Mendime » Radovani
Fritz Radovani: Tradhëtarët Enver Hoxha e Ramiz Alia na nxorën nga Europa
E shtune, 21.02.2026, 06:53 PM
PREJ LIBRIT FRITZ RADOVANIT: PJESA E I.
Tradhëtarët
Enver Hoxha
e Ramiz Alia
na nxorën
nga Europa...
Melbourne
2010
Ua kushtoj
të Parëve të mi,
Ejëllorëve
(ose Radovanve) të vjetër,
dhe
Gurakuqëve po aq Atdhetarë,
që menduen,
punuen e u salvuen
për
Shqipninë Europjane të
Gjergj
Kastriotit - Skenderbeut!
Autori
Melbourne,
Gusht 2010.
Redaktor: Daniel Gàzulli. 2010.

Dikur...
ishte edhe kjo... Shtëpia e Luigj Gurakuqit..!
At Anton
Harapi, tregon për Luigj Gurakuqin:
“...U kuq,
iu muer goja, shterngoi buzët e i dha vehtes: Padër Anton, tha, na kanë
skreditue tepër keqas, na kanë deklarue komunista n’opinjonin publik t’
Europës! Për Zotin, nuk due të hiki, por po ndeja këtu, e dij se derdhet gjak
e, derdhet kot...”
(Revista
“Hylli i Dritës, Nr. 3, Mars 1944, fq. 69, Shkoder.)
PJESA E I
HYMJE
Isha i vogël kur më tërhiqte
vemendjen një kuadër pikture mbi një tabake porcelani me servirë kafe. Aty
ishte një piramidë dikund ka Egjipti. Një deve, nga pozicioni i kambëve,
kuptohej se ishte në ecje…Përpara i printe një harap, që dukej sikur e tërhiqte
deven me një litarë…
Dukej sikur edhe dielli binte
vetëm mbi atë mjedis, ku rana digjej e të jepte përshtypjen e një tymnaje që
ngrihej nalt…
Më dukej një jetë e mënershme.
Piramidat, tash sa mija vjet, asnjena nuk lëvizin. Nuk lëvizin as sfinksat, as
gurtë, as tullat, madje as faraonët që janë aty ndër ato piramida.
Ndonjë termet shkapë ndonjë
gur aty-këtu, që rrëshqet dhe bie poshtë,
thërmohet e bahet pluhun.
Kur frynë erë, rana ngjitët e
mbushë zgavrrat e gurëve, po edhe të sfinksave, që qëndrojnë me aq madhështi
mbi piedestalet e tyne. Kur bie shi apo breshën, rrallë në ata vise, gjithë ai
pluhun lahet e rreshqet me ujin poshtë…
Mbas pak orësh dielli i fortë
i atij vendi e thanë tokën e nuk mbetë ma asgja mbas atij rrebeshi që mund t’
jenë kenë boll i fortë.
Asht e vërtetë se edhe aty
jeta vazhdon…
Harapi e devja, të dy
jetojnë…tjerët nuk jetojnë, nuk kanë jetë, por vazhdojnë me kenë aty, madje
edhe kur as harapi as devja nuk do të jenë ma. …Për jeten e
deves asht vështirë me folë. Thonë se asht mësue me vuejtë e me bajtë… Në lidhje
me “arësyetimin” e kafshëve kam pyetë edhe njerëz me ide materialiste, që e
mendojnë veten trashigimtarë të majmunit, por vërej se e kanë të vështirë me
mendue ndryshej, jo pse kanë bindje, por u pelqen ashtu, pse nga pema majmuni
hypë ma lehtë mbi shpinën e gungueme të deves, sesa me kenë njeri dhe me kërkue
rahatinë tek devja.
Ndërsa për harapin e shkretë çka mundesh me thanë
ma parë..?
Jeta e ban njeriun me pranue
me kenë i gjallë ndër të vdekun. Kërkon gjithmonë i shkreti njeri me kenë i
gjallë e, shpesh, thuhet se edhe “Shqiptarët
janë kenë të vdekun ndër të gjallë…”
Jam i sigurtë se këtë mendim
për shqiptarët e kanë “ata” që kanë jetue të hypun mbi shpinë të deves, se, po
t’i takonte me jetue si devja , me u tha etjet si ajo, ose si harapi që i prinë
zbathë, tue u djegë kambësh në ranën e nxehtë, tue vrapue me gjetë dy grushta
uji me njomë gojën e shkrumueme, atëherë me andje të madhe do të çonte sytë kah
qiella dhe, ashtu gjysë të verbuem nga lodhja, uja, etja, zharitja e frika e
vetmisë, apo nga dajaku e shpata e mumjes së “faraonit”, do të fillonte me
vrritë me gjithë forcën e zanit të shkyem, me sy të zgurdulluem, tue shikue
drejt tek drita e fortë e diellit, derisa të fillojë me pa në rrethin e tij
Kryqin…e, kur i marrakotun do të binte për tokë, ashtu, i shkrryem në ranë, do
të thërriste:
“Zoti im, Zoti im…pse më
lëshove dore..?”
Jo, nuk asht blasfemi kjo,
vëllazen e motra!
Këto janë fjalët e Krishtit!
Shqiptarët kanë të drejtë me
pyetë…
Se vuejtën gati 50 vjet… si Krishti!
Melbourne,
2 Korrik 2010.
I. NA ISHTE
DIKUR... NJË SHQIPNI..!
Kështu
i fillonin përrallat dikur gjyshat tanë...
Na
hapnim veshët me ndigjue, po nuk shkonte gjatë dhe kapakët e syve na mbylleshin
tue na mbetë nder mend vetëm fjalët “na ishte...!”
Mundoheshin
të shkretët pleq me na ngulë në tru fjalën “Shqipni”, që
shpesh, kur zemroheshin, si nëpër dhambë përtypnin disa tinguj gati si të dëshpruem...”si e hangri dreqi kështu, këtë vend..?”
Ishim
të vegjël dhe nuk mujtëm me kuptue se çka donte me thanë “me hangër dreqi një
vend...”, krejt abstrakt për moshat tona 5 – 6 vjeçare...
Kishim
fillue me këndue me shokë një kangë që na pelqente fort:
“Porsi fleta e Ejllit t’ Zotit,
Po rreh Flamur’ i Shqipnisë...”
E,
pa e dijtë mirë se kush e kishte ba ate, mësuem ndër shkolla se Ai ishte një
nga “tradhëtarët” e Popullit Shqiptar, që nuk duhej me i zanë në gojë as emnin, as
kangën e Tij... Mësuesja e klasës së parë në Dajç të Bregut të Bunës, në vitin
1945 ishte zoja e nderueme Viktore Kuka, të cilën e takova në vitin 1993, mbas
40 e sa vitesh, mbasi nga pranëvera
ajo nuk e mbylli vitin shkollor, se u arrestue si “armik i popullit” dhe vuejti
sa vite dënim...
Pak
kohë, pra, mbasi kishin “hi këta”, kuptuem se edhe “kush ishin këta”, që një
ditë në mengjes, prej tyne njeriu nuk ishte aty ku binte me fjetë në darkë.
Sigurisht, edhe “kangën” e harruem prej frike.
Kur
Zoti ua ndaloi me hangër “mollën” Adamit e Evës në Parrizin e Tokës, pikërisht,
Até që Zoti ua ndaloi, até tinzisht një ditë e “hangrën”...
Ashtu
edhe na, porsa filluem me kuptue e me zanë mend, filluem me kërkue ndër libra “mollën
e ndalueme”...por këte herë jo nga Zoti, po nga “robi”, ose ma mirë me thanë
nga “robnuesi” i Atdheut...
Ndër
librat e vjetër, mu në qoshen e një rafti të harruem të bibliotekës së dajës,
ishte “Kanuni i Lek Dukagjinit”, me emnin e një frati sipër që e kishte mbledhë
nga populli; quhej At Shtjefën Gjeçovi, OFM., që mësova se e kishin vra
serbët...në Kosovë, ku ishte mësues, tue plotsue edhe idenë se edhe banorët e
Kosovës ishin Shqiptarë, por mbas 1944 Ata ishin nën sundimin e “druzhe” Titos
së Jugosllavisë, i cili na ka sjellë edhe ne si atyne “lirinë”, bashkë me
Stalinin e “math” e gjeneral kolonel Enver Hoxhën, që ishte në qeverinë
provizore të Tiranës, sigurisht, me trup aty se, me mend, me zemër e me
vepra në Beograd...
E
mora atë libër në dorë dhe mbasi e hapa, prap një tjetër emën i ndaluem...At Gjergj Fishta, prap një
tjetër...Faik Konica...e kështu, u futa në “Parrizin e Tokës”, ku pothuej të
gjitha “mollat” ishin të ndalueme..!
Ato
dy parathanje, edhe pse kanë kalue 50 e sa vjet, nuk i harroj për mënyren e
shkrimit të Tyne nga dy kolosët e Letërsisë Shqipe, por që endè
vazhdojnë me kenë..., në “Parrizin e Tokës” apo, në “Kopështin e Gjetsemanit”,
nuk mund ta përcaktoj, mbasi “Juda” asht endè gjallë...sa sheh njenin i
afrohet... e, sa do me e “puthë”, sheh tjetrin e shkon tek ai... po edhe
xhullijtë...presin se “cilit” po i kacaviret në qafë, dhe ...me ba edhe ata
punën e tyne që kanë ba tash 85 vjet...
Në
historinë e Epokës mbas Krishtit, nuk besoj se ka një shtet tjetër në Europë,
si Shqipnia, që tue kenë ndër ma të vogjlit e këtij kontinenti, me u përfshi në
të gjitha ngjarjet kryesore të tij, madje edhe tue u “diskutue” edhe ekzistenca
e kenjes së Saj...
Unë
nuk dyshoj se Toka e Saj asht në kontinentin Europë ...Po ka njerëz që nuk e
dinë endè, jo nga injoranca, sa nga dëshira mos me kenë edhe sot Shqipnia aty.
Historia e shteteve të Europës Perëndimore kurrë nuk mund të jetë e
plotë pa emnin e Shtetit Shqiptar, edhe pse e kanë gri e coptue si mos ma keq,
tue u mundue me i plotsue qejfin dhe interesat e të gjitha shteteve rreth nesh,
njenit ma dashakeq se tjetri.
A
mundet Italia me thanë se Popullit Shqiptar na i kemi dhanë një dhuratë të
çmueshme, e cila i ka sjellë qytetnim dhe zhvillim të madh njerëzor në të gjitha aspektet, deri tek “liritë
dhe të drejtat e Njeriut, një nga bazat e qytetnimit modern”, e kjo dhuratë
asht kenë Krishtënimi?
–
Jo, po e përsëris: “Jo”! Na jemi të Krishtenë aq ditë para Italisë, sa Shën
Pali ka vonue me mbërrijtë nga Durrësi me anije në tokën e tyne... e, mbas tyne
janë kristjanizue vendet europjane...
Kush
ma parë se Ilirët u ndodh mes zjarrit të Romës e Bizantit? Këte të shpjegojnë
historianët, dhe atëherë Europa do të “mësojë” se me sa sakrifica Ilirikët e
ruejtën prej asaj kohë, pra, që nga viti 67 mbas Krishtit, kur në Iliri fillon
edhe përndjekja e katolikëve.
Prof.
Zef Mirdita në librin e Tij, “Krishtënizmi ndër Shqiptarë” (1998), në
fq. 159, shkruen: “Kisha e krishterë ndër Shqiptarë, përkundrejt vështirësive e
vazhdon kontinuitetin e mëparshëm. Edhe në kohën e skizmës (1054), përkundrejt
ndihmave dhe presioneve të përandorve bizantinë dhe të kryepeshkopëve të Ohrit,
ajo shpirtërisht mbetët në bashkësi me Romën...”. A nuk asht ky një fakt tjetër
i Shqiptarve, që nuk u shkëputen as atëherë nga Europa? E të vazhdojmë me rrjedhën e shekujve...
Kisha
Katolike Shqiptare e ritit romak dhe lindor, në shek. XIV e XV, asht faktori
kryesor në ruejtjen e identitetit etnik dhe të pavarësisë së Shqiptarëve. Kisha
Katolike dhe i Madhi Gjergj Kastrioti - Skenderbeu, janë ”pararoja e
qytetërimit të krishtenë europjan. Pushtimi otoman dhe përhapja e islamizmit
bën që një pjesë e konsiderueshme e popullit shqiptar ta braktisë vendin dhe të
strehohet në Itali e Greqi. Kjo kohë është edhe zanafilla e Kishës së Krishterë
Arbëreshe...” (po aty fq. 166). Le t’i referohemi Imzot Fan S. Nolit, tek libri
i Tij “Gjergj Kastrioti - Skenderbeu”, fq. 49, ku shkruen: “Në krye të
shekullit të XV, Shqipëria ishte pothuaj plotërisht katholike, me nja
tetëmbëdhjetë peshkopata të ritit latin. Në këto duhen shtuar disa peshkopata
unite të ritit oriental orthodoks të lidhura me Papën. Sa për kapedanët e
bajraktarët, këta ishin këthyer katholikë të gjithë njëri pas tjetrit, sikundër
na tregojnë dokumentat e kohës”. Mbas kthimit në Krujë, Skenderbeu asht rikthye
në fenë e të parve në mjedisin Shqiptar. Shqipnia ishte e krishtenë Katolike,
gja që e dëshmojnë edhe bashkpunëtorët e Tij, ambasadorët dhe njerzit politikë e diplomatikë ma të shquem të të gjitha kohëve që kishte pranë: “Prelatët e Kishës Katolike, siç ishin Gjon Gàzulli,
abati dhe protonatori apostolik Gjergj Pelinji, argjipeshkvi Pal Engjëll Dushi
nga Kraja, abati e pastaj ipeshkvi i Ndërfandit Pali, argjipeshkvi i Durrësit
Pal Engjëlli” (Po aty, Prof. Z.Mirdita, fq. 172).
Ma
kjartë se kushdo që asht mundue me tregue figurën e Gjergj Kastriotit -
Skenderbeut flasin dokumentat e Vatikanit, të cilat Shqiptarët vazhdojnë me ba
sikur nuk i njohin...ose, edhe kur i “njohin”, mundohen me i paraqitë aq të
gjymtuem, sa edhe vetë Vatikani me dyshue në “pronën” e vet që ruen tash sa
shekuj. Madhështia e Kastriotit gjendet e shkrueme nga vetë Papët, aty edhe nga
anmiqtë e tyne. Skenderbeu në botë njihet si mbrojtës i qytetnimit Perëndimor,
por edhe i vetë Kishës Katolike. Papa Kalisti III shkruen:
“Nuk
ka njeri që i ka të njohura veprat e tua e që nuk i ngritë në qiell me lavdatat
më të larta dhe të mos flasë për trimërinë tënde si për një ushtar të vërtetë,
për një mbrojtës të emrit të krishterë.” (Prof. Z.Mirdita po aty, fq. 173.). Po
ai Papë vazhdon: “Me të vërtetë shohim se ai pothuajse i vetmi, i cili, i është
kundërvenë invadimit të egër turk, e nuk e ka lejuar afrimin e tyre (sc.
Evropës, ZM)”.
Papa
Kalisti III shkruen: “Meritat e Tij janë më të mëdha se të të gjithë princërve
të tjerë të krishterë!”.
Papa
Piu II, shkruen: “Mbrojtësi më i rreptë i Krishtit”.
Plot
25 vjet ishte Gjergj Kastrioti - Skenderbeu që mbrojti Europën e përçame nga
invazioni turk. Ishte ajo Europë që, po të mos kishte forcën e Papatit dhe
autoritetin e Kishës Katolike, me kohë do të ishte shkatrrue.
Islamizmi
ka provue në truellin Shqiptar se shuen traditat e vjetra kombëtare dhe
shpartallon kulturën shpirtnore të popullit. Aty ku nuk ka
veprue me forcën e shpatës apo
të vendosjes në hu, aty ka përdorë formën e taksave dhe të nënvleftësimit të njeriut si kenje “e dytë”...kjo
ishte edhe arësyeja e largimit të një sasije të konsiderueshme nga Shqipnia për
në Itali dhe Raguzë (Dubrovnik),
ku kanë lanë edhe shumë trashigimtarë deri sot.
Kisha
Katolike asnjëherë nuk ka mohue identitetin dhe entitetin etnik të Popullit
Shqiptar. Kjo vërtetohët edhe me veprat e klerikëve të asaj kohë, kur ata iu mbështetën dhe u inkuadruen në gjiun e
kulturës dhe shkencës së Evropës së asaj kohë, tue mbetë të pandryshuem që nga
gjaja ma elementare, alfabeti latin.
Një
ndër kolosët e Kishës Katolike Shqiptare të asaj kohë asht edhe prifti Don Gjon
Gàzulli, laurue në Padova, Itali me 1430. Ky ishte misionar diplomatik i
Skenderbeut, shkencëtar në fushen e astronomisë e të
matematikës.
Dokumenti
ma i parë i Gjuhës Shqipe, me 1462, nga Imzot Pal Engjëlli, “Formula e
Pagëzimit”, asht e pakundërshtueshmja dëshmi e të gjithë
Shqiptarëve në qëndresën e Tyne kundër pushtimit barbar turk.
Kisha
Katolike Shqiptare, mbas vdekjes së Skenderbeut, strehohet ndër shpella e male,
ndërsa arbëreshët e Italisë krijojnë Kishën e vet. Kjo asht koha ma e vështirë
që kalon populli Shqiptar në mes indiferencës politike të shteteve të tjera
ndaj nesh; islamizimit të dhunshem në masë; po edhe faktori i ortodoksisë skizmatike,
vazhdues i luftës së vet antiosmane, së cilës, i afrohen shumë për kryemje
ritesh besimtarët katolikë.
Mbas
vitit 1622 fillon njëfarë “ringjallje” e Kishës Katolike, që në shek. XIX
shpërthen në Shkoder, kohë në të cilën Turkia lejon edhe me u ndërtue Kisha
e Madhe Katedrale (1858). Kjo periudhë, edhe pse asht Shqipnia e pushtueme ende
nga turqit, dallohet për përpjekjet e Klerit Katolik Shqiptar në hapjen e disa
shkollave në Gjuhën Shqipe, ku asht përdorë alfabeti latin, gja që vazhdon me
tregue vijushmeninë pa asnjë ndërpremje të rrugës sonë kombëtare ndaj kulturës
europjane. Jemi edhe para një fakti: “Asnjë krahinë e Shqipnisë nuk përdorë
gjuhën turke!”
Në
gjysën e dytë të shek. XIX, në Shkoder, kemi edhe shkolla të Mesme si dhe
seminar për klerikë katolikë
shqiptarë, ku që në fillore asht përdorë gjuha shqipe. Nuk do të përsëris
karakterin dhe rolin e këtyne institucioneve arsimore e kulturore në zhvillimin
e ngjarjeve të asaj kohë, por do të theksoj se roli që ka luejtë përgjithësisht Kleri Katolik Shqiptar në të gjitha aspektet për çeshtjen kombëtare
dhe kryesisht të primjes së saj në të gjitha kohët me kahun e pandryshueshëm të
vetin nga Europa, janë dhe do të mbetën monumente të pavdekëshme historike të lavdisë së Tij.
Ai
me të vërtetë u masakrue, u përndjek, u var, u vue në hujë, u muer
zvarrë...dhe, u pështye si Thëmeluesi i Tij, por guximi dhe përpjekja me ruejtë në
tiparet shpirtnore të besimtarëve binomin “Fé e Atdhé”, asht një meritë që na
endè nuk e gjejmë të vlerësueme në masen që meriton. Vëreni me kujdes se sa asht e lidhun
Historia e Shqipnisë me Historinë e Europës, përderisa vetë egzistenca e
qytetnimit Europjan mvarej nga fati i luftave të Skenderbeut!
Vëreni
me kujdes se me sa guxim e pjekuni vepron Kleri Katolik në momentet kyçe të
historisë sonë, kur fatet e saj rrezikojnë edhe një zhdukje të përjetëshme, ose
gabime të pakorrigjueshme nga vetë politika e ndërthurun e
shteteve të tjera. Hapni arkivat e shihni letrat e dorëshkrimet e At Gjergj Fishtës drejtue sulltanëve dhe politikanëve të Europës, kur të gjithë papërjashtim
janë para hartës së Ballkanit tue ba “pazarlleqet” e tyne për kufijtë tonë, për
Trojet tona, dhe për caktimin e “sunduesit” të ri të Popullit Shqiptar! Mos u
ndalni vetëm tek At Fishta, as tek i Madhi Luigj Gurakuqi, as tek Don Ndre
Mjedja, por vazhdoni e shfletoni dosjet e “mykuna” të Londres, Parisit, Romës
dhe New Yorkut, ku do të gjeni një tjetër kolos të Klerit Katolik Shqiptar,
Imzot Luigj Bumçin, që di me folë me të gjithë përfaqsuesit e ndryshëm të Lidhjes së Kombëve “pa përkthyes” dhe me bindë edhe
Papët e Vatikanit për të drejtat e Trojeve tona sidhe praninë etnike dhe të
vetëdijes sonë kombëtare në Europë.
Kjo
vetëdije e Shqiptarëve dhe karakteri kulturor i saj, ku vazhdojnë
me qendrue edhe doket e zakonet tona të vjetra, u ruejt dhe u trashigue nga
Kleri Katolik Shqiptar, ndonse sot “historianët” e mohojnë, tue shpërfillë flamurin e “marksizem – leninizmit” ndër shpifjet e falsifikimet e tyne të turpshme e të pa baza, e këto
“vepra të tyne” janë që para Botës Përparimtare, kanë krijue idenë fallso se
Shqipnia anon nga orjenti...
Shenim F.Radovani: Vazhdon Pjesa II.
Melbourne, 15 Fruer 2026.









