E merkure, 05.11.2025, 11:51 PM (GMT)

Kulturë

Mihal Gjergji: Baladë për Shemo Kason

E merkure, 05.11.2025, 06:50 PM


Mihal Gjergji

BALADË PËR SHEMO KASON

Për Shemo mjekërzinë

Janina flet e mekur

Se palla vetëtime

Nga dhimbja s’qënka tretur

Dhe zgjohet kordhëtari

Qëndisur me gajtanë

Në terrin e hapsanës

Kaçakun dot s’e mbajnë

Ndaj vdekja pyet varrin

Mbi ç'kal' po rend harbuti?

Ka tridhjet' vjet firar

E thonë s’e mban tabuti

Në Shehër e Trihallë

Dhe tej, në Samarinë

Halldupët-pallë e Shemos

I pret e bën kërdinë

Një re i zbret mbi krye

Si çallmë e zezë turku

Dhe brof ta gris me shpatë

Dhe pret të bjerë muzgu

Me hapin si fajkua

Të shkelë në shteg e prita

Se nata paska veshë

E sytë i shqyen dita

Të digjet Grebeneja

Në djall dhe Muhedini...

Një brengë e mban në zemër

Dhe rri mendohet trimi

E shoqja mbledh lëpjetë

Se s’paska qumësht gjiri

Dhe pret të rriten djemtë

Në portë i mbiu syri...

Për Shemon paska këngë

Këndohen tek burimi

Të gjallë, apo me gjëmë

E pret të kthehet trimi?

Tiranë, Nëntor 2018



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx