E diele, 14.09.2025, 12:18 AM (GMT+1)

Mendime

Llesh Ndoj: A mund t’i vijnë veshët qeverisë me Diellën?

E shtune, 13.09.2025, 06:55 PM


A mund t’i vijnë veshët qeverisë me Diellën?

Nga Llesh Ndoj

Fatkeqësisht për të qeverisurit prej saj, qeveria shqiptare, jo vetëm kjo e Edi Ramës, por edhe kjo, ka qenë gjithnjë “shurdhe” ndaj çdo zëri që i troket në derë nga jashtë saj. Mendjemadhësi? Arrogancë? Vetëpëlqim? Autokraci? Emrin veja si të duash, se me secilin prej tyre do të gjendesh komod, kuptohet jo me qeverinë e qeveritarët, por me perceptimin ndaj saj. Asnjëherë zëri i halleve dhe nevojave reale të njerëzve, dhe kur them këtë kam parasyshë masën e gjerë të tyre, jo miliarderët, kriminelët e pushtetarët figurantë, nuk ka gjetur “veshë të hapur” në administratën qeverisëse të shtetit. Vendin e veshëve të hapur e të ndjeshëm ndaj tyre e ka zënë gojët llapaqene, që s’pushojnë kurrë, por që nuk flasin kurrë ato që i shërbejnë zgjidhjes, barku i madh, që nuk ngopet asnjëherë me ato para që dalin nga taksat e varfanjakëve, dhe xhepat e blinduar (nënkupto llogaritë bankare në ofshore dhe ofshe - medet!) të tyre që thithin si hiena edhe qindarkat e fundit nga xhepat e shyer të atyre që mezi e fitojnë bukën e gojës për vete dhe fëmijët. Megjithatë kurrë nuk kanë munguar kinse përpjekjet për t’a gjasëm zmadhuar “veshin e qeverisë” e bërë atë më të ndjeshëm, duke shpikur lloj - lloj metodash, të cilat në fakt nuk bëjnë gjë tjetër veçse përgjegjësitë reale të njerëzve realë i transferojnë drejt platformave virtuale. Sa e njoh këtë realitet, përparime edhe ka, por ato janë si me pikatore e shurdhëria ka marr dhenë. Kjo sepse “veshi virtual” është i ftohtë dhe ai asnjë zgjidhje nuk e jep dot, në se syri pas tij nuk sheh mirë e pa lente transformuese dhe sipas orekseve qeveritare, përveçse tash zyrtarisht askush s’mban më asnjë përgjegjësi. Të kuptohemi, unë nuk jam e s’mund të jemë kundër teknologjisë! Përtej diskutimeve akademike në se zgjidhje të tilla janë apo jo kushtetuese e ligjore, të cilat sidomos aktualisht me Diellën - ministre, nuk janë pa vend, apo diskutimit politik se kë votojmë realisht ne për t’na qeverisur, teknologjinë apo njerëz të caktuar të organizuar ose jo në parti politike, që na paraqesin një program qeverisës, shqetësimet bëhen edhe më të prekshme. A kemi të bëjmë me zgjidhje efektive, apo me zgjatime propogandistike të fushatave elektorale?

Teknologjia ka dhënë prova se është e sotmja dhe e ardhmja e zhvillimit, por është gjithashtu e ditur edhe se:

- teknologjia programohet nga njerëzit dhe jep zgjidhje maksimumi për aq sa është programuar. Po në se ata që e programojnë aq mend kanë, apo aq duan t’I transferojnë teknologjisë përtej xhamit, a mund të presim zgjidhje të mençura prej saj? Ajo lind e ftohtë dhe mbetet po e ftohtë, prandaj edhe nuk del dot nga korniza. Shqetësimi se mos teknologjia po “shndërrohet në diçka me ndërgjegje”, është një shqetësim serioz, por jo edhe një arritje me vlera praktike;

- jo vetëm programohet nga njerëzit, por edhe rekomandimet e saj lexohen nga njerëzit. Dhe ata nuk mund të jenë dokushdo njerëz, por nga ata që e kanë programuar vetë, dhe po vetë kanë detyrën të vendosin a do të duhet t’i zbatojnë ato rekomandime apo t’i hedhin ne koshin e plehërave ato, pra nga qeveritarët. Po në se këta “lexuesit” nuk duan të kenë sy, as veshë, si i bëhet? Po në se ata vendosin t’i fusin një “Delete”, si në rastin e 21 janarit, si i bëhet?

- zgjidhjet apo rekomandimet e teknologjisë nuk kanë e nuk mund të kenë fuqi ekzekutive. Në se qeveritarët që qëndrojnë përpara e pas tyre nuk kanë vullnet të japin e të urdhërojnë zgjidhje, shurhëria vazhdon, ndërsa oratoria propogandon përsëri vetëm realitete virtuale.

Jo për të përsëritur të shkuarën, por historia ka treguar se asnjë teknologji, sado e përparuar të jetë ajo, në se para e pas saj nuk qëndron njeriu, ai me sy, me veshë, me ndjeshmëri, ndërgjegje e përgjegjësi, ajo mbetet ose stoli, ose përdoret kundër qëllimeve për të cilat është programuar e prodhuar. Vjedhja, krimi e papërgjegjshmëria bëhen virtuale për nga subjekti që i kryen ato, por pasojat janë po aq reale, në mos edhe më shumë.

Platforma “Shqipëria qe duam”, futja e dhënies së shumë shërbimeve përmes e-albania etj, nuk e kane zgjidhur problemin e ndjeshmërisë qeveritare ndaj halleve të njerëzve, as nuk e kanë ulur burokracinë shtetërore, në mos e paçin shtuar atë, nuk e kanë ulur korrupsionin, por e kanë sofistikuar atë, nuk i kanë kursyer qytetarët, në mos ua paçin shtuar atyre shpenzimet, ndonëse, per të qenë i sinqertë deri në fund, ndonjë rezultat e kanë dhënë. As Diella - ministre e Qeverisë “Rama 4” s’do ta bëje dot qeverinë tonë me veshë! E kam këtë bindje absolute, jo si paragjykim, por si përvojë e tri mandateve pararendëse, se ata që qëndrojnë para dhe pas saj, nuk duan të dëgjojnë, as s’ua ndjen fare për hallet e njerëzve.

Tregojnë se në kohën e Enverit, një burrë i zgjuar malësie kërkoi me ngulm ta takonte udhëheqësin e popullit, të cilin populli mund ta shihte vetëm dy herë në vit përmes televizorit. Kur e futën atje plakun, ai bisedoi gjatë me udhëheqësin, por s’tha asnjë fjalë atij për hallin që e kishte munduar deri atje, dhe vetëm në fund fare i kishte kërkuar një gotë me ujë.

- Këtu uji qenka i kjartë! - kishte thënë ai dhe ishte përshëndetur me të duke dalë prej aty. Kjo nënkuptonte se udhëheqja lart ishte në binarë, urdhërat (vija) e tyre ishin të qarta, por ujërat poshtë turbulloheshin! Le ta aktualizojmë pak çeshtjen. Edi Rama ka përqëndruar aq shumë pushtete në duart e tij sa edhe “Enver” n’u bëftë s’i zgjidh dot problemet me të cilat ballafaqohet vendi, sepse tek administrata e tij e të gjitha niveleve ka injektuar, unë besoj me dashje, shurdhërinë e plotë ndaj halleve të njerëzve, dhe u ka dhënë atyre kompetenca të plota vetëm të flasin qoftë edhe kot për të reklamuar programe pa fund, propoganduar arritje që s’shihen as nuk preken, shkurt për t’i ngopur njerëzit me lugën bosh, ndërsa në raport me veten e tij atyre u ka imponuar të kenë vetëm veshë e të mbyllin gojën përfundimisht, ndryshe u “shkon koka”, nënkupto karrika. Është absurde situata ku vullneti i një njeriu të vetëm, jo vetem kryeministrit, por edhe nëpër bashki, u imponohet të gjithëve dhe ata vetëm duhet t’a duartrokasin. Në se “pa dashje” evidentohet ndonjë mangësi pune, vartësit e vegjël, ata dhe vetëm ata mbetën përgjegjës, shkarkohen “me dëshirën” e tyre e me “vullnet” të plotë, ose edhe përfundojnë nëpër qeli. Qeveria e qeverisja nuk kanë as më të voglën dëshirë të njohin realitete të tjera veç atyre virtuale që i krijojnë vetë “in vitro”, ndërsa ai më i madhi, Rama i plotfuqishëm, nuk ka kurrë asnjë përgjegjësi për gjendjen, por thjeshti perceptimi jonë nuk përputhet me të tij, duke qenë se kemi të bëjmë me dy realitete paralele.

Humbja e dukshme e ndjeshmërisë njerëzore tek qeverisja aktuale nuk mund të zëvendësohet jo me një “Diella”- ministre, por as me një “Rama” - robot! Është e dukshme shkëputja e qeveritarëve nga realiteti, por kjo nuk mund të kompensohet duke krijuar realitete virtuale. Përkundrazi, distanca sa vjen e thellohet e një ditë edhe vetë “robotët” mund të bëhen të rrezikshëm e t’i thonë qeverisë: Po s’na dëgjuat as ne, një ditë mund të bashkohemi me të shumtët kundër jush!



(Vota: 0)

Komentoni
Komenti:


Gallery

Karnavalet Ilire në Bozovcë dhe Tetovë - 2025
Pëllumb Gorica: Magjia e bukurive të nëntokës sulovare
Fotaq Andrea: Një vështrim, një lot, një trishtim – o Zot sa pikëllim!
Pëllumb Gorica: Grimca kënaqësie në Liqenin e Komanit
Shkolla Shqipe “Alba Life” festoi 7 Marsin në Bronx