| E merkure, 03.12.2025, 07:02 PM |

I nderuar kryetar i Akademisë së Shkencave të Republikës së Shqipërisë Z. Skënder Gjinushi :
“Polifonia jonë
popullore”, është krijuar këtu në Shqipëri
Nga
Fitim Çaushi
Konferenca
e Parë e Studimeve Albanologjike në vitin 1962, në faqen 323, e përcakton
folklorin muzikor gojor saktësisht: “Polifonia jonë popullore”, është
krijuar këtu në Shqipëri nga shumë breza njerëzorë”. ...Trajtat më të
zhvilluara të polifonisë sonë popullore i kemi në zonën e Labërisë”.
Këtë
definicion shkencor, etnomuzikologu Ramadan Sokoli, e konfirmonte edhe në vitin
1965 në botimin e Institutit të Folklorit “Muzika jonë popullore nga
pikëpamja melo-harmonike ndahet në dy dialekte kryesore: Homofoni në Veri dhe
Polifoni në Shqipërinë e Jugut.” –(“Folklori Muzikor Shqiptar”, T. 1965, f.
120)
Ky
përcaktim shkencor; Polifoni dhe Homofoni nga Instituti i Folklorit, është
konfirmuar në të gjitha Konferencat shkencore të organizuara në vendin tonë, deri në tetorin e vitit 1989, në Simpoziumin
Ballkanik në Tiranë për Polifoninë e popujve të Ballkanit. Në këto konferenca të
Akademisë së Shkencave janë mbyllur përfundimisht emërtesat e gjinive dhe
dialekteve të folklorit shqiptar, nuk ekziston asnjë dialekt tjetër veç
Polifonisë dhe Homofonisë, ca më pak një term i shpikur arbitrarisht si
“iso-polifoni” me prejardhje nga sirenat greke. Kënga polifonike kishte fituar
legjitimitet publik, ishte e vlerësuar, jo vetëm nga etnomuzikologët,
muzikantët, por edhe nga intelektualët e shquar të Shqipërisë:
-Prof.
Ramadan Sokoli,
në ligjëratën e mbajtur, në Universitetin e Bolonjës dhe të Venedikut në
vitin 2001, konfirmonte: “Meqenëse në muzikologji, mbizotëron mendimi se grekët
dhe romakët e lashtë nuk këndonin këngë polifonike, është shtruar çështja nëse
polifonia e siujdhesës ballkanike është me prejardhje të lashtë dhe ka
mbijetuar deri në kohën tonë, apo kemi
të bëjmë me diçka të ardhur nga vende të largëta”. (botuar italisht më 23 tetor
2001 në Romë dhe në Revista “Amëza Letrare”, Romë, 20 mars 2004)
-Limos
Dizdari: “Si misionar, Xhevat Avdalli është përfaqësues i këngës polifonike
gjirokastrite”(Xhevat Avdalli, Laver Bariu. f. 31)
-Tish
Daija:
“Natyra dhe përvoja e tij shumëvjeçare, e kanë vendosur në majën më të lartë të
piramidës interpretative të këngës polifonike toske ... ai manovronte me
akrobacitë e zërit, duke e ngritur interpretimin e polifonisë toske deri në
kulminacionet më mahnitëse”. (“Plaku i këngës Demir Zyko”, Shtëpia botuese Naim
Frashëri, 2002, f. 88-89)
-
Shpëtim Kushta: ”Gjatë trajtimit të polifonisë sonë popullore, do të vëmë
re se populli ynë ka krijuar vlera të vërteta emocionale, duke fuqizuar së
tepërmi mendimet muzikore, epikën e ngrohtë dhe burrërore të Labërisë e
Toskërisë. Do të shohim edhe pasurinë e madhe të vlerave stilistike,
polifonike, individualitetin e melodive, kontrastin, figurat ritmike, kadencat,
format interesante imituese, e deri te krijimi i bashkë tingëllimave harmonike,
të cilat kanë me të vërtetë vlera origjinale. Këto vlera që ka polifonia jonë
popullore janë shfrytëzuar nga kompozitorët tanë, duke pasuruar përvojën
krijuese në këtë drejtim” (“Polifonia”, f. 18)
-Ismail
Kadare: “Në
këngën polifonike të Jugut, isoja, pavarësisht se nuk ka fjalë, tregon, se
është një formë edhe më e vjetër se refreni antik ... Kënga polifonike e Jugut
nuk mund të ekzistojë përveçse e rrethuar nga iso”.(Ismail Kadare,
Autobiografia e popullit në vargje, Onufri, 2002, f. 13)
-Kosta
Loli: ”Çdo ditë e më shumë hyja në labirinthet e në mrekullitë e të
kënduarit polifonik ... kënga polifonike i ngjan rrapit shekullor”. ( Xhevat
Avdalli – Laver Bariu, f. 60)
-Hysen
Filja: ”Në studimin e këngës polifonike labe do të ishte me interes që,
krahas këngës të interpretuar nga grupe të rinjsh, të ndalemi dhe në grupet e
këngëtarëve me moshë të thyer...”(Tipare
të reja të këngës polifonike labe” - Studime filologjike- 1/1978)
-Moikom
Zeqo: ”Vendi më tipik, ku këndohet polifonia është Shqipëria dhe kjo është
shumë e çuditshme, kjo polifoni është shumë e fuqishme në Jugun e
Shqipërisë...është vërtet një mrekulli
që e kemi kaq të gjallë dhe ekzistenciale polifoninë e Jugut, ku nuk arrijnë të
futen ndikime të tjera në këtë mbretëri, në këtë kultivim kaq të
vetëdijshëm”.(Xhevat Avdalli, Laver Bariu, f. 18)
Përkundër
gjithë studimeve shkencore dhe propagandimit të mjaftueshëm të këngës
polifonike në Shqipëri deri në vitin 2002, Ministria e Kulturës dhe
“teoricieni” i saj ballkanik, Vasil Tole, e depozituan të tjetërsuar këngën
polifonike të shqiptarëve në UNESCO, me emërtesën “iso-polifoni” të sirenave
greke!
Më
3 tetor 2002, Ministria e Kulturës përkundër tyre, legjitimonte zyrtarisht
termin “iso-polifoni”: “Në mbështetje të pikës 4 të nenit 102 të Kushtetutës të
vendimit të Këshillit të Ministrave Nr. 150 dt. 03. 04. 1993 “Për financimin e
projekteve kulturore-artistike...”
URDHËROJ:
1.Mbështetjen
financiare të Projektit Folklorik Tipologjik Kombëtar i Iso-polifonisë, që
do të zhvillohet në Vlorë për dy ditë në 25-27 nëntor 2002.”
Etnomuzikologu
i Institutit të Kulturës Popullore, (Akademia e Shkencave) Prof. Dr. Spiro
Shituni në vitin 2019, nga Universiteti i Kalifornisë, e ka denoncuar ashpër
“iso-polifoninë”: “Nocioni “iso-polifoni” mendoj se nuk e karakterizon
shkencërisht drejt thelbin e kulturës muzikore shumëzërëshe të kombit shqiptar...
Mjerisht, nocioni “iso-polifoni” duket sikur është përdorur arbitrarisht,
rastësisht, personalisht, thjesht për të kënaqur fantazinë e dikujt.
Etnomuzikologu Vasil S. Tole, ndonëse me pretendime shkencorë, përmban gabime
parimorë të shumta e të mprehta ... ai erdhi me një varg deklaratash, të cilat
janë, sa profesionalisht të gabuara, aq edhe moralisht të shëmtuara!...
Mohues i tërë veprimtarisë kërkimore-shkencore etno-muzikologjike, të kryer nga
studiuesit etnomuzikologë shqiptarë të mëparshëm, të vdekur ose të gjallë …
Nocioni iso-polifoni, nga ana e studiuesit, mjerisht, është ndoshta absurditeti
profesional më i madh i parë ndonjëherë në etnomuzikologjinë shqiptare deri më
sot”! (Gazeta “Koha Jonë”, mars 2019)
Me
vendimin për këngën “iso-polifonike”, Ministria e Kulturës shkeli
Ligjin Nr. 9048, datë 7.4. 2003, Neni
3, pika 27, i cili e konsideronte trashëgiminë
kulturore: “Trashëgimi me vlera kombëtare” shpirtërore dhe historike kulturore
për kombin.
Në
ligjin e vitit 2003, pika 32 e Nenit 3,
kultura shpirtërore vlerësohet: “Vlerë etnologjike të cilat lidhen me
tiparet themelore të një kombi”. Ministria e Kulturës, duke zyrtarizuar këngën
“iso-polifonike, ia ka hequr Vlerën
Etnologjike kulturës shpirtërore të popullit shqiptar, sepse vetëm kënga
polifonike mbart vlera etnologjike, vetëm ajo karakterizon tiparet themelore të
kombit shqiptar, ndërsa “iso-polifonia” e sirenave greke, e futur në UNESCO;
nuk ka asnjë lidhje me vlerat kombëtare, shpirtërore e ca më pak historike të
popullit shqiptar, sepse ajo u “zbulua” për herë të parë në vititn 1999, në
librin e Vasil Toles dhe u konfirmua në vitin 2002.
Me këtë tjetërsim, Ministria e Kulturës ka shkelur
Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, ligjin për mbrojtjen e folklorit
muzikor vokal: nenin 59, pika 1, shkronja g, ku shkruhet: “Shteti brenda
kompetencave kushtetuese synon: “Mbrojtjen e trashëgimisë kombëtare kulturore”.
Për ta theksuar po e përsërisim: Shteti mbron Trashëgiminë kulturore kombëtare,
këngën polifonike, jo këngën “iso-polifonike”, të sirenave greke.
Duke
legjitimuar arbitrarisht termin “iso-polifoni”, Ministria e Kulturës ka shkelur
edhe ligjin Nr. 27 viti 2018, aprovuar në Kuvendin e Shqipërisë – Neni 55: “Tipologjitë
e pasurive kulturore jo-materiale: janë objekt i mbrojtjes së dispozitave: a)
folklori gojor; folklori muzikor vokal”. Neni 106 pika 3 e
ligjit urdhëron: “Pasuritë publike kulturore nuk mund të tjetërsohen”.
Pasuri publike kulturore në vitin
2002, ishte edhe kënga polifonike.
Nenin
107: “Ndalohet tjetërsimi i pasurive kulturore publike… të
parashikuara në nenin 106 të këtij ligji. Tjetërsimi i pasurive kulturore në
kundërshtim me ndalimet e këtij neni dhe të neneve 106 e 107, të këtij ligji,
përbëjnë shkelje dhe subjektet përgjegjëse mbajnë përgjegjësi, sipas këtij
ligji.”
Studimi
“Odiseja dhe sirenat, grishje drejt viseve iso-polifonike të Epirit”, i
përfshirë në Dosjen e UNESCO-s, e trajton polifoninë shqiptare, jo si
krijimtari origjinale të popullit shqiptar, por si produkt të sirenave greke:
“...
lidhja, që kanë Sirenat dhe kënga e tyre, me prejardhjen dhe shtratin e
vërtetë të dukurisë së jashtëzakonshme të iso-polifonisë”.(Odiseja dhe
sirenat, grishje drejt viseve iso-polifonike të Epirit, T. 2005, f. 14)
I
padituri Vasil Tole në librin e tij ka shpjeguar: “Në mitologjinë e
lashtë greke, sirenat paraqiteshin si qenie gjysmë zogj dhe gjysmë
gra.” (V. S. Tole, “Odiseja dhe sirenat grishje drejt viseve iso-polifonike
të Epirit”, T. 2005, f. 10+48)
Sikundër
e dëshmon Dosja në UNESCO, sirenat janë qenie mitologjike greke. Ç’kërkon
“iso-polifonia” e sirenave, në dosjen e Polifonisë Shqiptare në UNESCO,
përderisa sirenat na qenkan qenie mitologjike greke? Ajo që e demaskon
përfundimisht Dosjen në UNESCO, e bashkë me të edhe Ministrinë e Kulturës dhe
Akademinë e shkencave , është barazimi vulgar i zërave këngëtar nga ana e
ekspertit të “iso-polifonisë”, Vasil Toles: ”Mendojmë se ka edhe një shtrat të përbashkët strukturor, i cili
brenda-ruan një organizim të numrave formal të sirenave vajtore dhe të
strukturave të zërave në iso-polifoninë jugore shqiptare”. (V. S. Tole, Odiseja dhe sirenat, vep. e cit
f. 37)
Për këtë banalitet absurd, i padituri Vasil Tole,
rreshton emrat e katër sirenave: “Nga vëzhgimi etimologjik i emrave të
Sirenave rezulton, se Ligea është mbartëse e të qarit me dënesë, (me ligje, e
që lidhet aq ngushtë me vajtimin), Thelxipea është magjiplotë, Algaopea e
veçantë dhe Peisinoe e bindur. Mbështetur në një përqasje të këtyre veçorive
etimologjike, duket se gjejmë në tiparet e tyre, tashmë si këngëtare, edhe një
rreshtim strukturor të ngjashëm me strukturën e vendosjes
së zërave në iso-polifoninë popullore shqiptare. Më konkretisht të zërit të parë Marrësit si magjiplotë, II, Kthyesit si
të veçantë dhe të zërit të III, Isos, e cila s’është gjë tjetër veçse zëri i së
bindurës Peisione.”(V.
S. Tole, Odiseja dhe sirenat ... f. 37)
Besoni
ju Z. Kryetar i Akademisë së Shkencave, se i padituri Vasil Tole, i ka dëgjuar
me të vërtetë katër sirenat duke kënduar? Si e paska dëgjuar këngën e sirenave Ministria,
Vasil Tole, Akademia e Shkencave dhe nuk e paska dëgjuar populli shqiptar?
Ky
është kulmi i çmendurisë njerëzore, sepse katër sirenat greke janë, qenie
imagjinare dhe nuk mund të kenë kurrë strukturë muzikore të ngjashme me zërat në polifoninë popullore shqiptare: marrësin,
kthyesin, hedhësin dhe ison.
I
padituri Vasil Tole ka propaganduar botërisht, jo vetëm prejardhjen e këngës
polifonike shqiptare nga katër sirenat greke, por edhe perspektivën shekullore
të polifonisë shqiptare nga kultura greke: “Kënga polifonike, do të mbetet nëpër shekuj kënga magjike e
sirenave”. (V. S. Tole, “Odiseja dhe sirenat, grishje drejt viseve
iso-polifonike të Epirit”, f. 83)
Me
këtë deklaratë filo-greke, Ministria e Kulturës, N/kryetari juaj Vasil Tole dhe
Akademia e Shkencave që ka heshtur, kanë futur këtë mandat për popullin
shqiptar, në Dosjen e UNESCO-s: kënga polifonike shqiptare, na u dashka
të trashëgohet nëpër shekuj si këngë e sirenave greke, jo si këngë e popullit
shqiptar!
Ky
tjetërsim dhe publikim antikombëtar, se Polifonia shqiptare “do të mbetet
nëpër shekuj kënga magjike e sirenave”, e fyen popullin shqiptar, sepse e
nënkupton polifoninë shqiptare si produkt të kulturës greke dhe territoret e
saj në Epirin e Veriut, si etnitete greke, sikurse vetë sirenat! Kjo është
ulërima e kohës, që duhet të bjerë mbi Ministrinë e Kulturës dhe Akademinë e
Shkencave! Këtë mallkim, sikurse mallkimi i klerikëve grekë kundër shkronjave
shqipe, Ministria e Kulturës e ka përcjellë në dosjen e UNESCO-s dhe nuk pranon
ta ndryshojë, sikurse edhe ju, si Akademi e Shkencave, sepse forca të dobëta
apo madhore, ndërhyjnë plot “kompetencë”.
Është
futur në UNESCO në emër të popullit shqiptar, kënga “iso-polifonike” e
sirenave, pa e dëgjuar populli shqiptar asnjëherë këtë këngë. Si mund të futet
një vlerë muzikore në një institucion ndërkombëtar, pa e dëgjuar vetë populli?
A duhet ta dëgjonte populli shqiptar, qoftë edhe një herë këngën
“iso-polifonike” të sirenave, përderisa i atribuohet atij, kjo vlerë muzikore? Kush
jini ju dhe anonimi Vasil Tole, që do të vendosni, se kujt duhet t’i përkasë
nëpër shekuj trashëgimia shpirtërore e popullit shqiptar, ndërkohë që atë e ka
vendosur vetë populli dhe studiuesit e tij, si pasuri shpirtërore e këtij
populli?
Kënga
Polifonike shqiptare nuk është pronë private e Ministrisë së Kulturës, e
Akademisë së Shkencave dhe e Vasil Toles, që t’ia lenë Polifoninë Shqiptare
peng nëpër shekuj popullit grek!
Organizoni
një koncert në Akademinë e Shkencave me provën materiale; sirenat, për të
kënduar “iso-polifoninë”, për të na bindur, se perspektiva e këngës
polifonike shqiptare “do të mbetet në shekuj kënga e sirenave”!
Por
ju jini njeri pa karakter shkencor, sepse nuk kini një vepër për Albanologjinë,
jini edhe pa karakter njerëzor, sepse kini pohuar para shoqatës “Labëria” se “nuk
ka “iso-polifoni”, do të mblidhemi dhe do të vendosim për këtë punë”. Të
njëjtën gjë kini pohuar edhe në Akademinë e Shkencave në Tiranë në bisedë me
kryetarin e Shoqatës “Labëria”, Ago Nezha dhe personalitetin e muzikës
shqiptare Zhani Ciko.
S’denjuat
të merrnit pjesë në Simpoziumin shkencor të Shoqatës “Labëria” për Polifoninë,
po ashtu s’denjuat të merrnit pjesë as në Kuvendin e Labërisë organizuar n
vendlindjen tuaj Tepelenë, ndërkohë që morën pjesë dy ish Presidentë të
Republikës së Shqipërisë, deputetë dhe intelektualë të afirmuar.
Synimi
i Vasil Toles në materialet që ka depozituar në UNESCO, është greqizimi i
territorit të Shqipërisë së Jugut, ku këndohet polifonia shqiptare, lakmuar në
dekada nga politika dhe shovinizmi grek. Këtë e mbështet në “tiparet e
përbashkëta të sirenave dhe “iso-polifonisë” shqiptare, me funksion
identifikues etnik: “Iso-polifonia, duke qenë se është një vlerë e provuar
historikisht, ka dhe luan edhe një funksion identifikues etnik dhe
etno-integrues shumë të fuqishëm.”(V. S. Tole, Folklori Muzikor, I, Tiranë
1999, f. 78)
Cilin
subjekt etnik dhe historik identifikon “iso-polifonia” e sirenave greke,
shqiptarët apo grekët, sepse etnitetin shqiptar e identifikon polifonia
shqiptare, ndërsa “iso-polifonia”, si produkt i sirenave greke, identifikon
Greqinë! Përse duhet t’i integrojë Ministria e Kulturës dhe Akademia e
Shkencave dy etnitete të ndryshme në UNESCO? Përse duheshin futur këto
pseudo-teorizime dhe synime shoviniste të diversionistit Vasil Tole në UNESCO,
kur nisma ka qenë vetëm për kulturën popullore dhe jo për integrim
territoresh?!
I
padituri Vasil Tole ka pranuar publikisht, se është nipi i stërgjyshërve grekë,
edhe kur përmend etnomuzikologun e parë shqiptar, profesorin tim të Folklorit
Muzkor, në Institutin e Arteve, Prof. Ramadan Sokolin: ”...ai ka vërejtur me
kohë ekzistencën e sirenave, në mitologjinë e të parëve tanë...” (Vasil S.
Told, Odisea dhe sirenant, , vep e cit. f. 24)
Ky
është një mashtrim ordiner, asnjëherë prof. Sokoli nuk i ka përmendur sirenat,
e ca më pak të theksonte ekzistencën e tyre në mitologjinë e shqiptarëve.
Prejardhjen stërgjyshore helene, i padituri Vasil Tole e ka depozituar në
mënyrë të dyfisht në UNESCO: “Etnomuzikologjia, siç vërehet hershëm që prej
ekzistencës së sirenave në mitologjinë e stërgjyshërve tanë, të njohura nga
vendasit ... është vlerësuar si shumë origjinale...”(Faqe Zyrtare e
UNESCO-s, video-filmi në linkun: “archives/multimedia/document-610”)
Cilët
vendas e kanë njohur ekzistencën e sirenave në mitologjinë e stërgjyshërve, grekët
apo shqiptarët?! Për cilët vendas flet Vasil Tole , përveçse për shqiptarët e
Epirit të Veriut, sikurse e ka ngulitur në studimet e tij? Vasil Tole
konfirmon, se ata që kanë pranuar ekzistencën e mitologjisë greke, kanë qenë
stërgjyshërit tanë! Në mitologjinë e stërgjyshërve të Vasil Toles dhe tuajën z.
Kryetar, mund të kenë ekzistuar sirenat greke, por jo në mitologjinë e popullit
shqiptar.
Si
mund të qëndrojë në UNESCO një propagandë antikombëtare, me sirenat si mitologji
e stërgjyshërve të shqiptarëve, përderisa janë mitologji greke?! Kjo
justifikohet vetëm nëse shqiptarët janë grekë! Sirenat mund të kenë ekzistuar
te stërgjyshërit e Ministrisë së
Kulturës dhe Akademisë së Shkencave, por jo tek stërgjyshërit e banorëve të
Labërisë, Toskërisë dhe Çamërisë, etniteti i të cilave është iliro-arbëror.
Ç’kërkon,
në Dosjen e Polifonisë Shqiptare në UNESCO, “iso-polifonia”, që indentifikon
etnitetin grek në Shqipërinë e Jugut dhe jo etnitetin shqiptar? Përse duhej
komplikuar kaq shumë realiteti dhe është eliminuar konkluzioni i prof. Ramadan
Sokolit: “Kënga polifonike shqiptare ka lindur këtu, mes shumë brezave
njerëzorë”. Kjo i ka thënë të gjitha. Pse nuk e ka dashur Ministria e Kulturës
dhe nuk e doni edhe lindjen e këngës polifonike
në Shqipëri, por e çoi tek sirenat greke?!
Akademiku
Alfred Uçi, ka konkluduar: “Rëndësi të veçantë etnike kanë ata përbërës të
kulturës popullore, që kanë stabilitet, qëndrueshmëri, që përcillen nga njëri
shekull në tjetrin, e që marrin trajtën
e traditave kulturore. Traditat kulturore popullore përbëjnë bërthamën e
mesazhit etnik të kulturës.“ (Alfred Uçi, “Çështje teorike të estetikës dhe
të kulturës, T. 1986, f. 264)
Sikundër
e ka shkruar akademiku Uçi, rëndësi etnike kanë ata përbërës të kulturës
popullore, që marrin trajtën e traditave kulturore, që kanë stabilitet,
që kanë qëndrueshmëri, që përcillen nëpër shekuj si traditë kulturore.
Këtë traditë kulturore me vlera etnike, nuk e ka arritur “iso-polifonia e
sirenave greke, sepse ajo nuk është kënduar kurrë; rrjedhimisht qeniet
imagjinare nuk mund të krijojnë traditë të qëndrueshme, stabilitet shekullor,
këtë mundësi e ka vetëm Polifonia Shqiptare.
Ish
sekretari i Akademisë së Shkencave, akademiku Jorgo Bulo, ka theksuar
pasqyrimin e botës shpirtërore në kulturën shqiptare: “Kjo shtresë e
qëndrueshme, para së gjithash, në bazën e saj ka jetën dhe botën shqiptare të
pasqyruar në kulturën shpirtërore të popullit tonë. Në këtë trashëgim me rrënjë
të lashta bën pjesë edhe krijimtaria popullore, folklori me pasurinë dhe
freskinë e tij të përjetshme. Vetëm në këtë kontekst mund të kuptohet interesi
i gjallë dhe i pandërprerë shkencor që tregoi prof. Çabej për folklorin, për
rolin e tij në ngjizjen e letërsisë shqiptare dhe në zhvillimin e saj artistik.”
(Gjirokastra Kulturore, 2014, nr. 6)
Ky
deduksion i akademikut Jorgo Bulo, vërteton, se vetëm kultura shpirtërore
krijon traditë, krijon qëndrueshmëri të traditës dhe jo qeniet pa shpirt,
sikundër sirenat. Ku kanë shpirt sirenat, për të lenë traditë të qëndrueshme?
Për
ta zhdukur përfundimisht Polifoninë shqiptare, Ministria e Arsimit dhe Vasil
Tole e kanë futur “iso-polifoninë” në programet e lëndës së Muzikës në shkollat
9-vjeçare! Deri këtu ka penetruar
misioni shovinist, për t’ia harruar fare emrin e Polifonisë Shqiptare në brezat
e ardhshëm.
A
do mundeni ju z. Kryetar, ta përjetësoni Dosjen e sirenave greke në UNESCO,
duke u mbajtur pas të “zezave” të mia, përmes opinioneve dhe telefonatave tuaja
që ju tregojnë si një njeri të vogël dhe meskin?