Kulturë
Luan Tashi: Naim Frashëri në letërsinë shqipe dhe persiane (iraniane)
E shtune, 06.12.2025, 06:54 PM
NAIM FRASHËRI NË LETËRSINË SHQIPE DHE PERSIANE (IRANIANE)
Nga
Prof. MA Luan TASHI, Prishtinë
Letërsia është ndikuar gjithmonë nga zhvillimet historike,
politike sociale dhe kulturore. Në hapësirat e Ballkanit, ndërveprimet e para
midis popujve nisën përmes gjuhës dhe vazhduan përmes traditave, kulturës dhe
letërsisë. Gjatë pesëqind vjet sundimi të Perandorisë Osmane në Ballkan,
pothuajse të gjitha gjuhët ballkanike u ndikuan nga turqishtja. Pas pranimit të
islamit, përmes turqishtes u përhapën edhe elemente të arabishtes dhe persishtes,
të cilat hynë edhe në gjuhën shqipe.
Ndër vendet e Ballkanit, Shqipëria ka pasur gjithmonë një
rëndësi të veçantë, që lidhet drejtpërdrejt me marrëdhëniet historike dhe
kulturore midis shqiptarëve dhe turqve. Në veprat e para të shkruara në gjuhën
shqipe gjatë shekujve XVI dhe XVII, ndikimi i turqishtes është tepër i dukshëm.
Gjatë kësaj periudhe, rritja e numrit të fjalëve turke dëshmon gjithashtu
zgjerimin e fjalorit shqip. Deri në fillim të shekullit XX, Shqipëria ishte
pjesë e Perandorisë Osmane dhe njohja e poezisë, e letërsisë dhe e kulturës
persiane, luajti rol të rëndësishëm në përhapjen e persishtes. Duke marrë
parasysh praninë letërsisë persiane në kombet e ndryshme, ndikimi i saj mbi
poetët e Ballkanit nuk është befasues. Edhe Naim Frashëri, një nga poetët më të
rëndësishëm të letërsisë së Shqipërisë, shkruajti dhe botoi në persisht,
kësisoj ushtroi ndikim në letërsinë persiane të fund-shekullit XIX.
Orientalistja dhe studijuesja shqiptare Genciana Abazi-Egro (1970-2024) ka konstatuar se
ndikimi i parë i turqishtes mbi shqipen ishte kryesisht në nivel leksikor. Ajo
vëren se ekzistojnë rreth 4,000 fjalë turke në gjuhën shqipe. Ky fenomen mund
të shpjegohet nga fakti që Shqipëria ishte nën ndikimin e adminsitratës osmane,
e cila e kishte ndaluar përdorimin e gjuhës shqipe. Fjalët e para turke që hynë
në shqip në shekullin XV - XVI lidhen kryesisht me luftën, veshjet dhe pajisjet
shtëpiake. Gjatë sundimit Osman në Ballkan, të gjitha gjuhët ballkanike u ndikuan
nga turqishtja; megjithatë, nuk ishte i njëjtë për të gjitha gjuhët. Afanasy
Matveevich Selishchev (socio-linguist dhe dialektolog rus (1886-1942) thekson se fjalët turke janë më shumë në gjuhët sllave dhe në shqip, më pak
në rumunisht dhe në greqisht.
Pas pranimit të islamit, turqishtja u përhap në vendet
ballkanike dhe përmes saj në shqip hynë elemente të arabishtes dhe persishtes.
Fillimisht kjo ndikoi vetëm gjuhën si shprehje e kulturës së re, duke sjellë
koncepte
për shoqëritë ballkanike. Ndërveprimet e hershme
gjuhësore më pas u pasuan nga ndikimi kulturor, tradicional
dhe letrar, fillimisht me veprat letrare gojore në
turqisht, më pas në arabisht dhe persisht.
Ndikimi islamik në letërsinë shqiptare u bë i dukshëm në
shekullin XVIII. Zhvillimi i qyteteve shqiptare dhe intensifikimi i
aktiviteteve sociale dhe ekonomike krijuan kushtet për formimin e një shtrese
të re shoqërore. Me zhvillimin e qyteteve në frymën e civilizimit osman, u
ngritën medrese, teqe dhe zavije (vend i
mësimit fetar), ndërsa brenda këtij konteksti u formuan përfaqësuesit e
parë të kulturës, artit dhe letërsisë. Nevoja kulturore dhe artistike e kësaj
shtrese të edukuar në medreset osmane e përbërë nga pjesëtarë të kulturës
islame solli lindjen e një letërsie të re, ku veprat e para u shkruan në
turqisht nën ndikimin e letërsisë arabe dhe persiane.
Disa nga veprat më të rëndësishme të letërsisë shqiptare
u krijuan nga vëllezërit Sami dhe Naim Frashëri, si dhe nga Vaso pashë Shkodrani
(turqisht: ??kodral? Vaso Pa?a;
1825-1892, i njohur në letërsinë shqipe si Pashko Vasa). Gjatë periudhës
osmane, arsimimi dhe përdorimi i gjuhës islame bëhej kryesisht në turqishtja,
gjuha e administratës, ndërsa për ata që merreshin me artin, letërsinë dhe
kulturën, gjuha e ndjenjave dhe mendimeve ishte persishtja. Osmanët themeluan
medrese dhe teqe në qytete të ndryshme të Shqipërisë, ku mësohej gjuha dhe
letërsia persiane. Teqet e bektashive shërbenin si vendet ku lexoheshin dhe
përjetoheshin veprat klasike të letërsisë islame. Një nga këto teqe, që
kontribuoi në zhvillimin e mendimit “tasavvuf”
(rrugë shpirtërore drejt afërsisë me
Zotin) dhe përhapjen e gjuhës persiane mes shqiptarëve, u themelua në
fshatin Frashër të rrethit të Përmetit. Në këtë teqe u formuan figurat më të
shquara të letërsisë dhe mendimit shqiptar, përfshirë vëllezërit Dalip, Shahin,
Sherif, Abdyl, Naim dhe Sami Frashëri.
Derisa Shqipëria mbeti pjesë e Perandorisë Osmane deri në
fillim të shekullit XX, populli i saj mësonte islamin, poezinë persiane dhe
kulturën iraniane kryesisht përmes turqishtes. Kjo ndikoi në përhapjen e gjuhës
persiane (farsi) në këto territore
dhe bëri që figura të rëndësishme fetare shqiptare, si shehët dhe mësuesit
nëpër medreset, të vlerësonin gjuhën dhe kulturën iraniane/persiane. Disa studiues
theksojnë se përhapja e kulturës iraniane në Shqipëri u mundësua edhe nga tasavvufi dhe tarikatet Bekta?i, dhe se qendra e tyre në qytete si Shkodër,
Korçë, Berat dhe Elbasan ka kontribuar në përhapjen dhe ndikimin e letërsisë
persiane.
Naim Frashëri
Naim Frashëri u lind më 25 maj 1846 në fshatin Frashër,
në atë kohë Vilajeti i Janinës. Naimi ishte djali i Halit Frashërit, i cili
ishte timar bej (zyrtar i lartë që administronte pronën tokësore e dhënë nga sulltani,
por jo pronarë i saj) dhe pjesëtar i një familjeje të arsimuar. Nëna e tij,
Emine, u lind në familjen me origjinë nga Ilaz Bej Mirahori, 1408-1511 (komandant ushtarak dhe guvernator shqiptar
në Perandorinë Osmane, i cili
shërbeu pranë sulltanit Bayezid II), i njohur për shërbimet ndaj fesë islame, veçanërisht ndaj Bektashizmit.
Naim Frashëri ishte vëllai i madh i Samiut, gazetar,
leksikograf dhe gjuhëtar i shquar i letërsisë turke pas periudhës së
Tanzimatit. Naimi kreu arsimin fillorë në fshatin e tij, në shkollë ku mësohej
në gjuhën turke, por
Ai frekuentoi dhe mësimet e arabishtes dhe të persishtes në teqen e Bektashive të fshatit.
Pas vdekjes së Halitit, babait të Naimit në vitin 1859
dhe të nënës Emine, dy vite më vonë, vëllai i tij Abdyli
u largua për në Janinë për të nisur aktivitetin e tregëtisë.
Në vitin 1865, Abdyli mori dhe familjen Frashëri në Janinë, ku Naimi së bashku
me vëllanë Samiun kryen arsimin në shkollën “Zosimea” në Janinë, në të njejtën
shkollë ku mësuan edhe rilindasit shqiptarë, si: Konstantin Kristoforidhi, Jani
Vreto, Ismail Qemali e shumë të tjerë. Gjatë studimeve në Zosimea, vëllezërit
Frashëri u njohën me zhvillimet moderne kulturore të Evropës, përfshirë
letërsinë franceze, që kishte ndikim të madh mbi ata. Gjatë kësaj periudhe Naimi
mësoi greqishten, frëngjishten dhe italishten.
Në Janinë frekuentoi dhe medresenë, ndoqi mësime nga
mësues të njohur, si Jakup Efendia, i cili e ndihmoi të zhvillojë njohuritë e
tij në arabisht dhe persisht. Në këtë periudhë, Naimi filloi të lexonte poezi
nga autorë të shquar të letërsisë persiane, si Hâf?z Ahmed Sa’dî (? -
1882) dhe Firdevsî
Çelebi (1453-1517), duke thelluar kështu interesin e tij
për poezinë.
Pas përfundimit të shkollës së mesme në vitin 1871, së
bashku me Samiun, shkuan në Stamboll, ku punuan në “Matbuat Kalemi” (“Matbuat” në turqisht i referohet botimeve
të shtypura, si gazeta, revista etj.). Sipas nipit të Naimit, Mid’hat
Frashërit (alias: Lumo Skendo; 1880-1949),
gjatë qëndrimit në Stamboll, Naimi punoi si mësues i persishtes për një
periudhë të shkurtër. Mid’hati shkruan: “Naimi
të premteve dhe të dielave nuk shkonte në zyrë. Në ato ditë unë kisha mësime në
persisht. Së bashku lexuam të gjithë Gülistân-in,
Bûstân-in dhe disa pjesë nga
Hafizi.(Gülistân në persishte “Kopshti i trëndafilave” vepër e poetit persian
Sa’di Shirazi; Bûstân në persishte “Kopshti” është vepra e Sa‘dit; ndërsa Hâfiz-i
ishte poeti i famshëm persian Hafiz Shirazi, i njohur për Divanin e tij, një
përmbledhje me gazele dhe poezi mistike, dashurie dhe filozofike).
Në atë periudhë, Naimi përgatiti një gramatikë e gjuhës
persiane për studentët turq, e cila ishte vepra e tij e
parë, libri i gramatikës persiane “Kavâ?id-i Fârsiyye ber-Tarz-? Nevîn” (Rregullat e persishtes
sipas metodës së re), e botuar në Stamboll në vitin 1871.
Gjatë qëndrimit në Stamboll, Naimi u sëmur nga
tuberkulozi dhe vendosi të kthehej në Shqipëri, duke punuar një periudhë si
funksionar admistrate në Berat, ndërsa gjatë viteve 1874-1877, nëpunës në doganën
e Sarandës.
Naimi kishte adaptuar mbesën Asije.
Pas vdekjes së prindërve, Asija u rrit nën kujdesin e xhaxhait të saj Naim
Frashërit; kjo rrethanë shpjegon pse ajo njihej si “vajza e madhe e Naimit” Në kontekstin e jetës së Asije Frashërit,
vajzës së Sherif Frashërit, vëllait të të familjes Frashëri, është e
rëndësishme të theksohet se në vitin 1878, Murad Bej Toptani (1866?1918) atdhetar, nënshkrues i Deklaratës së Pavarësisë së Shqipërisë, poet
dhe skulptor, u njoh me Asijen, e cila në atë periudhë studionte në Liceun “Notre Dame de Sion” në Stamboll. Më vonë, Asija do të bëhej bashkëshortja e Murad Bej Toptanit dhe kjo është
rrethana pse Muradi konsiderohej si dhëndri i Naim Frashërit, poetit të shquar
shqiptar.
Gjatë qëndrimit në Janinë, në vitin 1873, Naimi filloi të
shkruante poezitë e tij të para në persisht. Këto poezi u mblodhën më vonë në
një revistë të quajtur Tahayyülât (Ëndrrat), e cila u botua në Stamboll
në vitin 1885. Gjatë periudhës 1879-1881, jetoi përsëri në Janinë, por për
shkak të intensifikimit të veprimtarisë politike dhe lëvizjeve të grupeve
nacionaliste greke, Naimi dhe familja e tij në fillim të vitit 1882 u
zhvendosën në Stamboll.
Për shkak të aftësive të tij të shprehjes në fushën e letërsisë
dhe përkthimeve, u caktua si anëtar i Encümen-i
Tefti? ve Mu’ayene (Këshilli i Inspektimit dhe i Shqyrtimit) pranë
Ministrisë Osmane të Arsimit dhe më vonë u emërua kryetar i këtij komiteti.
Naimi vdiq në Stamboll në vitin 1897 dhe u varros në
varrezat e Teqes së Bektashinjëve të Merdivenköy
(lagje në rrethin e Kadikoj në Stamboll). Më 1937 eshtrat e tij u sollën në
Shqipëri dhe u rivarrosën në Kryegjy-shatën Bektashiane në Tiranë. Më 10
qershor 1978 eshtrat e tij dhe të vëllezërve u rivarrosën në Kodrat e Liqenit
në Tiranë. Data e saktë e vdekjes ka qenë subjekt diskutimi. Bursal? Mehmed
Tahir Beu (shkrimtar, studiues, ushtarak
dhe deputet turk, i njohur për veprat e tij biografike dhe bibliografike;
1861-1925), vdekjen e Naimit e caktoi në vitin 1897, ndërsa Muhammed Aruç
në Encyclopaedia Islamica, datën e vdekjes e ka regjistruar 19 nëntor
1900. Studiues perëndimorë, shqiptarë dhe iraniane konfirmojnë vdekjen e Naimit
në vitin 1900.
Veprat e Naim
Frashërit
Naim Frashëri ishte një nga poetët më kryesorë të
Shqipërisë dhe veprat e tij pasqyrojnë përpjekjen për të bashkuar traditën
sufiste me filozofinë perëndimore [tasavvufin
(sufizëm - tradita shpirtërore dhe
mistike brenda Islamit) që synon pastrimin e shpirtit, afrimin me Zotin dhe
jetesën e brendshme shpirtërore].
Poezitë e tij reflektojnë ndikimin e Bektashizmit, si dhe idetë e tij
nacionaliste për Shqipërinë, duke shërbyer si themel i ideologjisë së tij
shpirtërore dhe artistike. Bursal? Mehmed Tahir Beu e përshkruan Naimin si poet
të lindur me talent të jashtëzakonshëm.
Naim shkroi në shqip, turqisht dhe farsi/persisht. Veprat
e tij në shqip u botuan kryesisht nga shoqëria shqiptare Drita në
Bukuresht. Shumica e tyre ishin abetare dhe tekste për nxënësit e shkollave
fillore, duke përfshirë përralla në stilin e La Fontaine (Jean de La Fontaine; 1621-1695), vepra mësimore për historinë e
popujve dhe shteteve të ndryshme, si dhe përvoja etike dhe morale për fëmijët,
të shkruara në formë proze dhe poezie.
Në vitin 1886, Naimi shkroi një vepër poetike prej 450
vargjesh mbi blegtorinë dhe bujqësinë, ndërsa në vitin 1890 botoi një përbledhje
poetike të titulluar Lulet e Verës,
duke shprehur identitetin kombëtar shqiptar, dhe modernizoi lirikën shqipe. Po
ashtu, shkroi një kronikë poetike për Skenderbeun midis viteve 1890-1895, si
dhe Qerbelaja (Kerbelâ, i referohet qytetit në Irak, i njohur kryesisht për Betejën e
Karbalës, shpesh lidhet me sakrificën, martirizimin,
tek myslimanët shiitë), një poemë epike
mbi historinë islame.
Përveç kësaj, Naimi përktheu nga greqishtja në shqip Iliadën
e Homerit dhe botoi katër libra të përkthyera në gjuhën greke: “????? ???? ?????????” Himni i Lirisë,
Bagëti e Bujqësi, fragmente të Divanit, Katër Stinët; Në vitin 1886 botoi një libër në Bukuresht, dhe më 1895 një në Stamboll.
Shkrimet e tij në shqip, si poezi ashtu edhe prozë,
rritën vlerën e gjuhës shqipe në kulturën kombëtare dhe sot vazhdojnë të
përdoren si baza e mësimit të letërsisë në shkollat shqipe. Naimi është themeluesi
i formës së “gazelit” (formë poetike
tradicionale lindore) në letërsinë shqipe, një formë që ai e përdori për herë
të parë në veprën e tij mbi blegtorinë dhe bujqësinë. Poezitë e tij përmbajnë
reflektime filozofike mbi unitetin e ekzistencës, pasigurinë dhe frikën, duke u
kombinuar me romantizmin evropian, dhe duke u dhënë gazeleve një dimension universal dhe njerëzor. Në Lulet e Verës, ai trajton jetën dhe
vdekjen, kalimin e kohës dhe kujtimet, si dhe dashurinë dhe përkushtimin ndaj
krijuesit të botës, duke i kombinuar me filozofi. Poezia epike, përfshirë Historia
e Skënderbeut dhe Qerbelaja prej 9.000 vargjesh, shpreh themelin e
letërsisë epike shqipe.
Kavâ?id-i Fârsiyye ber-Tarz-? Nevîn (Rregullat
e persishtes sipas mënyrës së re)
Ky është një libër gramatikorë persian, i shkruar me shpjegime në turqisht për studentët turq, dhe është vepra e parë e Naim Frashërit. Libri u botua në Stamboll në vitin 1871 nga Shtëpia Botuese ?irket-i Mürettibiye Matbaas? (Shtypshkronja e Kompanisë Mürettibiye). Libri Kavâ?id-i Fârsiyye ber-Tarz-? Nevîn është libri i parë modern persian i gramatikës i shkruar në stil perëndimor.
Libri përbëhet nga gjithsej 65 faqe. Në faqen e parë,
autori ka shënuar si ?an-a?zâ-y? Encümen-i Ma’ârif (anëtar i Komitetit të Arsimit). Libri
fillon me një hyrje të shkurtër dhe përfshin dy seksione kryesore dhe gjashtë
kapituj. Për shkak se Naimi kritikonte sistemin e mësimit të persishtes në
institucionet osmane, ai përdori këtë libër si bazë për të krijuar një metodologji
të re të mësimit të persishtes.
?htirâât ve Ke?fiyyât (Zbulime
dhe shpikje)
Libri ?htirâât
ve Ke?fiyyât (Zbulime dhe shpikje) në kopertinë Naimi është i nënshkruar
si M. Na?îm (turqisht: Mehmed Naîm Frâ?irî). Libri u botua në vitin 1881 në Stamboll,
në Shtëpinë Botuese “Mihran Matbaas?”. Vepra përbëhet nga një hyrje dhe një përfundim
dhe ka gjithsej 76 faqe.
Në hyrje, Naimi kritikon librat e mëparshëm për mënyrën
se si ata trajtojnë historinë e njerëzimit, duke theksuar se informacioni i dhënë
është i pjesshëm dhe jo i mjaftueshëm: “Ashtu
siç është e panjohur gjatësia e kohës që ka kaluar nga paraqitja e njeriut e
deri në fillimin e epokave historike të regjistruara, po ashtu edhe gjendjet e
këtyre kohërave, më parë, vetëm deri diku mund të kuptoheshin prej miteve të
popujve të lashtë dhe prej disa librave dhe poezive që sillnin rrëfime të
natyrës legjendare; megjithatë, ato ende ndodheshin brenda një errësire plot
dyshime.
Në pjesën hyrëse, autori paraqet njëzet e dy vargje të
marrë nga prologu i Shahnamasë (persisht: ?ehnâme) së Abul-Kasim Firdevsî (një prej veprave më të rëndësishme të
letërsisë persiane dhe një nga poemat epike më të mëdha në botë), të cilat
rrëfejnë shfaqjen e parë të njerëzimit. Në këtë mënyrë, referencat e para lidhur
me njerëzimin në ?htirâât ve Ke?fiyyât
(Zbulime
dhe shpikje) burojnë nga mitologjia persiane, konkretisht
nga epopeja Shahname. Kjo na
lejon të kuptojmë se edhe Naïmi besonte se njeriu i parë është shfaqur
fillimisht në malet e Iranit. Pra, Shahnameja
e Firdevsît përfaqëson pikën epistemologjike të Naimit për të kuptuar origjinën
e njerëzimit, duke treguar influencën e thellë të literaturës persiane mbi
mendimin e tij historik dhe filozofik.
Fusûl-i Erba’a (Katër stinët)
Vepra Fusûl-i
Erba’a (Katër stinët) përshkruan dashurinë e dy të
rinjve, të cilët ndihen dhe veprojnë sipas ndryshimeve të stinëve të vitit, ka
gjithsej 127 faqe. Libri u botua në vitin 1883 në Stamboll, në Shtëpinë Botuese
Mihran Matbaas?. Në faqen e parë,
autori është shënuar si M. Na?îm (turqisht:
Mehmed Naîm Frâ?irî),
ndërsa mbi ballinë gjendet shprehja: “Frans?zcadan
ma’h? u?z? dur” (Është marrë nga frëngjishtja). Ky
shënim ka nxitur diskutime mbi origjinën e romanit. Nëse vepra është përkthim,
si ndodh në rastin e përkthimit të Iliadës
së Homerit, autori origjinal mund të mos jetë përmendur. Megjithatë, ekziston
mundësia që Naimi të ketë marrë temën dhe personazhet nga një vepër e letërsisë
franceze.
Sipas studiuesit Nasho Jorgaqi (1931-2022), analiza e
ideve të përmbajtjes sugjeron se ky roman është një
krijim origjinal i Naim Frashërit. Në këtë kontekst, edhe
profesoresha dhe albanologia Agnija Desnickaja (1912-1982) nga Universiteti i
Leningradit, e njohur për studimet e saj mbi gjuhën shqipe dhe letërsinë
shqiptare, ka konkluduar se vepra nuk është përkthim, por një krijim origjinal
i autorit, bazuar në tiparet e kompozicionit dhe stilit. Romani ka strukturë të
shkurtër dhe ndahet në katër seksione kryesore, secili i ndarë më tej në
nënkapituj. Sejcilit seksion i është dhënë emri i stinës përkatëse në arabisht.
Seksioni i parë, rabî’ (pranvera),
përmban 25 nënkapituj të shkurtër; seksioni i dytë, sayf (vera), ka 38 nënkapituj; seksioni i tretë, harif (vjeshta), përbëhet nga 24
nënkapituj; ndërsa seksi i katërt, ?ita
(dimri), ka 13 nënkapituj të shkurtër.
Fusûl-i Erba’a (Katër
stinët) është
një roman liriko-narrativ i kushtuar dashurisë. Ai nuk ka një rrëfim
kronologjik të ngjarjeve, por vendos dashurinë e dy të rinjve në kontekstin e
natyrës dhe stinëve të ndryshme. Personazhet janë një vajzë dhe një djalë të
paemërtuar, dhe dashuria e tyre paraqitet kryesisht përmes shëtitjeve në natyrë
përgjatë katër stinëve të vitit. Gjendja psikologjike e personazheve paraqitet
në harmoni të plotë me natyrën, e cila shërben si dëshmi e dashurisë.
Motivi kryesor i romanit pasqyron traditën e poezisë
lindore: dashuria midis zogut (zakonisht bylbylit) dhe trëndafilit. Flora e
pasur dhe lule të ndryshme si trëndafili, karafili, zambaku, jasemini dhe
borziloku, përdoren për të theksuar stinët dhe tiparet karakteristike të natyrës.
Përveç kësaj, perceptimi poetik i jetës reflekton mentalitetin dhe kulturën e
kohës dhe vendit ku jetonte Naim Frashëri, duke përfshirë elementë të identitetit
dhe estetikës lokale.
Farsça Eserleri “Hayaller”
(Vepra persisht “Imagjinime”)
Në poezinë e tij në gjuhën persiane, Naim Frashëri
frymëzohet nga klasikët e mëdhenj të Farsit
(gjuhës
persiane), si Ferîdüddîn Attâr-i Ni?âbûrî, Mevlânâ Celâleddîn-i Belhî dhe ?eyh Sa?dî-i ?îrâzî. Bukuria e poezive të tij nuk qëndron vetëm në faktin që ato dëgjohen në një gjuhë të huaj, por edhe në mjeshtërinë e përdorimit të figurave të Farsit, shprehjeve dhe detajeve që shfaqen në tekst. Poezia e tij karakterizohet nga thjeshtësia dhe rrjedhshmëria; nuk ka lëvdata të vetvetes, servilizëm, ekzagjerim apo paragjykim. Në vend të kësaj, ka qëllim, mësimin dhe urtësinë.
Një nga veprat e tij kryesore në këtë gjuhë persiane është
Tahayyülât
(imagjinime), një koleksion
poetik i botuar në vitin 1885 në Stamboll, në Shtëpinë Botuese Mihran Matbaas?. Vepra përbëhet nga 24
poezi, të shkruara të gjitha në formën e Mesnevî-së (formë e veçantë poetike në
letërsinë orientale, veçanërisht në literaturën persiane, osmane dhe turke),
ku ndikimi i dukshëm i Mesnevî-së së Mevlânâ-s është i pranishëm. Çdo poezi ka një titull dhe në pjesën e
poshtme, vitin e shkrimit. Në total, Tahayyülât përmban 501 vargje.
Nga pikëpamja e stilit dhe të figurës letrare, vargjet e Naim-it
nuk janë të pasura në metafora komplekse, por përmbajnë figura me natyrë
kryesisht emocionale; megjithatë, herë pas here shfaqen elemente të pasura të
personaliteteve letrare. Tahayyülât shpreh një kombinim të
filozofisë islame dhe misticizmit sufist, duke reflektuar ndjenjat njerëzore
dhe trajtuar tema të tilla si jeta dhe vdekja, bukuria dhe dashuria, misteri i
universit, fuqia hyjnore dhe natyra njerëzore.
Konferenca
ndërkombëtare e mbajtur në Teheran në nderim të poetit shqiptar Naim Frashëri
Në datën 4 mars 2017, në Teheran u organizua Konferencë ndërkombëtare kushtuar mendimtarit
dhe poetit shqiptar Naim Frashëri, me temën “Studimi i mendimit të Naim Frashërit”.
Ky aktivitet akademik përbën një moment të rëndësishëm në afirmimin e figurës
së Naim Frashërit në arenën ndërkombëtare, duke nxjerrë në pah jo vetëm
dimensionin e tij kombëtar, por edhe lidhjet e tij me kulturën dhe letërsinë
persiane.
Konferenca u mbajt në sallën e konferencave “Shehid
Motahari” në Tarbiat Modares University në Teheran.
Organizatorët theksuan rëndësinë e këtij aktiviteti, duke evidentuar
kontributin e Naim Frashërit si poet, dijetar dhe njohës i literaturës
persiane. Përmes kësaj konference, studiuesit patën mundësinë të shqyrtonin
dimens-ionin “perso?iranologjik” të
veprës së tij, duke analizuar aftësitë e tij në gjuhën persiane, ndikimin e
kulturës iraniane mbi krijimtarinë e tij, si dhe rolin e tij në afirmimin e
identitetit kombëtar shqiptar.
Qëllimi kryesor i konferencës ishte promovimi i dijes për Naim Frashërin jo vetëm brenda botës
shqiptare, por edhe për publikun iranian dhe akademik ndërkombëtar. Përmes
referimeve dhe punimeve shkencore të prezantuara, u bë e mundur një pasqyrë e
thelluar e mendimit dhe veprës së Naimit, duke evidentuar ndikimet historike,
kulturore dhe gjuhësore që formësuan krijimtarinë e tij letrare. Konferenca
përfshiu gjithashtu botime të veçanta dhe aktet shkencore të lidhura me Naim
Frashërin, të cilat ofruan një burim të vlefshëm për studime të mëtejshme në
fushën e albanologjisë dhe iranologjisë.
Ky aktivitet shërben si një mjet për fuqizimin e lidhjeve
ndërkulturore, duke evidentuar përputhjet dhe dialogun ndërmjet dy traditave
letrare dhe intelektuale, atë shqiptare dhe iraniane. Konferenca theksoi se
Naim Frashëri, përtej kontekstit kombëtar, mund të shihet si një figurë e
dialogut kulturor ndërkombëtar dhe si një urë lidhëse mes Lindjes dhe
Perëndimit.
Konferenca ndërkombëtare e mbajtur në Teheran në nderim
të Naim Frashërit, përbën një shembull të
rëndësishëm të përpjekjeve për afirmimin ndërkombëtar të
personaliteteve tona kombëtare. Kjo konferencë pasqyron rëndësinë e
bashkëpunimit akademik, promovimin e trashëgimisë kulturore dhe rolin e
studimeve letrare si instrument për të forcuar dialogun ndërkombëtar.
Në këtë kuadër, Naim Frashëri nuk është vetëm një poet
kombëtar, por edhe një figurë e njohur në kontekstin e letërsisë dhe kulturës
globale.
Portreti
i Naim Frashërit në pullet postare dhe nderimi i tij në Iran.
Në vitin 1997, Republika Islamike e Iranit publikoi një
pullë postare përkujtimore, ku portreti i Naim Frashërit u vendos si simbol i
respektit për poetin dhe dijetarin shqiptar. Në këtë pullë lexohen fjalët: “Naim Frashëri Albanian Muslim. Persian
Speaking Poet” (Naim Frashëri, mysliman shqiptar. Poet që flet persisht),
duke evidentuar jo vetëm identitetin kombëtar dhe fetar të Naimit, por edhe
njohuritë e tij në letërsinë persiane.
Ky akt filatelik ka rëndësi të dyfishtë: për një pjesë të
gjerë të publikut iranian, ai prezanton portretin e Naim Frashërit si poet dhe
shkrimtar që shkruajti në persisht, si shprehet në deçiturën e pullës, por
është dhe një urë lidhëse midis kulturave, ndërsa për studiuesit shqiptarë dhe
ndërkombëtarë, ky nderim shërben si një dëshmi e njohjes ndërkombëtare të
vlerës letrare të poetit.
Përveç pullës postare, portreti i Naim Frashërit, në Iran
është përdorur në zarfe, në kartolina, madje dhe në vula
postale, duke e bërë figurën e tij të pranishme jo vetëm
në botën akademike, por edhe në jetën e përditshme të qytetarëve iranianë.

Zarfi me pullën me portretin e Naim Frashërit dhe me
vulën postale me portretin e Naimit
Kjo përbën një shembull të rëndësishëm të trashëgimisë
kulturore dhe memorjes kolektive, ku letërsia dhe filatelia bashkohen për të
promovuar identitetin dhe arritjet e Naim Frashërit si një personaliteti
ndërkombëtar.
Referencat:
Abazi-Egro,
Genciana, Studies On Meaning and Word Changes in World and Turkey
(Journal of Turkish Studies, 2009)
Annemarie
Schimmel, A Two-Colored Brocade: The Imagery of Persian Poetry
(University of North Carolina, 1993)
Clayer,
Nathalie, Aux origines du nationalisme albanais (Karthala, Paris 2007)
Eqrem
Çabej, Studime për Letërsinë Shqipe (Tiranë: Rilindja, 1981)
?nalc?k,
Halil, The Ottoman Empire: The Classical Age 1300-1600 (Phoenix Press,
London 2001)
Kastrati,
Jup, Naim Frashëri: Jeta dhe Vepra (Akademia e Shkencave, Tiranë 1985)
Domi,
Mahir, Gjuha Shqipe dhe Historia e Saj (Universiteti i Tiranës, 1959)
Frashëri,
Mid’hat (Lumo Skendo), Naim Frashe?rit vjershe?tori dhe edukatori kombe?tar
(Dukagjini, Peje?, 1996)
Ismajli,
Rexhep, Orientalizmat në gjuhën shqipe,
(Studime Albanologjike 1996)
Selishchev,
Afanasy Matveevich, Turkish Loanwords in Balkan Languages (Moscow:
Nauka, 1971)
Stavro
Skendi, The Albanian National Awakening (Princeton University, 1967)









