| E merkure, 03.12.2025, 06:55 PM |
Kur dhimbja bëhet poezi
Përkitazi
me librin e Avni Shaqirit “Asgjë s’është
si më parë”, Shtëpia Botuese Lena Graphic, Prishtine, 2025
Nga
Sevdail Hyseni
Letërsia ka fuqinë unike për ta përkthyer dhimbjen në
art, për ta bërë një përjetim individual një përvojë kolektive, dhe për ta
mbajtur kujtesën gjallë nëpërmjet fjalës së shkruar. Pikërisht këtë dimension e
sjell fuqishëm libri i ri poetik i Avni Shaqirit, “Asgjë s’është si më parë”, një vepër që ngrihet si monument i
dhimbjes, dashurisë dhe kujtesës.
Ky libër nuk është thjesht një përmbledhje vargjesh –
është një amanet shpirtëror, një rrëfim i ndjerë për bijën e ndjerë, Valmirën, e cila shfaqet si dritë në çdo faqe. Prania e saj, edhe pse e
larguar fizikisht, mbetet e përjetshme në universin poetik të autorit, duke e
kthyer çdo poezi në një përqafim, një thirrje, një lutje të heshtur.
Shaqiri ndërton një poezi të thjeshtë në dukje, por të
rëndë në peshë emocionale. Vargjet nuk kërkojnë ornamentikë, sepse forca e tyre
buron nga sinqeriteti i një zemre prindërore të plagosur. Dhimbja rrëfehet pa
retorikë, me një gjuhë të pastër dhe të lirë, duke e bërë çdo lexues të ndalet,
të mendojë, të ndiejë.
Vepra ndahet në dy cikle poetike – “Asgjë s’është si më parë” dhe “Më mungoni e ju mungoj”
– të cilat përshkojnë rrugëtimin shpirtëror të autorit përmes mungesës,
mallëngjimit, pyetjeve të brendshme dhe momenteve të pajtimit. Çdo poezi i flet
lexuesit në mënyrë të ndryshme, duke u bërë pasqyrë e humbjeve të secilit, e
asaj që kemi dashur dhe nuk e kemi më pranë.
Sipas redaktorit të
librit Bilall Maliqi “Avniu, nuk është i vetmi poet që e ka goditur kjo dhembje
e papritur, që ka lëshuar rrënjë nëpër shpirtin e tij të parehatuar, dhembje të
mëdha ka pasur edhe poeti i madh, Ali
Podrimja, për të birin e tij, Lumin, e Luan Maloku për të bijën e tij, Bardhën,
e poetë të tjerë që nuk i dimë, prandaj dhembjet e tyre bukur mirë janë
manifestuar nëpër poezitë dhe përkushtimet e tyre poetike për protagonistët e
tyre poetik, secili në forcën, stilin dhe individualitetin e tyre krijues.
Në disa poezi, zhvillohet bisedë imagjinare, ndërmjet
protagonistes së librit, të ndjerës, Valmira me anëtarët e familjes, si tek
prindërit, po ashtu edhe tek shtëpia e burrit, duke dhënë një dialogim poetik
të efektshëm dhe tejet emocional. Në secilën poezi dialoguese qoftë me babain,
nënën, vëllezërit, motrën, mixhën, burrin, kunatat etj., jepet një tablo
interesante, që së lexuari të këtyre poezive, lexuesit do të mbushen me dromca
mërzie të lagura me lot.
Vlera estetike dhe emocionale e librit qëndron
në ndërtimin e një bote të brendshme, ku poezia shndërrohet në
mjet shërimi, në urë mes botës së dukshme dhe asaj të padukshme. Avni Shaqiri e
ngre dhimbjen personale në një nivel të lartë poetik, duke e bërë lexuesin
pjesë të këtij udhëtimi të brishtë, por të domosdoshëm.
“Asgjë s’është si më parë” është një libër që flet me zemër dhe kërkon të lexohet me zemër. Është një
amanet dashurie që i reziston kohës, një dëshmi se dashuria prindërore nuk
shuhet kurrë – ajo vetëm ndërrohet në poezi.
Ky botim nuk është vetëm një vepër letrare. Është një përjetim. Është një kujtesë. Është
një zë që vazhdon të flasë.
Autori
i librit poetik, Avni Shaqiri, është
Kryetar i Shoqatës së Shkrimtarëve “Feniks” në Preshevë. Deri më tani ka botuar këto vepra letrare:
"Fjollë
Kujtimi"-1999-përmbledhje poetike për të rritur;
“Gjeli
Karatist, 2000, përmbledhje poetike për fëmijë; "Evropë Zeza", 2015,
- poemë;
"Dy
bibanat e flokëgjati", 2015, përmbledhje poetike për fëmijë e të rinjë;
"Plagë
mbi plagë" 2015, përmbledhje poetike për të rritur;
“Europë
Zeza”, 2017, poemë,
"Evropë
Bardha me Njolla të Zeza", 2018, përmbledhje poemash;
"Dhelpra
ne Banketin e Pulave", 2018, përmbledhje poetike për fëmijë;
“Lugina
e Preshevës",Të fala nga Gerajt, 2018, përmbledhje poemash e vjershash;
“Dritë
Lirie Nëpër Vargje", 2019, përmbledhje poemash për ushtarët e rënë të
UÇPMB-së;
"Edhi
Biciklist", 2020, përmbledhje poetike për fëmijë;
"Moti
i Lavdisë së Madhe", 2020, përmbledhje poemash e vjershash,
“Marsho
vargu im”, poezi dhe poema, 2021, “Preshevë e Luginë deri kur do të lotoni” (dy
poema), 2023.
Përmbledhja
me poezi “Asgjë s’është si më parë”
është vëllimi
poetik i 14-i me radhë, i autorit.