Mendime
Agron Tufa: Mbi ndjenjën e atësisë
E enjte, 23.04.2009, 06:58 PM
Mbi ndjenjën e atësisë
Nga Agron TUFA
I
Një nga ndjenjat më të vjetra, të parëlindura, përveç besimit në zota dhe Zotin Një, është ndjenja prindërore, pa të cilën njerëzimi nuk do të ishte burrëruar, nuk do të ishte mençuruar dhe nuk do ta kishte njohur dashurinë sakrifikuese, - atë që, krahasuar me format e tjera të dashurisë, nuk kërkon asgjë si këmbim. Njeriu shpesh krijon iluzione (duke qenë qysh më parë instinktivisht i sigurt për besnikërinë e natyrshme të ndjenjës prindërore), se ndofta ka një formë tjetër dashurie, e cila pret të zbulohet dhe e cila do të na rezultojë tembrama, më e fortë, më e qëndrueshme, më madhështore se dashuria e parëlindur e prindërve.
Mund të hajë diskutime nga më të çuditshmet, argumente nga më të shëndoshat e më paradoksalet, por ngado ta kthesh e sido që ta sjellësh, dashuria e prindit për fëmijën është e pakonkurueshme, e pazëvendësueshme, edhe në rastet më të pashpresa, si e vetmja formë e vjetër e natyrshme, pavarësisht niveleve të shfaqjes dhe artikulimit. Të gjitha dashuritë e tjera mund të durojnë hierarki. Rrjedhimisht, të gjitha dashuritë e tjera janë derivate, nënprodukte të së Parës.
Si duket, këtë ka patur parasysh Honore dë Balzaku në romanin e tij “Xha Gorjoi” kur konstaton se: “Boshti rreth të cilit sillet shoqëria, gjithë bota, është atësia! Çdo gjë do të shembej e shkërmoqej në këtë botë, nëse fëmijët nuk do t’i donin prindërit e tyre”. Unë nuk këmbëngul që këtë meditim të Balzakut ta bëj princip themelor të përsiatjeve të mia.
Diskutimet mbi natyrën e marrëdhënieve fëmijë-prindër, edhe pse janë aktuale në të gjitha kohërat, kanë diçka të bezdisshme në thelb, jo për fajin tonë dhe jo për arsyetimin e shëndoshë. Kanë kaluar shekuj, mijëvjeçarë e tradita të tëra nëpër etapa të ndryshme të civilizimit ku ky diskurs është përthyer nga pikëvështrime nga më të çuditshmet. Kjo është një temë më vete, kryekëput për sociologët punëmëdhenj, që kombinojnë natyrën e faktorëve socialë, religjiozë, ekonomikë e politikë, ushtarakë e kulturorë dhe, me thënë të drejtën, as unë, as shkrimi im, nuk ia kanë takatin.
Duke cekur një temë aspak moderniste, e do të thoja në shumë pikëvështrime të bashkëkohësisë, edhe demode, më intereson sot një nivel i thjeshtë i prindësisë, atë çka përbën dorëzaninë tonë të patjetërsueshme mbi kushtin e ekzistencës në të dashurën botën tonë, pa u thelluar në nivelet alegorike e simbologjike të mitit të prindit apo të refleksioneve metafizike mbi projektimin, vetëprojektimin dhe identifikimin tonë me prindërit.
Kjo do ta vështirësonte prekjen e një çështjeje të tillë, pasi do të na përqaste me një metafizikë të kulluar të mendimit dhe perceptimit (që janë komponentë të poezisë), të ngjashëm me disa shënime të tjera të miat mbi mistikën e një vargu të poetit hispanik Çezare Vajeho. Kuazifabula e poezisë së Vajehos fillon me një pyetje, drejtuar shumë personave: “Cili është momenti më i vështirë i jetës suaj?”. Përgjigjet që pasojnë janë nga më të papriturat, të gjitha me natyrë racionale, përveç përgjigjes së fundit, tërësej irracionale: “Çasti më i vështirë i jetës sime ka qenë, kur pashë fytyrën e tim eti në profil”. Nuk do ta vështirësojmë natyrën e kësaj eseje me qëmtime të përimta.
Dy përbërësit e ndjenjës prindërore tashmë dihen. Testamentet e të vjetërve, pa hyrë në shkrimet e parashkrimet e shenjta, e vendosin apelativisht në themel të moralit njerëzor nderimin e prindërve. Një ndër poemat e lashta didaktike “Vargjet e arta pitagoreane” (që i vesh autorësinë Pitagorës) thotë qysh në vargjet e para: “Ndero zotat, ndero të vdekurit, ndero prindërit!” Në botën e këtushme theksi në nderimin dhe detyrimin para prindërve është parë si kushti i vetëm i qëndrueshmërisë së qelizës së shoqërisë: familjes. Didaktika e shkrimeve dhe porosive religjioze e ka përforcuar pikërisht alkiminë e këtij sekreti të ekzistencës, me primatin e familjes.
Paradoksalisht çdo revolucion modernizues në shoqëri, efekt anësor ka patur dobësimin dhe zbehjen e familjes, margjinalizimin e rolit të saj, si penguese e progresit shoqëror me kurthin dhe verigat e mentalitetit të traditave arrergarde. Së këndejmi ka lindur ai pathos revolucionar shkatërrues i së majtës historike, që mohon traditën në kështjellën e saj më të pamposhtur – familjen. Alternativat zëvendësuese të kompensimit të boshllëkut që lë familja dhe prindërit në jetën private, kanë qenë, sipas së majtës, forumet e militantëve, aktivistë shoqërorë zotpërmbysës (një mitologjemë e atvrasjes), të cilat ofronin në këmbim të familjes, prindësisë dhe privatësisë, jetën e sindikatave, kolektivizimin, kauzën ideologjike propagandistike drejt një utopie të pasigurtë, e cila kthehej në shtypjen përfundimtare apo kasaphanë civile, duke eleminuar papërsëritshmërinë e individit.
Formatimi i programuar shkallë-shkallshëm i individit rrok një zinxhir të gjatë e të lodhshëm procesual, sipas një maratone tëhuajësuese me të gjitha etapat e zombizimit. Bota reduktohet në një grumbull të thatë principesh, një botë pa Zot, me kultin e njeriut-robot, të aftë të zëvendësojë hyjninë me kultin e shkencës. Marksizmi që ka lënë një vulë të pashlyeshme në profilin e njerëzimit të shekullit XX, edhe në variantet e tij më produktive – shkollën e Frankfurtit dhe intelektualizmin majtist europian, janë përpjekur t’ia zëvendësojnë strehën tradicionale njeriut modern – familjen dhe kishën – me aktivizmin politiko-shoqëror dhe luftën për të drejtat e pakicave: feminizmi, minoriteti seksual, etj. Ka ndodhur një zëvendësim kulti: njerëzit kanë braktisur rrëfimin tek prifti, duke e këmbyer atë me rrëfimin tek psikanalisti. Në bazë të traumave psikanaliste, na dalin marrëdhëniet fëmijë-prindër. Po kush i shkaktoi? Kush e shndërroi familjen në burime traumash?
Por i rikthehemi ndjenjës më të vjetër, të parëlindur në botë, prindësisë, më saktë, ndjenjave të amësisë dhe atësisë. Të parën, të njohurën dhe të amshueshmen – amësinë, njeriu e ka kënduar, lëvduar e hyjnizuar më shpesh e në të gjitha mënyrat, aq sa është bërë tradicionalisht përfaqësimi i prindësisë. Kësaj ndjenje gjithkush, në çdo kohë, sa të jetojë njeriu, do t’i shtojë nuanca ngazëllimi e tragjizmi, pa i shtuar gjë të re në thelb, duke ndikuar që ta eklipsojë dhe ta lërë nën hije e, madje, ta vënë tërësisht në dyshim, ndjenjën e atësisë.
II
Duke mos i hequr asnjë presje ndjenjës universale të amësisë, ne, megjithatë, do të na duhet t’i përgjigjemi pyetjes: çfarë është ndjenja e atësisë? Puna ka mbërritur deri aty sa ta mohojnë përfare vetë ekzistencën e kësaj ndjenje, duke e reduktuar atë në analogji racionale me disa funksione të botës shtazore apo të insekteve, si për shembull, rolin e mashkullit te bletët. Disa nuk ia njohin burrit ndjenjën e atësisë, duke e vulgarizuar domethënien e tij në një rrafsh të përvojës së fituar empirike, e cila shkërbehet si paralele e dobët e amësisë, vetëm pas kontakteve të drejtpërdrejta me fëmijën e porsalindur, kontakteve me të në rrafshin praktik. Përkundër përfytyrimeve bashkëkohore euro-amerikane, tradita e ngulitur shqiptare e “lisit të gjakut” (prejardhja e genit nga baba) dhe “lisi i tamlit (prejardhja e genit nga nëna), ka ende të fortë kultin e atësisë, megjithëse shumë më të minimizuar.
Nëna e përgatit fëmijën me afeksionet e para, i mëson të reagojë, të përcaktojë një tip sensibiliteti, ndërsa babai është modeli i personalitetit të fëmijës, i asaj se çfarë është bota jashtë, në të kundërt me modelin e mamasë – çfarë është bota brenda. Mandelshtami thoshte se nëna është për fëmijën mediumi gjuhësor (gjuha amtare), kurse babai – aksi hapësinor dhe kohor i orientimit të tij. Mbase këtu duhet kërkuar arketipi i lashtë i atësisë, plotësimi i trinisë: fëmijë – nënë – baba.
Shembulli që na jep Homeri në poemat e tij, sidomos në këngët e para (1-4) të “Odisesë”, që i kushtohen tërësisht fushatës së Telemakut në kërkim të atit të tij, Uliksit, është një himn në kërkim të atësisë, si e vetmja ndjenjë përplotësuese e shembull vetidentifikimi i burrërimit në krizë. Në fakt, gjithë bota e lashtë pëshkohet nga një pikëpamje adamike mbi botën dhe primatin e prindësisë e dominon ndjenja atërore, si përkatësi, burim krenarie për virtytet.
Autorët antikë, u japin vend të dukshëm pikërisht rolit të përkatësisë atërore në prestigjin e një luftëtari a prijësi fisesh, si birit i filan mbreti zulmëmadh. Por te Homeri gjejmë dhe të parat modele të dhimsurisë atërore, deri në vajtime e përulje para armikut për të bijtë. I tillë është episodi i mbretit të Trojës, plakut Priam, kur i përgjërohet në lotë Akilit para çadrës së tij, që ky t’ia kthejë kufomën e të birit, Hektorit, për ta vajtuar dhe varrosur me shartet e mortit. Virgjili na jep, që në këngën e dytë të “Eneidës” skenën apokaliptike të rrënimit, djegjes, kasaphanës dhe plaçkitjes së Trojës, sfond në të cilin përgatitet të arratiset Eneu me familjen e vet. Eneu i përgjigjet të atit, Ankizit, i cili kërkon ta presë vdekjen në pragun e shtëpisë së vet, duke luftuar me grekët:
“Unë t’iki, o atë, e të t’braktis? – ia bana.
Si asht e mundun me e mendue këtë gja?
Si ta tha goja një shëmtim të tillë?...
Dhe mbasi i ati bindet, Eneu i thotë:
“Atë – i thash – shpejto
E hyp mbi supe t’mia, unë do t’mbaj...!
E lehtë për mue tash do t’jetë kjo barrë.
Sido që ta kem fatin, do ta ndajmë
Bashkë t’mirën e të keqen. Juli i vogël
Bri meje le të ecë dhe gruaja ime
T’i ndjekë së largu hapat tanë... “
Zhurma ma e lehtë m’shqetson më bën dyshim
E dridhem për tem bir e ‘tamlen barrë
(Eneida II, 66)
Gjatë gjithë skenës së arratisë, Eneu mban mbi shpinë të atin, të cilin e quan “e amla barrë”. Në këtë përpjekje, Eneu humb të shoqen, Kreuzën, ndërsa Aksani, i biri i mitur, e ndjek pas me “hapa t’vegjël”.
Ndoshta përgjigjen se çfarë është ndjenja e atësisë na e jep në një mënyrë shumë më të plotë e universale, ndonëse alegorike, një ndër shkrimtarët më qendrorë të shekullit XX, Xhejms Xhojsi, në romanin “Uliksi”. Pikëllimi i Leopold Blumit është i pakompensueshëm, qëkurse i ka vdekur i biri. Ai është një Uliks bashkëkohor, por as përvoja, as dijet nuk e ndalin dot dezintegrimin e pandalshëm të vetëdijes së tij, qëkurse i ka vdekur i biri. Pikëllimi i tij, bashkë me mallin e pamort për humbjen e të birit, Rudit, merr përmasa kozmike duke e shndërruar tërë strukturën semantike të romanit në një kërkim të pandërprerë e absurd të të birit.
Boshi i lënë pas vdekjes së të birit e ka futur në krizë burrërinë e tij; marrëdhënia me të shoqen, Molin, është paralizuar që prej 10 vjetësh dhe udhëtimi i Uliksit modern, që kthen çdo natë në shtëpi, nuk mund ta sjellë atë asnjëherë të denjë në këto dhjetë vjet, sikundërse as Moli nuk është më Penelopa besnike që pret kthimin e të shoqit, të plotësuar dy në një – atë dhe bir. Odiseja dublineze kthehet kështu pashmangshëm në një motiv kërkimi.
Dhe ajo që kërkohet është një ndjenjë e pazakontë për civilizimin e shekullit XX: ai ka mbetur jetim. Eshtë një qytetërim jetim për babë. Me gjetjen e të birit në personin e Stiven Dedalusit, Leopold Blumi kthehet në shtëpi tok me të, i dehur nga ndjenjat atërore.
Gjithë romani është një himn për atësinë, një rikthim i asaj heroike, ndonëse të bjerrë, pikërisht në shpërthimet e para të feminizmit në Europë.
III
Mendoj mbi zvetënimin që ka pësuar nga përndjekja natyra e atësisë, mbi shprishjen e asaj trajektoreje burrnore që nga mitet bibliko-kuranore të Isaakut dhe Abrahamit apo të Telemakut dhe Odiseut, deri tek lëvizjet dhe shoqatat feministe, tek këmbëngulja vulgare e imitimit majmunor për përfaqësim formal të gruas në parlament dhe administratë, për atë shekull helmues që ndërkalli në marrëdhëniet e bijve dhe bijave ndaj etërve e nënave përmasën e shpifur të psikanalizës, feminizmit e gjithëfarë formash aktivizmi e militantizmi, që i dha të drejtën denatyrimit të burrit dhe gruas. Ku po shkojmë dhe cila perspektivë e pret njerëzimin pa atësinë, këtë ndjenjë të parëlindur, sikurse është amësia?
Konturet e agut zënë e shfaqet gjithë e më qartë; një puhi e freskët duket se zgjon nga dremitja kodrat dhe kurrizet e fjetur të Dajtit. Bojërat e agut hollohen. E di se këto mendime do shpërbëhen, trajektorja e tyre do shprishet me lindjen e diellit dhe vërshimin e njerëzisë nëpër rrugë. I shkoj ndërmend të gjitha këto nga një ballkon i maternitetit “Mbretëresha Geraldinë”, ku ime shoqe pret të lindë djalin dhe e di: tash për tash, të gjitha asociacionet që lindin në pritje të djalit tim, çkadoqoftë forma e arsyetimeve – është e pavlerë përballë dhimbjeve e sakrificës së lindjes që e pret të ëmën: unë jam i dënuar ta shoh dhe të ndjej pavlefshmërinë time.
Por askush nuk guxon të thotë se ndjenja e atësisë qenka një atribut kafshëror apo i zëvendësueshëm me çfarëdo përralle. Zoti i lëvduem nuk na ka privuar nga këto shqisa; ato, si duket, treten e humbasin tok me shformimin e burrit, me tëhuajësimin e natyrës së tij adamike.
Shendi, im bir i sapolindur, është kryekëput i varur nga e ëma. Me gjithësej! Ai po mëson tek e ëma se çfarë është bota brenda; mua do më duhet t’i mësoj atë që di më mirë: se çfarë është bota jashtë.