Kulturë
Anton Marku: Festë e shkronjave shqipe në Vjenë
E diele, 23.11.2025, 06:58 PM

Festë e shkronjave shqipe në Vjenë
Vjenë, 21 nëntor 2025: Në shënim të ditës së alfabetit të gjuhës shqipe dhe në prag të festës së flamurit kombëtar lidhja e shkrimtarëve dhe krijuesve shqiptarë në Austri ‘‘Aleksandër Moisiu’’ organizoi një aktivitet kulturor festiv në të cilin morën pjesë shkrimtari dhe përkthyesi i njohur nga Shkodra, Primo Shllaku dhe poetja nga Prishtina, Vlora Ademi. Në këtë manifestim morën pjesë edhe dy diplomate nga ambasadat e Shqipërisë dhe Kosovës. Kjo ngjarje artistike u përcoll edhe me tinguj të muzikës qytetare dhe lexime nga krijuesit tanë në diasporë.
Në
qendër të Vjenës artdashësit shqiptarë në Austri patën rastin të përjetojnë një
mbrëmje të veçante artistike në të cilën, pos tjerash, u fol edhe për jetën,
njerëzoren dhe mesazhet që përçon arti. Të pranishmit fillimisht i përshëndeti
Anton Marku, kryetar i lidhjes së shkrimtarëve dhe krijuesve shqiptarë në
Austri ‘‘Aleksandër Moisiu’’, i cili ndër të tjera theksoi se ky format i orëve
letrare tashmë është etabluar në Austri dhe se publiku po përfshihet gjithnjë e
më tepër në debatet që kanë të bëjnë me të sotmen dhe të ardhmen e identitetit
tonë kombëtar.
Mbrëmja
ishte e ndarë në tri pjesë. Në pjesën e parë u zhvillua një bashkëbisedim me
profesor Primo Shllakun, njërin ndër emrat me të spikatur të letërsisë moderne
shqipe. Përpos si poet dhe romansier ai njihet edhe për përkthimet e tij,
kryesisht nga gjuha frënge në atë shqipe, por jo vetëm, të Hygoit, Balzakut,
Kafkës, etj. Ai ka botuar disa libra me poezi, tregime dhe romane. Temat të
cilat u elaboruan gjatë kësaj bisede kishin të bëjnë me artin e shkrimit pas
rënies së diktaturës komuniste, bashkëjetesën mes dialekteve e gjuhës shqipe,
teatrit si mjet komunikimi me masat, etj.
Në
pjesën e dytë studentja Gabriela Mujaj zhvilloi një bisedë me poeten Vlora
Ademi, diplomate kulturore dhe autore e përmbledhjes me poezi ‘‘Katërdhjetë e
pak’’ si dhe themeluese dhe udhëheqëse e dy festivaleve të poezisë në Kosovë,
tashmë me renome edhe ndërkombëtare, ‘‘Republika’’ në Prishtinë dhe
‘‘ResPoetika’’ në Prizren. Në fund të kësaj pjese u lexuan edhe disa poezi të përzgjedhura
nga vëllimi i lartpërmendur. Publiku pati rastin që të parashtrojë pyetje dhe
bëj sugjerime dhe komente.
Në
pjesën e tretë para publikut dolën autore dhe autorë shqiptarë me banim në
Austri, Violeta Allmuça. Gjergj Jozef Kola, Angjelina Marku dhe Zaim Toska. Me
prezencën e tyre këtë aktivitet e nderuan dhe Anila Ajvazi, konsulle e
Shqipërisë në Vjenë dhe Marigona Vrajolli, sekretare e dytë në ambasadën e
Kosovës në Austri.
Lidhja
e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri ‘‘Aleksandër Moisiu’’
shfrytëzoi rastin që të përgëzojë anëtaret e saj për sukseset e kohëve të
fundit, në radhë të parë Gjergj Jozef Kolen për përzgjedhjen si laureat i
qytetit të Vjenës dhe mbështetjen e dy projekteve të tij në fushën e dramës në
gjuhën gjermane si dhe Gabriela Mujaj për botimin e librit të saj të parë ‘‘I
dashuni jem zdrukthëtar’’ nën përkujdesjen e shtëpisë botuese ‘‘Onufri’’ nga
Tirana, libër ky që u promovua disa ditë me parë në kuadër të panairit të
letërsisë në kryeqytetin e shtetit shqiptar. Po ashtu u mirëprit edhe
anëtarësimi në shoqatë i poetes nga qyteti i Grac-it Fitnete Krasniqi, autore e
dy librave. Organizatorët ndanë edhe mirënjohje për donatorët dhe përkrahësit e
përhershëm, afaristët Samed Vinca dhe Mair Istrefi.
Kësaj
mbrëmje artistike i dhanë një sharm edhe më kombëtar pikat muzikore të
interpretuara me mjeshtri nga Vlora Melchard në piano dhe Ersela Nekaj në
violinë.
Lidhja
e Shkrimtarëve dhe Krijuesve Shqiptarë në Austri ‘‘Aleksandër Moisiu’’ është
themeluar në vitin 2011. Ajo është adresë e parë e krijuesve shqiptarë në
Austri dhe pikë referimi për sa i përket letërsisë shqipe në këtë shtet. Duke u
imponuar me një qasje serioze dhe kualitet në organizimin e më shumë se 70
orëve letrare dhe promovimeve të librave, ajo ka komunikuar në mënyrë shumë të
frytshme me institucionet në nivel kombëtar, si Ministritë e Kulturës, të
Arsimit dhe Diasporës, me Ambasadat e Shqipërisë dhe Kosovës në Vjenë, me
shoqatat dhe individët e ndryshëm, etj. Ajo po ashtu ka bashkëpunim shumë
domethënës edhe me organizatat austriake, sidomos me PEN Klubin e Austrisë dhe
Lidhjen e Shkrimtarëve të Austrisë.
Tekstin e përpiloi: Anton Marku





















