E merkure, 03.12.2025, 10:49 PM (GMT)

Kulturë

Sevdail Hyseni: Kur dhimbja bëhet poezi

E merkure, 03.12.2025, 06:55 PM


Kur dhimbja bëhet poezi

Përkitazi me librin e Avni Shaqirit  “Asgjë s’është si më parë”, Shtëpia Botuese Lena Graphic, Prishtine, 2025

Nga Sevdail Hyseni

Letërsia ka fuqinë unike për ta përkthyer dhimbjen në art, për ta bërë një përjetim individual një përvojë kolektive, dhe për ta mbajtur kujtesën gjallë nëpërmjet fjalës së shkruar. Pikërisht këtë dimension e sjell fuqishëm libri i ri poetik i Avni Shaqirit, “Asgjë s’është si më parë”, një vepër që ngrihet si monument i dhimbjes, dashurisë dhe kujtesës.

Ky libër nuk është thjesht një përmbledhje vargjesh – është një amanet shpirtëror, një rrëfim i ndjerë për bijën e ndjerë, Valmirën, e cila shfaqet si dritë në çdo faqe. Prania e saj, edhe pse e larguar fizikisht, mbetet e përjetshme në universin poetik të autorit, duke e kthyer çdo poezi në një përqafim, një thirrje, një lutje të heshtur.

Shaqiri ndërton një poezi të thjeshtë në dukje, por të rëndë në peshë emocionale. Vargjet nuk kërkojnë ornamentikë, sepse forca e tyre buron nga sinqeriteti i një zemre prindërore të plagosur. Dhimbja rrëfehet pa retorikë, me një gjuhë të pastër dhe të lirë, duke e bërë çdo lexues të ndalet, të mendojë, të ndiejë.

Vepra ndahet në dy cikle poetike – “Asgjë s’është si më parë” dhe “Më mungoni e ju mungoj” – të cilat përshkojnë rrugëtimin shpirtëror të autorit përmes mungesës, mallëngjimit, pyetjeve të brendshme dhe momenteve të pajtimit. Çdo poezi i flet lexuesit në mënyrë të ndryshme, duke u bërë pasqyrë e humbjeve të secilit, e asaj që kemi dashur dhe nuk e kemi më pranë.

Sipas redaktorit të librit Bilall Maliqi “Avniu, nuk është i vetmi poet që e ka goditur kjo dhembje e papritur, që ka lëshuar rrënjë nëpër shpirtin e tij të parehatuar, dhembje të mëdha ka pasur edhe poeti i madh,  Ali Podrimja, për të birin e tij, Lumin, e Luan Maloku për të bijën e tij, Bardhën, e poetë të tjerë që nuk i dimë, prandaj dhembjet e tyre bukur mirë janë manifestuar nëpër poezitë dhe përkushtimet e tyre poetike për protagonistët e tyre poetik, secili në forcën, stilin dhe individualitetin  e tyre krijues.

Në disa poezi, zhvillohet bisedë imagjinare, ndërmjet protagonistes së librit, të ndjerës, Valmira me anëtarët e familjes, si tek prindërit, po ashtu edhe tek shtëpia e burrit, duke dhënë një dialogim poetik të efektshëm dhe tejet emocional. Në secilën poezi dialoguese qoftë me babain, nënën, vëllezërit, motrën, mixhën, burrin, kunatat etj., jepet një tablo interesante, që së lexuari të këtyre poezive, lexuesit do të mbushen me dromca mërzie të lagura me lot.

Vlera estetike dhe emocionale e librit qëndron në ndërtimin e një bote të brendshme, ku poezia shndërrohet në mjet shërimi, në urë mes botës së dukshme dhe asaj të padukshme. Avni Shaqiri e ngre dhimbjen personale në një nivel të lartë poetik, duke e bërë lexuesin pjesë të këtij udhëtimi të brishtë, por të domosdoshëm.

Asgjë s’është si më parë është një libër që flet me zemër dhe kërkon të lexohet me zemër. Është një amanet dashurie që i reziston kohës, një dëshmi se dashuria prindërore nuk shuhet kurrë – ajo vetëm ndërrohet në poezi.

Ky botim nuk është vetëm një vepër letrare. Është një përjetim. Është një kujtesë. Është një zë që vazhdon të flasë.

Autori i librit poetik, Avni Shaqiri, është Kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve “Feniks” në Preshevë. Deri më tani ka botuar këto vepra letrare:

"Fjollë Kujtimi"-1999-përmbledhje poetike për të rritur;

“Gjeli Karatist, 2000, përmbledhje poetike për fëmijë; "Evropë Zeza", 2015, - poemë;

"Dy bibanat e flokëgjati", 2015, përmbledhje poetike për fëmijë e të rinjë;

"Plagë mbi plagë" 2015, përmbledhje poetike për të rritur;

“Europë Zeza”, 2017, poemë,

"Evropë Bardha me Njolla të Zeza", 2018, përmbledhje poemash;

"Dhelpra ne Banketin e Pulave", 2018, përmbledhje poetike për fëmijë;

“Lugina e Preshevës",Të fala nga Gerajt, 2018, përmbledhje poemash e vjershash;

“Dritë Lirie Nëpër Vargje", 2019, përmbledhje poemash për ushtarët e rënë të UÇPMB-së;

"Edhi Biciklist", 2020, përmbledhje poetike për fëmijë;

"Moti i Lavdisë së Madhe", 2020, përmbledhje poemash e vjershash,

“Marsho vargu im”, poezi dhe poema, 2021, “Preshevë e Luginë deri kur do të lotoni” (dy poema), 2023.

Përmbledhja me poezi “Asgjë s’është si më parë” është vëllimi poetik i 14-i me radhë, i autorit.



(Vota: 1)

Komentoni
Komenti:

Artikuj te tjere

Albert Vataj: E vërteta e plotë e historisë së fotografisë virale të violinistit 12-vjeçar brazilian Mevlud Buci: Kongresi i Manastirit – dritë e shkronjave që nuk shuhet Visar Zhiti: Shalli i Presidentit Rugova dhe sari i Nënë Terezës nën hijen e shpatës së Skënderbeut Hazir Mehmeti: Në Garanë inaugurohet shtatorja e Gjergj Kastrioti Skënderbeu Albert Vataj: Historia e jashtëzakonshme e Mary Sawyer dhe qengjit të saj Tahir Bezhani: Dhimbja që hesht dhemb fort miku im!... Albert Vataj: Çdo e sotme vjen për të qenë ndryshe nga dje, dhe ikën për të mos u kthyer më Visar Zhiti: Festa e librit shqip në New York… Lekë Mrijaj: Kontributi shumëdimensional i Klerit Katolik dhe i Elitave Shqiptare në Pavarësinë e Shqipërisë Shefqet Dibrani: Elegjitë si përkujtim artistik për të birin – Mentorin Albert Vataj: Zëri i gjëmimshëm i Andrea Bocellit, si një thirrje për zgjim shpirtëror Asllan Dibrani (Luani): Frika nga Vota e Mërgatës Visar Zhiti: Flamuri i shtëpisë, i atit dhe birit dhe shpirtit të shenjtë… Vladimir Shyti: Agron Calliku, që vihet në rolin e mjekut psikiatër Adil Fetahu: Lirikë dashurie “e tensionit të lartë” Albert Vataj: Xhokonda e Prados, një tjetër Mona Lizë Bashkim Saliasi: Mjeku i tre kontinenteve me autorë Ted Allan - Sydney Gordon Albert Vataj: Lamtumira pa lavdi e Oscar Wilde Sevdail Hyseni: Nëntor Lugine - “Veç shqip” Albert Vataj: Kur libraritë ishin tempuj prehje dhe kreativiteti

Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx