E hene, 23.02.2026, 11:54 PM (GMT)

Editorial » Shkreli

Frank Shkreli: Athanas Gegaj – figurë e shquar e çështjes kombëtare

E hene, 23.02.2026, 06:58 PM


ATHANAS GEGAJ VEPRIMTAR DHE STUDIUES SHQIPTAR NË AMERIKË

I SHQUAR PËR ROLIN E TIJ NË ÇËSHTJEN KOMBËTARE

Nga Frank Shkreli

(Fjala e lexuar në aktivitetin e veçantë të organizuar nga Fondi Humanitar, “Trieshi” në Nju Jork, me 22 shkurt, 2026, për të nderuar veprimtarinë dhe kontributin e shquar të Dr. Athanas Gegajt në fushë të ndryshme të krijimtarinë së tij patriotike dhe publicistike).  Përfshirë rolin e tij si editor i gazetës Dielli dhe bashkëpunëtor i ngushtë i revistës Hylli i Dritës; angazhimin e tij politik në mërgim dhe bashkëpunimin me figura të njohura të diasporës anti-komuniste shqiptare, si dhe kontributin e tij fetar si françeskan.

-------------------------

Falënderimet e mia Fondit Humanitar “Trieshi” dhe Kryetarit Gjon Gjokaj për ftesën në këtë tubim përkujtimor kushtuar jetës, veprimtarisë dhe kontributit të Dr. Athanas Gegajt në fushën e shkencës, gazetarisë, fesë dhe kulturës shqiptare. U kërkoj ndjesë për mos mundësinë e pjesëmarrjes me ju në këtë aktivitet me rëndësi për komunitetin shqiptaro-amerikan, për Malësinë e Madhe dhe për mbarë shqiptarinë.

Për fat të keq, unë nuk e kam njohur Dr. Athanas Gegajn, por kam dëgjuar shumë fjalë të mira për të, kryesisht, nga persona të komunitetit shqiptaro-amerikan që e kanë njohur mirë Dr Gegajn, disa prej të cilëve edhe kanë bashkpunuar me të.  Sipas tyre, ai ishte i lidhur ngusht me intelektualët dhe me patriotët më të dalluar shqiptarë në SHBA dhe më gjërë. Në kontekstin e diasporës, figura e tij shpesh përmendet krahas veprimtarëve më të dalluar të gazetës Dielli dhe të Federatës Pan-Shqiptare Vatra, e cila që në kohën e Nolit e të Konicës ka luajtur rol kyç në artikulimin e interesave kombëtare të Shqipërisë dhe shqiptarëve në kryeqytetin e Shteteve të Bashkuara në Washington. Si redaktor i gazetës Dielli, Athanas Gegaj është dalluar me shkrime dhe studime në mbrojtje të çështjes shqiptare. Ka nga ata që thonë se me kalimin në amshim të Fan Nolit më 1965 dhe me largimin e Athanas Gegajt si Kryeredaktor i Diellit, Vatra dhe Dielli nuk kanë shkëlqyer më si në kohën e tyre. Publicistika e tij prej vitesh lidhej ngusht me përpjekjet për ndërgjegjësimin ndërkombëtar mbi të drejtat e shqiptarëve, në përputhje me misionin prej disa dekadash të komunitetit shqiptaro-amerikan.

Të nderuar pjesëmarrës!  Në një kohë kur historia shqiptare shpesh relativizohet, e më shumë shtrembërohet për arsye politike, ose lihet në heshtje të qëllimshme, ne shqiptarët e lirë në botën e lirë, jemi të detyruar moralisht dhe kombtarisht të flasim qartë dhe shpesh për figura që regjimi komunist i kishte shpallur “armiq”, por që historia dal-nga-dal, për fat të mirë, po i rehabiliton si patriotë të vërtetë. por jo siç duhet dhe siç meritoinë.  Një ndër ta është edhe Athanas Gegaj.

Në vazhdën e figurave si Fan Noli dhe Faik Konica, si Kryeredkator i gazetës Dielli për nja një dekadë, ai e kishte kuptuar se diplomacia publike dhe ndikimi në opinionin amerikan ishin thelbësore për mbijetesën e Shqipërisë si shtet i pavarur. Por ajo që e bën figurën e tij të veçantë, është qëndrimi i tij i prerë kundër regjimit të vendosur nga Enver Hoxha pas vitit 1944 në Tiranë. Ndërsa Shqipëria u izolua pas prishjes me Yugoslavinë (1948), me Bashkimin Sovjetik (1961) dhe më pas edhe me Kinën, Gegaj e denoncoi publikisht shndërrimin e vendit në një shtet totalitar të izoluar edhe nga bota perëndimore.  Ai nuk e pranonte tezën se komunizmi ishte “mbrojtje e pavarësisë kombëtare”, siç e paraqiste regjimi.  Përkundrazi, ai argumentonte se izolimi ekstrem, shkatërrimi i elitës intelektuale dhe përndjekja e klerit dhe kundërshtarëve politikë të komunizmit, ishin goditje direkte ndaj identitetit historik të Kombit shqiptar. Në këtë kontekst, zëri i tij ishte pjesë e një rezistencë e fortë intelektuale në mërgim, e cila u përpoq të mbante gjallë narrativën e Shqipërisë perëndimore dhe demokratike.

Bazuar në disa prej shkrimeve të Dr. Athanas Gegaj, si Kryeredaktor i gazetës Dielli për pothuaj një dekadë, Gegaj dallohej si njëri ndër më anti-komunistët qqë ka shërbyer në atë post.  Një element thelbësor i rolit të tij politik dhe gazetaresk ishte kundërshtimi i hapur ndaj regjimit komunist të vendosur pas Luftës së Dytë Botërore në Shqipëri, Kosovë dhe dhe në mbarë trojet shqiptare. Si shumë intelektualë të mërgatës, ai e konsideronte komunizmin si një deformim të aspiratave kombëtare dhe si një izolim fatkeq të Shqipërisë nga Perëndimi dhe nga bota.  Me gojë dhe shkrime, Athanas Gegaj nuk heshti përballë padrejtësive të komunizmit. Ai mbrojti me bindje idenë se liria politike dhe dinjiteti kombëtar janë të pa-ndashme.  Në një periudhë kur Shqipëria u izolua nga regjimi komunist, ai zgjodhi të flasë, të shkruaj dhe të veprojë — duke e konsideruar heshtjen si bashkëfajësi me regjimin e krimeve në Shqipëri.

Është fakt historik se historiografia zyrtare e periudhës komuniste, por edhe e tranzicionit 35-vjeçar, “post-komunist”, pas shembjes së Murit të Berlinit, vazhdon të heshtë për figura si Athanas Gegaj.  Historiografia zyrtare në Tiranë dhe  në Prishtinë, në shumicën e rasteve, vazhdon të minimizojnë kontributet e figurave të diasporës, si Athanas Gegaj, ndërsa çdo kritikë ndaj regjimit komunist -- nga figura të dalluara të diasporës anti-komuniste ndaj regjimit të Enver Hoxhës -- e kanë etiketuar gjithmonë, si “propagandë armiqësore”, ndaj Shqipërisë.  Në disa qarqe të caktuara si Akademia e Shkencave e Shqipërisë dhe Akademia e Shkencave e Kosovës, kjo heshtje e turpshme institucionale vazhdon edhe sot pas “shembjes”, zyrtare të komunizmit duke lënë në harresë shumë prej atyre që për dekada punuan për çështjen shqiptare këtu në Shtetet e Bashkuara: nga Washingtoni, New York-u, Bostoni e Detroiti dhe anë e mbanë Amerikës. Edhe Athanas Gegaj i përkiste atij brezi të pas Luftës së II Botërore, që e kuptoi se beteja për Shqipërinë dhe për shqiptarët nuk zhvillohet vetëm brenda kufijve etnikë të saj, por duhej të zhvillohej edhe në qendrat e vendim-marrjeve globale, siç ishte Amerika.  Megjithse sot klasa politike shqiptare, kryesisht, e edukuar nën sistemin komunist – ndodh që gjithnjë shpreh nostalgji për regjimin komunist enverist – ndërsa, njëkohësisht, merr kredinë për zhvillimet demokratike në Shqipëri dhe në Kosovë, pas shembjes së Murit të Berlinit me 1989.

Duhet bërë e qartë se kur flasim për orientimin euro-atlantik të Shqipërisë dhe Kosovës, duhet të pranojmë  -- ne këtu në Shtetet e Bashkuara dhe ata në Tiranë e Prishtinë -- se themelet morale e politike të këtij orientimi perendimor nuk janë ata, por që idetë e lirisë e të demokracisë perëndimore janë mbajtur gjallë për dekada, me radhë të parë nga diaspora anti-komuniste e pas luftës në Amerikë – pikërisht, nga patriotë si Athanas Gegaj.  Ata ruajtën idenë e një Shqipërie të lirë, demokratike dhe të lidhur me Perëndimin, sidomos, me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kur brenda Shqipërisë komuniste, kjo ide ishte e ndaluar për pothuaj një gjysëm shekulli sundim të regjimit sllavo-komunist të Enver Hoxhës. Athanas Gegaj nuk ishte “armik i Shqipërisë”.  Por ai ishte kritik i zoti, i një regjimi të dështuar e kriminel që zhduku më të mirët dhe më të edukuarit e Kombit. Dhe sot, kur Shqipëria e Kosova synojnë konsolidimin demokratik, është e padrejtë që zëri i Athanas Gegajt dhe të tjerëve si ai, të mbetet në hije si në kohën e Enver Hoxhës.

Zemra më dhemb si shqiptaro-amerikan – që edhe pas 35-vjet tranzicion – përjetojmë një anashkalim zyrtar nga historiografia shqiptare të këtyre figurave të Kombit, si Athanas Gegaj të cilët për një gjysëm shekulli ia kushtuan jetën dhe veprën e tyre, një Shqipërie të lirë e Demokratike, i njohur edhe për rolin e tij në historiografinë shqiptare. Nga Frank Shkreli – Dr. Athanas Gegaj: Gjergj Kastrioti-Skënderbe shembull i pavdekshëm i popullit shqiptar | Gazeta Telegraf

Kjo deklaratë -- e dij se thirrje të tilla bien në veshë të shurdhët -- nuk është vetëm një akt kujtese për veprimtarinë dhe kontributin e Dr. Athanas Gegaj. Por është një thirrje për një rishikim serioz nga entet akademike e historike shqiptare, të figurave të diasporës antikomuniste shqiptare në përgjithsi: Hapje të plotë të arkivave dhe trajtim objektiv dhe të paanshëm të debatit historik mbi kontributin e tyre, duke bërë një vlerësim institucional të pa-anshëm për ata që mbrojtën çështjen shqiptare në arenën ndërkombëtare, në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar.

Uroj që ky tubim sot këtu në Nju Jork të shënojë fillimin e një interesimi më serioz se deri tani të akademikëve dhe historianëve shqiptarë në Tiranë dhe Prishtinë, jo vetëm për Dr Athanas Gegaj por edhe për të tjera figura të njohura politike e kulturore të mërgatës antikomuniste shqiptare të pas Luftës së II Botërore, të harruar dhe të përjashtuar nga historiografia zyrtare shqiptare. Ata duhet të jenë të ndërgjegjëshëm se heshtja e deritanishme zyrtare e tyre dhe e enteve shqiptare akademike që ata përfaqësojnë, por edhe e universiteteve në Shqipëri e Kosovë, nuk është asgjë tjetër veçse një vazhdimësi e shëmtuar e padrejtësisë historike dhe bashkfajsi që ato ente ndajnë me ish regjimin komunist.

Për ata atje në Atdhe, ashtu siç është edhe për ne këtu në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, kujtesa e këtyre burrave të Kombit, si Dr Athanas Gegaj, është një akt drejtësie dhe detyrim kombëtar!  Urimet e mia Fondit Humanitar, “Trieshi”, për oganizimin e këtij tubimi në kujtim të njërit prej burrave më të nderuar të Malësisë së Madhe dhe të Kombit shqiptar, Dr Athans Gegajt. Qofshi të nderuar ju bashkvendas të tij për këtë përkujtim dhe ju pjesëmarrës aty në këtë përkujtim historik për jetën dhe veërimtarinë e Dr Athanas Gegajt. U lumtë!



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Frank Shkreli: Për një normalitet në marrëdhëniet Shqipëri–Kosovë: Jo fjalë boshe! Frank Shkreli: 17 Shkurti – Pavarësia e Kosovës dhe shqiptarët e Amerikës Frank Shkreli: Shkurti 1967 – krimi që ende nuk quhet krim Frank Shkreli: “Lutje”, kamera, turizëm politik dhe dështime politike të importuara Frank Shkreli: Pse vazhdimësia në Presidencën e Kosovës ka rëndësi tani Frank Shkreli: Ndërroi jetë Pjetër Leka Ivezaj Frank Shkreli: Dita Ndërkombëtare e Holokaustit dhe krimet e regjimit komunist të Enver Hoxhës Frank Shkreli: Vazhdon krimi shtetëror ndaj At Gjergj Fishtës Frank Shkreli: Ibrahim Rugova - Burrështetasi që e sfidoi dhunën me qytetërim Frank Shkreli: Dr. Athanas Gegaj – Gjergj Kastrioti Skënderbe Frank Shkreli: Abaz Kupi - I harruar dhe i keqtrajtuar nga historia zyrtare Frank Shkreli: Ndërroi jetë akademik Nexhat Daci, i urtë por edhe guximtar Frank Shkreli: Nuk mund të anashkalohet roli i Ernest Koliqit në formimin e Martin Camajt Frank Shkreli: Fjala me rastin e vlerësimit nga Unioni i Gazetarëve Shqiptarë Frank Shkreli: Një reflektim personal në 10-vjetorin e kalimit në amshim të Sh. T. Imzot Rrok Mirditës Frank Shkreli: Dr. Ibrahim Rugova - Presidenti i parë historik i Dardanisë Frank Shkreli: Albanian BookFest - një festë e jashtëzakonshme e librit, kulturës dhe identitetit tonë Frank Shkreli: Gëzuar 28 Nëntori 2025 - Dita e Pavarësisë së Shqiptarëve! Frank Shkreli: Në nderim të Dom Pjetër Popajt — katër dekada në shërbim të Zotit dhe Kombit Frank Shkreli: Shtëpia e Bardhë ka shpallur “Javën e Antikomunizmit”

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx