Kulturë
Agron Tufa: Libri i Rexhep Shahut “Lufta ime për Kosovën” – një libër total
E premte, 13.02.2026, 06:57 PM

LIBRI I REXHEP SHAHUT "LUFTA IME PËR KOSOVËN" NJË LIBËR TOTAL
(Mbresa nga leximi i librit)
NGA AGRON TUFA
Edhe pse ka kaluar një çerek shekulli nga episodi kulminant i luftës në
Kosovë (1998-1999), i cili përbën aktin dramatik të katarsisit tonë dhe
përfundoi, fatlumnisht, për herë të parë në histori, me zgjidhjen e ngërçit të
brengës sonë kombëtare për Kosovën, poeti dhe gazetari i njohur Rexhep Shahu na
e sjell në vëmendje këtë luftë. Koha e kaluar ka krijuar tashë distancën e
mjaftueshme për ta ripërtypur e për të bërë një bilanc gjakftohtë të asaj nyje
dramatike, kur të gjitha nivelet e shoqërisë shqiptare të Kosovës u përballen
me dilemën ekzistenciale hamletiane: ma qenë a mos me qenë. Ora e madhe për
shqiptarët ra dhe ata u gjenden të pambrojtur përballë një armiku shekullor, të
ulët e mizor, që priste zbatimin më në fund të likuidimit fizik të shqiptarëve,
për të përmbushur, më në fund, utopinë politike makabre, që e kishin projektuar
preshtur me elaboratet shqiptarocide që nga koha e Ilia Garashaninit.
Libri i Rexhep Shahut "Lufta ime për Kosovën", pavarësisht se ka
kaluar një çerek shekulli, shtrohet në tryezën tonë të leximit si një
referendum me një qerthur pyetjesh për çdocilin prej nesh: "Ç'bëre ti për
Kosovën? Ç'bëre ti, burrë, ti grua, ti djalë e ti vajzë, ti plak e stërplak
atëherë kur Kosova drithërohej e shkrumbohej, masakrohej e dhunohej, turpërohej
e mbytej në lotë nga makina asgjësuese e ushtrisë serbe dhe çakejtë e pasosur
paramilitarë? Kjo pyetje eptohet e zgjedhohet në librin e Rexhep Shahut duke u
përthekuar me pyetje të tjera: Ç'bëtë ju, elita e politikës së pasluftës me
fatet e Kosovës së lirë? Ç'bën secili prej nesh brenda e jashtë Kosovës me
lotët dhe plagomën e kujtesës së djeshme? Sa peshojnë ato në vetëdijën tonë dhe
si reflektohet kjo në realitetin e sotëm? A kemi mësuar vallë t'ia dimë peshën
lirisë së fituar dhe si reflektohet kjo në cilësinë e lirisë së sotme?
Janë pyetje që ngrihen vetvetiu dhe të shoqërojnë gjatë gjithë leximit të këtij
libri tejet të rëndësishëm jo vetëm për Kosovën, por për të gjithë, absolutisht
për çdokënd që ka ndjenjën dhe vetëdijen se është shqiptar. Prandaj them se
zoti Shahu na vë me këtë libër para një referendumi të pashmangshëm për
kujtesën dhe ndjenjën e identitetit kombëtar të secilit. Edhe pyetja e shtruar
me mprehtësinë më të hidhur e qortuese në këtë libër - "Ku ishe ti
hero?" - e cila shpërthekohet fije-fije në pyetjet e tjera - ku ishit ju?
Ku ishin ata? Ku ishim ne? - shtrojnë qortimin e përjetshëm para sehirtarëve të
luftës, para atyre që u fshehën, u shmangën, e për më zi, rendën të dalin në
ballë të UÇK-së, pasi lufta kishte mbaruar, si luftëtarë, duke marrë përfitimet
e duke qitur në harresë heronjtë dhe dëshmorët e vërtetë.
Sidoqoftë pyetjes kyçe për ndërgjegjen: "Ku ishe ti hero?" - Rexhep
Shahu i përgjigjet gjatë gjithë librit duke rrëfyer e dëshmuar nga pozicioni i
"Ku isha unë?". Dhe po, autori i mbetet korrekt pozicionit të tij si
gazetar i luftës që misionin e tij profesional e qytetar ia përkushton dramës
së madhe të mbijetesës, përballjes shqiptaro-serbe me armë, duke thyer mitin
dhe duke provuar se "edhe serbin e vritka plumbi". Ç'armë kishte Rexhep Shahu në
dorë për luftën e tij për Kosovën? Një radio. Ai e shndërroi
"Radio-Kukësin", i vetmi burim lajmesh e informimesh nga të debuarit
dhe fronti i luftës, i vetmi burim kuraje në dëshpërimin e përgjithshëm të
qindramijëra të të dëbuarve me emisione e posaçme dhe inervistat me njerëz të
thjeshtë, luftëtarë dhe udhëheqës të lartë Lufte, si heroi Sali Çeka etj, pa
llogaritur dhjetëra diplomatë, gazetarë të huaj, ekspertë dhe misionarë
diplomatikë ndërkombëtarë. Përgjatë 16 muajsh, aq sa zgjati Lufta e Kosovës,
Rexhep Shahu nuk është thjesht gazetari i aftë e i pasionuar i luftës, por
shpirti i tronditur e i rrënqethur që vuan, qan e lëngon, që ngushëllon dhe
shpreson bashkë me valët e dhjetramijërave të dëbuar që dynden vazhdimisht, brenda
kampesh e spitalesh, por gjithë duke përcjellë ngushëllim, kurajë e shpresë. Ai
është i përfshirë si njeri i drejtpërdrejtë i të njëjtit gjak me të dëbuarit,
si nip kosove me loken prizrenalie, jo vetëm si idealist i rritur që në
fëmijëri me mitin e përmallshëm të Kosovës së munguar. Për këtë periudhë me
pikën e vlimit ndezullitës të ngjarjeve, autori thotë diku:
"Si dëshmi të vetes për pasardhësit
e mi, dua ta lë këtë libër, si justifikim modest për gjithë mungesat në familje
që kam bërë në jetë, pasi e kam patur punë të parë, detyrë të parë, kjo ka qenë
një luftë pasioni, luftë e veshtire me mikrofon, luftë e mundimshme dhe e
ashpër e shumë stresuese me fjalë.
Ende sot më dridhet trupi e më mbushën sytë
me lotë se më jehojnë në vesh kërcënimet nga receptori i telefoninit që e
kisha te koka e krevatit, telefon që u bë si central ndërkombëtar për dhjetra
familje të dëbuara nga Kosova që gjetën strehë në pallatin ku banoja në 1999,
se „do ta grabisim vajzën", „nuk do ta gjesh më vajzën", „shko leri
tre milionë lekë te nevojtoret e qytetit, te axhensia"...
Me krenari të lënduar, autori
fshikullon me realizëm dhe logjikë të esëllt mefshtësinë e shtetit shqiptar, që
nuk arriti të mbronte dot as territorin e vet, por e la të mbillej me mina nga
ushtria serbe për 1400 hektarë territor, prej të cilëve patën pasojë dhjetra të
vrarë e qindra të gjymtuar. Ka në libër, ndonëse të përmendura kalimthi, disa
episode negative e turpëruese për çdo shqiptar të politikës majtiste
ish-komuniste, servile, e të dyshimtë, që qeveriste asokohe kritike për kombin
Shqipërinë-amë.
Si është kompozuar libri "Lufta
ime për Kosovën"
Unë do ta quaja një libër total, të një gazetari prefesionist e të përfshirë
njerëzisht, që në fillim me të gjitha fijet e shpirtit në dramën e shqiptarëve
të Kosovës. Libër total, sepse aty janë shkrirë herë kronologjikisht, herë
diakronologjikisht të gjitha llojet e narrativave nga parashtrimi i raportimeve
dhe përshkrimi i situatave, tek intervistat me një mori personalitetesh dhe
autoritetesh lokale, shtetërore, kosovare e ndërkombëtare rreth të cilëve
plekset fati i luftës dhe i të dëbuarve. Kjo na sjell atmosferën autentike e të
papërsëritshme të luftës, të parë nga vija e parë e kufirit dhe si të tilla të
pazëvendësueshme kanë vlerë historike. Por narrativa që e dominon apo më saktë
i jep tonin librit është monologu autorial dhe përsiatja e dendur emotive e
vetëdijes së autorit, shpesh të përndezur e të lënduar nga faktet historike dhe
përsëritjet e dhunës gjenocidiale të terrorit serb në Kosovë. Monologjet dhe
meditimet mbi çastet e lavdishme të luftëtarëve të UÇK-së, që thyejnë mitin e
paprekshmërisë së serbëve në terren. Këto përsiatje e mbështjellin me një
thurimë të dendur tekstin e librit duke e bërë faqe pas faqje atë një sagë të
dhimbjes dhe krenarisë. Por nganjëherë kahu i përsiatjeve ndryshon, bëhet i
hidhur e ironik, tallës madje, të modelit të instaluar mburravec mbi qëndresën
dhe burrërinë të kënduar veçse në tel të sharkisë dhe çiftelisë, larg nga
përballja e vërtetë në një luftë të përbetuar për atdhe, siç qe përballja e
UÇK-së. Por Rexhep Shahu as nuk e absolutizon këtë përballje, nuk e quan atë
përcaktuese e vendimtare për çlirimin e Kosovës. Vlerën më të madhe autori quan
vetë krijimin e UÇK-së, vetë fillimin e luftës dhe mësimin e madh konkret që
"dhe serbin e shpon plumbi". Sikundërse ka dhe serbë që nuk duan me
qenë bisha vrasëse dhe braktisn e luftën e dorëzohen, siç jep rastin e
dorëzimit vullnetar të 22 ushtarëve serb në policinë e Kukësit.
Padyshim në libër zënë vend të gjerë intervistat e kohës së pikut të luftës me
personalitetet shqiptare e të huaj, me ushtarë e komandantë lufte të Kosovës,
çka risjell ne libër faktin se Kukësi ishte epiqendra e vëmendjes botërore,
surpriza më e bukur e mikëpritjes dhe solidaritetit njerëzot me gjymë milionë
kosovarësh të dëbuar. Kukësi për këtë nuk u nderua me çmimin "Nobël",
por rishkundi dremitjen etike kombëtarë të ndjenjës së dashurisë së gjakut e
racës sonë të njëjtë, të zbehur nga sundimi faraonik i komunizmit.
Libri është shkruar në kohë e gjendje shpirtërore të ndryshme, sipas barometrit
të lajmeve të luftës, çka i jep librit një rrjedhë natyrale, me regjistrat
retorikë e stilistike që ndërkëmbehen. Ka në libër përshkrime, hamendje e
dyshime, enigma të pazgjidhura, artikuj të mirëfilltë e polemika, madje edhe në
kohën e pasluftës, por elementi më i çmuar, "kripa", sipas meje,
është stërpikja rregullisht e tekstit me dialogjet e regjistruara, improvizime
të paparashikuara të gazetarit. Janë dialogje thelbësore dhe autentike të
momenteve kritike. Këto fragmente kuvendimesh të shpejta që lëvizin e
zhvendosen në dyndjen e refugjatëve janë prekja e magmës së gjallë njerëzore në
kulmin e dramës dhe përmbajtjes së saj me dinjitet. Këto copa dialogjesh janë
gjilpëra e barometrit të rrethit njerëzor në rrethin e dëshpëruar vicioz ku i
ka shtyrë lufta, përballja për jete a vdekje me armikun e përbetuar. Këto copa
kuvendimesh të shpejta, të regjistruara në ecje e sipër, në të cilat rreh pulsi
i gjallë i jetëve njerëzore në Orën e tyre të Ligë, janë shkapërderdhura
njëtrajtshëm në libër dhe autori i quan "materiale". Pra, regjistrime
zërash e fatesh në shtjellën e luftës. Janë zëra të zakonshëm, tokësorë; janë
zëra të arsyeshëm dhe zëra idealistë, të përbetuar të përballen me vdekjen e të
mbushur, çuditërisht plot shpresë fitoreje në kulmin e dëshpërimit midis masës
së dëbuar qindramijëshe. Janë zëra nga të gjitha moshat e gjinitë, sikundërse
dhe zërat e luftëtarëve të rinj, një pjesë e të cilëve dëshmuan me vepër dhe
ranë dëshmorë për lirinë e Kosovës. Janë zërat e psikes së kombit në orën e vet
fatale.
Prandaj këto zëra të mbijetuar falë regjistrimit të Rexhep Shahut, si në nxitim
e sipër, ashtu dhe të mirëmenduar e të ftuar në studio, kanë vlerën e
pallogaritshme të një thesari dëshmues, e unë do të doja ta besoja për shumë
gjatë, për shekuj, sepse janë radiografia dhe sizmika e shpirtit kolektiv të
shqiptarëve të Kosovës, para dilemës së mbijetesës nacionale: "Me qenë, a
mos me qenë?"
Se vetëm pas kapërcimit të kësaj dileme shekspiriane të ekzistencës, shtrohen
variacionet e pyetjeve të sotme: si me qenë?
E kjo tash është një temë tjetër që, gjithsesi, rrënjët i ka tek përvoja
dramatike e luftës së Kosovës, e pasqyruar gjallërisht në librin "Lufta
ime për Kosovën" nga zemra e madhe përdëlluese e një intelektuali patriot
e humanist, siç është Rexhep Shahu ynë.
Dhe Lufta e gjithkujt për Kosovën mbetet po ajo që ka qenë, po ajo që shtron
Rexhep Shahu në këtë libër: kjo luftë nuk ka mbaruar, gjithsecilin ajo e pret
përpara, në frontin e madh e të vështirë të betejës me veten.
Zvicër, Janar
2024









