Kulturë
Fran Luli: Në gjurmët e historisë së Ndërfanës - analiza e veprës së Gjon Markut
E shtune, 18.04.2026, 06:49 PM

Në gjurmët e historisë së Ndërfanës: analiza e veprës së Gjon Markut
"NDËRFANA" (Monografi), Shtëpia
botuese "Mirdita", Rrëshen, 2001.
Nga Fran Luli
Është një ndër botimet më
me vlerë për krahinën e gjerë dhe me interes për Mirditën, falë zellit dhe
formimit të autorit Gjon Marku. Këtyre u shtohet edhe origjina e këtij
studiuesi nga vetë Mirdita, gjë e cila bën që argumentet dhe faktet e gjalla të
jenë më autentike dhe më bindëse.
Libri ndahet në 14 çështje, një mënyrë kjo jo e pa vlerë për të
zbërthyer dhe për të imtuar gjërat që lidhen me këtë apo atë krahinë. Treva e
Ndërfanës, si një pjesë e pashkëputur e kësaj krahine, është studiuar në
këndvështrime të shumta, ku njëri plotëson dhe shkoqit tjetrin. Përgjithësisht,
tri janë vështrimet që ngërthehen në libër: natyra dhe pasuritë e saj, historia
dhe etnografia, të shikuara dhe vlerësuara në njëfarë lidhjeje midis tyre.
Në çështjen e parë flitet për pozitën gjeografike, klimën dhe
popullsinë, si një vend në qendër të Mirditës, midis dy lumenjve, Fanit të Madh
dhe Fanit të Vogël, pozicion i cili i ka dhënë edhe emrin. Si konfiguracion,
është më tepër vend fushor, me një klimë të butë, mesdhetare. Popullsia ka qenë
disi e lëvizshme, në varësi nga kushtet shoqërore, ekonomike dhe historike, siç
vë në dukje autori (f.5). Por, më herët, në vitin 1641, sipas relatorit M.
Skura, Ndërfana kishte 500 frymë të krishtera a më shumë (f.4).
"Ndërfana në lashtësinë e vet" përbën
çështjen e dytë, ku hidhet një sy legjendave e gojëdhanave të ndryshme
popullore, ku spikat legjenda: "Ndërfana ka qenë përpara Krishtit"
(f.6). Më tej autori flet për materialet dhe zbulimet arkeologjike në Gëziq, me
vlerë për historinë e tij, si dhe për disa zeje e mjeshtri, si shkrirja e
bakrit, ku sjell edhe toponimin e gjallë "Kodra me farkë".
Rëndësi kanë lidhjet urbane, veçanërisht rrugët e rrahura të këtyre
anëve, që i lidhin me qytetet dhe krahinat e tjera, brenda, por edhe jashtë
Shqipërisë, si: Shkodër – Dejë – Kashnjet – Kalor – Bukmirë – Ndërfanë – Kodër
Rrëshen – Shkallë Gjanë – Nënshejt, duke vazhduar në Shëngjin – Xhuxhë – Qafa e
Komit, Surroi – Kukës, duke përfunduar në Nish të Serbisë. Pastaj, vihet re një
kala e lashtë (Meshurdh) përmes rrënojave të saj.
Një pikë e veçantë është "Ndërfana, një emër i vjetër",
ku, siç u pa, e ka marrë emrin nga vetë pozicioni, ndërmjet dy Faneve, Ndërfana
pra. Diskutohet aty çështja e Mirditës, e cila në kohën paraosmane quhej herë
"Ndërfanë", herë "Dukagjin", duke theksuar: "Kalimi i
emrit nga Dukagjin në Mirditë është bërë shkallë-shkallë, madje disi
përzitas" (f.9).
Veç faktorëve dhe shkaqeve të tjera, mendojmë se ky kalim dhe ndërrim
emri duhet të ketë ndodhur edhe për vetë faktin etnografik dhe demografik se
Mirdita është vëlla me Dukagjinin. Më poshtë, autori, mbështetur në gjetjen
arkeologjike, abacinë dhe kishat e shumta, mbërrin në përfundimin se Gëziqi ka
qenë qendra e Ndërfanës së herëshme (f.9).
Një pikë më e zgjeruar i përket Ndërfanës së Mesjetës, ku ka më shumë të
dhëna historike, bile edhe mbishkrime. Autori mbron tezën se në periudhën e
Mesjetës Ndërfana ishte pjesë e principatës së njohur të Arbërit, që në
shekullin XII, sipas fragmentit epigrafik në Shën Mëri të Ndërfanës, vërtetuar
prej T. Ipenit (f.11).
Më saktë, për këto epigrafe dhe mbishkrime shprehet Dh. Shuteriqi, ky
gërmues dhe arkivist i palodhur, i cili saktëson 8 fragmente mbishkrimi në
Gëziq (më 1967), të dëshifruara nga I. Zamputi (1984) dhe K. Zhegu, shkruar me
germa latine në tri radhë, përkthyer edhe në gjuhën shqipe.
Më tej, autori i monografisë i kushton vëmendje të veçantë kushteve dhe
krijimit të shtetit të Arbërit, një pikë kyçe për historinë e kombit shqiptar,
ku shkruan: "Krijimi i shtetit të Arbërit në atë periudhë bëri që
shqiptarët të dalin me një shtet të mirfilltë të tyre..." (f.17).
Çështja e tretë, "Abacia e
Ndërfanës...", përmbledh në vetvete mjaft probleme dhe të dhëna që
kanë lidhje me Mirditën dhe me hapësira të tjera gjeografiko-historike,
mbështetur në shumë historianë vendas dhe të huaj. Që në fillim, studiuesi jep
mendimin se Abacia e Ndërfanës u ndërtua në fund të shekullit XII dhe në fillim
të shekullit XIII.
Më tej mësojmë se pikërisht në anët e Abacisë është gjetur një mbishkrim
epigrafik, si dhe gurë me gdhendje e motive, një shqiponjë me një kokë në gurë
mermeri, i quajtur prej studiuesve "Stemë e Arbërit" e më vonë
"Stemë e Dukagjinëve", duke ditur se: "Zotërit e parë të
Arbërit, Progoni me të dy djemtë, ishin të të njëjtës derë me Dukagjinët, pra
epiqendra e tyre gjendej në viset ku dihet me siguri se kanë qenë sundimtarë
Dukagjinasit" (f.21), duke iu referuar edhe Shuteriqit.
Po këtu jepet edhe fotoja e kësaj Steme, e gdhendur me art të veçantë
dhe me shije (f.20). Në faqet vijuese flitet për Abacinë e Ndërfanës, por e
lidh ngushtë me Dhimitrin e Arbërit dhe politikën e tij, veçanërisht me lidhjet
me Papatin dhe me traktatin midis Arbërit dhe Raguzës, të dyja këto në vitin
1209. Ky personalitet i fuqishëm arriti kulmet e zhvillimit të Principatës,
duke i atribuar mjaft tituj si "Gjykatës", "Princ" dhe
"Arkond".
Më poshtë vijojnë dokumentet me historianë të ndryshëm për këtë Abaci,
sidomos gjatë shekujve XII dhe XVII, si dhe për konsideratat e larta të Papa
Kalistit të III-të ndaj abatit të Shën Mërisë së Ndërfanës, Palit, duke e
pajisur edhe me letërnjoftim për t'u paraqitur si i dërguar i tij për punët e
jashtëzakonshme në Shqipëri, Dalmaci, Bosnjë e Greqi (f.23–24).
Autori i monografisë përshkruan bukur vendin, shtrirjen dhe klimën ku u
ndërtua Abacia. Duke iu drejtuar edhe studiuesit tjetër Ndue Dedaj, autor i
librit "Toka e Katedraleve",
pohon se në Ndërfanë kishte pasur rreth 20 kisha, ku më 1970 janë identifikuar
këto: vetëm në Gëziq kisha e Shën Gjinit, e Shën Markut, e Shën Barbullës, e
Shna Premtes, e Shën Gjergjit, e Shën Kollit dhe disa të tjera bashkë me dy të
tjera në Ndërfanë: Kisha e Shën Kollit dhe ajo e Bulqëve (f.25), të cilat
përshkruhen një për një prej autorit.
Një trajtesë e ngjeshur, mbështetur pothuajse krejtësisht te studiuesit
e huaj, i është bërë çështjes "Nga
Arbëri tek Dukagjinët", si një vazhdimësi historike. Në fillim flitet
për faktin e njohur se emri "Dukagjin" shpjegohet me "Duka
Gjin" (Duca Ginum Tanuschum). Aty shënohet edhe njëfarë gjenealogjie:
Progoni I (v. 1190–1199)
Gjini (1199–1208)
Dhimitri (1208–1216)
Progoni II (1216–...)
Gjini, Dukë (1280), që i dha emrin principatës dhe familjes princërore
të Dukagjinëve.
Vazhdon më tej jeta dhe historia e Dukagjinëve sipas historianëve të
ndryshëm, duke dhënë edhe origjinën e tyre: prej Trojës, Anzhuinëve etj.,
gjithësesi një familje e moçme.
Çështja e pestë bën fjalë për zgjerimin e territoreve të Ndërfanës gjatë
Mesjetës e më vonë, gjë që e sjell vetë koha dhe proceset historike. Në fillim
trajtohet familja e njohur e Blinishtëve, në veri të Ndërfanës, me pinjollët e
kësaj dere: Vlad, Guliem e Kolojan, me tituj, grada dhe ofiqe shtetërore dhe
papale, të cilët lakmonin zgjerimin e principatës së tyre, veçanërisht në dëm
të Dukagjinëve. Por këta kishin grindje dhe konflikte edhe me familjet feudale
të Topiajve, duke shtuar aty edhe armiqësinë shekullore të serbëve, më në krye
Car Stefan Dushanin e njohur.
Këta Blinishtë, pra, mbërritën të shpallnin luftën dhe kryengritjen e
përgjithshme të Shqipërisë së Veriut, e cila filloi në korrik të vitit 1336,
për të marrë hov e turr më vonë. Blinishtët harruan se si kundërshtarë apo
shkaktarë të tjerë dolën më në fund edhe vetë familjet e mëdha të Topiajve e
Dukagjinëve. Dhe, si përfundim, familja e Blinishtëve humbi keq, duke kaluar
tashmë zotërimet e tyre nën sundimin e dinastisë serbe dhe të Dukagjinasve.
Për pasojë, territoret e principatës së Dukagjinëve u zgjeruan shumë,
duke fuqizuar dhe renditur këtë principatë ndër më të mëdhatë e Shqipërisë,
sidomos gjatë shekullit XIV. Kuptohet se me fuqizimin e kësaj principate dhe të
kësaj familjeje të madhe feudale, fuqizohej edhe vetë Ndërfana, një nga qendrat
më të rëndësishme dhe më të mëdha të Dukagjinëve, e "ndoshta njëra ndër
qendrat më të mëdha e më të përmendura për gjithë Shqipërinë e Epërme",
siç shprehet autori i monografisë (f.43).
Çështja tjetër trajton popullsinë e Ndërfanës dhe të trevave përreth
saj, ndonëse një krahinë më shumë malore, marrë në tërësi. Kjo çështje
zbërthehet në disa nënçështje për t'u bërë më e kapëshme nga lexuesit.
Menjëherë zë fill Kalaja e Meshurdhit, e lënë në harresë, por e dalë në dritë
nga autori dhe studiues të tjerë. Një kala e vjetër, e mbuluar nga pluhuri i
kohës, megjithëse një vend fortifikimi i veçantë, me rrënoja dhe gjurmë të
tjera vjetërsie, ndodhej në veri-perëndim të Ndërfanës.
Autori vë në dukje se: "Kalaja e Meshurdhit nuk është i vetmi vend
fortifikues. Në Mirditë janë identifikuar disa qendra të tilla..." (f.46),
sidomos në Rubik, Velë, Simon, Kodër Rrëshen, Bisakë dhe Domgjon. Pas kësaj
kalaje, vjen Blinishti i njohur, si një qendër e rëndësishme urbane, ku mbizotëronte
familja princrore e Blinishtëve. Në këtë hapësirë gjeografike gjendet edhe Kuvendi
Benediktin i Shën Palit dhe një kishë e vjetër, Kisha e
Shtjefnit, vende kulti që i përshkruan M. Skura në vitin 1641
dhe 1644.
Më poshtë mësojmë se ndër këto rrethina janë gjetur disa stoli
zbukuruese: vëthë, varëse, byzylykë (të gjitha prej bronxi), disa rruaza qelqi
si dhe mjaft vegla pune, enë, armë etj. Theksojmë se një përshkrim të
hollësishëm rreth Blinishtit, me të gjithë gjetjet dhe të dhënat historike, ky studiues
i zellshëm e ka bërë edhe kohët e fundit në revistën e Shkodrës, "Rrezja
jonë" (Nr.2, 2002, f.46–55).
Pika e fundit e kësaj çështjeje bën fjalë për vendpopullimet e Bukmirës,
Malajve dhe Përlatit. Për të parën herë vërejmë se aty janë gjetur disa objekte
të periudhës së Mesjetës së hershme, si: sëpata, rruaza, vathë, byzylykë dhe
tjegulla. Në Malaj u gjet një fibul, dy unaza bronxi, si dhe tëmthore, rrathë,
thikë dhe një varg rruazash. Në Përlat flitet për një varrezë të kohës ilire
dhe një përkrenare bronzi të tipit klasik ilir.
"Kuvendi i Ndërfanës 1595" trajtohet
në pikën vijuese, gjithnjë e përmbledhur. Ai është një ndër kuvendet shqiptare
të shekullit XVI të njohura edhe në planin europian, bashkë me kuvendet e tjera
të përmendura ballkanike. Pas mospranimit të thirrjes së krerëve shqiptarë
drejtuar atyre të Europës, flitet për mbledhjen e Kuvendit të Madh në
Manastirin e Shën Mërisë, më 1595 (Ndërfanë), në të cilin u paraqitën projektet
dhe "u rrahën mendime për një kryengritje të madhe e të përgjithshme
kundër hordhive turke", siç shprehet autori (f.53), por fatkeqësisht nuk
iu përgjigjën sa e si duhet disa vende europjane të kohës.
Më tej mësojmë për organizimin e një Kuvendi tjetër, atë të Ndërfanës,
më 7 qershor 1595, përkatësisht në Manastirin e Shën Mërisë, ku kishte disa
arsye për mbajtjen në këtë vend të shenjtë, ndër të cilat veçohet fakti se:
"në disa treva të Shqipërisë kishte filluar, për interesa ekonomike, të
ndryshonte besimi, të ndodhte myslimanizimi" (f.54).
Më vonë, më 1602, marrim vesh për një kuvend tjetër, në Manastirin e
Shën Llezhdrit. Po në këtë fillim shekulli, pushtuesit osman ndërmorën fushata
ndëshkimore të rënda kundër Mirditës, duke rrënuar dhe plaçkitur katundet dhe
banorët.
Çështja e tetë përmbledh Ndërfanën në relacionet kishtare të shekullit
XVII përmes misionarëve M. Bici, arqipeshkëv i Tivarit, dhe M. Skurës. Me
interes është sidomos një relacion i vitit 1630, ku renditen popujt që nuk i
janë nënshtruar turqëve, banorë kryesisht të Shqipërisë Veriore, midis të
cilëve janë edhe banorët e Fanit të Madh, me 80 shtëpi.
Relacioni i mëvonshëm, ai i vitit 1641–1650 prej M. Skurës, është disi
më i hollësishëm, ku shkruhet: "Ka Shën Mëri të Ndërfanës... mbahet një
prift që i shërben asaj. Frymë të krishtera nja 500 a më shumë" (f.59). Në
vitin 1644 ky relator rendit këto dioçeza: Shën Llezhdrin, Shën Markun, Shën
Mërinë e Ndërfanës, Shën Markun e Fanit të Madh.
Në lidhje me regjistrat dhe defterët turq, autori shënon:
"Ndërfana, duke mos iu nënshtruar turkut, gjendet pak në regjistrat
kadastrale turke", dhe shton më tej: "Ndërfana, edhe pse nuk u
nënshtrua asnjëherë, ajo u rrënua prej turqëve, të cilët kanë qenë të
pamëshirshëm, sidomos ndaj abacisë dhe vendeve ku ndodheshin ato" (f.59).
Më poshtë mësojmë se tempulli i Ndërfanës është ndërtuar dhe rindërtuar disa
herë, si në vitet 1930–33, 1944, 1966, 1967 dhe 1993.
Duke ditur rëndësinë e madhe që ka pasur bajraku dhe flamuri në jetën
dhe historinë e trevave të Veriut, si simbol dhe si njësia administrative
feudale, autori i monografisë i trajton këto probleme në një çështje të
veçantë, me titull: "Ndërfana – pjesë e Bajrakut të
Kuzhnenit". Pasi përmend formimin e fshatrave të Mirditës
dhe thekson: "Çdo bajrak në Mirditë ka pasur flamurin e vet" (f.62),
ai ndalet dhe analizon raportin simbolik flamur–duvak me mjaft elemente dhe
domethënie të nënkuptuar, ku mbizotërues është flamuri ynë kombëtar me shqiponjë.
Përshkrim të hollësishëm rreth këtyre dy simboleve kanë bërë edhe
etnografët e njohur F. Nopça dhe E. Durham. Autori thekson: "Flamuri
qëndron në mes të traditës mirditore dhe përbën shenjën e bashkimit, nga njëra
anë, dhe të nacionalizmit, nga ana tjetër" (f.64). Mos të harrojmë se
fjalët "Flamur" e "Bajrak" shënojnë të njëjtën gjë dhe janë
sinonime të njëri-tjetrit; e para fjalë grekolatine, e dyta fjalë turke.
Bajraku i Kuzhnenit renditej ndër 12 bajrakët e Mirditës, duke përfshirë
Kuzhnenin, Blinishtin, Pëshqeshin, Gjegjanin, Simonin, Gëziqin dhe Ndërfanën.
Më tej, autori flet për Gëziqin si një pjesë e pashkëputur e Ndërfanës.
Përsëri për Gëziqin, autori do të trajtojë gjendjen ekonomiko-shoqërore
dhe kohën e Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, për Korpusin XI gjerman,
për qëndresën e luftëtarëve dhe rënien e disa dëshmorëve.
Përsëri për problemet e ndërlikuara të shtrirjes dhe të administrimit të
krahinave, trevave dhe vendbanimeve më të vogla, kryesisht gjatë Mesjetës së
vonë, autori flet në çështjen e dhjetë, ku trajton përfshirjen e Ndërfanës në
Abacinë e Mirditës.
Vendin kryesor aty e zë Dekreti i posaçëm i Papës i vitit 1888,
në të cilin thuhet se Famullia e Ndërfanës i kalonte për juridiksion Abacisë së
Mirditës. Dekreti riprodhohet më poshtë, me nënshkrimin e Kardinalit Gjon
Simeonit, i vërtetuar nga ipeshkëvi i Lezhës, Fran Melzynski. Shkaqet kryesore
të kësaj rindarje ishin largësitë e famullive dhe besimtarëve, të cilëve abati
i vetëm i Lezhës (Kallmetit) nuk mund t'iu shërbente të gjithëve për nevojat e
tyre shpirtërore. Për rrjedhojë, aty kishin lindur edhe disa marrëdhënie të
vështira midis mirditasve dhe banorëve të tjerë të dioqezës së Lezhës.
Qendra e abacisë ishte Shën Llezhdri, e në krye të saj imz. Prend Doçi,
një prelat i zellshëm, dijetar ndër fusha të ndryshme të kulturës dhe kryetar i
shoqërisë së mirënjohur "Bashkimi". Bashkë me
figura të tjera të njohura klerikësh, si Gj. Fishta, D. Koleci etj., ata
hartuan një sërë librash për kulturën tonë kombëtare, si: "Abetaren", "Gramatikën", "Manualin
e estetikës", "Historinë e Shqipërisë" dhe
mbi të gjitha "Fjalorin e ri të Shqipes",
një ndër veprat leksikore më të mira të gegënishtes dhe të mbarë gjuhës shqipe.
Çështjes së arsimit autori i kushton një pikë më vete. Që në fillim të
kësaj trajtese, ai vë në dukje gjurmët e para të një arsimi të organizuar
herët, në shekullin XII, kur Roma themeloi disa kuvende benediktine në Orosh,
Ndërfanë, Shpal e Rubik, në të cilat përgatiteshin klerikë të shumtë, jo vetëm
për Shqipërinë, por edhe përtej saj, deri në Dalmaci.
Por në këtë mes duhet kuptuar mirë se klerikët dhe kishat nuk ishin të
mbyllura vetëm për misionin e tyre fetar. Përkundrazi, ata dhe ato ishin të
hapura ndaj jetës së popullit dhe vendit ku ndodheshin, duke kërkuar, duke
mësuar dhe duke studiuar, herë-herë me rrënjë e degë në drejtim të historisë
dhe të kulturës së popullit besimtar.
Urdhërat kishtarë në Shqipëri, si herët ashtu edhe më vonë, kudo kanë
përhapur dijen dhe dritën e shkollës. Ku ka pasur kishë e prift, aty ka pasur
edhe kulturë. Falë punës së tyre dhe mendjeve të ndritura, sot kemi një
trashëgimi të pasur kulturore. Kjo shihet më së afërmi tek kontributi i
klerikëve katolikë në disa shkolla, si ajo e Velës dhe e Pllanës, etj., sepse
kjo ishte "koha kur lëvizja kishtare fillon të marrë karakter të theksuar
kombëtar", siç shprehet autori (f.85), duke u referuar edhe literaturës.
Por pushtuesi i huaj, aq më tepër i një feje tjetër, me kalimin e kohës,
bëri punën e vet rrënuese ndaj institucioneve, ku, në këtë krahinë, u
shkatërrua Abacia e Ndërfanës dhe e Oroshit. Për këtë, studiuesi P. Doçi
shkruan:
"Qysh nga fundi i shekullit XV dhe gjatë shekujve XVI e XVII, qenë
rrënuar dhe goditur disa herë nga pushtuesit turq, të cilët bënë që të
mbylleshin abacitë dhe të mos funksiononin shkollat për një kohë të gjatë"
(f.86).
U deshën mjaft kohë që arsimi të fillojë sërish në këto anë. Vitet '30
shënojnë hapjen e shkollës së Ndërfanës. Më 1935 hapet një shkollë e përbashkët
për Gëziqin dhe Ndërfanën, me mësues Luigj Shkjezin. Shkolla e Gëziqit vazhdoi
jetën dhe veprimtarinë e saj gjatë gjithë kohës, me mësues të ndryshëm nga
rrethe të tjera të vendit dhe me nxënës të shumtë nga viti në vit, ku një pjesë
e mirë e tyre u bënë njerëz të dijes dhe të shkencës.
Autori shkruan: "Shkolla e Gëziqit ka luajtur një rol të veçantë
historik e kulturor në jetën shoqërore të këtij fshati", duke radhitur një
varg intelektualësh të fushave të ndryshme si: Loro Gjeçi, Gjon Simoni, Zef
Brozi, Ndue Lazri, Ndue Marku e mjaft të tjerë (f.89).
Në çështjen e 13-të trajtohen pasuritë natyrore të Ndërfanës, duke
veçuar pyjet dhe burimet ujore. Përshkruhen mirë pyjet dhe shumëllojshmëria e
drurëve të tyre, veçanërisht lisi dhe llojet e tij: qarri, bungë, shparthi, si
dhe përpjekjet e vendasve dhe të të huajve për t'i mirëmbajtur, ruajtur dhe
shfrytëzuar këto pyje gjatë gjithë kohës. Veçohen pyjet e Qafë-Mollës,
Livadhezit, Gëziqit, Molungut, me masive të tjera.
Ndër shkurret përmendet: frashëri, dëllinja, mareja, shkoza, boshtrra,
shqopa, krifsha. Po në këto masive nuk mungon as pisha e zezë, aq e vlefshme
për ndërtime dhe rrëshirë.
Disi më gjerë, autori flet për burimet ujore, të shumta dhe të pastra,
të shpërndara si arterie në Ndërfanë, duke krijuar një mjedis natyror të bukur
dhe të këndshëm, gjithsesi romantik, veçanërisht për turistët. Më poshtë
vërehet përpjekja për t'i përdorur këto rrjedha ujore për vaditje tokash, në
dobi të bujqësisë.
Ky përshkrues i imët na jep rrjedhat e tjera ujore, sidomos krojet me
ujë të pastër, ku përmendim: Kroi i Lkethit, Kroi i Kalanjanit, Kroi i Mimanit,
Kroi i Akajve, Kroi i Mekullit, Kroi i Frashnit, Kroi i Gurit, Kroi i Lakut të
Ktisë, Kroi në Gjurra.
Nga përrenjtë rendisim: Përroi i Dukagjinit, P. i Mekullit, P. i Shehut,
P. i Çakajve, P. i Gjazhdës, etj. Ndonjë prej tyre është përdorur edhe për
rezervuar uji, kurse përgjithësisht, deri në vitet '60, këta përrenj janë
përdorur për vija mullinjsh, aq të shpeshtë dhe të domosdoshëm për banorët e
malësive, e quajtur kjo edhe si një zeje e veçantë, disa prej të cilëve të
dëshmuar historikisht që në Mesjetë.
Në çështjen e fundit, autori i kësaj monografie analizon traditat e
banorëve të Ndërfanës e më gjerë, si një pjesë e kulturës materiale dhe
shpirtërore të kësaj treve, duke e ndarë edhe këtë në disa nënçështje.
Fillimisht trajtohet rituali i vdekjes, ku njeriu ka hall të madh
përgatitjen e petkave të vdekjes, për t'u veshur në ditën e fundit si
"dhëndërr" ose si "nuse". Një tjetër hall ishte lajmëtari,
apo "fjalëtori", i cili shpërndante lajmin ndër miq e dashamirë të
shtëpisë së të vdekurit. Kishte më shumë se një fjalëtorë, në vartësi nga
largësia e të lajmëruarve. Miqtë e largët merrnin me vete edhe vajtimoret,
ndërsa dajat dhe nipat vinin duke bërtitur me "gjamë" dhe duke
gërvishtur fytyrën, gjë që na kujton vajtimin e Lekë Dukagjinit në vdekjen e
Gjergj Kastriotit.
Gjatë ceremonisë së mortes, vajtojnë gratë, ato të vendit dhe të
krahinave, ku përparësia u takon këtyre të fundit. Më poshtë, shfaqet një
fragment vaji prej shumë vargjesh, ku dalin çastet më të rëndësishme të jetës
së të vdekurit.
Pika e dytë bën fjalë për gjamat, veçanërisht ato realizuar dhe
ekzekutuar nga burrat, një moment emocional dhe i trishtueshëm në ritet e
vdekjeve tona, ku si shembull sillet gjëma e Lekë Dukagjinit. Aty mungon muzika
dhe vendin e ka britma (brima), e cila shpreh ankth dhe dhembje të fuqishme. Më
tej mësojmë llojet e gjamave: teke, dyshe dhe në grup, me përshkrime të
hollësishme mbi mënyrat, format dhe mjetet e realizimit të tyre si rite jo të
zakonshme.
Loja e "filxhanave" zë një pikë tjetër në këtë çështje, si një
lojë popullore burrash në dhomën e tyre, midis dy palëve, për të gjetur unazën
nën 10 filxhanë, ku fshihet njëfarë zgjuarsie. Pala fituese këndon me bejte e
thumba, si p.sh.:
"Prapa tij ky Pjetri i dyti / Rrin syulë
porsi puc fiku."
Një vend të veçantë zë pika tjetër, që i kushtohet veshjes popullore të
gruas mirditore, mjaft të ndërlikuar por me art të rrallë, si shumë veshje e
kostume të tjera të krahinave shqiptare, secila me të veçantën e vet. Autori
shkruan:
"Elementët e kësaj veshje, prerja,
zbukurimet, mënyra e qepjes, të bëjnë të japësh një gjykim mbi shijet estetike,
mbi kulturën, botën shpirtërore..." (f.109).
Ai rendit një e nga një elementët e kësaj veshjeje: këmisha, xhamadani,
qemeri, tufat, përparsja, çorapet, këpucët ose "opinga lope", xhupi,
xhahengu, xhurdini, shamija, kësula e kuqe, të punuara dhe të zbukuruara nga
duart e arta e të shkathta të grave mirditore.
Veç këtyre, kostumin e bukur e shoqërojnë dhe e stolisin edhe zbukurimet
metalike: unaza, vathët, parellikët (prej ari e argjendi). Në këtë veshje
dallon shumëngjyrshmëria, ndonëse mbizotëruese është e bardha. Ka harmoni të
veçantë midis ngjyrave, dhe kontrastet e vëna re kanë efektet e tyre dhe
kryejnë funksione stili.
Është e vështirë të përfshihen të gjitha pjesët e vogla të këtij kostumi
dhe po aq e vështirë t'i përshkruash me të gjitha vlerat materiale dhe
artistike të tyre. Këto i lëmë veçanërisht etnografeve femra, të shoqëruara dhe
me vetë gratë punëtore dhe duararta mirditore.
Vështruar në tërësi dhe në veçantinë e vet, kjo monografi përbën një
vepër serioze për Mirditën, mbështetur në një literaturë të pasur, shfrytëzuar
racionalisht nga autori i zellshëm, i vëmendshëm dhe i formuar, Gjon Marku. Për
bukuri, ai ka ditur të përthithë dhe të derdhë në librin e tij çdo të dhënë nga
fusha të ndryshme studimi, shoqëruar me trajtimin e vet të veçantë, duke
përzgjedhur gjithçka që është qënësore dhe e rëndësishme për krahinën e marrë
në studim, kaq me interes për Mirditën.
Çdo kërkues ka çfarë të marrë dhe të shfrytëzojë nga kjo monografi.
Ndonëse një biolog si formim fillestar, Gjoni ua kalon sociologëve për ato
çfarë ka shkruar. Më vjen mirë, sinqerisht, që ndër këto vitet e fundit kanë
dalë disa pena e firma të afta nga Mirdita dhe për Mirditën, si rrallë në
ndonjë krahinë tjetër. Urojmë për më mirë!









