E merkure, 03.12.2025, 11:31 PM (GMT)

Kulturë

Fitim Çaushi: Z. Skënder Gjinushi, “Polifonia jonë popullore” është krijuar këtu në Shqipëri

E merkure, 03.12.2025, 07:02 PM


I nderuar kryetar i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë  Z. Skënder Gjinushi :

“Polifonia jonë popullore”, është krijuar këtu në Shqipëri

Nga Fitim Çaushi

Konferenca e Parë e Studimeve Albanologjike në vitin 1962, në faqen 323, e përcakton folklorin muzikor gojor saktësisht: “Polifonia jonë popullore”, është krijuar këtu në Shqipëri nga shumë breza njerëzorë”. ...Trajtat më të zhvilluara të polifonisë sonë popullore i kemi në zonën e Labërisë”.

Këtë definicion shkencor, etnomuzikologu Ramadan Sokoli, e konfirmonte edhe në vitin 1965 në botimin e Institutit të Folklorit “Muzika jonë popullore nga pikëpamja melo-harmonike ndahet në dy dialekte kryesore: Homofoni në Veri dhe Polifoni në Shqipërinë e Jugut.” –(“Folklori Muzikor Shqiptar”, T. 1965, f. 120)

Ky përcaktim shkencor; Polifoni dhe Homofoni nga Instituti i Folklorit, është konfirmuar në të gjitha Konferencat shkencore të organizuara në vendin tonë, deri në tetorin e vitit 1989, në Simpoziumin Ballkanik në Tiranë për Polifoninë e popujve të Ballkanit. Në këto konferenca të Akademisë së Shkencave janë mbyllur përfundimisht emërtesat e gjinive dhe dialekteve të folklorit shqiptar, nuk ekziston asnjë dialekt tjetër veç Polifonisë dhe Homofonisë, ca më pak një term i shpikur arbitrarisht si “iso-polifoni” me prejardhje nga sirenat greke. Kënga polifonike kishte fituar legjitimitet publik, ishte e vlerësuar, jo vetëm nga etnomuzikologët, muzikantët, por edhe nga intelektualët e shquar të Shqipërisë:

-Prof. Ramadan Sokoli, në ligjëratën e mbajtur, në Universitetin e Bolonjës dhe të Venedikut në vitin 2001, konfirmonte: “Meqenëse në muzikologji, mbizotëron mendimi se grekët dhe romakët e lashtë nuk këndonin këngë polifonike, është shtruar çështja nëse polifonia e siujdhesës ballkanike është me prejardhje të lashtë dhe ka mbijetuar deri në kohën tonë, apo  kemi të bëjmë me diçka të ardhur nga vende të largëta”. (botuar italisht më 23 tetor 2001 në Romë dhe në Revista “Amëza Letrare”, Romë,  20 mars 2004)

-Limos Dizdari: “Si misionar, Xhevat Avdalli është përfaqësues i këngës polifonike gjirokastrite”(Xhevat Avdalli, Laver Bariu. f. 31)

-Tish Daija: “Natyra dhe përvoja e tij shumëvjeçare, e kanë vendosur në majën më të lartë të piramidës interpretative të këngës polifonike toske ... ai manovronte me akrobacitë e zërit, duke e ngritur interpretimin e polifonisë toske deri në kulminacionet më mahnitëse”. (“Plaku i këngës Demir Zyko”, Shtëpia botuese Naim Frashëri, 2002, f. 88-89)

- Shpëtim Kushta: ”Gjatë trajtimit të polifonisë sonë popullore, do të vëmë re se populli ynë ka krijuar vlera të vërteta emocionale, duke fuqizuar së tepërmi mendimet muzikore, epikën e ngrohtë dhe burrërore të Labërisë e Toskërisë. Do të shohim edhe pasurinë e madhe të vlerave stilistike, polifonike, individualitetin e melodive, kontrastin, figurat ritmike, kadencat, format interesante imituese, e deri te krijimi i bashkë tingëllimave harmonike, të cilat kanë me të vërtetë vlera origjinale. Këto vlera që ka polifonia jonë popullore janë shfrytëzuar nga kompozitorët tanë, duke pasuruar përvojën krijuese në këtë drejtim” (“Polifonia”, f. 18)

-Ismail Kadare: “Në këngën polifonike të Jugut, isoja, pavarësisht se nuk ka fjalë, tregon, se është një formë edhe më e vjetër se refreni antik ... Kënga polifonike e Jugut nuk mund të ekzistojë përveçse e rrethuar nga iso”.(Ismail Kadare, Autobiografia e popullit në vargje, Onufri, 2002, f. 13)

-Kosta Loli: ”Çdo ditë e më shumë hyja në labirinthet e në mrekullitë e të kënduarit polifonik ... kënga polifonike i ngjan rrapit shekullor”. ( Xhevat Avdalli – Laver Bariu, f. 60)

-Hysen Filja: ”Në studimin e këngës polifonike labe do të ishte me interes që, krahas këngës të interpretuar nga grupe të rinjsh, të ndalemi dhe në grupet e këngëtarëve  me moshë të thyer...”(Tipare të reja të këngës polifonike labe” - Studime filologjike- 1/1978)

-Moikom Zeqo: ”Vendi më tipik, ku këndohet polifonia është Shqipëria dhe kjo është shumë e çuditshme, kjo polifoni është shumë e fuqishme në Jugun e Shqipërisë...është vërtet  një mrekulli që e kemi kaq të gjallë dhe ekzistenciale polifoninë e Jugut, ku nuk arrijnë të futen ndikime të tjera në këtë mbretëri, në këtë kultivim kaq të vetëdijshëm”.(Xhevat Avdalli, Laver Bariu, f. 18)

Përkundër gjithë studimeve shkencore dhe propagandimit të mjaftueshëm të këngës polifonike në Shqipëri deri në vitin 2002, Ministria e Kulturës dhe “teoricieni” i saj ballkanik, Vasil Tole, e depozituan të tjetërsuar këngën polifonike të shqiptarëve në UNESCO, me emërtesën “iso-polifoni” të sirenave greke!

Më 3 tetor 2002, Ministria e Kulturës përkundër tyre, legjitimonte zyrtarisht termin “iso-polifoni”: “Në mbështetje të pikës 4 të nenit 102 të Kushtetutës të vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 150 dt. 03. 04. 1993 “Për financimin e projekteve kulturore-artistike...”

URDHËROJ:

1.Mbështetjen financiare të Projektit Folklorik Tipologjik Kombëtar i Iso-polifonisë, që do të zhvillohet në Vlorë për dy ditë në 25-27 nëntor 2002.”

Etnomuzikologu i Institutit të Kulturës Popullore, (Akademia e Shkencave) Prof. Dr. Spiro Shituni në vitin 2019, nga Universiteti i Kalifornisë, e ka denoncuar ashpër “iso-polifoninë”: “Nocioni “iso-polifoni” mendoj se nuk e karakterizon shkencërisht drejt thelbin e kulturës muzikore shumëzërëshe të kombit shqiptar... Mjerisht, nocioni “iso-polifoni” duket sikur është përdorur arbitrarisht, rastësisht, personalisht, thjesht për të kënaqur fantazinë e dikujt. Etnomuzikologu Vasil S. Tole, ndonëse me pretendime shkencorë, përmban gabime parimorë të shumta e të mprehta ... ai erdhi me një varg deklaratash, të cilat janë, sa profesionalisht të gabuara, aq edhe moralisht të shëmtuara!... Mohues i tërë veprimtarisë kërkimore-shkencore etno-muzikologjike, të kryer nga studiuesit etnomuzikologë shqiptarë të mëparshëm, të vdekur ose të gjallë … Nocioni iso-polifoni, nga ana e studiuesit, mjerisht, është ndoshta absurditeti profesional më i madh i parë ndonjëherë në etnomuzikologjinë shqiptare deri më sot”! (Gazeta “Koha Jonë”, mars 2019)

Me vendimin për këngën “iso-polifonike”, Ministria e Kulturës shkeli Ligjin  Nr. 9048, datë 7.4. 2003, Neni 3,  pika 27, i cili e konsideronte trashëgiminë kulturore: “Trashëgimi me vlera kombëtare” shpirtërore dhe historike kulturore për kombin.

Në ligjin e vitit 2003, pika 32 e Nenit 3,  kultura shpirtërore vlerësohet: “Vlerë etnologjike të cilat lidhen me tiparet themelore të një kombi”. Ministria e Kulturës, duke zyrtarizuar këngën “iso-polifonike,  ia ka hequr Vlerën Etnologjike kulturës shpirtërore të popullit shqiptar, sepse vetëm kënga polifonike mbart vlera etnologjike, vetëm ajo karakterizon tiparet themelore të kombit shqiptar, ndërsa “iso-polifonia” e sirenave greke, e futur në UNESCO; nuk ka asnjë lidhje me vlerat kombëtare, shpirtërore e ca më pak historike të popullit shqiptar, sepse ajo u “zbulua” për herë të parë në vititn 1999, në librin e Vasil Toles dhe u konfirmua në vitin 2002.

Me këtë tjetërsim, Ministria e Kulturës ka shkelur Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, ligjin për mbrojtjen e folklorit muzikor vokal: nenin 59, pika 1, shkronja g, ku shkruhet: “Shteti brenda kompetencave kushtetuese synon: “Mbrojtjen e trashëgimisë kombëtare kulturore”. Për ta theksuar po e përsërisim: Shteti mbron Trashëgiminë kulturore kombëtare, këngën polifonike, jo këngën “iso-polifonike”, të sirenave greke.

Duke legjitimuar arbitrarisht termin “iso-polifoni”, Ministria e Kulturës ka shkelur edhe ligjin Nr. 27 viti 2018, aprovuar në Kuvendin e Shqipërisë – Neni 55: Tipologjitë e pasurive kulturore jo-materiale: janë objekt i mbrojtjes së dispozitave: a) folklori gojor; folklori muzikor vokal”. Neni 106 pika 3 e ligjit urdhëron: “Pasuritë publike kulturore nuk mund të tjetërsohen”. Pasuri publike kulturore në vitin 2002, ishte edhe kënga polifonike.

Nenin 107: “Ndalohet tjetërsimi i pasurive kulturore publike… të parashikuara në nenin 106 të këtij ligji. Tjetërsimi i pasurive kulturore në kundërshtim me ndalimet e këtij neni dhe të neneve 106 e 107, të këtij ligji, përbëjnë shkelje dhe subjektet përgjegjëse mbajnë përgjegjësi, sipas këtij ligji.”

Studimi “Odiseja dhe sirenat, grishje drejt viseve iso-polifonike të Epirit”, i përfshirë në Dosjen e UNESCO-s, e trajton polifoninë shqiptare, jo si krijimtari origjinale të popullit shqiptar, por si produkt të sirenave greke: “...  lidhja, që kanë Sirenat dhe kënga e tyre, me prejardhjen dhe shtratin e vërtetë të dukurisë së jashtëzakonshme të iso-polifonisë”.(Odiseja dhe sirenat, grishje drejt viseve iso-polifonike të Epirit, T. 2005, f. 14)

I padituri Vasil Tole në librin e tij ka shpjeguar: “mitologjinë e lashtë greke, sirenat paraqiteshin si qenie gjysmë zogj dhe gjysmë gra.” (V. S. Tole, “Odiseja dhe sirenat grishje drejt viseve iso-polifonike të Epirit”, T. 2005, f. 10+48)

Sikundër e dëshmon Dosja në UNESCO, sirenat janë qenie mitologjike greke. Ç’kërkon “iso-polifonia” e sirenave, në dosjen e Polifonisë Shqiptare në UNESCO, përderisa sirenat na qenkan qenie mitologjike greke? Ajo që e demaskon përfundimisht Dosjen në UNESCO, e bashkë me të edhe Ministrinë e Kulturës dhe Akademinë e shkencave , është barazimi vulgar i zërave këngëtar nga ana e ekspertit të “iso-polifonisë”, Vasil Toles: ”Mendojmë se ka edhe një shtrat të përbashkët strukturor, i cili brenda-ruan një organizim të numrave formal të sirenave vajtore dhe të strukturave të zërave në iso-polifoninë jugore shqiptare”. (V. S. Tole, Odiseja dhe sirenat, vep. e cit f. 37)

Për këtë banalitet absurd, i padituri Vasil Tole, rreshton emrat e katër sirenave: “Nga vëzhgimi etimologjik i emrave të Sirenave rezulton, se Ligea është mbartëse e të qarit me dënesë, (me ligje, e që lidhet aq ngushtë me vajtimin), Thelxipea është magjiplotë, Algaopea e veçantë dhe Peisinoe e bindur. Mbështetur në një përqasje të këtyre veçorive etimologjike, duket se gjejmë në tiparet e tyre, tashmë si këngëtare, edhe një rreshtim strukturor të ngjashëm me strukturën e vendosjes së zërave në iso-polifoninë popullore shqiptare. Më konkretisht të zërit të parë Marrësit si magjiplotë, II, Kthyesit si të veçantë dhe të zërit të III, Isos, e cila s’është gjë tjetër veçse zëri i së bindurës Peisione.”(V. S. Tole, Odiseja dhe sirenat ... f. 37)

Besoni ju Z. Kryetar i Akademisë së Shkencave, se i padituri Vasil Tole, i ka dëgjuar me të vërtetë katër sirenat duke kënduar? Si e paska dëgjuar këngën e sirenave Ministria, Vasil Tole, Akademia e Shkencave dhe nuk e paska dëgjuar populli shqiptar?

Ky është kulmi i çmendurisë njerëzore, sepse katër sirenat greke janë, qenie imagjinare dhe nuk mund të kenë kurrë strukturë muzikore të ngjashme me zërat në polifoninë popullore shqiptare: marrësin, kthyesin, hedhësin dhe ison.

I padituri Vasil Tole ka propaganduar botërisht, jo vetëm prejardhjen e këngës polifonike shqiptare nga katër sirenat greke, por edhe perspektivën shekullore të polifonisë shqiptare nga kultura greke: Kënga polifonike, do të mbetet nëpër shekuj kënga magjike e sirenave”. (V. S. Tole, “Odiseja dhe sirenat, grishje drejt viseve iso-polifonike të Epirit”, f. 83)

Me këtë deklaratë filo-greke, Ministria e Kulturës, N/kryetari juaj Vasil Tole dhe Akademia e Shkencave që ka heshtur, kanë futur këtë mandat për popullin shqiptar, në Dosjen e UNESCO-s: kënga polifonike shqiptare, na u dashka të trashëgohet nëpër shekuj si këngë e sirenave greke, jo si këngë e popullit shqiptar!

Ky tjetërsim dhe publikim antikombëtar, se Polifonia shqiptare “do të mbetet nëpër shekuj kënga magjike e sirenave”, e fyen popullin shqiptar, sepse e nënkupton polifoninë shqiptare si produkt të kulturës greke dhe territoret e saj në Epirin e Veriut, si etnitete greke, sikurse vetë sirenat! Kjo është ulërima e kohës, që duhet të bjerë mbi Ministrinë e Kulturës dhe Akademinë e Shkencave! Këtë mallkim, sikurse mallkimi i klerikëve grekë kundër shkronjave shqipe, Ministria e Kulturës e ka përcjellë në dosjen e UNESCO-s dhe nuk pranon ta ndryshojë, sikurse edhe ju, si Akademi e Shkencave, sepse forca të dobëta apo madhore, ndërhyjnë plot “kompetencë”.

Është futur në UNESCO në emër të popullit shqiptar, kënga “iso-polifonike” e sirenave, pa e dëgjuar populli shqiptar asnjëherë këtë këngë. Si mund të futet një vlerë muzikore në një institucion ndërkombëtar, pa e dëgjuar vetë populli? A duhet ta dëgjonte populli shqiptar, qoftë edhe një herë këngën “iso-polifonike” të sirenave, përderisa i atribuohet atij, kjo vlerë muzikore? Kush jini ju dhe anonimi Vasil Tole, që do të vendosni, se kujt duhet t’i përkasë nëpër shekuj trashëgimia shpirtërore e popullit shqiptar, ndërkohë që atë e ka vendosur vetë populli dhe studiuesit e tij, si pasuri shpirtërore e këtij populli?

Kënga Polifonike shqiptare nuk është pronë private e Ministrisë së Kulturës, e Akademisë së Shkencave dhe e Vasil Toles, që t’ia lenë Polifoninë Shqiptare peng nëpër shekuj popullit grek!

Organizoni një koncert në Akademinë e Shkencave me provën materiale; sirenat, për të kënduar “iso-polifoninë”, për të na bindur, se perspektiva e këngës polifonike shqiptare “do të mbetet në shekuj kënga e sirenave”!

Por ju jini njeri pa karakter shkencor, sepse nuk kini një vepër për Albanologjinë, jini edhe pa karakter njerëzor, sepse kini pohuar para shoqatës “Labëria” se “nuk ka “iso-polifoni”, do të mblidhemi dhe do të vendosim për këtë punë”. Të njëjtën gjë kini pohuar edhe në Akademinë e Shkencave në Tiranë në bisedë me kryetarin e Shoqatës “Labëria”, Ago Nezha dhe personalitetin e muzikës shqiptare Zhani Ciko.

S’denjuat të merrnit pjesë në Simpoziumin shkencor të Shoqatës “Labëria” për Polifoninë, po ashtu s’denjuat të merrnit pjesë as në Kuvendin e Labërisë organizuar n vendlindjen tuaj Tepelenë, ndërkohë që morën pjesë dy ish Presidentë të Republikës së Shqipërisë, deputetë dhe intelektualë të afirmuar.

Synimi i Vasil Toles në materialet që ka depozituar në UNESCO, është greqizimi i territorit të Shqipërisë së Jugut, ku këndohet polifonia shqiptare, lakmuar në dekada nga politika dhe shovinizmi grek. Këtë e mbështet në “tiparet e përbashkëta të sirenave dhe “iso-polifonisë” shqiptare, me funksion identifikues etnik: “Iso-polifonia, duke qenë se është një vlerë e provuar historikisht, ka dhe luan edhe një funksion identifikues etnik dhe etno-integrues shumë të fuqishëm.”(V. S. Tole, Folklori Muzikor, I, Tiranë 1999, f. 78)

Cilin subjekt etnik dhe historik identifikon “iso-polifonia” e sirenave greke, shqiptarët apo grekët, sepse etnitetin shqiptar e identifikon polifonia shqiptare, ndërsa “iso-polifonia”, si produkt i sirenave greke, identifikon Greqinë! Përse duhet t’i integrojë Ministria e Kulturës dhe Akademia e Shkencave dy etnitete të ndryshme në UNESCO? Përse duheshin futur këto pseudo-teorizime dhe synime shoviniste të diversionistit Vasil Tole në UNESCO, kur nisma ka qenë vetëm për kulturën popullore dhe jo për integrim territoresh?!

I padituri Vasil Tole ka pranuar publikisht, se është nipi i stërgjyshërve grekë, edhe kur përmend etnomuzikologun e parë shqiptar, profesorin tim të Folklorit Muzkor, në Institutin e Arteve, Prof. Ramadan Sokolin: ”...ai ka vërejtur me kohë ekzistencën e sirenave, në mitologjinë e të parëve tanë...” (Vasil S. Told, Odisea dhe sirenant, , vep e cit. f. 24)

Ky është një mashtrim ordiner, asnjëherë prof. Sokoli nuk i ka përmendur sirenat, e ca më pak të theksonte ekzistencën e tyre në mitologjinë e shqiptarëve. Prejardhjen stërgjyshore helene, i padituri Vasil Tole e ka depozituar në mënyrë të dyfisht në UNESCO: “Etnomuzikologjia, siç vërehet hershëm që prej ekzistencës së sirenave në mitologjinë e stërgjyshërve tanë, të njohura nga vendasit ... është vlerësuar si shumë origjinale...”(Faqe Zyrtare e UNESCO-s, video-filmi në linkun: “archives/multimedia/document-610”)

Cilët vendas e kanë njohur ekzistencën e sirenave në mitologjinë e stërgjyshërve, grekët apo shqiptarët?! Për cilët vendas flet Vasil Tole , përveçse për shqiptarët e Epirit të Veriut, sikurse e ka ngulitur në studimet e tij? Vasil Tole konfirmon, se ata që kanë pranuar ekzistencën e mitologjisë greke, kanë qenë stërgjyshërit tanë! Në mitologjinë e stërgjyshërve të Vasil Toles dhe tuajën z. Kryetar, mund të kenë ekzistuar sirenat greke, por jo në mitologjinë e popullit shqiptar.

Si mund të qëndrojë në UNESCO një propagandë antikombëtare, me sirenat si mitologji e stërgjyshërve të shqiptarëve, përderisa janë mitologji greke?! Kjo justifikohet vetëm nëse shqiptarët janë grekë! Sirenat mund të kenë ekzistuar te stërgjyshërit e  Ministrisë së Kulturës dhe Akademisë së Shkencave, por jo tek stërgjyshërit e banorëve të Labërisë, Toskërisë dhe Çamërisë, etniteti i të cilave është iliro-arbëror.

Ç’kërkon, në Dosjen e Polifonisë Shqiptare në UNESCO, “iso-polifonia”, që indentifikon etnitetin grek në Shqipërinë e Jugut dhe jo etnitetin shqiptar? Përse duhej komplikuar kaq shumë realiteti dhe është eliminuar konkluzioni i prof. Ramadan Sokolit: “Kënga polifonike shqiptare ka lindur këtu, mes shumë brezave njerëzorë”. Kjo i ka thënë të gjitha. Pse nuk e ka dashur Ministria e Kulturës dhe nuk e doni edhe  lindjen e këngës polifonike në Shqipëri, por e çoi tek sirenat greke?!

Akademiku Alfred Uçi, ka konkluduar: “Rëndësi të veçantë etnike kanë ata përbërës të kulturës popullore, që kanë stabilitet, qëndrueshmëri, që përcillen nga njëri shekull në tjetrin,  e që marrin trajtën e traditave kulturore. Traditat kulturore popullore përbëjnë bërthamën e mesazhit etnik të kulturës.“ (Alfred Uçi, “Çështje teorike të estetikës dhe të kulturës, T. 1986, f. 264)

Sikundër e ka shkruar akademiku Uçi, rëndësi etnike kanë ata përbërës të kulturës popullore, që marrin trajtën e traditave kulturore, që kanë stabilitet, që kanë qëndrueshmëri,përcillen nëpër shekuj si traditë kulturore. Këtë traditë kulturore me vlera etnike, nuk e ka arritur “iso-polifonia e sirenave greke, sepse ajo nuk është kënduar kurrë; rrjedhimisht qeniet imagjinare nuk mund të krijojnë traditë të qëndrueshme, stabilitet shekullor, këtë mundësi e ka vetëm Polifonia Shqiptare.

Ish sekretari i Akademisë së Shkencave, akademiku Jorgo Bulo, ka theksuar pasqyrimin e botës shpirtërore në kulturën shqiptare: “Kjo shtresë e qëndrueshme, para së gjithash, në bazën e saj ka jetën dhe botën shqiptare të pasqyruar në kulturën shpirtërore të popullit tonë. Në këtë trashëgim me rrënjë të lashta bën pjesë edhe krijimtaria popullore, folklori me pasurinë dhe freskinë e tij të përjetshme. Vetëm në këtë kontekst mund të kuptohet interesi i gjallë dhe i pandërprerë shkencor që tregoi prof. Çabej për folklorin, për rolin e tij në ngjizjen e letërsisë shqiptare dhe në zhvillimin e saj artistik.” (Gjirokastra Kulturore, 2014, nr. 6)

Ky deduksion i akademikut Jorgo Bulo, vërteton, se vetëm kultura shpirtërore krijon traditë, krijon qëndrueshmëri të traditës dhe jo qeniet pa shpirt, sikundër sirenat. Ku kanë shpirt sirenat, për të lenë traditë të qëndrueshme?

Për ta zhdukur përfundimisht Polifoninë shqiptare, Ministria e Arsimit dhe Vasil Tole e kanë futur “iso-polifoninë” në programet e lëndës së Muzikës në shkollat 9-vjeçare!  Deri këtu ka penetruar misioni shovinist, për t’ia harruar fare emrin e Polifonisë Shqiptare në brezat e ardhshëm.

A do mundeni ju z. Kryetar, ta përjetësoni Dosjen e sirenave greke në UNESCO, duke u mbajtur pas të “zezave” të mia, përmes opinioneve dhe telefonatave tuaja që ju tregojnë si një njeri të vogël dhe meskin?



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx