| E enjte, 11.12.2025, 07:00 PM |
Kur rrënjët shqiptare tretën nën themelet e xhamive
Nga
Nexhmije Mehmetaj
Këto ditë u bë inaugurimi i xhamisë së re në Tafers
kantoni i Friburgut-Zvicër, financuar nga komuniteti shqiptar me 3.5 milion
franga zvicerane, është vetëm një shembull i qartë i orientimit të gabuar të
investimeve të diasporës sonë. Në një kohë kur fëmijët shqiptarë rrezikojnë çdo
ditë humbjen e gjuhës amtare, kur shkollat shqipe veprojnë me sakrifica dhe
mungojnë qendrat e kulturës shqiptare, shqiptarët financuan ngritjen e një
objekti fetar që nuk e ruan identitetin e tyre kombëtar – përkundrazi, e
gërryen atë.
Në vend të një biblioteke shqiptare, u ngrit një
“qendër islame”. Në vend të një shkolle ku fëmijët të mësojnë alfabetin e
gjuhës shqipe, u ndërtua një hapësirë ku do të mësohet një kulturë jo shqiptare
një kulturë e huaj që nuk është e jona.
Një hapësirë që nuk i shërben kulturës shqiptare
Xhamia e Tafersit u promovua si “qendër islame”,
por as gjë nuk ka të bëjë me interesat e komunitetit shqiptar në Zvicër.
Fëmijët shqiptarë që hyjnë në këtë institucion ekspozohen ndaj një identiteti
të dytë – të importuar – i cili jo vetëm nuk është pjesë e trashëgimisë sonë
historike, por shpesh qëndron në kundërshtim me vlerat kulturore të popullit
tonë. Është
e trishtueshme se si shqiptarët nuk merren me themelimin e qendrave kulturore
shqiptare por me merren me kultura të huaja.
Praktika të tilla si mbulimi i vajzave të reja,
nënshtrimi i grave ndaj normave patriarkale të predikuara në kontekste
arabofone, apo imponimi i një morali që nuk lidhet fare me traditën shqiptare,
krijojnë tension midis kulturës së origjinës dhe realitetit të diasporës. Në
një shtet laik e demokratik si Zvicra, është tronditëse të shohësh se si gratë
shqiptare, që historikisht kanë qenë shtylla të familjes dhe bartëse të
kulturës, detyrohen të fshihen pas shamisë së zezë, duke humbur dinjitetin dhe
identitetin e tyre natyror.
Shqiptarët, një popull i njohur për rezistencë dhe
vetëdije kombëtare, sot një pjesë e tyre duken të gatshëm të nënshtrohen ndaj
kulturave të huaja me lehtësi të frikshme. Ajo që Perandoria Osmane e bëri me
dhunë, sot po e bëjmë vetë, me duart tona.
Pasojat kulturore: humbja e identitet kombëtar
Kjo prirje ka pasoja të thella kulturore kombëtare.
Në mungesë të qendrave kulturore shqiptare, qendrat fetare zënë vendin e tyre
në jetën e komunitetit. Ndërkohë që shkollat shqipe luftojnë për ekzistencë,
xhamitë zgjerojnë ndikimin e tyre.
Investimet nuk janë thjesht çështje financiare, por
tregojnë drejtimin kulturor të komunitetit. Kur miliona franga shkojnë për ndërtimin e objekteve
fetare, ndërsa mungojnë tekstet, mësuesit dhe aktivitetet kulturore, diaspora
po humbet komponentin kryesor të ruajtjes së identitetit: edukimin kombëtar.
Kur një komunitet ndërton më shumë objekte fetare
se kulturore kombëtare, ndodh humbja e pasurisë më të madhe siç është gjuha
amtare dhe identiteti. Fëmijët mësohen të jenë mysliman dhe shumë pak të jenë
shqiptarë.
Historiku i imponimit kulturor
Atdheu ynë, Shqipëria historike ka një eksperiencë
të gjatë me përpjekjet për të zëvendësuar identitetin kulturor vendas me
identitete fetare të huaja. Nën Perandorinë Osmane, procesi i islamizimit të
imponuar uli në gjunjë elitën arbërore, shkriu strukturat shoqërore dhe pengoi
zhvillimin e kombit modern shqiptar.
Rilindësit, të vetëdijshëm për këtë rrezik, ndanë
qartë identitetin kombëtar nga ai fetar. Vaso Pasha e përmblodhi këtë filozofi
me vargun e pavdekshëm:
“Feja e shqiptarit është shqiptaria.”
Ky varg nuk ishte thirrje kundër fesë, por një deklaratë e fuqishme se
identiteti kombëtar duhet të jetë mbi çdo identitet tjetër.
Sot, diaspora shqiptare është në një pikë kritike
ku këto mësime të së kaluarës duken të harruara. Asnjë popull nuk mund të
mbijetojë si i tillë nëse dorëzon vullnetarisht institucionet që e kanë mbajtur
gjallë ndër shekuj.
Një apel për vetëdije dhe orientim të ri
Kjo nuk është një thirrje kundër fesë, sepse ajo
është individuale. Është një thirrje kundër humbjes së identitetit.
Diaspora shqiptare duhet të pyesë veten me
ndershmëri:
Është koha që shqiptarët të zgjojnë ndërgjegjen
kombëtare. Duhet të investojmë në institucione që zhvillojnë, ruajnë gjuhën,
kulturën, historinë, kujtesën dhe dinjitetin shqiptar. Xhamitë në diasporë nuk
e luajnë ketë rol. Ato nuk janë projekte shqiptare. Ato janë projektet ku ne
humbim veten ngadalë.
Ne duhet të zgjedhim: të mbetemi shqiptarë, ose të
shndërrohemi në diçka që nuk na përket.
Në këtë kryqëzim, heshtja është bashkëfajësi.

Xhami
në Tafres, figurojnë mbishkrimet arabe