E marte, 11.11.2025, 06:37 AM (GMT)

Vërtetësi

Kastriot Dervishi: Rithemelimi, 8 nëntor 1941

E hene, 10.11.2025, 06:55 PM


Rithemelimi, 8 nëntor 1941

Nga Kastriot Dervishi

Gjatë ditëve kur zhvilloheshin bisedime për formimin e partisë, Dushani e Miladini sugjeruan demonstratën e 28 tetorit 1941. Ata propozuan që të fillohej puna nga “sabotimet, diversionet dhe likuidimi i policëve e spiunëve”, etj. Terrori u pa si mjet i lidhur me thelbin e ekzistencës së Partisë Komuniste.

Në gjysmën e dytë të tetorit 1941, dy jugosllavët zhvilluan takime intensive me komunistët e Shqipërisë, me tri grupet e njohura dhe partinë e Andrea Zisit. Kjo u fundit u la jashtë procesit sepse thoshte se ishin parti e të tjerët duhej të vinin te ata. Mbledhja e grupeve u vendos që të bëhej më 8 nëntor 1941. I zoti i shtëpisë (marrë me qira) ku do bëhej mbledhja, Xhemal Haxhicani, nëpunës, takonte grupit të Shkodrës (djalin ia dënuan komunistët pas lufte dhe i vdiq në burgun e Burrelit).

Mbledhja e themelimit të Partisë Komuniste Shqiptare, u zhvillua më 8 – 14 nëntor 1941

Rezolutën që ishte platforma politike dhe thirrjen drejtuar popullit i shkroi Miladin Popoviçi.

Ishte rënë dakord që pjesëmarrës në mbledhje do të ishin nga 6 anëtarë të grupeve. Por, dy grupe nuk u paraqitën të plotë ditën e parë. Kësisoj, i vetmi grup me anëtarësi të plotë ishte ai i Korçës. Pra 15 veta themeluan PKSH-në. Përbërja (referuar shënimeve nga procesverbali i mbledhjes) e delegatëve ishte kjo:

Grupi Komunist i Korçës:

1-Koço Tashko

2-Enver Hoxha

3-Pilo Peristeri

4-Koçi Xoxe

5-Sotir Vullkani

6-Sotir Lubonja

Grupi Komunist i të Rinjve:

1-Ramadan Çitaku

2-Anastas Lula

3-Sadik Premte

4-Elami Nimani

5-Perlat Rexhepi

6-(Sadik Stavileci, ishte i sëmurë e nuk mori pjesë)

Grupi Komunist i Shkodrës:

1-Qemal Stafa

2-Vasil Shanto

3-Kristo Themelko

4-Tuk Jakova

5-(Sadik Bekteshi, nuk ka qenë ditën e parë)

6-(Fadil Hoxha, nuk ka qenë ditën e parë)

Nga 15 veta, 9 patën probleme, u cilësuan armiq: Koço Tashko, Koçi Xoxe, Anastas Lula, Sadik Premte dhe Tuk Jakova. U dënuan me vdekje Koçi Xoxe dhe Anastas Lula. Patën dënime në parti: Sotir Vullkani, Ramadan Çitaku, Kristo Themelko. Nuk u vlerësua Elami Nimani. Pra në shumicë, themeluesit nuk dolën burra të mirë.

Mbledhja nuk zgjodhi kryetar partie, por një komitet të përkohshëm me 7 veta, ku Enver Hoxha pati në dorë financat. Partia u shtri fillimit në 8 nga 10 qarqe gjithsej. Miladini organizoi partinë, ndërsa Dushani anën ushtarake të saj.

(Ilustrimi është një montazh mbi pikturën e njohur të kohës së socializmit)



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx