Kulturë
Asllan Dibrani (Luani): Frika nga Vota e Mërgatës
E hene, 01.12.2025, 06:09 PM

Protestë
e shqiptarëve emigrantë para Parlamentit Evropian në mbrojtje të interesave të
Kosovës. Këtu nuk po shihet asnjë politikan kosovar, asnjë analist kosovar —
ata që duan të na e ndalin votën për atdheun tonë të shtrenjtë
Frika nga
Vota e Mërgatës
Nga Asllan Dibrani (Luani)
Mërgata zgjohet çdo mëngjes
me një copë atdheu nën jastëk—
një zë i largët që rreh si zemra
rri e zgjuar pararoje në kohë e hapësirë
me dhimbje, nder dhe besë të pathyeshme.
Mos
harroni: gjysma e popullit shqiptar jeton jashtë. Prandaj, shumë shpejt duhet
të rezervohen vende të posaçme në Kuvendin e Kosovës dhe në Parlamentin e
Shqipërisë edhe për Mërgatën. Zëri ynë është pjesë e kombit dhe duhet të
përfaqësohet me dinjitet.
Ne zgjohemi me ëndrrën e
vendlindjes,
si roje të heshtura të Atdheut në mërgim,
që mbajmë flamurin në zemër,
edhe kur duart na janë të lodhura e të ngrira.
Kosovën e flasim në tryezat e botës
si flamurtarë të paemëruar,
sepse e dimë se kombi mbahet me zë,
kur s’ka kush e mban me shpatë dhe armë .
Dhe ja—në skenë shfaqen ata:
opozitarët e frikës,
analistët e mbështjellë me pasiguri,
që dridhen si gjethet e vjeshtës
sa herë që Mërgata lëviz qerpikët.
Ata u tremben votës sonë
siç trembet nata prej agimit.
E dinë shumë mirë:
Kur Mërgata zgjohet, zgjohet e vërteta.
Kur Mërgata flet, dridhen karriget prej kartoni.
Kur Mërgata voton, bien maskat e mashtrimit.
Sepse ne nuk votojmë me xhepa—
ne votojmë me plagët që na i la historia.
Nuk zgjedhim kush premton më shumë,
por kush ka shkëndijën e dashurisë për popullin.
Kush e mban dritën në sy
e jo terrin në zemër.
Këta që kanë frikë nga vota jonë,
e dinë një të vërtetë të hidhur:
ne nuk jemi vegla patronazhesh,
as turma që blihen me pare.
Ne jemi krahët që punojnë,
zërat që lobojnë,
zemrat që digjen për flamurin.
Jemi stuhia që mban Kosovën gjallë
në hartën morale të botës.
Jemi kujtesa që nuk shuhet.
Jemi besa që nuk tretet.
Jemi rrënja që, edhe në tokë të huaj,
jep fryt për tokën e vet.
Kjo është Mërgata shqiptare
Prandaj, ju që keni frikë
nga vota e Mërgatës—
mbajeni mend mirë:
ne nuk kemi ikur.
Ne veç jemi bërë dritë
që shtrihet nëpër botë
për t’ia ruajtur emrin atdheut me emrin e shenjtë.
Dhe kur të vijë dita e votës,
do të kthehemi si valët që çan gurët,
që s’e ndal dot as frika,
as burokracia,
as hijet që na përbuzin.
jo
për inat, por për drejtësi.
Jo për hakmarrje, por për dashuri.
Jo për parti, por për popull.
Sepse
kur flet Vota e Mërgatës,
Dridhen Fronët e Vjetër.
Dhe kur dridhen fronet,
aty fillon demokracia.
Poezi kushtuar
zgjedhjeve te parakohshme te 26 nëntorit 2025
Stuttgart 30 nëntor 2025









