Zemra Shqiptare

  https://www.zemrashqiptare.net/


Fritz Radovani: Tradhëtarët Enver Hoxha e Ramiz Alia na nxorën nga Europa

| E shtune, 21.02.2026, 06:53 PM |


PREJ LIBRIT  FRITZ RADOVANIT: PJESA E I.

Tradhëtarët

Enver Hoxha e Ramiz Alia

na nxorën nga Europa...

Melbourne 2010

Ua kushtoj të Parëve të mi,

Ejëllorëve (ose Radovanve) të vjetër,

dhe Gurakuqëve po aq Atdhetarë,

që menduen, punuen e u salvuen

për Shqipninë Europjane të

Gjergj Kastriotit - Skenderbeut!

Autori

Melbourne, Gusht 2010.

Redaktor: Daniel Gàzulli. 2010.

Dikur... ishte edhe kjo... Shtëpia e Luigj Gurakuqit..!

At Anton Harapi, tregon për Luigj Gurakuqin:

“...U kuq, iu muer goja, shterngoi buzët e i dha vehtes: Padër Anton, tha, na kanë skreditue tepër keqas, na kanë deklarue komunista n’opinjonin publik t’ Europës! Për Zotin, nuk due të hiki, por po ndeja këtu, e dij se derdhet gjak e, derdhet kot...”

(Revista “Hylli i Dritës, Nr. 3, Mars 1944, fq. 69, Shkoder.)

PJESA E I

HYMJE

Isha i vogël kur më tërhiqte vemendjen një kuadër pikture mbi një tabake porcelani me servirë kafe. Aty ishte një piramidë dikund ka Egjipti. Një deve, nga pozicioni i kambëve, kuptohej se ishte në ecje…Përpara i printe një harap, që dukej sikur e tërhiqte deven me një litarë…

Dukej sikur edhe dielli binte vetëm mbi atë mjedis, ku rana digjej e të jepte përshtypjen e një tymnaje që ngrihej nalt…

Më dukej një jetë e mënershme. Piramidat, tash sa mija vjet, asnjena nuk lëvizin. Nuk lëvizin as sfinksat, as gurtë, as tullat, madje as faraonët që janë aty ndër ato piramida.

Ndonjë termet shkapë ndonjë gur aty-këtu, që rrëshqet dhe bie poshtë,  thërmohet e bahet pluhun.

Kur frynë erë, rana ngjitët e mbushë zgavrrat e gurëve, po edhe të sfinksave, që qëndrojnë me aq madhështi mbi piedestalet e tyne. Kur bie shi apo breshën, rrallë në ata vise, gjithë ai pluhun lahet e rreshqet me ujin poshtë…

Mbas pak orësh dielli i fortë i atij vendi e thanë tokën e nuk mbetë ma asgja mbas atij rrebeshi që mund t’ jenë kenë boll i fortë.

Asht e vërtetë se edhe aty jeta vazhdon…

Harapi e devja, të dy jetojnë…tjerët nuk jetojnë, nuk kanë jetë, por vazhdojnë me kenë aty, madje edhe kur as harapi as devja nuk do të jenë ma. …Për jeten e deves asht vështirë me folë. Thonë se asht mësue me vuejtë e me bajtë… Në lidhje me “arësyetimin” e kafshëve kam pyetë edhe njerëz me ide materialiste, që e mendojnë veten trashigimtarë të majmunit, por vërej se e kanë të vështirë me mendue ndryshej, jo pse kanë bindje, por u pelqen ashtu, pse nga pema majmuni hypë ma lehtë mbi shpinën e gungueme të deves, sesa me kenë njeri dhe me kërkue rahatinë tek devja.

Ndërsa për harapin e shkretë çka mundesh me thanë ma parë..?

Jeta e ban njeriun me pranue me kenë i gjallë ndër të vdekun. Kërkon gjithmonë i shkreti njeri me kenë i gjallë e, shpesh, thuhet se edhe “Shqiptarët janë kenë të vdekun ndër të gjallë…”

Jam i sigurtë se këtë mendim për shqiptarët e kanë “ata” që kanë jetue të hypun mbi shpinë të deves, se, po t’i takonte me jetue si devja , me u tha etjet si ajo, ose si harapi që i prinë zbathë, tue u djegë kambësh në ranën e nxehtë, tue vrapue me gjetë dy grushta uji me njomë gojën e shkrumueme, atëherë me andje të madhe do të çonte sytë kah qiella dhe, ashtu gjysë të verbuem nga lodhja, uja, etja, zharitja e frika e vetmisë, apo nga dajaku e shpata e mumjes së “faraonit”, do të fillonte me vrritë me gjithë forcën e zanit të shkyem, me sy të zgurdulluem, tue shikue drejt tek drita e fortë e diellit, derisa të fillojë me pa në rrethin e tij Kryqin…e, kur i marrakotun do të binte për tokë, ashtu, i shkrryem në ranë, do të thërriste:

“Zoti im, Zoti im…pse më lëshove dore..?”

Jo, nuk asht blasfemi kjo, vëllazen e motra!

Këto janë fjalët e Krishtit!

Shqiptarët kanë të drejtë me pyetë…

Se vuejtën gati 50 vjet… si Krishti!

Melbourne, 2 Korrik 2010.

I. NA ISHTE DIKUR... NJË  SHQIPNI..!

Kështu i fillonin përrallat dikur gjyshat tanë...

Na hapnim veshët me ndigjue, po nuk shkonte gjatë dhe kapakët e syve na mbylleshin tue na mbetë nder mend vetëm fjalët “na ishte...!”

Mundoheshin të shkretët pleq me na ngulë në tru fjalën “Shqipni”, që shpesh, kur zemroheshin, si nëpër dhambë përtypnin disa tinguj gati si të dëshpruem...”si e hangri dreqi kështu, këtë vend..?”

Ishim të vegjël dhe nuk mujtëm me kuptue se çka donte me thanë “me hangër dreqi një vend...”, krejt abstrakt për moshat tona 5 – 6 vjeçare...

Kishim fillue me këndue me shokë një kangë që na pelqente fort:
“Porsi fleta e Ejllit t’ Zotit,

Po rreh Flamur’ i Shqipnisë...”

E, pa e dijtë mirë se kush e kishte ba ate, mësuem ndër shkolla se Ai ishte një nga “tradhëtarët” e Popullit Shqiptar, që nuk duhej me i zanë në gojë as emnin, as kangën e Tij... Mësuesja e klasës së parë në Dajç të Bregut të Bunës, në vitin 1945 ishte zoja e nderueme Viktore Kuka, të cilën e takova në vitin 1993, mbas 40 e sa vitesh, mbasi nga pranëvera ajo nuk e mbylli vitin shkollor, se u arrestue si “armik i popullit” dhe vuejti sa vite dënim...

Pak kohë, pra, mbasi kishin “hi këta”, kuptuem se edhe “kush ishin këta”, që një ditë në mengjes, prej tyne njeriu nuk ishte aty ku binte me fjetë në darkë. Sigurisht, edhe “kangën” e harruem prej frike.

Kur Zoti ua ndaloi me hangër “mollën” Adamit e Evës në Parrizin e Tokës, pikërisht, Até që Zoti ua ndaloi, até tinzisht një ditë e “hangrën”...

Ashtu edhe na, porsa filluem me kuptue e me zanë mend, filluem me kërkue ndër libra “mollën e ndalueme”...por këte herë jo nga Zoti, po nga “robi”, ose ma mirë me thanë nga “robnuesi” i Atdheut...

Ndër librat e vjetër, mu në qoshen e një rafti të harruem të bibliotekës së dajës, ishte “Kanuni i Lek Dukagjinit”, me emnin e një frati sipër që e kishte mbledhë nga populli; quhej At Shtjefën Gjeçovi, OFM., që mësova se e kishin vra serbët...në Kosovë, ku ishte mësues, tue plotsue edhe idenë se edhe banorët e Kosovës ishin Shqiptarë, por mbas 1944 Ata ishin nën sundimin e “druzhe” Titos së Jugosllavisë, i cili na ka sjellë edhe ne si atyne “lirinë”, bashkë me Stalinin e “math” e gjeneral kolonel Enver Hoxhën, që ishte në qeverinë provizore të Tiranës, sigurisht, me trup aty se, me mend, me zemër e me vepra në Beograd...

E mora atë libër në dorë dhe mbasi e hapa, prap një tjetër emën i ndaluem...At Gjergj Fishta, prap një tjetër...Faik Konica...e kështu, u futa në “Parrizin e Tokës”, ku pothuej të gjitha “mollat” ishin të ndalueme..!

Ato dy parathanje, edhe pse kanë kalue 50 e sa vjet, nuk i harroj për mënyren e shkrimit të Tyne nga dy kolosët e Letërsisë Shqipe, por që endè vazhdojnë me kenë..., në “Parrizin e Tokës” apo, në “Kopështin e Gjetsemanit”, nuk mund ta përcaktoj, mbasi “Juda” asht endè gjallë...sa sheh njenin i afrohet... e, sa do me e “puthë”, sheh tjetrin e shkon tek ai... po edhe xhullijtë...presin se “cilit” po i kacaviret në qafë, dhe ...me ba edhe ata punën e tyne që kanë ba tash 85 vjet...

Në historinë e Epokës mbas Krishtit, nuk besoj se ka një shtet tjetër në Europë, si Shqipnia, që tue kenë ndër ma të vogjlit e këtij kontinenti, me u përfshi në të gjitha ngjarjet kryesore të tij, madje edhe tue u “diskutue” edhe ekzistenca e kenjes së Saj...

Unë nuk dyshoj se Toka e Saj asht në kontinentin Europë ...Po ka njerëz që nuk e dinë endè, jo nga injoranca, sa nga dëshira mos me kenë edhe sot Shqipnia aty. Historia e shteteve të Europës Perëndimore kurrë nuk mund të jetë e plotë pa emnin e Shtetit Shqiptar, edhe pse e kanë gri e coptue si mos ma keq, tue u mundue me i plotsue qejfin dhe interesat e të gjitha shteteve rreth nesh, njenit ma dashakeq se tjetri.

A mundet Italia me thanë se Popullit Shqiptar na i kemi dhanë një dhuratë të çmueshme, e cila i ka sjellë qytetnim dhe zhvillim të madh njerëzor në të gjitha aspektet, deri tek “liritë dhe të drejtat e Njeriut, një nga bazat e qytetnimit modern”, e kjo dhuratë asht kenë Krishtënimi?

– Jo, po e përsëris: “Jo”! Na jemi të Krishtenë aq ditë para Italisë, sa Shën Pali ka vonue me mbërrijtë nga Durrësi me anije në tokën e tyne... e, mbas tyne janë kristjanizue vendet europjane...

Kush ma parë se Ilirët u ndodh mes zjarrit të Romës e Bizantit? Këte të shpjegojnë historianët, dhe atëherë Europa do të “mësojë” se me sa sakrifica Ilirikët e ruejtën prej asaj kohë, pra, që nga viti 67 mbas Krishtit, kur në Iliri fillon edhe përndjekja e katolikëve.

Prof. Zef Mirdita në librin e Tij, “Krishtënizmi ndër Shqiptarë” (1998), në fq. 159, shkruen: “Kisha e krishterë ndër Shqiptarë, përkundrejt vështirësive e vazhdon kontinuitetin e mëparshëm. Edhe në kohën e skizmës (1054), përkundrejt ndihmave dhe presioneve të përandorve bizantinë dhe të kryepeshkopëve të Ohrit, ajo shpirtërisht mbetët në bashkësi me Romën...”. A nuk asht ky një fakt tjetër i Shqiptarve, që nuk u shkëputen as atëherë nga Europa? E të vazhdojmë me rrjedhën e shekujve...

Kisha Katolike Shqiptare e ritit romak dhe lindor, në shek. XIV e XV, asht faktori kryesor në ruejtjen e identitetit etnik dhe të pavarësisë së Shqiptarëve. Kisha Katolike dhe i Madhi Gjergj Kastrioti - Skenderbeu, janë ”pararoja e qytetërimit të krishtenë europjan. Pushtimi otoman dhe përhapja e islamizmit bën që një pjesë e konsiderueshme e popullit shqiptar ta braktisë vendin dhe të strehohet në Itali e Greqi. Kjo kohë është edhe zanafilla e Kishës së Krishterë Arbëreshe...” (po aty fq. 166). Le t’i referohemi Imzot Fan S. Nolit, tek libri i Tij “Gjergj Kastrioti - Skenderbeu”, fq. 49, ku shkruen: “Në krye të shekullit të XV, Shqipëria ishte pothuaj plotërisht katholike, me nja tetëmbëdhjetë peshkopata të ritit latin. Në këto duhen shtuar disa peshkopata unite të ritit oriental orthodoks të lidhura me Papën. Sa për kapedanët e bajraktarët, këta ishin këthyer katholikë të gjithë njëri pas tjetrit, sikundër na tregojnë dokumentat e kohës”. Mbas kthimit në Krujë, Skenderbeu asht rikthye në fenë e të parve në mjedisin Shqiptar. Shqipnia ishte e krishtenë Katolike, gja që e dëshmojnë edhe bashkpunëtorët e Tij, ambasadorët dhe njerzit politikë e diplomatikë ma të shquem të të gjitha kohëve që kishte pranë: “Prelatët e Kishës Katolike, siç ishin Gjon Gàzulli, abati dhe protonatori apostolik Gjergj Pelinji, argjipeshkvi Pal Engjëll Dushi nga Kraja, abati e pastaj ipeshkvi i Ndërfandit Pali, argjipeshkvi i Durrësit Pal Engjëlli” (Po aty, Prof. Z.Mirdita, fq. 172).

Ma kjartë se kushdo që asht mundue me tregue figurën e Gjergj Kastriotit - Skenderbeut flasin dokumentat e Vatikanit, të cilat Shqiptarët vazhdojnë me ba sikur nuk i njohin...ose, edhe kur i “njohin”, mundohen me i paraqitë aq të gjymtuem, sa edhe vetë Vatikani me dyshue në “pronën” e vet që ruen tash sa shekuj. Madhështia e Kastriotit gjendet e shkrueme nga vetë Papët, aty edhe nga anmiqtë e tyne. Skenderbeu në botë njihet si mbrojtës i qytetnimit Perëndimor, por edhe i vetë Kishës Katolike. Papa Kalisti III shkruen:

“Nuk ka njeri që i ka të njohura veprat e tua e që nuk i ngritë në qiell me lavdatat më të larta dhe të mos flasë për trimërinë tënde si për një ushtar të vërtetë, për një mbrojtës të emrit të krishterë.” (Prof. Z.Mirdita po aty, fq. 173.). Po ai Papë vazhdon: “Me të vërtetë shohim se ai pothuajse i vetmi, i cili, i është kundërvenë invadimit të egër turk, e nuk e ka lejuar afrimin e tyre (sc. Evropës, ZM)”.

Papa Kalisti III shkruen: “Meritat e Tij janë më të mëdha se të të gjithë princërve të tjerë të krishterë!”.

Papa Piu II, shkruen: “Mbrojtësi më i rreptë i Krishtit”.

Plot 25 vjet ishte Gjergj Kastrioti - Skenderbeu që mbrojti Europën e përçame nga invazioni turk. Ishte ajo Europë që, po të mos kishte forcën e Papatit dhe autoritetin e Kishës Katolike, me kohë do të ishte shkatrrue.

Islamizmi ka provue në truellin Shqiptar se shuen traditat e vjetra kombëtare dhe shpartallon kulturën shpirtnore të popullit. Aty ku nuk ka veprue me forcën e shpatës apo të vendosjes në hu, aty ka përdorë formën e taksave dhe të nënvleftësimit të njeriut si kenje “e dytë”...kjo ishte edhe arësyeja e largimit të një sasije të konsiderueshme nga Shqipnia për në Itali dhe Raguzë (Dubrovnik), ku kanë lanë edhe shumë trashigimtarë deri sot.

Kisha Katolike asnjëherë nuk ka mohue identitetin dhe entitetin etnik të Popullit Shqiptar. Kjo vërtetohët edhe me veprat e klerikëve të asaj kohë, kur ata iu mbështetën dhe u inkuadruen në gjiun e kulturës dhe shkencës së Evropës së asaj kohë, tue mbetë të pandryshuem që nga gjaja ma elementare, alfabeti latin.

Një ndër kolosët e Kishës Katolike Shqiptare të asaj kohë asht edhe prifti Don Gjon Gàzulli, laurue në Padova, Itali me 1430. Ky ishte misionar diplomatik i Skenderbeut, shkencëtar në fushen e astronomisë e të matematikës.

Dokumenti ma i parë i Gjuhës Shqipe, me 1462, nga Imzot Pal Engjëlli, “Formula e Pagëzimit”, asht e pakundërshtueshmja dëshmi e të gjithë Shqiptarëve në qëndresën e Tyne kundër pushtimit barbar turk.

Kisha Katolike Shqiptare, mbas vdekjes së Skenderbeut, strehohet ndër shpella e male, ndërsa arbëreshët e Italisë krijojnë Kishën e vet. Kjo asht koha ma e vështirë që kalon populli Shqiptar në mes indiferencës politike të shteteve të tjera ndaj nesh; islamizimit të dhunshem në masë; po edhe faktori i ortodoksisë skizmatike, vazhdues i luftës së vet antiosmane, së cilës, i afrohen shumë për kryemje ritesh besimtarët katolikë.

Mbas vitit 1622 fillon njëfarë “ringjallje” e Kishës Katolike, që në shek. XIX shpërthen në Shkoder, kohë në të cilën Turkia lejon edhe me u ndërtue Kisha e Madhe Katedrale (1858). Kjo periudhë, edhe pse asht Shqipnia e pushtueme ende nga turqit, dallohet për përpjekjet e Klerit Katolik Shqiptar në hapjen e disa shkollave në Gjuhën Shqipe, ku asht përdorë alfabeti latin, gja që vazhdon me tregue vijushmeninë pa asnjë ndërpremje të rrugës sonë kombëtare ndaj kulturës europjane. Jemi edhe para një fakti: “Asnjë krahinë e Shqipnisë nuk përdorë gjuhën turke!”

Në gjysën e dytë të shek. XIX, në Shkoder, kemi edhe shkolla të Mesme si dhe seminar për klerikë katolikë shqiptarë, ku që në fillore asht përdorë gjuha shqipe. Nuk do të përsëris karakterin dhe rolin e këtyne institucioneve arsimore e kulturore në zhvillimin e ngjarjeve të asaj kohë, por do të theksoj se roli që ka luejtë përgjithësisht Kleri Katolik Shqiptar në të gjitha aspektet për çeshtjen kombëtare dhe kryesisht të primjes së saj në të gjitha kohët me kahun e pandryshueshëm të vetin nga Europa, janë dhe do të mbetën monumente të pavdekëshme historike të lavdisë së Tij.

Ai me të vërtetë u masakrue, u përndjek, u var, u vue në hujë, u muer zvarrë...dhe, u pështye si Thëmeluesi i Tij, por guximi dhe përpjekja me ruejtë në tiparet shpirtnore të besimtarëve binomin “Fé e Atdhé”, asht një meritë që na endè nuk e gjejmë të vlerësueme në masen që meriton. Vëreni me kujdes se sa asht e lidhun Historia e Shqipnisë me Historinë e Europës, përderisa vetë egzistenca e qytetnimit Europjan mvarej nga fati i luftave të Skenderbeut!

Vëreni me kujdes se me sa guxim e pjekuni vepron Kleri Katolik në momentet kyçe të historisë sonë, kur fatet e saj rrezikojnë edhe një zhdukje të përjetëshme, ose gabime të pakorrigjueshme nga vetë politika e ndërthurun e shteteve të tjera. Hapni arkivat e shihni letrat e dorëshkrimet e At Gjergj Fishtës drejtue sulltanëve dhe politikanëve të Europës, kur të gjithë papërjashtim janë para hartës së Ballkanit tue ba “pazarlleqet” e tyne për kufijtë tonë, për Trojet tona, dhe për caktimin e “sunduesit” të ri të Popullit Shqiptar! Mos u ndalni vetëm tek At Fishta, as tek i Madhi Luigj Gurakuqi, as tek Don Ndre Mjedja, por vazhdoni e shfletoni dosjet e “mykuna” të Londres, Parisit, Romës dhe New Yorkut, ku do të gjeni një tjetër kolos të Klerit Katolik Shqiptar, Imzot Luigj Bumçin, që di me folë me të gjithë përfaqsuesit e ndryshëm të Lidhjes së Kombëve “pa përkthyes” dhe me bindë edhe Papët e Vatikanit për të drejtat e Trojeve tona sidhe praninë etnike dhe të vetëdijes sonë kombëtare në Europë.

Kjo vetëdije e Shqiptarëve dhe karakteri kulturor i saj, ku vazhdojnë me qendrue edhe doket e zakonet tona të vjetra, u ruejt dhe u trashigue nga Kleri Katolik Shqiptar, ndonse sot “historianët” e mohojnë, tue shpërfillë flamurin e “marksizem – leninizmit” ndër shpifjet e falsifikimet e tyne të turpshme e të pa baza, e këto “vepra të tyne” janë që para Botës Përparimtare, kanë krijue idenë fallso se Shqipnia anon nga orjenti...

Shenim F.Radovani: Vazhdon Pjesa II.

Melbourne, 15 Fruer 2026.