E diele, 09.11.2025, 11:49 PM (GMT)

Vërtetësi

Kastriot Dervishi: Takimi i Vitomiricës, në fshatin e kolonëve lindi PKSH-ja

E diele, 09.11.2025, 06:55 PM


Takimi i Vitomiricës, në fshatin e kolonëve lindi PKSH-ja

Nga Kastriot Dervishi

Enver Hoxha shiste cigare në dyqanin "Flora" kur rastësisht u informua nga Tahir Kadare, (i cili kish shërbyer si një lloj koordinatori i grupeve komuniste) për formimin e partisë komuniste në shtator 1941, pa pjesëmarrjen e komunistëve të Korçës. U vu në lëvizje. E bindën Koço Tashkon se kishte vepruar gabim që nuk e takoi Dushan Mugoshën dhe se duhet të shkonte në Vitomiricë për rithemelimin e partisë. Së bashku me Koçon shkuan edhe Xhevdet Doda e Elami Nimani (Fadil Hoxha kish ardhur më parë si pararojë). Dushani pranoi menjëherë të takohej me ta dhe zhvilloi një bisedë ku merrnin pjesë komunistët e Kosovës Boro Vukmiroviç, Pavle Joviçeviç dhe Ali Shukria. Koço Tashko kërkoi që të rishikohej akti i formimit të në shtator 1941, me pjesëmarrjen e emisarëve jugosllavë, duke u bërë një mbledhje e re rithemeluese e partisë. U krijua një komisioni që do përgatiste formimin e PKSH-së (të tre u vranë më pas). Ishte caktuar që në Shqipëri të shkonte Ali Shukria, por ky vendim u ndryshua dhe atje shkoi Dushan Mugosha.

Për ta sjellë Mugoshën nga Kosova në Shqipëri u dërgua Tahir Kadare. Gjatë kësaj kohe, Grupi i të Rinjve, liroi Miladin Popoviçin nga kampi i Peqinit, vend ku ai rrinte në gjendje të lirë, duke e dërguar fillimisht në Pezë e pastaj më 11 tetor 1941 në Tiranë.

Dushan Mugosha qëndroi në Kukës, Pukë, Shkodër e më pas vijoi në Tiranë. Këtu u takua me Miladin Popoviçin, Kristo Filipoviçin, Mihajlo Popoviçin dhe Stanko Daniloviçin. Vetëm Miladini qëndroi në Shqipëri.

Me cilësinë e instruktorit të PKJ-së në Shqipëri, më 30 tetor 1941, Miladin Popoviçi i dërgoi një informacion të detajuar partisë së tij mbi gjendjen që gjeti në Tiranë. Popoviç shkruan se në vend ishin gati 500 komunistë, kur në fakt nuk bëheshin as 200 të tillë. Përpjekjet e mëparshme për formimin e partisë, me “lidhjet trockiste” të Llazar Fundos, me të cilin “flirtonte” sipas tij edhe Sejfulla Malëshova, kishin dështuar.

Takimet me partinë e Andrea Zisit u ndërprenë, ndërsa u ruajtën kontaktet me persona të veçantë të partisë së tij.

Në foto një monument i ngelur në fshatin Vitomiricë. Foto e imja e vitit 2019.



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:

Video

Qazim Menxhiqi: Niset trimi për kurbet


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx