Mendime
Ilir Sefaj: Faji - si kut për matje në politikë!
E hene, 16.03.2026, 06:55 PM
Faji - si kut për matje në politikë!
Nga Ilir Sefaj
Kujtoj
se me shumë të drejtë në optikën e qytetarit të Kosovës, binomi Kurti-Osmani,
që në dukje u ngjiz tepër natyrshëm, u konceptua si imperativ i kohës në
rrjedhën e jetës politike në vend, madje në të gjitha rrafshet.
Me
gjithë rëniet dhe ngritjet e kohëpaskohshme që ishin evidente në këtë periudhë
të bashkëpunimit mes figurave kryesore politike në vend, Albin Kurtit si
kryeministër dhe Vjosa Osmanit si presidente e shtetit, u krijua përshtypja se
në politikën e Kosovës po krijohet një klimë e re e reagimit politik karshi
agjendave me tematikë kombëtare e ndërkombëtare, nga ajo e dy dekadave të para
të pasçlirimit.
Në
krye të institucioneve kryesore të shtetit, pa pasur nevojën e një bashkëpunimi
me partitë opozitare, tashmë u vendosen njerëz që rrezatonin “shpresë” në sytë
e qytetarit të Kosovës. Ishte kjo shpresë e munguar në dinamikën e jetës
politike në vend, për arsye nga më të ndryshmet. Gjithsesi, nëse do shpërfaqnim
paksa racionalizëm, ecja e vështirë e elitës politike në dy dekadat e para të pasluftës,
për shumë arsye edhe do të mund të justifikohet disi, mbase! Vitet ikën dhe
tashmë jemi ku jemi.
Sidoqoftë,
pa dashur të thellohem shumë në sukseset apo mossukseset e binomit Kurti-Osmani
në pesëvjeçarin e fundit, prapë natyrshëm ose jo, erdhi momenti i shpërbërjes
së dyshes së famshme, e cila për pesë vjet me radhë pati në duar drejtimin e
rrugëtimit politik, ekonomik e social të Republikës sonë.
Ky
çakordim mes kreut të Ekzekutivit dhe presidentes së Kosovës erdhi si rezultat
i mungesës së vullnetit politik që Vjosa Osmanit t’i jepej drita jeshile edhe
për një mandat të dytë në krye të shtetit. Dhe, kjo situatë kontaminimi politik
që u krijua nga prishja e tandemit Kurti-Osmani, e që erdhi nga veprimi apo
mosveprimi i aktorëve politikë në vend, përfshirë pozitë e opozitë, në opinion
u tentua të shitet si “faj” i njërës kundrejt palës tjetër. Duke qenë kështu, e
bazuar në atmosferën e krijuar, i vetmi kut me të cilin mat qytetari i Kosovës
sot, është “faji”! Dhe kjo, sa është meritë e politikës ditore, aq edhe e
infantilitetit qytetar që vetëdijshëm ose pa të, di të kapërdijë gjithçka që i
servohet, madje lehtazi dhe pa kundërshtinë më të vogël.
Gjithsesi,
loja që u bë me emrin e presidentit krijoi hutinë e radhës tek qytetari i
vendit, madje kjo po ndodhte menjëherë pas periudhës mbi 1-vjeçare të ngërçit
politik me të cilin u karakterizua Republika e Kosovës në vitin që e lamë pas.
Kryeministri
aktual i vendit, që disa preferojnë ta quajnë, kryeministër në detyrë, duke e
pasur përballë një opozitë të rraskapitur (shih: më shumë se të lodhur), e duke
mos e pasur hipotekën e të korruptuarit mbi supe, së paku si emër i përveçëm,
ka arritur ta krijojë narracionin e të besueshmit në optikën e opinionit të
brendshëm, dhe kjo nuk është pak. Shkurt, qytetari i Kosovës i beson
kryeministrit të vendit. I beson edhe sot dhe do t’i besojë edhe në zgjedhjet e
mundshme që do të mund të organizohen në rast se Gjykata Kushtetuese i jep të
drejtë dekretit për shpërndarjen e Kuvendit, që ditë më parë e nxori presidentja
e Kosovës.
Edhe
pse në realitetin tonë politikë, madje çdo ditë, në ekrane televizive, portale,
media të ndryshme na shfaqen ekspertë që flasin për ligje e Kushtetutë, e
veprimeve politike që ndërlidhen me aktorë politikë, kujtoj se dilemën e kushtetutshmërisë
së dekretit që e nxori presidentja e vendit, do e zgjidh verdikti i Gjykatës
Kushtetuese, Gjykatë kjo, e cila në këto vitet e fundit ka qenë mjaft e zënë me
mbarëvajtjen ligjshmërisë së vendimeve të marra nga institucione të ndryshme të
Kosovës, në veçanti ai i Kuvendit.
Në
demokracitë e avancuara, siç pa mëdyshje mëton të jetë edhe kjo e jona, janë
krejt normale divergjencat politike, lojërat për pushtet, pse jo edhe
ndërskamcat politike, sepse në fund të fundit, siç me të drejtë është thënë,
“politika është art i së mundshmes”, por edhe një qasje e përgjegjshme karshi
situatës aktuale politike është më shumë se e nevojshme, sidomos kur dihet që
Republika e Kosovës ende ka probleme të theksuara që lidhen direkt me jetën e
qytetarit, por edhe të atyre të aspektit
të politikës rajonale e të gjeopolitikës.









