E enjte, 11.12.2025, 10:41 PM (GMT)

Editorial

Nexhmije Mehmetaj: Kur rrënjët shqiptare tretën nën themelet e xhamive

E enjte, 11.12.2025, 07:00 PM


Kur rrënjët shqiptare tretën nën themelet e xhamive

Nga Nexhmije Mehmetaj

Këto ditë u bë inaugurimi i xhamisë së re në Tafers kantoni i Friburgut-Zvicër, financuar nga komuniteti shqiptar me 3.5 milion franga zvicerane, është vetëm një shembull i qartë i orientimit të gabuar të investimeve të diasporës sonë. Në një kohë kur fëmijët shqiptarë rrezikojnë çdo ditë humbjen e gjuhës amtare, kur shkollat shqipe veprojnë me sakrifica dhe mungojnë qendrat e kulturës shqiptare, shqiptarët financuan ngritjen e një objekti fetar që nuk e ruan identitetin e tyre kombëtar – përkundrazi, e gërryen atë.

Në vend të një biblioteke shqiptare, u ngrit një “qendër islame”. Në vend të një shkolle ku fëmijët të mësojnë alfabetin e gjuhës shqipe, u ndërtua një hapësirë ku do të mësohet një kulturë jo shqiptare një kulturë e huaj që nuk është e jona.

Një hapësirë që nuk i shërben kulturës shqiptare

Xhamia e Tafersit u promovua si “qendër islame”, por as gjë nuk ka të bëjë me interesat e komunitetit shqiptar në Zvicër. Fëmijët shqiptarë që hyjnë në këtë institucion ekspozohen ndaj një identiteti të dytë – të importuar – i cili jo vetëm nuk është pjesë e trashëgimisë sonë historike, por shpesh qëndron në kundërshtim me vlerat kulturore të popullit tonë. Është e trishtueshme se si shqiptarët nuk merren me themelimin e qendrave kulturore shqiptare por me merren me kultura të huaja.

Praktika të tilla si mbulimi i vajzave të reja, nënshtrimi i grave ndaj normave patriarkale të predikuara në kontekste arabofone, apo imponimi i një morali që nuk lidhet fare me traditën shqiptare, krijojnë tension midis kulturës së origjinës dhe realitetit të diasporës. Në një shtet laik e demokratik si Zvicra, është tronditëse të shohësh se si gratë shqiptare, që historikisht kanë qenë shtylla të familjes dhe bartëse të kulturës, detyrohen të fshihen pas shamisë së zezë, duke humbur dinjitetin dhe identitetin e tyre natyror.

Shqiptarët, një popull i njohur për rezistencë dhe vetëdije kombëtare, sot një pjesë e tyre duken të gatshëm të nënshtrohen ndaj kulturave të huaja me lehtësi të frikshme. Ajo që Perandoria Osmane e bëri me dhunë, sot po e bëjmë vetë, me duart tona.

Pasojat kulturore: humbja e identitet kombëtar

Kjo prirje ka pasoja të thella kulturore kombëtare. Në mungesë të qendrave kulturore shqiptare, qendrat fetare zënë vendin e tyre në jetën e komunitetit. Ndërkohë që shkollat shqipe luftojnë për ekzistencë, xhamitë zgjerojnë ndikimin e tyre.

Investimet nuk janë thjesht çështje financiare, por tregojnë drejtimin kulturor të komunitetit. Kur miliona franga shkojnë për ndërtimin e objekteve fetare, ndërsa mungojnë tekstet, mësuesit dhe aktivitetet kulturore, diaspora po humbet komponentin kryesor të ruajtjes së identitetit: edukimin kombëtar.

Kur një komunitet ndërton më shumë objekte fetare se kulturore kombëtare, ndodh humbja e pasurisë më të madhe siç është gjuha amtare dhe identiteti. Fëmijët mësohen të jenë mysliman dhe shumë pak të jenë shqiptarë.

Historiku i imponimit kulturor

Atdheu ynë, Shqipëria historike ka një eksperiencë të gjatë me përpjekjet për të zëvendësuar identitetin kulturor vendas me identitete fetare të huaja. Nën Perandorinë Osmane, procesi i islamizimit të imponuar uli në gjunjë elitën arbërore, shkriu strukturat shoqërore dhe pengoi zhvillimin e kombit modern shqiptar.

Rilindësit, të vetëdijshëm për këtë rrezik, ndanë qartë identitetin kombëtar nga ai fetar. Vaso Pasha e përmblodhi këtë filozofi me vargun e pavdekshëm:
“Feja e shqiptarit është shqiptaria.”
Ky varg nuk ishte thirrje kundër fesë, por një deklaratë e fuqishme se identiteti kombëtar duhet të jetë mbi çdo identitet tjetër.

Sot, diaspora shqiptare është në një pikë kritike ku këto mësime të së kaluarës duken të harruara. Asnjë popull nuk mund të mbijetojë si i tillë nëse dorëzon vullnetarisht institucionet që e kanë mbajtur gjallë ndër shekuj.

Një apel për vetëdije dhe orientim të ri

Kjo nuk është një thirrje kundër fesë, sepse ajo është individuale. Është një thirrje kundër humbjes së identitetit.

Diaspora shqiptare duhet të pyesë veten me ndershmëri:

  • -Çfarë do të mbetet nga shqiptarët në Zvicër pas dy brezash?
  • -A do të ketë fëmijë që flasin shqip?
  • -A do të ketë qendra kulture, biblioteka, shkolla shqipe?
  • -Apo vetëm objekte fetare që përfaqësojnë kultura të tjera?

Është koha që shqiptarët të zgjojnë ndërgjegjen kombëtare. Duhet të investojmë në institucione që zhvillojnë, ruajnë gjuhën, kulturën, historinë, kujtesën dhe dinjitetin shqiptar. Xhamitë në diasporë nuk e luajnë ketë rol. Ato nuk janë projekte shqiptare. Ato janë projektet ku ne humbim veten ngadalë.

Ne duhet të zgjedhim: të mbetemi shqiptarë, ose të shndërrohemi në diçka që nuk na përket.

Në këtë kryqëzim, heshtja është bashkëfajësi.

Xhami në Tafres,  figurojnë mbishkrimet arabe



(Vota: 2 . Mesatare: 5/5)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx