën e Nexhmijes. Bashkëpunimi i Ramizit me zonjën e zezë u shfaq në punën me rininë në kohën e  luftës, por edhe më pas. Që në ditët e para të pasçlirimit, vihet re që të dy shquhen në kontributin që japin për miqësi me Jugosllavinë. Nuk është rastësi që të dy shquhen në radhët e Shoqatës “Për lidhje kulturore me Jugosllavinë”. Balliu shkruan në libër se “Zonja e zezë ndiqte në atë shoqatë një nga aspektet më të turpshme dhe më trishtuse të “miqësisë shqiptaro-jugosllave”: Mësimin e gjuhës serbe dhe ndërkalljen e kulturës serbe në Shqipëri”.
Shqetësimi kryesor i shoqatës ishte që të shprehte solidaritetin me çështjen e Triestes, e cila duhej t'i jepej Jugosllavisë. Në mbledhjen themeluese të shoqatës në Tiranë, kjo kërkesë përbënte objektivin kryesor. Kërkohej Triestja për Jugosllavinë dhe falej Kosova me heshtje.
Në mbledhjen e Asamblesë së shoqatës “Për lidhje kulturore me Jugosllavinë” me 23 mars 1946, ku merrnin pjesë edhe Ramiz Alija e Nexhmije Hoxha, për krah personaliteteve të tjerë politikë si Hysni Kapo, Bedri Spahiu, Gogo Nushi, Beqir Balluku, Nesti Kerënxhi e të tjerë, arrihet që të dilet me deklaratë pompoze se 200 mije vetë në Trieste kërkojnë bashkimin me Jugosllavinë. Përfundimi i autorit të librit është i argumentuar: “Shoqata kryen kështu detyrën më të paarritshme të Titos dhe pështytjen më të ndyrë ndaj Kosovës”.
Balliu sjell edhe një tjetër fakt kokëfortë që shpreh besnikërinë e udhëheqjes shqiptare, konkretisht të dyshes Nexhmije-Ramiz. Ne revistën “Shqipëri-Jugosllavi”, të fshehur 40 vjet me kujdes pas prishjes së marrdhënieve, i zbulohen petët byrekut të gatuar në Tiranë me miell nga Beogradi. Në artikullin “Rëndësia e studimit të gjuhës serbo-kroate” shkruhet se dikur, në kohën e Zogut, po të flisje serbrisht, agjentët të ndiqnin si armik të regjimit dhe përfundoje shpejt në internim ose në birucë…Sot njerëzit tanë paskan dëshirë për mësimin e kësaj gjuhe dhe ajo të jetë çelës për të gjithë kuadrot.
Autori dëshmon se nga koleksionet e asaj reviste janë zhdukur disa numra, poërfshi edhe numrin e parë, ku ka qenë i botuar kryartikulli servil i vetë Enver Hoxhës, që jargavitet e puthet me Beogradin. Gjithësesi, edhe pse kanë fshehur revistën, Nexhmija dhe Ramizi  nuk kanë mundur t'i fshehin gjurmët e bashkëpunimit me krimin.
Nga libri “Zonja e zezë…”, del përfundimi se: Kush kundërshtonte marrëdhëniet me Jugosllavinë zhdukej. Kështu ndodhi me Nako Spiron, i cili u çua drejt vetëvrasjes vetëm pse kundërshtoi njësimin e monedhës dhe nënshtrimin e plotë ekonomik dhe ideologjik të Shqipërisë ndaj Jugosllavisë. Ndërkohë që Nako Spiro vritet me 20 nëntor 1947, një muaj më pas Enver Hoxha shtronte çështjen e vëllazërimit me Jugosllavinë, me qëllimin kryesor bashkimin e Shqipërisë në një federatë me jugosllavinë dhe përgatitej promemoria e bashkimit të Ushtrisë shqiptare me atë të Jugosllavisë dhe Enver Hoxha ngrinte zërin që edhe Partia Komuniste Shqiptare e shihte veten në varësi të Federatës e tjera, konkretisht si një paralele me republikat e tjera sllave. Enveri thoshte publikisht se “Sekretari i përgjithshëm nuk jam unë, por Marshalli Tito”. Nako Spiro damkoset tradhëtar. Asgjë nuk përfundon këtu; Lidhja Komuniste Jugosllave nuk kënaqet me kaq, ajo urdhëron Enverin të punojë më shumë dhe me 17 mars 1948 Enveri krenohet me jugosllavët, arrin që të mobilizojë 9 mijë veta, dhe i dërgon një letër Titos në lidhje me Bashkimin Federativ mes dy vendeve, ku theksohet se populli shqiptar ishte aq i lidhur shpirtërisht dhe ekonomikisht me popujt e Jugosllavisë sa asnjë tjetër dhe se ky bashkim s'kishte asgjë formale.
Askush s'merrej me Kosovën, ndërsa për bashkimin e Triestes me Jugosllavinë u mor edhe Kongresi i Grave të Shqipërisë, natyrisht për këtë kishte meritën e vet Nexhmije Hoxha. Ndërkohë Jugosllavët zgjedhin Ramiz Alinë për vëllazërimin e dy popujve. Ai do ta justifikonte besimin e miqve jugosllavë me deklaratën e tij: “Me popujt fqinj të Jugosllavisë gjithçka na lidh e na bashkon, dhe asgjë nuk na ndan”.
Për hir të miqësisë me Jugosllavinë, banda e Partisë Komuniste Shqiptare, sakrifikon intelektualin Nako Spiro, të cilët që në vitet e luftës i kishin vrarë më parë dashurinë për vajzën kosovare, Ramize Gjebrean, të cilën e pushkatoi Hysni Kapo me urdhër të Miladinit dhe Mugoshës, natyrisht të aprovuar nga Enveri i Nexhmijes.
Nexhmije Hoxha në kujtimet e saj shtiret se i ka ardhë keq kur e vranë e Ramizenë, por gjithçka është fallso, ajo nuk thotë të vërtetën; nuk thotë se vrasja e kosovares Ramize Gjebrea ishte paralajmërim për vetë të fejuarin e saj, Nako Spiro, të cilën për hirë të jugosllavëve, PK e shpalli agjent të ardhur nga borgjezia.Serbi i Pejës, Dushan Mugosha, nuk mund ta falte fejesën e vajzës kosvare me një intelektual si Nako Spiro. Ai i donte shqiptarët e Shqipërisë të përçarë me ata të Kosovës, e jo të lidhur ngushtë me fejesa e martesa.Parapërgatitej nënshtrimi i shqiptarëve të  Kosovës ndaj serbëve me ndërhyrjen e  shqiptarëve të Shqipërisë.
Nexhmija dhe Enveri kanë mashtruar popullin shqiptar, duke u shtirur se u ka pikuar zemra maraz për Kosovën martire, e vërteta është ndryshe, Enveri e shiti Kosovën për të zgjatur mbretërimin e tij gati gjysëm shekulli. Ai u pajtua me Shqipërinë londineze sepses a më i vogël të ishte çifliku, aq më i sigurtë ndjehej. Dhe kjo iu shpërblye duke e lënë të mbretërojë si askush tjetër, derisa vdiq. Ai nuk deshi t'ia dijë as për Kosovën, as për çamërinë.
Autori i librit që promovojmë sot, arrin në konkluzionin e drejtë se Enver Hoxha dhe regjimi i tij kanë investuar që të krijohej bindja se ata ishin të pafajshëm për ç'ka i ndodhi Kosovës. Dhe Balliu tërheq vëmendjen duke shpresuar tek e nesërmja:”Lumturi e madhe do të jetë për brezat, kur Serbia t'ia mbërrijë emancipimit dhe demokratizimit euro-atlentik, t'ia dorëzojë njerëzimit arkivin e shërbesës komuniste enveriste ndaj misionit mesjetar shovinist të Serbisë”.
Është i argumentuar përfundimi i arritur nga autori i librit se krimet që bënë Dushani dhe Miladini Enver e Nexhmija, së bashku me Ramizin,  gjatë viteve të luftës ndaj shqiptarëve, nuk krahasohen me ato të Karagjorgjeviçëve. Balliu shkruan në librin e tij se nga Jugosllavia e paraluftës u hodhën themelet e projektit antishqiptar, ideuesi i vërtetë i të cilit ishte Ivo Andriqi. Vasa Çubrilloviçi ishte nxënës periferik i tij, por të gjithë së bashku nuk arritën as ta mbajnë të fshehur grupin e tyre agjenturor të vendosur në Vlorë, nën udhëheqjen e Murat Tërbaçit dhe të Abaz Shehut me shokë. Ahmet Zogu e shfrytëzoi Jugosllavinë për të rimarrë pushtetin, por grupin agjenturor të Vlorës, e nxori publikisht në gjyq dhe i bëri një gjykim të zgjuar e të mprehtë për nga procedura juridike, hetimore, operative, gjykim i pasqyruar ligjërisht në shtypin e kohës.
Në arkivin e shërbimit të fshehtë të Mbretit Zog ndodhet edhe lista e rrjetit agjenturor jugosllav, që vepronte në territorin shqiptar. Pikërisht, thotë Balliu, pika e këtij rrjeti agjenturor u bë baza e komunistëve shqiptarë për t'u shfrytëzuar më pas.
Kalimi i forcave partizane në veri dhe kapërcimi i kufirit të Shqipërisë londineze me urdhër të Enver Hoxhës, nxjerr në pah krimet e bashkëpunimit shqiptaro-Jugosllav.Me 2 gusht forcat e Brigadës së I dhe asaj të IV në maqedonse sulmuan Dibrën. Në rajonin e Dibrës vepronte dhe Brigada e V. Më 2 shtator 1944, së bashku me forcat e tjera, ato morën në zotërim qytetin e Dibrës. Brigadat maqedone ushtruan terror ndaj popullsisë shqiptare, sikurse edhe në Kosovë. Misioni Jugosllav që pat ardhur në Shqipëri, urdhëroi Brigadat V dhe III që të merrnin rrugën për në Malësinë e Gjakovës e të Pejës. Ajo ç'ka zhvillohej në terren nuk ishte luftë që kishte lidhje me pushtuesin, siç përrallis historiografia komuniste -enveriste e ramiziane, por ishte luftë që synonte dobësimin e  pozitës shqiptare dhe fuqizimin e asaj serbe. Nga ana e tij Enver Hoxha urdhëroi Korparmatën I që të nisej për në Mitrovicë. Ndërsa Divizioni i V mori urdhër që të godiste elementin shqiptar në Kosovë, të cilësuar si”reaksionar”. Kudo që shkonte ky Divizion, ashtu si dhe formacionet e tjera partizane, vendoste pushtetin e ri, i cili u jepej pakicave serbo-malazeze.
Auttori i librit, pas këtyre faktesh arkivore, shpërthen në indinjatë: “A ka tragjedi më të madhe që t'i qasen pranë Eskilët, Shekspirët, Shilerët, apo njohës të tjerë të mprehtë të tradhëtisë më të përdhosur?”
Forcat shqiptare në zonën e Drenicës arrestuan ajkën e patriotëve duke çarmatosur banorët, ndërsa ushtria gjermane ishte tërhequr krejtësisht drejt Bosnjës.
Ndërkohë që shqiptarët e Kosovës organizonin rezistencën ndaj ofensivës ushtarak serbo-komuniste, partizanët shqiptarë gjendeshin në krahun e serbëve, kundër vëllezërve të gjakut e të gjuhës. Ky bashkëpunim mbetet në kujtesë të historisë si krim i madh e më i shëmtuar kombëtar.
Kosovarët vazhduan rezistencën në Ferizaj, Prizren, Gjilan e Drenicë, por terrori serb qe i paparë dhe shtypi me gjak çdo rezistencë. U shqua në qendresë Shaban Polluzha.
Krimi i madh ndërshqiptar në krah të serbëve u fsheh nga komunistët me argumentin se paskëshin shkuar atje për të çliruar popujt e Jugosllavisë! Kush i ha këto përralla? Vulgaritet neveritës. Balliu argumenton se ushtria Jugosllave ishte nga më të fortat e asaj kohe dhe nuk kishte nevojë për ndihmën e partizanëve të Enver Hoxhës e Ramiz Alisë, ky i fundit, atë kohë ishte në krye të partizanëve shqiptarë që kaluan në Jugosllavi. Strategjia e Titos ishte që t'i nënshtronte shqiptarët e Kosovës përmes shqiptarëve të Shqipërisë dhe t'i bënte të bindur ndaj pushtetit serb. Ky është akti tradhtar më kriminal që mund t'i bëjë një komb vetes së vet, kur ka në krye një bandë kriminale, siç ishte PKSH.
Autori i librit arrin në përfundimin se: Futja e partizanëve shqiptarë në Kosovë ishte shërbimi dhe urdhri që jepte skllavopronari ndaj skllavit, rekrutuesi ndaj spiunit, një krim ky thuajse i panjohur në Historinë e Luftës së II Botërore. Kur serbët e mbaruan misionin e partizanëve shqiptarë ndaj kosovarëve përmes dorës drejtuese të komunistëve Hysni Kapo, Ramiz Alia, Shefqet Peçi, e të tjerë,  vijuan rrugën për në Vishegrad, për të apsuruar historinë që shkruan vetë. Kështuqë Kosova u ribashkua me Jugosllavinë përmes kontributit të Ramiz Alisë me shokë.
Maskara e Tivarit i vë vulën e krimit bashkëpunimit shqiptaro-Jugosllav. U shkuan në plumb e në bajonetë 3760 partizanë shqiptarë, të cilët kaluan nga Prizreni, përmes territorit të shtetit shqiptar për të përfunduar në Tivar, aty ku u krye faza e fundit e masakrës. Djallëzia dhe bashkëpunimi midis komunistëve shqiptarë dhe jugosllavë arrin këtu shërbesën më tragjike të kohës.Balliu sqaron përmes librit se qëllimi i këtij udhëtimi formalisht ishte dërgimi i djemve të Kosovës në frontet e interesave jugosllave. Sipas urdhrit të 30 marsit të vitit 1945, këto forca do të plotësonin Armatën e IV. Rreth 2200 vetë nga të grumbulluarit ishin nga Ferizaj dhe 1500 të tjerë nga Prizreni. Ata kaluan në Kukës, Pukë, Shkodër e Ulqin, të paarmatosur, të shoqëruar nga oficerë serbë të Brigadës 26-të të Divizionit 46-të Jugosllav dhe Armatës së IV. Gjatë rrugës ata janë masakruar e zhdukur hap pas hapi. Vetëm 1 mijë prej tyre mbërritën në Tivar, u futën në një kurth dhe u qëlluan barbarisht.Ky krim i përbindshëm i bëri shqiptarët e Kosovës të mendojnë se Shqipëria amë ua kishte me të pabesë përderisa bashkëpunoi me armikun, që u mori jetët djemëve.
Duke njohur këtë faqe të bashkëpunimit në krim të komunistëve shqiptarë, unë do ta falenderoj autorin e librit, z. Fahri Balliu, që është fokusuar në zbardhjen e këtij krimi të shëmtuar dhe do t'u bëja thirrje vëllezërve të mi në Ferizaj, që të mos ndyjnë rrugët e qytetit me emrin e një krimineli, siç ishte Enver Hoxha, si dhe vëllezërve të mi në Prishtinë, që të mos bëjnë tjetër herë karshillëk me ish-të burgosurit e Shqipërisë, duke thirrë Ramiz Alinë e të birin e Enverit, t'u flasin për historinë. Për shqiptarët në emigracion, që ende kanë për idhull Enverin, Nexhmijen dhe Ramizin, do t'u lutesha: Mjaft më me idhuj të rremë, që shkatërruan Kombin!

Fjala e mbajtur nga nënkryetari i Federatës “Vatra”, në Nju-Jork, në ceremoninë e promovimit të monografisë së Fahri Balliut “Zonja e Zezë Nexhmije Hoxha”



(Vota: 4 . Mesatare: 4/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx
Kozeta Zylo: Manhattani ndizet flakë për Çamërinë Martire nga Rrënjët Shqiptare dhe Diaspora