E merkure, 05.11.2025, 11:50 PM (GMT)

Kulturë

Migena Arllati: Testament shpirtëror i një jete të tërë

E merkure, 05.11.2025, 06:57 PM


TESTAMENT SHPIRTËROR I NJË JETE TË TËRË

Vështrim kritik mbi vëllimin “PIKLA NGA QIELLI” të autorit TAHIR BEZHANI

Nga Dr. Migena ARLLATI

Krijimtaria poetike e Tahir Bezhanit, tashmë e shtrirë në 28 vëllime, paraqet një univers të gjerë tematik dhe emocional, që lëviz midis kujtesës, dhimbjes, dashurisë dhe përjetësisë. Poezia e tij ndërtohet mbi përvojën njerëzore, historike dhe shpirtërore të një brezi që ka njohur humbjen, mërgimin dhe përpjekjen për ta ruajtur identitetin në një botë që ndryshon pa mëshirë. Në thelb, kemi të bëjmë me një poet të kujtesës dhe të qëndresës, ku vargu bëhet jo vetëm mjet shprehjeje, por edhe mjet shpëtimi, një strehë për shpirtin e lodhur e për kombin e plagosur.

Në planin tematik, poezia e tij është e mbushur me motive të forta identitare dhe filozofike. Simbolet e përsëritura: kulla, guri, lisi, zjarri, pasqyra, dritarja, shkopi, vargu etj., janë elemente që përbëjnë një sistem të qëndrueshëm poetik, përmes të cilit autori e lexon jetën dhe kohën. Kulla, për shembull, nuk është vetëm një ndërtim fizik, por simbol i dinjitetit, i burrërisë dhe i trashëgimisë shpirtërore. Guri është qëndrueshmëria e qenies, ndërsa pasqyra e thyer përfaqëson ndërgjegjen e copëtuar nga vuajtjet e jetës. Këto figura mbartin gjithnjë dy dimensione: personal dhe kolektiv, duke e bërë poezinë e tij të njohshme e njëkohësisht universale.

Kjo përmbledhje poezish, e titulluar “Pikla nga qielli” bart një frymë të thellë melankolie ekzistenciale, ku autori shfaq ndjeshmëri të hollë ndaj kohës, vetmisë, pritjes, dashurisë dhe zhgënjimit njerëzor. Në thelb, poezitë përbëjnë një udhëtim shpirtëror që kalon nga intimiteti i ndjenjës në refleksionin filozofik mbi qenien dhe kalueshmërinë. Stili poetik karakterizohet nga një gjuhë e përmbajtur, por e ngarkuar me emocion dhe metaforë të thellë. Vargu është i lirë, pa rimë të rregullt, por i ndërtuar me një muzikalitet të brendshëm që vjen nga ritmi i fjalës shqipe dhe nga ndjenja e sinqertë e shprehjes. Poeti nuk ndjek artificat formale të modernizmit ekstrem; përkundrazi, ruan një autenticitet gjuhësor e shpirtëror, ku çdo fjalë vjen si pjesë e një përvoje të jetuar. Në shumë raste, vargu i tij ngjan si një psherëtimë e menduar gjatë, një bashkëbisedim me vetveten, me kohën, me shoqërinë dhe me Zotin.

Poezia “Pikla nga qielli”, titullin e së cilës e mban tërë vëllimi, është një tekst që ngërthen në vetvete ankthin kozmik, përsiatjen ekzistenciale dhe shpresën që rilind nga rrënojat e frikës. “Pikla nga qielli” është poezi e përballjes me kaosin, por edhe e besimit në ripërtëritje.

Ajo përmbledh frymën e të gjithë vëllimit poetik: përmes errësirës kalon rrezja, përmes frikës lind buzëqeshja, përmes dhimbjes vjen drita e kuptimit. Në vetëm pak vargje, autori arrin të krijojë një hapësirë filozofike ku përplasen dritë e errësirë, frikë e rilindje, qiell e tokë, pra, vetë përmasat e qenies njerëzore. Ajo hapet me një imazh të gjerë e tronditës:

“Një re e zezë n’hapësirë

Sillet në boshtin e rrëmujave…”

Kjo re e zezë është më shumë se një fenomen meteorologjik: është simbol i turbullirës së brendshme, i ankthit universal që mbulon ekzistencën njerëzore. Lëvizja “në boshtin e rrëmujave” është përkufizimi poetik i asaj gjendjeje ku njeriu ndjen se bota ka humbur qendrën e saj. Kjo metaforë kujton idenë e Heraklitit, filozofit të lashtë që thoshte: “Gjithçka rrjedh, gjithçka përplaset në një luftë të përhershme kundërshtish.” Pikërisht ky tension mes të kundërtash është zemra e poezisë.

“Në planetin tokë dridhet frika

Pikla nga qielli vijnë, re të zeza...”

Në këtë varg ndodh ulja nga kozmosi në realitetin tokësor, nga dimensioni metafizik në psikologjinë njerëzore. “Piklat nga qielli” janë si rrjedhje e dhimbjes, si përthithje e trishtimit hyjnor në botën njerëzore. Frika që “dridhet” në tokë është përkthimi poetik i pasigurisë njerëzore përballë të panjohurës, një temë që përputhet me filozofinë ekzistenciale të Martin Heidegger, i cili e përkufizonte “ankthin” si mënyrën e njeriut për të ndjerë zbrazëtinë e qenies. Reja e zezë, në këtë mënyrë, është si projeksion i shpirtit njerëzor në qiell, dhe piklat që bien janë kthimi i dhimbjes në tokë, në vetëdije.

Poezia është e mbushur me simbolikë natyrore, re, diell, mjegulla, hënë… që nuk janë zbukurime, por personifikime të gjendjes së brendshme.

Kur poeti shkruan:

“Fjalëboshet i fsheh hëna

N’horizont shëtisin mjegullat…”, këtu hëna, mjegulla e fjalët bosh marrin rolin e figurave mendore. Hëna “fsheh” fjalët e kota, si për të thënë që heshtja ka më shumë vlerë se zhurma, se në epokën e rrëmujës (si boshti i fillimit) kuptimi humbet, ndërsa drita (hëna) ruan vetëm thelbin. Ky moment ka një jehonë platonike, sepse përmes pastrimit të fjalës, njeriu afrohet te e vërteta e brendshme.

Në gjysmën e dytë të poezisë, errësira nis të zbutet:

“Rrezet e diellit ndriçojnë ëndrrat

Ripërtërihet buzëqeshja e vrarë”

Ky kalim nga errësira te drita është metamorfoza poetike që tregon se çdo pikë dhimbjeje mbart në vetvete mundësinë e shëlbimit. “Buzëqeshja e vrarë” nuk është vetëm imazh i dhimbshëm, por shenjë e rilindjes: një ndjenjë që ka kaluar nëpër vdekje, por që përsëri ringjallet. Në këtë pikë, poezia kujton filozofinë e Nietzsche-s, sidomos idenë e “Eternal Return”, ringjallja e jetës përmes vetë shkatërrimit të saj. Drita që rikthehet nuk është ajo naive e fillimit, por një dritë e pastruar nga vuajtja.

Përsëritja e vargut final: “Pikla nga qielli vijnë pandarë...”, krijon një efekt ciklik, një përmbyllje që nuk mbyll, por vazhdon. Kjo është metafora e përhershme e jetës: edhe pas frikës, rrënojës dhe rrëmujës, piklat (si dritë, si shpresë, si kujtesë) bien pa pushim.

Në të gjithë vëllimin, poezitë ndahen dukshëm në dy rrafshe:

1.       Rrafshi intim e emocional, ku njeriu përballet me vetveten, me kujtimet dhe humbjet.

2.       Rrafshi filozofik e shoqëror, ku poeti vëren botën përreth, absurditetin dhe zbrazëtinë e saj.

Në shumë poezi (“Frymëzim nate me hënë”, “Dallgë të vetmuara”), nata shfaqet si simbol i heshtjes, por edhe i ndërgjegjes. Hëna bëhet një “bashkëbiseduese” e poetit, një sy që ndriçon plagët e shpirtit. Kjo e afron autorin me filozofinë e ekzistencës. Søren Kierkegaard e shihte vetminë dhe ankthin si mënyra të thella të komunikimit me Zotin dhe me thelbin e vetes.

Kur poeti thotë: “Hap sytë / Buzëqeshje e ngrirë në dritare...”, ai përballet me dritën si me një pasqyrë të vetes, ku njeriu sheh jo jashtë, por brenda ndriçimit të vetmuar.

Në “E tash, çfarë bëj” dhe “Në pritje”, dhimbja nuk është thjesht ndjenjë, por mënyrë e të qenit. Varësi të tilla si: “Ëndrrave të natës u vjen era plagë”; “Kujtimet mbajnë lotët si në epruvetë”, shpalosin një estetikë të përkorë, ku kujtimi bëhet eksperiment, ndjenjat shndërrohen në substanca që digjen në laboratorin e shpirtit. Kjo të kujton Albert Camus dhe nocionin e absurdit, ku njeriu vazhdon të jetojë dhe të dashurojë edhe pse kupton kotësinë e ekzistencës.

Në “Sikur të isha”, poeti nuk i ikën dhimbjes, por kërkon ta kthejë në dhuratë, të bëhet “thërrmi buke” për harabelat. Me këto ndjesi sakrifice dhe përulësie, autori e shndërron poezinë në një formë morali poetik, ku dashuria për jetën manifestohet përmes mëshirës.

“Dyzen krismash festimeve” dhe “Krismë që nuk ndalet” janë poezi protestuese në heshtje, që përçojnë neverinë ndaj shthurjes së natës moderne, një realitet i ndotur, i zbrazët, ku “fishekzjarrët” zëvendësojnë gëzimin e shpirtit. Poeti refuzon, duke i kthyer shpinën dhimbjes dhe kotësisë (“Ecni, u fola këmbëve pas mesnatës / Dhimbjeve ua ktheva shpinën”).

Në çdo poezi ndjehet një lëvizje: nga nata në dritë, nga dhimbja në pajtim, nga vetmia në mall. Ky udhëtim është metaforë e jetës, një rrugëtim drejt vetëdijes, që nuk mbaron as me vdekjen. Kur poeti shkruan: “Dashuria nuk vdes as nuk varroset / Por ato takohen mes vete ëndrrave”, ai prek një përmasë metafizike të dashurisë, si tek Platoni: ajo është e pavdekshme sepse i përket sferës së ideve, jo trupit. Kështu, poezia shndërrohet në tempull kujtese dhe ringjalljeje.

Një veçori tjetër e stilit të Bezhanit është bashkimi i lirizmit intim me epikën morale. Në poezitë e tij, edhe përjetimet personale marrin dimensionin e një rrëfimi të përbashkët. Kur flet për dhimbjen e vet, ai flet edhe për dhimbjen e të tjerëve; kur përmend mallin për vendlindjen, ajo bëhet metaforë e mallit për atdheun; kur përshkruan vetminë, ajo është vetmia e njeriut bashkëkohor që kërkon kuptim në një botë të shurdhët. Kështu, poezia e tij nuk mbyllet në individualitet, por shpërthen drejt universalitetit të ndjenjës njerëzore.

Poezia “Meditim malor” mund të konsiderohet peizazh i pasqyrimit të shpirtit. Kjo poezi është ndërtuar mbi një paralelizëm të bukur mes natyrës dhe vetmisë njerëzore. Peizazhi malor nuk është vetëm një hapësirë gjeografike, por një hapësirë shpirtërore, ku poeti gjen strehë nga lodhja e jetës dhe nga “hatërmbetjet” e njerëzve.

“Aty te Blini”, një himn për poetin Sejdi Berisha, por edhe për miqësinë dhe trashëgiminë poetike. Në këtë poezi, kafeja e mëngjesit, Lumbardhi dhe bisedat e poetëve marrin dimension ritualik. Ato janë si liturgji e shpirtrave krijues që lënë gjurmë përtej vdekjes.

“Mbante në dorë një fletë të bardhë e lapsin e zi

Radhiteshin fjalët, shkruante poezi

Për njerëzimin e kohët nxira moteve...”

Këtu poeti përshkruan misionin moral të vargut, qëndresën përballë kohës dhe vuajtjes. Ndërhyrja e gjallë e figurave reale (Lala, Nekiu, Luli) i jep tekstit autenticitet emocional, pra një dokument poetik i miqësisë dhe frymës krijuese. Kur Sejdiu thotë se do ta hedhë stilolapsin në Lumbardhë, ajo bëhet metaforë e pavdekësisë së artit, lapsi që tretet në ujë, por pëshpërit vargje përgjithmonë. Në këtë gjest ndjehet diçka simbolike si tek poezia e romantikëve evropianë, ku arti bashkohet me natyrën për të ruajtur kujtesën njerëzore. Ky tekst është në thelb një elegji e gëzueshme, një poezi për jetën, dashurinë ndaj atdheut dhe nderimin ndaj shokëve që ndajnë të njëjtin ideal poetik.

“Lot malli për gurin” trajton frymën e nostalgjisë për vendlindjen dhe për rrënjët e djegura të kujtesës.

“Kur ika

e lashë të gjallë kullën,

me dhimbje nëpër eshtra përplasej...”

Kulla, simbol i trashëgimisë, qëndresës dhe dinjitetit shqiptar, këtu është një organ i gjallë, që ndien, vuan dhe hesht. Ajo nuk është vetëm ndërtim arkitektonik, por vetë zemra e kujtesës kombëtare, e rrënuar nga lufta e koha. Kur poeti i puth “gurtë e çarë” dhe i shtrydh “lotët nga palca e zjarrit”, ai kryen një rit të përkujtimit, një akt sakral: kthimi te guri, te dheu, te identiteti. Përmes “lotit” që rrjedh rrugës, poeti e shndërron mallin në udhëtim shpirtëror, në vazhdimësi mes të ikurit dhe kthimit.

Në planin filozofik, kjo poezi lidhet me konceptin hegelian të “pajtimit me realitetin”: njeriu pajtohet me humbjen vetëm përmes njohjes së saj, përmes kujtimit aktiv që bëhet dashuri.

“Vargu im vrapon e vrapon” dhe “Vuajtja e ka heshtjen e gjatë” janë dy pole të një bote poetike të përbashkët: në të parën sundon lëvizja, përpjekja dhe sfida e fjalës poetike, ndërsa në të dytën mbretëron qetësia e dhimbjes, pesha e përmbajtur e vuajtjes njerëzore.

Në këtë mënyrë, të dy tekstet krijojnë një binom poetik që përmbledh gjithë filozofinë krijuese të autorit: poezia si rrugëtim përmes vuajtjes, dhe heshtja si forma më e lartë e ndjeshmërisë.

Poeti sjell me qetësi dhe përmbajtje realitetin e birucës, por pa rënë në rrëfim sentimental, përkundrazi, në atë hapësirë të errët, lind drita e shpirtit. “Përfytyrim në dhomën e burgut” është poezi e përmasave dokumentare dhe metafizike. Figura e “bylbylit që hyn në fluturim” dhe “gijotina që i vjen era liri” janë kontraste poetike të fuqishme: vdekja dhe liria, trupi i mbyllur dhe shpirti që frymon. Në këtë poezi, burgimi shndërrohet në laborator të lirisë, ku poeti përjeton thellësinë e shpirtit njerëzor.

“Kollitjet e natës” është një poezi e ndjeshme dhe alegorike. Kollitja, një veprim biologjik i trupit, kthehet në simbol të shpirtit që reagon ndaj plagës së qytetit, ndaj historisë së vet. Kollitjet janë si “tinguj lyrash të shpirtit”, një figurë e jashtëzakonshme që bashkon dhimbjen me artin. Nëpërmjet ecjes nëpër rrugët e qytetit, poeti gjen gjurmët e lirisë së humbur, ku gjithçka rreh me kujtesë: kalldrëmet, pemët, dritat e neonit. Në fund, fjala “Liri” është kulm poetik jo si slogan, por si frymë që del nga dhembja e trupit kolektiv.

“Numërim i gabuar” është një poezi e shkurtër, por me një forcë filozofike të madhe. Në pak vargje, poeti përmbledh paradoksin e jetës dhe kohës: siç rritemi, koha përmbyset nga llogaritja e ditëve drejt ndjesisë se vitet janë bërë më të shkurtër se ditët. “Numëratorja e jetës ka ndryshuar”. Kjo është metafora e krizës së perceptimit të kohës që vjen nga lodhja, nga kalimi nëpër dhimbje, nga lodhja e aritmetikës së jetës. Ky tekst minimalist është një haiku filozofik shqiptar ku përmblidhet në pesë rreshta i gjithë absurdi i përvojës njerëzore.

Një poezi e kujtesës dhe mallëngjimit, me ton elegjiak është “Isha dje aty”. Kthimi “aty”: te dera, gurët, kullat e djegura është kthim në identitetin e humbur dhe kujtesën e përbashkët kombëtare. Poezia përshkohet nga një ndjesi e thellë fiziologjike e mallit: poeti prek gurin, nuhat erën e shkrumbit, përjeton trupërisht dhimbjen e vendlindjes. Imazhi i moshatarëve “nën hijen e blirëve që pushojnë” është një përmendore e qetë, ku vdekja përzihet me përjetësinë e natyrës. Në tërësi, kjo poezi është një himn i heshtur për kujtesën, një rikthim që shëron përmes përulësisë.

“Natën në skenë”, një nga poezitë më metaforike e introspektive të ciklit. Këtu poeti nuk flet më si dëshmitar, por si aktor në skenën e jetës, një metateatër poetik, ku jeta dhe arti përzihen.

“Tekstin e kam në shpirt / por rolin akoma nuk e luaj” është një nga vargjet më të thella të gjithë ciklit: njeriu e njeh kuptimin e jetës, por nuk e jeton dot plotësisht. Në fund, “ranë perdet / duartrokitjet e fundit” është një fund ekzistencial ku jeta përfundon si shfaqje, dhe duartrokitjet nuk janë më lavdi, por psherëtimë përfundimtare.

“Heshtje e ndryshur” ndërtohet mbi tensionin midis forcës dhe durimit. Në të, heshtja nuk është zbrazëti, por energji e përmbajtur, si ujë që vlon nën gur. Vargu: “Mullinjtë e erës sillen në boshtin e vet”, është simbol i mendimit që përsëritet, i kohës që s’ndryshon, i njeriut që qëndron.

Në vargun kulmor: “Sa e hijshme bëhet jeta. Kur vaji pëlcet nga durimi i stepur...” poeti arrin një moment katarsisi poetik: dhimbja, kur përmbahet gjatë, lind bukuri, një filozofi stoike që përshkon gjithë poezinë e tij. Kjo poezi është qetësi e stuhishme, një lutje e brendshme që flet me zërin e heshtjes.

“Psherëtimë bjeshke, hapekrah në Shkrel” dhe “E ndiej zërin tënd edhe n’ëndërr” përfaqësojnë dy pole të ndjeshmërisë poetike të autorit: njërën e rrënjosur në tokë e atdhe, dhe tjetrën të ngjitur në qiell e dashuri. Në to, poeti është njëkohësisht dëshmitar i kujtesës dhe i shpirtit, duke i përzier me mjeshtëri topografinë fizike me peizazhin e brendshëm.

Më poshtë, një vështrim kritik për secilën poezi dhe një sintezë interpretative për të dyja bashkë.“Psherëtimë…” është një himn i heshtur për vendlindjen, një lirikë që bashkon frymën e natyrës me mallin për njeriun e shpirtit poetik.

Shkrel, Boga dhe Rugova nuk janë thjesht toponime. Ato bëhen simbol i qëndresës, i dhimbjes dhe i përjetësisë shqiptare.

“Shpirti ka shtrirë krahët majave të Shkrelit”. Ky varg e hap poezinë me një figurë të fuqishme panteiste: shpirti nuk është më i kufizuar në trup, por shtrihet në natyrë, përthith hapësirën si frymë e lirë. Poeti e ndien vendin si pjesë të qenies së vet, një ndjesi që i ngjan konceptit të “unit kozmo-poetik” të Rilindasve. Figura e Azemit, që “shëtit zemrës sime pandarë”, është personifikim i kujtesës poetike ndaj Azem Shkreli, figurë e madhe e poezisë moderne shqipe.

Poeti e sheh atë si “lapidar vetullave të zbardhura”, një monument i shpirtit që s’e zbeh koha. Këtu, poezia bëhet përkulje përpara artit dhe frymës krijuese, një dialog shpirtëror mes poetëve dhe brezave. “Rugovë moj / Bukuri e dhimbje të shkrira së bashku” përmbyll poezinë si një dyzim ekzistencial: as bukuria, as dhimbja nuk mund të qëndrojnë më vete. Ato janë thelbi i një shpirti që ka kaluar nëpër stuhitë e kohës. Në këtë poezi, poeti është një hibrid mes peizazhit dhe kujtesës, një shpirt që flet përmes natyrës dhe vendit.

“E ndjej zërin tënd…” është e butë, e ndjeshme, e tejmbushur me mall dashurie, ku kujtimi merr trajtën e pranisë shpirtërore. Ajo që në dukje është një dialog intim, në thelb është një bashkëbisedim me të përtejmen, një lloj lutjeje poetike që kapërcen kufijtë e jetës.

“E ndiej zërin tënd të harlisur

Si violinë e çakorduar, këputur kohësh”

Këtu, poeti i jep zë mungesës. Zëri i dashur është një tingull që përshkon kohën dhe ndërron dimensionin e realitetit. Violina e çakorduar është një metaforë e përkryer për dashurinë që ka humbur harmoninë, por që ende dridhet, ende tingëllon. Në gjithë poezinë, ndjenja është e përmbajtur, por e thellë. Ai ndien “prekjen e duarve tua”, “përplasjen e buzëve”, “lutjen e zjarrtë”, e megjithatë, gjithçka ndodh në ëndërr, në kujtesë, në frymë, jo në realitet. Përmes këtij përjetimi, poeti ngjitet drejt një dimensioni metafizik, ku dashuria bëhet amshim:

“Jetoi e iku si e paparë

në flakën e dashurisë së përmotshme

shkëndija do bëhemi një ditë

si një lapidar...”

Ky fund është monumental: dashuria njerëzore ngjitet në nivel simbolik, si një “lapidar”, pra si dëshmi që nuk shuhet. Kjo metaforë e bashkon dashurinë me kujtesën, shpirtin me përjetësinë,  një frymë që ngjan me konceptin platonik të dashurisë si formë e përhershme, që s’vdes, por ndryshon formë.

“Përplasje me vargun” shpalos procesin e krijimit si betejë. Poeti përballet me fjalën, jo si mjeshtër i saj, por si robtar dhe luftëtar brenda saj. Vargu këtu merr formën e një qenieje të gjallë, të egër, të pakontrollueshme: “Përplasje, grindje me vargun e tërbuar”.

Referenca “Ah! Khajam!” e lidh poetin me traditën filozofike të Omar Khajamit, një vetëdije që pyet për kuptimin e jetës, për kotësinë e kohës, por edhe për dehjen e fjalës. Kjo poezi është një metapoetikë, një reflektim mbi vetë aktin e krijimit si dhimbje, si nevojë, si mallkim.

Një nga poezitë më të buta e më nostalgjike të ciklit është “Kitara ime e vjetër”. Kitarja është simbol i artit që plaket bashkë me njeriun, por që ruan shpirtin e dikurshëm të dashurisë e këngës.

“Kënga pëlciste me zjarrin e pashuar / E zemra mbushej dashuri…” Tani, ajo është “statujë muzeale”, “e ndryshkur”, por telat ende “dridhen përmallshëm”. Kjo poezi e lidh ndjenjën e artit me kalbjen e kohës por edhe me përjetësinë e kujtesës. Në fund, buza që dridhet është metafora e poetit vetë: një krijues që e ka këngën të gjallë, edhe kur zëri është shuar.

“Trazim”, një poezi me ton sociopolitik e filozofik, ku poeti del nga vetmia për të parë botën si arenë padrejtësish.

“Kjo botë përkundet në anije pa timonier”

Një figurë e fuqishme përshkruan kohën moderne, pa drejtim moral, pa busull shpirtërore. Të varfërit, pushtetarët, grabitja e “një kore buke”, janë motive migjeniane, por me një dritë më të zymtë: këtu shpresa është e mekur dhe “shpirti dridhet meridianëve”. Poezia është akt ndërgjegjeje, një “trazim shpirti në kohë trazirash”.

“Lisi i moçëm”, një poemë e kujtesës dhe e identitetit. Lisi është simbol i fëmijërisë, i rrënjëve, i qëndresës, por edhe i kalimit të kohës.

“Koha ia kishte tharë degët, lëkura i ishte plasaritur…” Lisi dhe poeti janë moshatarë, të dy të plakur, të dy dëshmitarë të stuhive. Zogjtë që kanë bërë çerdhe në trungun e çarë sjellin një ndjesi ciklike: jeta vazhdon edhe mbi rrënoja. Në fund, poeti shndërrohet në “endacak rrugëve”, por me zjarre të brendshme që s’shuhen, metaforë për shpirtin që nuk gjen prehje larg origjinës.

Një poezi kontemplative dhe vizuale është ajo me titull “Në dritare”. Dritarja bëhet portë drejt botës dhe vetvetes.

“Vetmia e dhomës më tërheq për flokun e thinjur”

Një imazh i jashtëzakonshëm: vetmia ka dorë, ka fuqi fizike, të “tërheq” drejt saj. Pamjet e jashtme: horizonti, era, drita e hënës… janë pasqyrë e brendshme e shpirtit që vuan, pret, kujton. “Vitet e shkuara, një poezi retrospektive, ku koha merr trup e frymë.

“Në fletoren shumëfaqëshe të jetës / Janë drynuar kujtime të thella”

Kujtesa është si një arkiv që as “era, as furtuna” s’e fshin. Në këtë poezi bie në sy qëndrueshmëria morale dhe shpirtërore: edhe kur “shtrembëroheshin lisat, rrënjët nuk tundeshin”. Një metaforë e bukur e brezit që qëndron, edhe kur gjithçka tjetër thyhet.

Këtu poetit i mbetet vetëm dhimbja dhe dashuria si relikte të përjetshme, pra një filozofi stoike dhe e thellë.

“Një gotë verë”, një poezi e jashtëzakonshme për vetminë dhe solidaritetin njerëzor, e cila fillon me një ton ekzistencialist: “Në shtrat prej zhguni klithmat zhurmojnë”, por pastaj zbutet në një përqafim njerëzor me “fukaranë” dhe “dy qentë” që ndajnë bukën. Në fund, gota e verës është metafora e dialogut me kujtimin, me miqtë e vdekur, me vetveten. Poezia përfundon me një imazh që shkrin trishtim dhe madhështi: “Gota e verës ishte mikja ime e pandarë”, një akt fatalist, por edhe fisnik. “Shëtitje” sjell një mbyllje të qetë, gati testamentare. Poeti ecën ngadalë, “me shkopin, mikun tim”, një figurë që përçon dinjitet dhe përulësi para kohës. Smolica, “Itaka ime”, është kthimi simbolik në origjinë. Poeti, si Odise që më në fund e pranon se udhëtimi i vërtetë është në kujtesë. Këtu, gjuha është e butë, fryma e përmbajtur; ka melankoli të urtë, por edhe pajtim me jetën. Në fund, gjithçka tretet në një “bardhësi kohe”, një dritë që s’ka dhimbje, vetëm kujtim.

Sikurse vërehet, në çdo poezi ndihet një ton i përzier: dhimbje, revoltë, mall dhe qetësi. Autori shkruan me një gjuhë të pasur, me metafora që mbartin gravitet emocional e filozofik, duke ndërtuar një univers ku: fjala është zjarr, kujtesa është atdhe dhe shpirti është instrument që dridhet në heshtje. Nëse do të duhej ta përmblidhnim në një varg, këto krijime flasin për një të vërtetë të thjeshtë e të përjetshme: “Koha mund të rrudhet, por shpirti i poetit s’e humb dot këngën.”

“Para pasqyrës në dhomën time” është një poezi introspektive që ndërton një raport simbolik midis poetit dhe pasqyrës si pasqyrim i shpirtit dhe i kohës së kaluar.

Pasqyra e thyer është metaforë e identitetit të copëtuar, e lodhjes shpirtërore, e pamundësisë për t’u njohur më me veten: “Nuk e njoha vetveten / Mes luginave të ballit frynte erë e nxehtë.”

Në këtë tekst, pasqyra është “bashkëbiseduese”, një lloj gjykatëse e heshtur e jetës së poetit. Në fund, fjalët “uri e shëmtuar është jeta” sintetizojnë ndjesinë e zbrazëtisë ekzistenciale. Kritikisht, kjo poezi i përket lirizmit modernist introspektiv, me ndikime të qarta nga poezia filozofike por me ton të thellë personal dhe gjuhë të figurshme shqipe.

Te “Ëndërr e bukur” poeti largohet nga realiteti përmes ëndrrës, duke krijuar një hapësirë metafizike të shpëtimit dhe dashurisë. Përmendja e Markezit dhe Octavio Paz-it e lidh këtë poezi me një univers letrar ndërkombëtar, duke treguar vetëdijen kulturore të autorit. Ëndrra bëhet ura midis jetës fizike dhe frymës poetike, aty ku dhimbja “shpërlahet”, por dashuria mbetet e pavdekshme. Vargjet janë të lëngshme, të buta, me një ritëm meditative. Kjo poetikë e ndjesisë përfaqëson momentin kur poeti, përmes artit, gjen paqen që realiteti nuk ia jep dot.

Një poezi metapoetike është “Dialog me vargun”, ku poeti hyn në dialog me krijimin e vet, pra me vetë artin. Vargu është i gjallë, i padëgjueshëm, i egër, simbol i frymës krijuese që e ndjek dhe e lodh poetin:

“Ti, vargu im idhnak / Kurrë nuk më le të qetë.”

Ky motiv kujton polemikën e poetit me muzën, një traditë e vjetër që në antikitet. Në thelb, poeti kërkon lirinë shpirtërore përmes fjalës, por e gjen veten të robëruar prej saj. Ky “dialog” është në fakt një monolog shpirtëror i mbingarkuar emocionalisht, një përpjekje për ta humanizuar vetë poezinë si qenie që e gëzon dhe e mundon njëkohësisht.

Stilistikisht, teksti është i ritmuar, me figuracion të fortë, që e afron me simbolizmin poetik bashkëkohor.

Një poezi testament: “Kur të vdes”, e përulët, por krenare; e dhimbshme, por e pajtuar. Poeti përballon temën e vdekjes me një realizëm të ndritshëm, pa frikë, pa patetikë.

“Kur të vdes / Do jetë ditë me diell...”

Ky hap i parë çmonton klishetë e vajtimit: vdekja shihet si pjesë e natyrës, jo si tragjedi. Kërkesa “mos ejani të pispillosur, me kollare” është një akt i rebelimit estetik dhe moral, një përzgjedhje etike e poetit për autenticitetin. Në fund, figura e “skamnorëve” është epitaf i ndershmërisë poetike, solidaritet i hapur me njeriun e thjeshtë, me ata që “dinë të lexojnë letrën e jetës”. Kjo poezi është një trilogi e shpirtit në tre akte: njohja me veten, ballafaqimi me artin dhe pajtimi me fundin. Në tërësi, ajo dëshmon pjekuri estetike dhe mendimtare, duke u bërë një lloj ditari poetik i ndërgjegjes njerëzore.

“Zëri i kullës së djegur” është një poezi monumentale, që rishfaq një nga simbolet më të njohura të kulturës shqiptare: kulla si vatër, kujtesë, identitet dhe qëndresë. Kulla e djegur është metaforë e atdheut të plagosur, por edhe e shpirtit të poetit. Ajo flet, digjet, kujton, por mbetet “me zë lirie”. Në vargjet e para, poeti e ngre kujtesën personale në nivel kombëtar:

“Më bëhet se dëgjoj thekshëm / Rraptimën e djepit ku përkundej rrita ime...”

Ky rikthim te djepi, në prehrin e nënës dhe në “odën e burrave”, shndërrohet në një udhëtim në rrënjët shpirtërore të shqiptarësisë. Në pjesën e dytë, toni bëhet elegjiak e njëherësh krenar. Kulla nuk është vetëm rrënojë fizike, por tempull i kujtimeve, i burrërisë dhe i besës. Edhe e djegur, ajo ruan zërin, shpirtin dhe kujtesën.

“Ke zë lirie, je emër krenarie / Histori e jetës sime nëpër flakë malli...”

Në fund, poeti i drejtohet kullës me një lutje pothuaj mistike:

“Në mos unë, shpirti im do vijë / Më le hapur derën ose një dritare!”

Ky varg është një testament shpirtëror: poeti kërkon pavdekësinë në kujtesën e vendit të vet, në simbolin e kullës që e ka lindur.

Kjo poezi është një ndërthurje mjeshtërore e epikes së kujtesës historike me lirizmin intim.

Struktura e saj na kujton baladat dhe legjendat shqiptare, por gjuha është e përpunuar, moderne, me një ndjesi sakrale e antropologjike. Mund ta konsideroj si poezi autobiografike në formë dhe kombëtare në përmbajtje, ku përvëlimi personal bëhet kujtesë kolektive.

Poezia “Nuk kam adresë”, në dukje më e heshtur, e gjen poetin që tashmë është “në udhëtim”, pa adresë, mes botës së jetës dhe asaj të kujtesës. Adresën e humbur nuk duhet ta lexojmë si mungesë banese, por si shenjë e kalimit drejt një bote tjetër shpirtërore, të përtejme, të qetë.

“Mos më dërgoni letra, as porosi / Nuk banoj në të njëjtën adresë...”

Këtu poeti është në dialog me miqtë, me kohën dhe me lexuesin. Ai tashmë nuk i përket më botës së përditshme, por mbetet i pranishëm në fjalë, në kujtim, në varg.

“Në varg dua të jam i varur kujtim / Në adresën e dhimbjes sime...”

Në këtë poezi, ndjenja e vetmisë është e gërshetuar me pranimin e qetë të moshës dhe të rrugës drejt amshimit. Shkopi që mban në dorë, shikimi që venitet, janë shenja të njeriut që e njeh fundin, por nuk dorëzohet para tij.

“Nuk dëshiroj të tretem, pa dëshmi...”. Ky varg është thelbi i gjithë poezisë së tij: dëshira për të mbetur dëshmi, për t’u kujtuar përmes artit, përmes poezisë.

Krijimtaria e autorit Tahir Bezhani, në aspektin emocional, përshkohet nga një ton i përhershëm meditativ e elegjiak. Dhimbja, kujtimi, malli dhe heshtja janë katër kolonat mbi të cilat ngrihet struktura e tij poetike. Në to ndihen gjurmët e një shpirti që ka parë shumë, ka përjetuar shumë, por ende beson te fjala, te bukuria, te shpresa. Edhe kur shfaqet pesimist, ai mbetet një pesimizëm fisnik, i mbështjellë me ndjesi të thella humane. Poezitë “Kur të vdes”, “Nuk kam adresë” apo “Vuajtja e ka heshtjen e gjatë” tregojnë se poeti e sheh vdekjen jo si fund, por si vazhdim i qetë i një udhëtimi shpirtëror, ku fjala poetike është dëshmi e pavdekësisë.

Në planin estetik, poeti e ka ndërtuar stilin e vet përmes një gjuhe të ngrohtë, metaforike dhe të kristaltë. Ai përdor imazhe të natyrës për të shprehur ndjenja të brendshme: retë, shiu, dielli, malet, era, dritarja apo pasqyra bëhen pasqyrim i lëvizjeve të shpirtit. Vargu shpesh është i gjatë, i valëzuar, si frymëmarrje e lodhur, por e qëndrueshme, një stil që e dallon qartë nga shumë bashkëkohës të tij.

Në përmbledhje, mund të thuhet se autori ka krijuar një poetikë të qëndresës, kujtesës dhe humanizmit. Ai është poet i njeriut të thjeshtë, i tokës dhe i shpirtit që digjet, por nuk shuhet. Përmes një gjuhe të kthjellët e ndjenjash të thella, ai e ka bërë poezinë dëshmitare të kohës dhe strehë të shpirtit njerëzor. Në librin “Pikla nga qielli”, kjo pjekuri arrin kulmin: fjala bëhet më e qetë, më e thellë, më e urtë. Poezia e tij është, në fund të fundit, testament shpirtëror i një jete të tërë, që flet për dashurinë ndaj jetës, ndaj njerëzve dhe ndaj fjalës që mbetet përjetësisht bashkë me artin.

Gjakovë, 05.11.2025



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx