| E shtune, 13.09.2025, 06:55 PM |
A mund t’i vijnë veshët qeverisë me Diellën?
Nga
Llesh Ndoj
Fatkeqësisht
për të qeverisurit prej saj, qeveria shqiptare, jo vetëm kjo e Edi Ramës, por
edhe kjo, ka qenë gjithnjë “shurdhe” ndaj çdo zëri që i troket në derë nga
jashtë saj. Mendjemadhësi? Arrogancë? Vetëpëlqim? Autokraci? Emrin veja si të
duash, se me secilin prej tyre do të gjendesh komod, kuptohet jo me qeverinë e
qeveritarët, por me perceptimin ndaj saj. Asnjëherë zëri i halleve dhe nevojave
reale të njerëzve, dhe kur them këtë kam parasyshë masën e gjerë të tyre, jo
miliarderët, kriminelët e pushtetarët figurantë, nuk ka gjetur “veshë të hapur”
në administratën qeverisëse të shtetit. Vendin e veshëve të hapur e të ndjeshëm
ndaj tyre e ka zënë gojët llapaqene, që s’pushojnë kurrë, por që nuk flasin
kurrë ato që i shërbejnë zgjidhjes, barku i madh, që nuk ngopet asnjëherë me
ato para që dalin nga taksat e varfanjakëve, dhe xhepat e blinduar (nënkupto
llogaritë bankare në ofshore dhe ofshe - medet!) të tyre që thithin si hiena
edhe qindarkat e fundit nga xhepat e shyer të atyre që mezi e fitojnë bukën e
gojës për vete dhe fëmijët. Megjithatë kurrë nuk kanë munguar kinse përpjekjet
për t’a gjasëm zmadhuar “veshin e qeverisë” e bërë atë më të ndjeshëm, duke
shpikur lloj - lloj metodash, të cilat në fakt nuk bëjnë gjë tjetër veçse
përgjegjësitë reale të njerëzve realë i transferojnë drejt platformave
virtuale. Sa e njoh këtë realitet, përparime edhe ka, por ato janë si me
pikatore e shurdhëria ka marr dhenë. Kjo sepse “veshi virtual” është i ftohtë
dhe ai asnjë zgjidhje nuk e jep dot, në se syri pas tij nuk sheh mirë e pa
lente transformuese dhe sipas orekseve qeveritare, përveçse tash zyrtarisht
askush s’mban më asnjë përgjegjësi. Të kuptohemi, unë nuk jam e s’mund të jemë
kundër teknologjisë! Përtej diskutimeve akademike në se zgjidhje të tilla janë
apo jo kushtetuese e ligjore, të cilat sidomos aktualisht me Diellën -
ministre, nuk janë pa vend, apo diskutimit politik se kë votojmë realisht ne
për t’na qeverisur, teknologjinë apo njerëz të caktuar të organizuar ose jo në
parti politike, që na paraqesin një program qeverisës, shqetësimet bëhen edhe
më të prekshme. A kemi të bëjmë me zgjidhje efektive, apo me zgjatime
propogandistike të fushatave elektorale?
Teknologjia
ka dhënë prova se është e sotmja dhe e ardhmja e zhvillimit, por është
gjithashtu e ditur edhe se:
-
teknologjia programohet nga njerëzit dhe jep zgjidhje maksimumi për aq sa është
programuar. Po në se ata që e programojnë aq mend kanë, apo aq duan t’I
transferojnë teknologjisë përtej xhamit, a mund të presim zgjidhje të mençura
prej saj? Ajo lind e ftohtë dhe mbetet po e ftohtë, prandaj edhe nuk del dot
nga korniza. Shqetësimi se mos teknologjia po “shndërrohet në diçka me
ndërgjegje”, është një shqetësim serioz, por jo edhe një arritje me vlera
praktike;
-
jo vetëm programohet nga njerëzit, por edhe rekomandimet e saj lexohen nga
njerëzit. Dhe ata nuk mund të jenë dokushdo njerëz, por nga ata që e kanë
programuar vetë, dhe po vetë kanë detyrën të vendosin a do të duhet t’i
zbatojnë ato rekomandime apo t’i hedhin ne koshin e plehërave ato, pra nga
qeveritarët. Po në se këta “lexuesit” nuk duan të kenë sy, as veshë, si i
bëhet? Po në se ata vendosin t’i fusin një “Delete”, si në rastin e 21 janarit,
si i bëhet?
-
zgjidhjet apo rekomandimet e teknologjisë nuk kanë e nuk mund të kenë fuqi
ekzekutive. Në se qeveritarët që qëndrojnë përpara e pas tyre nuk kanë vullnet
të japin e të urdhërojnë zgjidhje, shurhëria vazhdon, ndërsa oratoria
propogandon përsëri vetëm realitete virtuale.
Jo
për të përsëritur të shkuarën, por historia ka treguar se asnjë teknologji,
sado e përparuar të jetë ajo, në se para e pas saj nuk qëndron njeriu, ai me
sy, me veshë, me ndjeshmëri, ndërgjegje e përgjegjësi, ajo mbetet ose stoli,
ose përdoret kundër qëllimeve për të cilat është programuar e prodhuar.
Vjedhja, krimi e papërgjegjshmëria bëhen virtuale për nga subjekti që i kryen
ato, por pasojat janë po aq reale, në mos edhe më shumë.
Platforma
“Shqipëria qe duam”, futja e dhënies së shumë shërbimeve përmes e-albania etj,
nuk e kane zgjidhur problemin e ndjeshmërisë qeveritare ndaj halleve të
njerëzve, as nuk e kanë ulur burokracinë shtetërore, në mos e paçin shtuar atë,
nuk e kanë ulur korrupsionin, por e kanë sofistikuar atë, nuk i kanë kursyer
qytetarët, në mos ua paçin shtuar atyre shpenzimet, ndonëse, per të qenë i
sinqertë deri në fund, ndonjë rezultat e kanë dhënë. As Diella - ministre e
Qeverisë “Rama 4” s’do ta bëje dot qeverinë tonë me veshë! E kam këtë bindje
absolute, jo si paragjykim, por si përvojë e tri mandateve pararendëse, se ata
që qëndrojnë para dhe pas saj, nuk duan të dëgjojnë, as s’ua ndjen fare për
hallet e njerëzve.
Tregojnë
se në kohën e Enverit, një burrë i zgjuar malësie kërkoi me ngulm ta takonte
udhëheqësin e popullit, të cilin populli mund ta shihte vetëm dy herë në vit
përmes televizorit. Kur e futën atje plakun, ai bisedoi gjatë me udhëheqësin,
por s’tha asnjë fjalë atij për hallin që e kishte munduar deri atje, dhe vetëm
në fund fare i kishte kërkuar një gotë me ujë.
-
Këtu uji qenka i kjartë! - kishte thënë ai dhe ishte përshëndetur me të duke
dalë prej aty. Kjo nënkuptonte se udhëheqja lart ishte në binarë, urdhërat
(vija) e tyre ishin të qarta, por ujërat poshtë turbulloheshin! Le ta
aktualizojmë pak çeshtjen. Edi Rama ka përqëndruar aq shumë pushtete në duart e
tij sa edhe “Enver” n’u bëftë s’i zgjidh dot problemet me të cilat ballafaqohet
vendi, sepse tek administrata e tij e të gjitha niveleve ka injektuar, unë
besoj me dashje, shurdhërinë e plotë ndaj halleve të njerëzve, dhe u ka dhënë
atyre kompetenca të plota vetëm të flasin qoftë edhe kot për të reklamuar
programe pa fund, propoganduar arritje që s’shihen as nuk preken, shkurt për
t’i ngopur njerëzit me lugën bosh, ndërsa në raport me veten e tij atyre u ka
imponuar të kenë vetëm veshë e të mbyllin gojën përfundimisht, ndryshe u “shkon
koka”, nënkupto karrika. Është absurde situata ku vullneti i një njeriu të
vetëm, jo vetem kryeministrit, por edhe nëpër bashki, u imponohet të gjithëve
dhe ata vetëm duhet t’a duartrokasin. Në se “pa dashje” evidentohet ndonjë
mangësi pune, vartësit e vegjël, ata dhe vetëm ata mbetën përgjegjës,
shkarkohen “me dëshirën” e tyre e me “vullnet” të plotë, ose edhe përfundojnë
nëpër qeli. Qeveria e qeverisja nuk kanë as më të voglën dëshirë të njohin
realitete të tjera veç atyre virtuale që i krijojnë vetë “in vitro”, ndërsa ai
më i madhi, Rama i plotfuqishëm, nuk ka kurrë asnjë përgjegjësi për gjendjen,
por thjeshti perceptimi jonë nuk përputhet me të tij, duke qenë se kemi të bëjmë
me dy realitete paralele.
Humbja
e dukshme e ndjeshmërisë njerëzore tek qeverisja aktuale nuk mund të
zëvendësohet jo me një “Diella”- ministre, por as me një “Rama” - robot! Është
e dukshme shkëputja e qeveritarëve nga realiteti, por kjo nuk mund të
kompensohet duke krijuar realitete virtuale. Përkundrazi, distanca sa vjen e
thellohet e një ditë edhe vetë “robotët” mund të bëhen të rrezikshëm e t’i
thonë qeverisë: Po s’na dëgjuat as ne, një ditë mund të bashkohemi me të
shumtët kundër jush!